Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990
| E Hene, 14.02.2011, 08:59 PM |

Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë  1945-1990

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

 

Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945), si gjithkund në Kosovë njashtu edhe në Mitrovicë e rrethinë, bandat kriminele serbe bënin kërdinë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, se qëllimi i vazhdueshëm i tyre edhe më tej ishte realizimi i planit makabër i Vasa Qubrilloviqit dhe i shumë të tjerëve, ku thoshin se koha më e përshtatshme për ti asgjësuar shqiptarët është periudha e luftës, kur askush për asgjë nuk di dhe askush për asgjë nuk jep ndonjë llogari për krimet që bëhen.

            Pas shuarjes me gjak të kryengritjes së Drenicës, forcat e mbetura kombëtare të Rezistencës së armatosur kishin filluar të riorganizoheshin në grupe e qeta më të vogla që të rezistonin por që të njëjtat më vonë kishin vepruar në mënyrë ilegale duke formuar grupe e organizata të ndryshme atdhetare, për të mos ndërpre veprimtarin e tyre deri tek përfundimi i luftës së UÇK-së më 1999. Por , nuk duhet harruar se edhe gjatë LDB-së, në Mitrovicë veç PKJ-së, vepronin edhe organizata të tjera atdhetare si “Lidhja Popullore Shqiptare” (1941). Kryetar i parë i i së cilës ishte atdhetari Rexhep Mitrovica, me nënkryetar Bedri Pejanin, e sekretar Xhelal Mitrovicën. Organizata “Lidhja Popullore Shqiptare”, kishte program të qartë në rrafshin e zgjidhjes së problemit kombëtar.  Po ashtu ndërkohë ishin formua dhe kishin veprua si: “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, organizata atdhetare “Besa Kombëtare”, të cilën e kishte formua Profesor Ymer Berisha për tu ngjitur shkallëve të historisë e duke ecur nëpër vite të ilegales, hasim në shumë organizata atdhetare që kanë vepruar në Mitrovicë e rrethin e që nuk janë të pakta.

Por, do të shtoja edhe këtë, se kishte me qenë megalomani shkencore poqese do të mendohej se në një kumtesë prej tri e më tepër faqesh do të përfshihej dhe do të thuhej e tërë veprimtaria e një ilegaleje, që në këtë anë ishte e organizuar dhe asnjëherë nuk e kishte ndal hovin dhe vazhdimisht qëllimi i saj suprem kishte mbet çlirimi dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare. Do të ishte e padrejtë, po të mos përmendeshin atdhetaret e parë të kësaj ane që nga Gjykata e Lart Ushtarake e Jugosllavisë u dënuan dhe u pushkatuan.

Qysh në fillim të kësaj kumtese do të përmendja Procesin Gjyqësor të Gjykatës së Lartë Ushtarake Jugosllave që u organizua më 1945, në Mitrovicë dhe para trupës gjykuese nxori hiq më pak se 11 veta të cilët i shpalli fajtor dhe iu shqiptuan shumë vite burgu dhe pesë nga ata i dënoi me pushkatim. Andaj, proceset gjyqësore, thënë ndryshe proceset jo gjyqësore, menjëherë pas përfundimit të LDB-së, filluan në mënyrë të organizuar të eliminonin elitën atdhetare të Kosovës, dhe kësaj fushate nuk i shpëtoi as Mitrovica me rrethinën e saj. Arrestimet kishin filluar në formë të grumbullimit të njerëzve më të devotshëm që fitohej përshtypja se e tërë kjo ishte përgatitur më herët. Ishin bërë planet si dhe sa veta do të arrestoheshin, kur dhe kush do të arrestohet, sa dhe si do të dënohen, ku dhe kahë do të dërgohen në burgje etj...etj... U befasova kur në dosjen e tyre hasa hiq më pak se emrat e njëmbëdhjetë (11) vetave, të cilët në një mënyrë ishin ajka e atdhetarëve dhe e intelektualëve  të rrethit dhe qytetit të Mitrovicës.

Kështu, ky gjyq, të cilin e udhëhoqën Mirko Peroviq, kryetar i gjyqit ushtarak dhe gjykatës i Mitrovicës, dënoi me vdekje: Ethem Prekazin, Osman Solidin, Tefik Bekteshin, Xhevdet Bajramin dhe Hamdi Gashin, ndërsa të tjerëve: Ramadan Rexhës, Musa Çollakut, Bahri Abdurrahmanit, Nebih Kuçit, Abdyl Zhubit etj., ua shqiptoi masën e dënimit prej 15 deri 20 vjet burg. Ekzekutimi i këtyre atdhetarëve u bë më 23 qershor 1945, tek “Varrezat e shkjeve” që gjenden në lindje të qytetit. Popullata e pezmatuar nga këto pushkatime, u pezmatua edhe më shumë kur mori vesh për likuidimin në mënyrë misterioze të mësuesit të devotshëm, sekretarin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Gjinajt, dhe luftëtarit të shquar për mbrojtjen e kufijve etnikë, Idriz Rexhës.

Në këtë kohë po ashtu në rajonin e Mitrovicës vepronte edhe Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), dhe organizata “Besa Kombëtare”, për të cilat duhet thënë se LNDSH-ja, si lëvizje që ishte, kishte përfshirë gati të gjitha tokat shqiptare nën Jugosllavi, andaj si e tillë ajo ishte formuar edhe në Mitrovicë e rrethinë. Komiti i parë i saj u formua më  1945, në të cilën ishin përfshirë atdhetar nga Mitrovica dhe nga fshatrat e  Shalës së Bajgores. Ajo me aktivitetin e vet e kishte thelluar aktivitetin e vet tek masat e gjera patriotike. Atë e përbënin Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Sherif Tërstena dhe Bislim Bajgora. Ky komitet gjatë punës së vet kishte arritur të mobilizojë disa luftëtarë të shquar, kryesisht të rinj, të cilët ishin të vendosur që t’i kundërvihen me force regjimit komunist. Kishte krijua një bashkëpunim të mirëfilltë me komitetin e Skenderaj, të cilin e përbënin Hilmi Zariqi, Iljaz Cingu, Abdullah Rexhepi, Kadri Nuhi, Iljas Broja me të birin, Ibrahim Spahinë etj

Ndërsa, ilegalja në mes viteve 1950-1958, karakterizohet me një organizim të  llojllojshëm duke filluar nga vazhdimësia e LNDSH-së,  e deri  tek formimi i organizatave  të ndryshme ilegale që gjithashtu kishin karakter çlirimtar por me koncepte të reja politike e kombëtare. Mbas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë, mbas një stabilizimi kushtimisht relativ të pushtuesit të ri në Kosovë, mbas përshtatjes së një pjese të shqiptarëve me këto rrethana të reja, këto grupe ilegale e kishin orientuar një pjesë të madhe të veprimit në bindjen e popullit se lufta kundër pushtetit jugosllav, megjithatë, ishte i vetmi mjet dhe e vetmja rrugë e lirisë.

            Gjatë vitit 1952 kishte një numër të konsideruar të gjykimeve të lëndëve me karakter politik. Është me interes të theksohet se ndër to ishte edhe gjykimi i grupit prej 22 vetave të akuzuar nga Rrethi i Drenicës, të cilët së bashku me të arratisurin Dervish Koprivën akuzoheshin për formimin e organizatës ilegale “Nacional Demokratike Shqiptare“.

Në numrin e madh të organizatave atdhetare ilegale që vepronin në rrethin e Mitrovicës e të rrethinës, vlen të përmendet edhe organizata “Votra Kosovare Nacional Demokratike Shqiptare”.  E cila ishte formua më 6 gusht të vitit 1952. Në vendin e quajtur “Kisha e Murit” në fshatin Vidishiq të Shalës së Bajgores. Atë e kishin formuar ca të rinj që ishin ende nxënës të  shkollës tetëvjeçare në Stantërg, por kishte edhe nxënës të gjimnazit. Sipas kryetarit të saj, Emin Fazlisë (Emil Kastriotit), kjo njëheritë edhe ishte organizata e parë anti-komuniste e të rinjve shqiptar që kishte për qëllim për të vazhduar rrugën në gjurmët e Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar dhe të organizatës politiko-ushtarake “Besa Kombëtare”. “Votra Kosovare” kishte edhe “Programin Politik” që e kishin huazuar nga LNDSH-ja, “Parimet Themelore” nga “Besa Kombëtare si dhe “Urdhëratë” e saja, të cilat mbështeteshin në Programin e Lidhjes së Prizrenit.

            Me kalimin e kohës, edhe organizata zhvillohej dhe përhapej në shumë pjesë të tokave shqiptare. Degët e saja u formuan në Vushtrri, Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Prizren dhe brenda një viti u formua edhe në Tetovë ( 1953).

Por duhet përmendur edhe këtë se shumë shpesh në formimin e organizatave e grupeve ilegale në Kosovë, në të shumtën e rasteve, atdhetarët nga rajoni i Mitrovicës, janë angazhuar dhe kanë zhvilluar aktivitet të dendur në organizata ilegale atdhetare, që qendrat e tyre i kanë pasur jashtë Mitrovice.

Duhet përmendur rastin e organizatës të Kadri Halimit “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”(1960), në të cilën para gjyqit dolën dhe u dënuan shumë atdhetar që vinin nga ky rajon. Pastaj organizatën e Remzi Balokut “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959) që vepronte në territorin e Pejës, por, në të vepronin edhe shumë atdhetar nga ana e Mitrovicës.

            Në bazë të të dhënave që kam në rajonin e Mitrovicës, ka vepruar edhe organizata e LRBSH-së në krye me Adem Demaçin. Pas organizimeve  të shumta që kishte bë kjo organizatë në shumë qytete të Kosovës, për koordinator për formimin e komitetit të LRBSH-së për Mitrovicë kishte caktuar Zeqir Gërvallën. Bisedat e para do të bëheshin me Arif Hoxhën, rrobaqepës nga Mitrovica. Më vonë, me punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të anëtarëve, në  organizatë do të anëtarësoheshin Ismet Koshutova, Hysen Daci dhe Mustafa Venhari. Në muajin shtator për herë të parë mbahet mbledhja e përbashkët me përfaqësuesit e Komitetit Revolucionar ku morën pjesë Adem Demaçi dhe përfaqësuesit nga Mitrovica: Zeqir Gërvalla dhe Hysen Daci. Po këtë ditë, sipas të dhënave thuhej se është formua Komiteti i LRBSH-së në Mitrovicë. Në këtë takim merren shumë detyra , njëra ndër to ishte se, Hysen Daci duhet të udhëtoi për Pejë që të informohej për ndonjë organizatë tjetër ilegale që vepronte në këtë qytet.

Pasi që vërtetohet se në Pejë vepronte organizata e Remzi Balokut, bijën në kontakt dhe në nëntor të vitit 1963 në Mitrovicë mbahej takimi në mes të dy organizatave. Nga ana e Komitetit Revolucionar merr pjesë Adem Demaçi dhe përfaqësuesit e Mitrovicës-Zeqir Gërvalla, Hysen Daci dhe Mustafa Venhari si dhe përfaqësuesit e organizatës ilegale nga Peja Ramadan Shala. Pas shumë bisedave lidhur me bashkimin e të gjitha grupeve e organizatave ilegale që vepronin në Kosovë, propozohej që Selahudin Daci nga Peja  të jetë koordinator në mes Prishtinës e Pejës.

            Duhet përmendur se komiteti i Mitrovicës gjatë kësaj periudhe sa kishte veprua në radhët e veta kishte edhe shumë të rinj që kishin zhvillua aktivitet të dendur si : Ali Jakupi, nxënës nga Vushtrria, Destan Hoti, normalist nga Mitrovica, Jakup Ceraja, nxënës dhe poet nga Mitrovica, Ahmet Oshlani, Faik Beshiri, Hysen Voca dhe shumë të tjerë.

Veç në organizatën e LRBSH-së, mitrovicasit ishin të angazhuar edhe në organizata të tjera atdhetare që vepronin gjatë asaj kohe.

Ndërsa vitet 1969-1981, janë vitet më të bujshme kur do të formohen grupe e organizata ilegale, me ngjyrime të ndryshme ideologjike, të cilat i kishte ofruar koha.

Po ashtu demonstratat studentore të vitit 1968, që ishin të organizuar nga Këshilli Organizues që kryesisht e përbënin nxënësit e Shkollës Normale “Hasan Prishtina”, si: Nebi Istogu, Latif Zariqi, Naim Bujupi, Mustafë Shyti, Vesel Demaku, Ramadan Bytyqi dhe Mustafë Zariqi. Ky grup i nxënësve të shkollës në bashkëpunim dhe me përkrahjen e drejtorit të shkollës Ahmet Malokun, marinë qëndrim që demonstratat në Mitrovicë të organizohen dhe të njoftohen të gjithë nxënësit e  shkollave të mesme në këtë qytet si : nxënësit e Shkollës Teknike, nxënësit e Shkollës së Mjekësisë dhe nxënësit e Gjimnazit.

Demonstratat fillojnë saktësisht në orën 14,35, ashtu edhe siç ishin marrë vesh organizatorët.  Me parakalimin e demonstruesve, turmës iu bashkëngjiten edhe nxënësit e shkollave fillore si dhe qytetaret e shumtë. Policia dhe UDB-eja me kohë kishte hetua dhe diktua se në Mitrovicë po përgatitej diçka, andaj edhe atë ditë kishin zënë vendet kyçe të qytetit dhe kishin tentua të bllokonin parakalimin e tyre, por e tërë kjo kishte qenë e kot. Pas përfundimit të demonstratës në qytet, shumë nga pjesëmarrësit kishin marr rrugën për Prishtinë, ku kishte filluar demonstrata në orën 15,55.

Edhe Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, ishte mjaft aktive në këtë anë. Bile në maj të vitit 1978, në Mitrovicë formohej Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, që përbëhej prej pesë anëtarëve, i cili kishte për qëllim ta vazhdonte veprimtarin ilegale në rast se zbulohej dhe arrestohen anëtarët e Komitetit Drejtues. Duhet përmendur se gjatë aktivitetit të anëtarëve të OMLK-së, shumë veprimtar të saj për hir të rrezikut që iu kanosej u detyruan që të kalonin në ilegalitet në fshatrat e Mitrovicës.

Në komunën e Mitrovicës në muajin shtator 1981, me iniciativën e Rrahman Ramës është formuar edhe grupi ilegal, që më vonë të lidhet me ndonjë organizatë tjetër më të madhe. Raif Rama është zgjedhur kryetar i grupit, Raif Qela sekretar, kurse Agim Gosalci dhe Agron Hamiti janë bërë anëtarë të grupit. Në muajin tetor të vitit 1983, nëpër mes të patriotit Mehë Uka janë vënë në kontakt me Kadri Osmanin, i cili i ka njoftuar për ekzistencën dhe veprimtarinë e organizatës “Lëvizja e Republikës Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi” dhe për përpjekjet e “Lëvizjes...” që të shndërrohej në “Front antirevizionist”. Njëherësh i ka njoftuar se Raif Qela është pranuar si anëtar në radhët  e “Lëvizjes...” dhe i janë caktuar detyrat konkrete, që në anën e Mitrovicës  të formohen “Treshe” ilegale, së cilës do ti bashkohej edhe Mehë Uka, sapo të kthehej nga shërbimi ushtarak. Poashtu Kadri Osmani, i ka treguar se edhe Rrahman Rama është zgjedhur njëri ndër tre përgjegjësit kryesor për Universitetin e Prishtinës në “Shtabin Operativ Shkencor” Si rrjedhojë e pakënaqësisë shpërthyen demonstratat e marsit të vitit 1981 në të cilat morën pjesë edhe qytetarët e Mitrovicës. Në këto demonstrata janë vrarë dhjeta qytetarë, janë burgosur qindra të tjerë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, filloi një fushatë e egër kundër shqiptarëve në përgjithësi. Në fillim të vitit 1989, nën kërcënimin e armëve dhe me vota të jo parlamentarëve, Serbia likuidoi autonominë e Kosovës. Të parët që ngritën zërin kundër këtij vendimi ishin minatorët e Stantergut, të cilët u vetë ngujuan në galeri të nëndheshme (22-28 shkurt 1989) dhe kështu sensibilizuan opinionin ndërkombëtar për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim kontribuuan edhe delegatët nga Mitrovica

Duhet theksuar, se këta anëtar të ilegales, organizator e pjesëmarrës të shumtë të demonstratave të vitit 1968, 1981, 1989 edhe më vonë dallohen në angazhimet e ndryshme atdhetare e deri në angazhimin e tyre në luftën e UÇK-së. Disa nga ata si ushtar të dalluar të UÇK-së bien heroikisht edhe në fushën e nderit.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: