Halit Bogaj: Kumbonari i Katedrales së Parisit (1956)
| E Enjte, 24.02.2011, 07:58 PM |

KUMBONARI I KATEDRALES SË PARISIT (1956)

 

Film monumental i analizuar në dy versione

 

Nga Halit Bogaj

 

Pirgu i lartë i Katedralës ishte një lloj simboli i amshuar i cili zbulohej në pasqyrime të veçanta  dhe me aq pasion, sa edhe vetë  Katedralja.

 

Filmi u qaset edhe personazheve kryesore të cilat vuajnë, luftojnë dhe argëtohen pranë këmbëve të saj gjiganteske.Në qendër të filmit kemi  Esmeraldën – një jevge të bukur dhe të lindur jashtë qyteteve të mëdha.Ajo ishte një krijesë e drejtëpërdrejtë dhe e një natyre të tërë që kishte lindur në hapësirat e gjera dhe të padjallëzuara, në malet e dendura, në taborret jevge dhe larg zhurmës së qytetërimit njerëzor. Dy njerëz që jetonin nën kupolën e Katedrales,fatin e kishin të lidhur me Esmeraldën dhe muret e errëta të kishës madhështore.Ata ishin shpirtra të vetmuar të cilëve Katedralja u bënte shoqëri të përjetshme.

 

Monstrumi Kuazimodo – përkatësisht fytyra më e shëmtuar e letërsisë botërore në veprën homonime të shkrimtarit Viktor Hygo –nuk kishte asnjë lidhje me botën e jashtme njerëzore, përveç me shenjtorët e Katedrales.Ata e ruanin dhe e mbronin, por ai shpesh fliste me ndonjë ikonë dhe lexonte libra.Në jetën e tij të gjatë mes atyre mureve, faltorja nuk i bënte vetëm shoqëri, por ia ndryshonte edhe botën e tij të brendshme dhe mbarë natyrën e jashtme.Kuazimodo më së tepërmi i adhuronte këmbanat të cilave u binte me passion të madh.Ishte kumbonari i tyre i vetëm dhe legjitim, por të cilat edhe e kishin shurdhuar.Këmbanat e zgjonin shpirtin e tij dhe Katedralja i  dukej si nëna e vetë.Kohëpaskohe dhe në atë errësirë të tmerrshme  -ndjehej i lumtur.Këmbanat i dashuronte dhe shpeshherë fliste me to –sikur të ishin njerëz .I  dashuronte në mënyrë të njejtë që nga e vogla deri tek e madhja dhe kur u binte dukej se dridheshin në duart e kumbonarit të rryer.Nganjëherë e kapte ndonjë tërbim dhe në syrin e tij të vetëm ndizej ndonjë flake e veçantë.Ngjitej në këmbanë dhe luhatej nga njëra anë në tjetrën dhe mishërohej me të, sikur edhe ajo të ishte monstrum i vërtetë .Atëherë ajo as nuk ishte këmbanë, por as ai kumbonar, duke përngjarë e tëra në një përftim të erës dhe në një çmendi marramendëse.Aty jetonte ai që nuk kishte vend midis njerëzve, kurse shëmtia e tij ishte e tmerrshme.Figura e tij të ngjante në një ferr të vërtetë, por shpirti i bardhë – e mbulonte pamjen e tij të jashtme.Kuazimodo as që e hetonte se në vetëvete kishte shpirt dhe truri i tij përfaqësonte njëfarë bote specifike, ku i dukej se ishin të thyera dhe të rrudhura të gjitha mendimet.Si pasojë tjetër e shëmtisë së tij ishte fakti se ajo  e bënte të irituar në sytë e njerëzimit.Dhe me të vërtetë ai dukej i keq, sepse ishte i shëmtuar dhe të  gjithë e urrenin.E shtynin, e largonin nga vetja dhe e përbuznin, duke u gërditur prej tij dhe edhe kur ishte rritur e kishte parë se vazhdonte një urrejtje e tillë nga të gjithë.Kjo ishte rruga e përhershme jetësore e kumbonarit të  dhembshëm Kuazimodo.Esmeralda e shihte bishën tek prifti, kurse tek kumbonari qenjen e pastër njerëzore.I rrahur në mënyrë të pamëshirshme në sheshin e hapur, Kuazimodo i lutej Zotit që t`ia merrte shpirtin dhe në ato çaste aq të dhembshme për gungaçin, atje lart  hyp Esmeralda për t`i dhënë ndihmë, kurse nga syri i tij i vetëm derdhte shumë lotë , duke ia mbuluar fytyrën e tij të shëmtuar , të cilët mund të ishin edhe lotët e tij të parë të derdhur ndonjëherë në jetë. Kështu fillon dashuria e tij  ndaj Esmeraldës së bukur, e cila e dashuronte një officer naiv,të cilin nga xhelozia e plagos prifti shpirtzi Frolo, për ta akuzuar Esmeraldën për një krim që nuk e kishte bërë dhe që nuk kishte kurrëfarë logjike për diçka të tillë.Prifti i përmendur ishte në mesin e të gjithë atyre që e mundonin krijesën e bukur jevge.Monahu i tmerrshëm, nga epshi i tij i padrejtë, është vetë djalli për dy krijesat e vuajtura/Esmeraldën dhe Kuazimodon/.Në vazhdim, Kuazimodo e shpëton nga xhelati të dashurën e tij, duke e futur përbrenda Katedrales – sikur të ishte ndonjë kalorës fantastik mesjetar.Ai bëhet shpëtimtari i parë dhe i vetëm i saj, kurse Frolo hante gishtërinjtë e tij nga inati dhe xhelozia.Çdo herë kur ajo flente në Katedralë, një dorë e pahetuar ia shpiente ushqimin dhe ia këndonte këngët e gjumit, duke u bërë shpëtimtari i saj kalorsiak.Një ditë, pranë dritares së dhomës ku ajo flente, i gjen edhe lulet dhe mahnitet me shpirtin e bardhë të shpëtimtarit, i cili flente te dera e dhomës si një besnik shumë i madh.

 

Duke u kthyer në një retrospektivë të mëhershme të versionit të parë të këtij filmi , krijojmë përshtypje të  sigurtë se versioni më i ri është i një niveli më të ultë në krahasim me atë në të cilin aktrojnë  Entoni Kuin  dhe Gjina Lolabrixhida.Kjo u përket sidomos dy protagonistëve kryesorë /Mandi Patenkin dhe Selma Hajek/të cilët tregojnë rënie të madhe në krahsim me Kuazimodon e Kuinit dhe Esmeraldën e Lolabrixhidës, ndërsa këtë nuk mund ta themi për Frolon të cilin edhe këtu e pavdekëson veterani i shquar Riçard Harris. /

 

Esmeralda e bukur, kurse Kuazimodo i shëmtuar në pamje të jashtme , por me shpirt të bardhë ,janë personazhet kryesore të filmit të  cilët të mbajnë peshë gjatë tërë kohëzgjatjes së tij.

 

Gjithçka fillon dhe përfundon në një katedrale kolosale të Parisit ku defilojnë njerëz të llojllojshëm ndaj të cilëve rëndon një peshë e madhe e përditshmërisë jetësore.Priftërinjtë shpirtzinj ishin me autoritet të madh dhe fjala e tyre respektohej nga të gjithë, të  cilët në  film i përfaqëson  Dom Frolo i dashuruar marrëzisht në  jevgen Esmeralda por që nuk  guxonte ta pranonte në asnjë mënyrë një”mëkat” të tillë shpirtëror çfarë nuk ia lejonin rregullat skolastike kishtare dhe fetare.Për ta mposhtur mëkatin e tij sekret Dom Frolo shpeshherë e kamxhikosë vetveten, por edhe është tepër xheloz pse Esmeralda është e dashuruar në Kuazimodon e shëmtuar por i pajisur me shpirtbardhësi të jashtëzakonshme.Për Frolon , Kuazimodo bonjak/i  rritur në brendinë e mureve të zeza të Katedrales parisiene/ nuk duhej të ishte askush tjetër përveç një kumbonari gungaç dhe një budallai që nuk i duhej askujt përveç kambanave që duhej t’u binte vazhdimisht.Pra, si mud ta duronte Dom Frolo një njeri të tillë për rival ndaj një dashurie të ushqyer fshehurazi nga ana e tij?

 

Fjala e priftit Dom Frolo ishte një ligj i pashkruar dhe ekzekutim imediat i cili mund të bënte gjithçka madje edhe me jetën njerëzore.Ai do ta vriste Esmeraldën vetëm që ajo të mos ishte e dikujt tjetër, e aq më tepër e një”njeriu të çoroditur” siç ishte Kuazimodo.Prandaj edhe krijon situata të tilla për ta akuzuar atë për vrasjen e dashnorit të saj me ç’ rast në mbrojtjen e saj del kalorësi i vërtetë i kohës Kuazimodo i cili me trimërinë e tij mahnit edhe një herë shpirtin e së dashurës së tij e cila ishte e dashuruar pikërisht në virtytet e tij të larta njerëzore.Në këtë kontekst heroi filmor/Kuazimodo/ na del një shpëtimtar madhështor në luftë ndaj së keqes dhe ekzekutimit që do ta bënte Dom Frolo ndaj Esmeraldës.

 

Në skenat e pastajme shikuesi mahnitet me veprimet thuajse kalorsiake të njeriut të drejtë dhe shpirtbardhë që kërcen nga këndi në kënd në lartësitë  e Katedralës për t’u rënë kambanave në paralajmërim të një tragjedie që përgatitej ndaj të dashurës së tij me të cilën nuk kishte asnjë lidhje fizike , përveç asaj platonike.

 

Në fillim të  filmit kur Kuazimodo zgjidhet”Mbret i të shëmtuarve”, Esmeralda frikësohet prej tij, sidomos kur ia shikon fytyrën e tmerrshme, por më vonë ajo ndien keqardhje për ndjenjat e saj të mëparshme, ngase e sheh se kush ishte Kuazimodo i vërtetë.Përpiqet të bëhet sa më e afërt me atë njeri fatkeq që natyra e kishte dënuar në mënyrë të tillë, kurse ai gëzohej së tepërmi nga prania e saj e vazhdueshme.

 

Dhe derisa përfundojnë të  gjitha ato çmendira të njerëzve të pa punë të  cilët  sillen vërdallë rreth Katedrales, Kuazimodo dhe Esmeralda mishërohen thellësisht njëri me tjetrin për të mos u shkëputur kurrë nga romansa e tyre legjendare në  vdekjen tragjike të  shkaktuar nga Dom Frolo.

 

Kryepeshkopi i kriminalizuar në thellësitë e tij shpirtërore/Dom Frolo/ ndjek dhe përgjon  çdo lëvizje të tyre, për t’u bërë edhe varrmihësi kryesor i  dy krijesave që nuk i bënin  askujt asnjë të keqe.Dashuria e pakontrolluar ndaj Esmeraldës e shëndrron Frolon në një  lakmitar xheloz i cili do ta zgjedhë vetëm një rrugë për t’i shfryer epshet e veta të çoroditura, e cila shpie në krim të drejtpërdrejtë dhe të paevituar.Ai , nga një klerik autoritativ kthehet në vrastar.

 

Dy versionet e filmit”Kumbonari i  Katedralës së Parisit” dallojnë njëri nga tjetri për disa aspekte të ndryshme.Derisa  ai me E.Kuinin është shumë më origjinal dhe autentik, ai me Riçard Harrisin duket më i zbehtë dhe më pak i arritur artistikisht.

 

Dyzet vite më parë dhe sikur filmi të ishte i realizuar sot, shkëlqen përsosmërish aktori gjenial Entoni Kuin, kurse tani Riçard Harris në rolin  e peshkopit i  cili lirisht mund të thuhet se është e vetmja hallkë e qëlluar në versionin e fundit të”Kumboarit....”.Atëherë madhështore ishte edhe Gjina Lolabrixhida kurse tani shumë  e zbehtë në aktrim aktorja Selma Hajek në rolin  e Esmeraldës.Por edhe krijuesit e filmit të fundit kushtuar Katedrales do ta kenë parë se kanë dështuar me preokupimet e tyre që ta krijonin një  realizim më të mirë.Do ta kenë parë sigurisht dhe do të jenë  bindur se kryeveprat  e relaiziara filmore gjatë viteve është mirë që të mbesin me kujtime të tilla e mos të bastardhohen me versione të tjera groteske.

 

Versioni i parë/ për të cilin flasim më tepër në këtë punim/, është shumë më afër veprës letrare, kurse i dyti është bërë me disa ndryshime të theksuara dhe me një shije tjetër regjisoriale ku në  fund heroina e filmit mbetet e gjallë , duke ia humbur vlerën edhe veprës letrare ,si njëra ndër kryeveprat më të rëndësishme botërore.

 

Në film , përshkrimi i kishës është inkarnim universal i  idesë romantike të çasjes .Objekti i kishës nuk është vetëm përmendore arkitektonike, por një gjigant i gjallë që jeton i paprekur nëpër periudha të ndryshme të historisë dhe që nën  gjunjtë e së cilës përkulen gjenerata të shumta njerëzore.

 

“Kisha është një Simfoni e krijuar në gurë, një sajim i njeriut dhe popullit, e veçantë dhe e ndërlikuar në të njëjtën kohë”.Ajo gjithashtu merr kuptim hyjnor dhe jeton e paprekur deri në amshim.Forcën e saj e plotësojnë  Frolo  dhe Kuazimodo që janë rritur dhe moshuar  mes mureve të saj.Kisha është vepër e krijuesit të saj, por populli është murator.

 

Në qendër të filmit kemi Esmeraldën që kishte lindur në hapësira të gjëra dhe të padjallëzuara dhe jashtë zhurmës së qytetërimit.

 

Me aq pasion sa edhe Katedralës, regjisori u çaset edhe personazheve kryesore të cilat vuajnë, luftojnë dhe argëtohen pranë këmbëve vigane të saj.

 

Dy njerëz që jetonë nën kupolën e Katedrales , fatin e kanë të lidhur me Esmeraldën dhe me muret e errëta të asaj kishe.Ata janë dy shpirtëra të vetmuar të cilëve Katedralja u bënë  shoqëri të përhershme.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: