Deo Graciani: Humor politik – Dialog në zyrën e Berishës një ditë para puçit
| E Premte, 04.02.2011, 07:58 PM |

Humor politik – Dialog në zyrën e Berishës një ditë para puçit

 

Të injorosh faktet nuk do të thotë se ato pushojnë së ekzistuari.- (Aldous Huxley)

 

Nga Deo Graciani

 

Mëngjes. 20 Janar 2011. Ditë e zymtë, sidomos për kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha. Ka disa ditë që kudo flitet vetëm mbi videon e skandalit të sapozbuluar të vëllait të tij të shtrenjtë, partnerit të tij të integrimit në Organizatën e Vendeve të Humbura të Botës (OVHB), Ilir Meta. Kjo video e transmetuar në çdo ekran ka marrë dhenë, madje çuditërisht është transmetuar edhe nga televizionet e shteteve konservatore të Iranit dhe Sudanit. Pas publikimit të videos, edhe presidenti Al-Bashir i Sudanit dhe homologu i tij iranian Ahmadinexhadi kanë shtuar kontrollet në mënyrë që mos ta pësojnë si Ilir Meta. Berishën nuk e zë vendi. Edhe pse vëllanë e tij e zunë me presh në duar, përsëri nuk e braktis dot se e ka vëlla. Janë ngatërruar e sharë gjatë shumë viteve, e kanë akuzuar njëri tjetrin për të gjitha të zezat e mundshme, por në fund ka triumfuar dashuria vëllazërore. Vëllezërit e vërtetë nuk e braktisin kurrë njëri tjetrin. Edhe pse jo vëllezër nga nëna, ata janë vëllezër nga babai. Babai i tyre i përbashkët është hajdutëria. Edhe pse me bindje të kundërta politike, Meta i majtë, dhe Berisha i djathtë, madje anti-komunist i lindur e anti-majtist i betuar, përsëri i kaluan këto ndryshime pikëpamjesh në plan të dytë duke vënë në plan të parë interesat e kombit, domethënë si ta vidhnin e plaçkisnin popullin duke mbrojtur njëkohësisht interesat e tij. Motoja e fushatës elektorale ‘si ta vjedhësh popullin duke mbajtur duart e pastra’ ishte ajo që e solli përsëri në pushtet Berishën, megjithëse këtë herë iu desh të djersinte më tepër dhe të fallsifikonte edhe disa qindra kuti votimi, gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë në jetën e tij. Por ja, ka gjithmonë një herë të parë edhe për njerëz tepër të ndershëm si Berisha. Pas disa netësh pa gjumë, nga frika e hapjes së kutive dhe zbulimi i megamashtrimit, më në fund erdhi zgjidhja. Miku i tij, i cili ishte edhe kryetar i komisionit zgjedhor, dha urdhër që kutitë e votave të digjeshin sepse u kishte kaluar data e skandencës, dhe në fund të tyre ishte e shkruar me shkronja të mëdha ‘të pareciklueshme.’ Prandaj, për të mos e rënduar më tej eko-sistemin u vendos që ato të digjeshin. Berisha ishte vetë i pranishëm gjatë djegies, për t’u siguruar që asnjë prej tyre nuk do të shpëtonte. Pas djegies, hiri i tyre u mblodh në një enë metalike dhe u vendos si objekt stolisës mbi tavolinën e tij të punës, në mënyrë që ai ta sodiste çdo ditë trofeun që kishte fituar me aq vështirësi e mundime. Ndërsa vazhdonte ta shikonte atë enë, i zhytur thellë në mendimet e tij, dëgjoi një trokitje në derën e zyrës. Trokitja e menjëhershme, sikur e zgjoi nga bota e fantazisë ku ishte zhytur, dhe për një moment mendoi se mos kishin ardhur ta arrestonin. U qetësua vetëm atëherë, kur sekretarja e siguroi disa herë se ishte akoma  kryeministër dhe se kishte ardhur ta takonte Enkelejd Alibeaj. Thirre brenda, i tha Berisha. Enkelejd Alibeaj hyri brenda dhe e përshëndeti Berishën tërë ngrohtësi si përherë:    

 

Alibeaj: Selam Alejkum

Berisha: Selami e Leka

Alibeaj: Jo, jo, ti nuk duhet të thuash Selami e Leka, por Alejkum Selam. Të kam thënë 100 herë ta praktikosh këtë përshëndetje sepse me këto gafa dukesh sikur nuk je kryeministri i një shteti mysliman.

Berisha: Dakord, ja ta provojmë edhe një herë.

Alibeaj: Selam Alejkum.

Berisha: Alejkum Selam.

Alibeaj: Të lumtë, tani e the mirë. Mos harro që duhet praktikë e vazhdueshme.

Berisha: Mirë, mirë, pa më thuaj pse ke ardhur? Në telefon më the se duhej të më takoje urgjentisht.

Alibeaj: Po, më duhet të them diçka shumë të rëndësishme. Erdha vetë personalisht sepse është diçka që nuk thuhet në telefon.

Berisha: Çfarë është?

Alibeaj: Mbrëmë ndërsa i lutesha Allahut dhe Muhametit, m’u shfaq përpara një vizion.

Berisha: Çfarë vizioni? Kush?

Alibeaj: Më doli xhebraili, dhe më tha se e kishte dërguar Allahu i lartmadhërishëm që të jepte një lajm shumë të rëndësishëm, nga i cili varet gjithë e ardhmja jote politike.

Berisha: Çfarë duan Allahu e Muhameti nga unë? Unë i kam bërë të gjitha ato që më kanë thënë.

Alibeaj: Çfarë ke bërë që thua i kam bërë?

Berisha: Po ja. E futa Shqipërinë në Konferencën Islamike, dhe akoma aty është. E bëra Shqipërinë qendër të terrorizmit islamik në vitet 96-97, duke strehuar këtu terroristët më të kërkuar. Hoqa sistemin e vizave me të gjitha vendet islamike që t’u mundësoja mijëra arabëve të dyndeshin në Shqipëri së bashku me devetë e tyre. Ata që erdhën këtej u martuan me vajza shqiptare duke lindur fëmijë arabë të cilët u bënë pastaj nënshtetas shqiptarë. Ftoha marrëdhëniet me Amerikën dhe Evropën, dhe sikur të kisha fuqi do t’u shpallja luftë, por ti e di se ushtria shqiptare është copë-copë. Sidoqoftë, e arrita qëllimin kryesor, që të mos e integroja Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Madje aq bukur e arrita, saqë BE-ja jo vetëm që e hodhi poshtë aplikimin për statusin e kandidatit, por madje më tha që nuk duhej ta kisha bërë fare, se nuk kisha plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara. Unë u përpoqa t’ia vesh fajin Edi Ramës dhe opozitës duke i thënë BE-së, se për shkak të protestave pothuajse të përditshme të opozitës, punonjësit e administratës publike kishin frikë të dilnin në punë, kështu që reformat ngecën plotësisht se nuk kishte kush t’i bënte, meqenëse zyrat e administratës ishin bosh. Prandaj nuk është faji im.

Alibeaj: Po mirë, në NATO pse hyre?

Berisha: Po çfarë thua aman? Unë të hyj në NATO? Unë kurrë nuk do hyja në NATO. Unë nuk e dua NATO-n. Më anëtarësuan në NATO pa dëshirën time. Ja, i ke edhe faktet në Wikileaks. NATO-ja e ka fajin që jemi në NATO jo unë. Të betohem. Europa dhe Amerika kishin frike se mos bëhesha si diktatori Idi Amin i Ugandës dhe prandaj më anëtarësuan që të më kishin nën kontroll.

Alibeaj: Po pse nuk krijove ndonjë incident me ushtrinë që të përjashtonin nga NATO-ja?

Berisha: Me cilën ushtri? Me 200 ushtarët që u kthyen nga Afganistani? Po edhe sikur të doja të krijoja një incident me ushtrinë, urdhrat për ushtrinë i jep vetëm presidenti dhe jo unë. Unë nuk e urdhëroj dot ushtrinë të dalë nga kazermat, se bie në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.

Alibeaj: Pse kemi kushtetutë?

Berisha: Patjetër që kemi, dhe gjithmonë e kemi zbatuar, sidomos në kohë lufte sepse në kohë paqeje nuk është e nevojshme.

Alibeaj: Po si do tia bëjmë atëherë me presidentin? A ka ndonjë mënyrë që kompetencat e presidentit ti kalohen kryeministrit?

Berisha: Ka dy mënyra. Të ndryshohen ligjet dhe kushtetuta. Ose të kemi edhe presidentin nga maxhoranca. Le të shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme të zgjidhet president Nano, sepse ai është miku im më i ngushtë, edhe pse nganjëherë shtiret si kundërshtari im. Në fakt, edhe pse shfaqet si i majtë, ai nuk ka qenë kurrë i tillë. Ai është dhe mbetet i djathtë. 

Alibeaj. E kuptoj.

Berisha: Enkelejd, t’i lëmë këto diskutime. Më trego vizionin dhe lajmin që të dërgoi Allahu nëpërmjet xhebrailit. Çfarë të tha?

Alibeaj: Më tha se do të të bëjnë puç.

Berisha: Çfarë thua? Mua të ma bëjë njëri puc. S’ka lindur akoma ai që të ma bëjë puc mua. Mua nuk guxon të më ndërpresë njeri fjalën e jo më të ma bëjë puc.

Alibeaj: Jo puc por puç. Grusht shteti, coup détat.

Berisha: Çfarë? Kur? Kur do të ndodhë?

Alibeaj: Nesër.

Berisha: Nesër? Si do të bëhet? Kush do e bëjë?

Alibeaj: Një grup vandalësh, banditësh e huliganësh, të armatosur deri në dhëmbë me çdo lloj arme, do të sulmojnë nesër kryeministrinë. Po ta përsëris, do jenë të armatosur me çdo lloj arme. Vetëm helikopterë e aeroplanë nuk do të kenë.

Berisha: Kush i udhëheq?

Alibeaj: I udhëheq partia socialiste, ose siç quhet ndryshe partia komuniste, ajo parti që ti e ke luftuar gjithë jetën. Ajo parti që ty të ka persekutuar gjithë jetën. Vetë e ke fajin që nuk e ke futur emrin tek lista e të persekutuarve politikë, sepse pastaj kundërshtarët e tu nuk do të guxonin të të akuzonin si komunist, ashtu siç bëjnë tani me paftyrësinë më të madhe. 

Berisha: Po këta si mendojnë, se unë trembem prej çimkave?

Alibeaj: Nuk janë çimka po të them, janë njerëz të armatosur dhe të trajnuar në kampet stërvitore të opozitës. Madje ai që më foli në vizion, më tregoi pamjet sesi do të zhvillohet ngjarja.

Berisha: Si të tha?

Alibeaj: Më tha, thuaj Berishës, që Iblisi ose shejtani do t’i shfaqë pamje që në fakt nuk janë të vërteta, por shfaqen si të tilla.

Berisha: Si do jenë?

Alibeaj: Ja, për shembull, nëse dikush do të ketë në dorë një kalashnikov, ty do të duket si çadër, por në fakt është kalashnikov. Nëse dikush do të ketë në dorë një granatë ty do të duket si gur, dhe nëse dikush do të ketë në dorë një raketë-hedhës ty do të duket si kamera e një gazetari. Prandaj nëse shikon pamje të tilla, mos e mendo dy herë, por urdhëro gardën që të hapë zjarr mbi burra, gra, pleq e fëmijë, sepse të gjithë janë pjesë e puçit, dhe duan të të marrin pushtetin që sovrani ta ka dhënë me votë të lirë.

Berisha: Të gjitha këto që po më ndodhin mua, janë për fajin e Metës. Unë dhe ministrat e mi i kemi bërë të gjitha paudhësitë, por asnjëherë nuk na hyri ferrë në këmbë. Ndërsa tani me këtë videon e Metës…Ah çfarë më bëri ai Meta. I kam thënë shpesh kujdes, kujdes, dhe ai që më thoshte, e kam njeri timin Dritanin, është njeri i bindur, bën çfarë t’i them unë.

Alibeaj: Epo unë kaq kisha për të thënë. Tani po iki se kam punë. Do flasim pas puçit.

Berisha: Dakord. Do flasim pas puçit. Ik tani se pas pak do të vijë në zyrë Meta. T’i them për puçin?

Alibeaj: Thuaj, thuaj, se ai ka përvojë nga puçet. E mban mend se përpara zgjedhjeve donte të të bënte puç, por Rama nuk pranoi, sepse mendonte se do të të rrëzonte me votën e lirë. Sa mendjelehtë që ështe ai njeri! Të ishte për Metën tani do të ishe në opozitë. Kështu që të sugjeroj që ta diskutosh puçin me Metën. Mos harro se puçi është puç e jo lojë. Të mos gjejë puçi të papërgatitur.

Berisha: Dakord. Do tia them.

Alibeaj: Mirëudëgjofshim. Selam.

Berisha: Selam

 

Pas pak çastesh hyn në zyrë Meta.

 

Berisha: Ku ishe?

Meta:     Duke u marrë me videon e atij fundërrinës.

Berisha: Vetë e ke fajin, se më the që e kishe njeri të besuar.

Meta:    Ku ta dija unë se do të më tradhëtonte. Unë Dritanin e kam ndihmuar jo vetëm në karrierën e tij politike por edhe ne aspektin shëndetsor, dhe tani krejt papritur vendosi të më demaskonte publikisht se isha i korruptuar, sikur nuk ka njerëz të tjerë të korruptuar në shoqërinë shqiptare. Sikur vetëm shteti ynë qenka i korruptuar. Ky budalla nuk e kupton se çdo shtet sado i zhvilluar të jetë, ka qeveritarë të korruptuar. Pse duhet të bëjë përjashtim shteti ynë. Nuk e kuptoj sesi ma bëri ai këtë pisllëk, pikërisht ai që e konsideroja mikun tim më të mirë.

Berisha: Herë tjetër duhet t’i zgjedhësh miqtë më me kujdes, se e pëson pastaj.

Meta:    E di, e di. Tani nuk i zë më besë njeriu. Dritanin nuk e fal dot. Sa i paftyrë që është treguar ky njeri me mua! Po edhe nëse unë paskam bërë gjithë këto pisllëqe për të cilat më akuzon, a denoncohet miku yt më i mirë, edhe pse mund të jetë krimineli më i madh? Nuk është në burrëninë e shqiptarit të denoncosh mikun tënd kriminel, hajdut, dhunues e të korruptuar. Të denoncosh mikun tënd me të cilin ke ndarë bukën dhe politikën! Unë kështu e mendoj. Ti si thua?

Berisha: Unë jam dakord me ty. Miqtë edhe kriminelë qofshin duhet t’i mbash pranë e jo t’ia dorëzosh organeve të drejtësisë, e sidomos kur je në politikë, se pastaj mund ta konsiderosh të mbyllur karrierën tënde politike. Nuk ecën dot përpara në karrierën politike po nuk pate miq në pushtet, sado të korruptuar e të poshtër të jenë ata. Të gjithë e dimë këtë.

Meta:     Epo kujt t’ia thuash.

Berisha: Sidoqoftë mundet që Dritani të mos ketë qenë i kënaqur nga përqindja që i ke ofruar.

   Meta:    Nuk e besoj. Unë jam i besës. Kam qenë gjithmonë i tillë. Partnerëve të mi në krim u kam dhënë gjithmonë gjysmën e fitimeve. Por Dritani këto kohët e fundit filloi të distancohej edhe nga linja e LSI-së. Prandaj edhe arritëm deri në këtë pikë. Sidoqoftë unë e dhashë dorëheqjen, dhe ministri i ri që caktova në vendin tim më premtoi se do të zbatojë pa rezerva urdhrat e mia dhe nuk do të kemi probleme. Ai do të veprojë njësoj sikur të isha unë në atë post. Në fund të fundit, ç’të keqe ka se u zbulua një skandal. Nuk është gjë e tmerrshme. Ti ke Mediun e Bashën, të dy ministra në qeveri, të cilat nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe janë akoma ministra në qeverinë tënde. Kështu që s’kemi pse zgjatemi më me këtë muhabet. Ti pa mua nuk qëndron dot në pushtet, prandaj nuk ke pse ma përmend në çdo moment “të thashë të kishe kujdes.” Nuk dua ta dëgjoj më këtë muhabet se edhe durimi im ka kufi. Të jetë hera e fundit.

Berisha: Mirë, mire, nuk do të hap më këtë bisedë. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme se kjo.

Meta:     Pse çfarë na qenka më e rëndësishme se videoja që më kanë nxjerrë mua?

Berisha: Puçi.

Meta:   Puçi the? Pse ke vendosur të bësh puç? Nuk të mjafton gjithë pushteti që ke? Pastaj me çfarë do e bësh puçin o i uruar? Me tre tanke, dy autoblinda dhe tre qerre ushtrie? Mos harro se je në NATO. Iku koha e puçeve.

Berisha: Jo ore, nuk do e bëj unë. Do e bëjë Edi Rama ndaj nesh.

Meta:     Çfarë thua ore? Je në vehte? Kush ta tha këtë marrëzi?

Berisha: Enkelejdi.

Meta:     Kush? Enkelejdi? Ai i humburi që kërkonte të mbuloheshin me ferexhe të gjitha femrat e Shqipërisë? Po lëre ore ç’merresh edhe ti me të!

Berisha: E kam seriozisht të them. Kishte folur me xhebrailin. E kishte parë në një vizion.

Meta:     Kush është ky xhebraili? E njeh?

Berisha: Xhebraili është i dërguari i Allahut, domethënë engjëlli që çon lajme nga Allahu.

Meta:     Dhe pse m’i thua mua këto gjëra?

Berisha: Ti them ty sepse ti ke përvojë me puçet. E mban mend se çfarë i bëje mbështetësve të mi që protestonin pothuajse çdo ditë kur ti ishe kryeministër?

Meta:   Posi jo. Ata hanin dru aq shumë sa i dilte dhe i tepronte. Por ama ishin kohë të arta atëherë. Me mua njerëzit hanin me lugë ari, ndërsa me ty ata hanë njëri tjetrin. E di çfarë thonin disa njerëz budallenj për ty kur unë isha në opozitë dhe u zbuluan vjedhjet në fondin e rrugës Durrës – Kukës, plot 232 milion EURO?

Berisha: Hë, çfarë thonin?

Meta:    Hallall i ka, se punon. Ky është populli ynë Sali. Kemi mundësinë të rrimë në pushtet me vite e vite dhe ta vjelim mirë e mirë këtë popull nëse tregohemi të mençur dhe të duruar. Dhe kujdes se mos bën ndonjë marrëzi, dhe vret nesër njerëz të të pafajshëm që protestojnë, se aq tru ke ti.

Berisha: Po pse ti çfarë bëje kur ishe kryeministër?

Meta:   Po lëre çfarë bëja unë. Ka ikur ajo kohë. Atëherë Shqipëria ishte e mbushur me banda, ndërsa sot nuk ka më banditë. Banditët e vetëm jemi ne (qesh). është viti 2011 tani, jemi në NATO dhe supozohet që të jemi shtet demokratik, ose të paktën kështu duhet të shfaqemi në fasadë.

Berisha: E ti po thua, që t’i lë njerëzit të më sulmojnë me çdo lloj arme, e të më bëjnë puç dhe unë të mos reagoj?

Meta:     Ku ti gjejnë armët more Sali! Sot maksimumi mund të gjuajnë me llastiqe.

Berisha: Mirë, mire do shohim.

Meta:    Na del e na tepron ajo videoja e atij mikut tim maskara. Mos na krijo probleme të tjera. (Ngrihet dhe drejtohet nga dera). Harroje puçin, se nuk na bën kush puç neve. Sa të jemi të bashkuar, jemi të fortë si Shkëmbi i Kavajës (del nga zyra dhe mbyll derën).

    

Pasi ikën Meta, Berisha i kthehet avazit të tij të soditjes së enës që përmban hirin e kutive të votimit. Papritur i vjen një ide gjeniale. Thërret zëdhënësin e qeverisë dhe i thotë të përgatisë një deklaratë për mediat.

 

Berisha:       Shkruaj!

Zëdhënësi:  Po, vazhdoni.

Berisha:    Të nderuar qytetarë kam marrë informacione të sakta nga burime tepër të   besueshme se nesër ish-bllokmenët do të bëjnë një përpjekje të mirë-organizuar për të marrë pushtetin me dhunë. I ftoj qytetarët që të mos bien viktima të këtyre banditëve që udhëhiqen nga Edvin Rama, djali i prokurorit komunist Kristaq Rama.

Zëdhënësi: Më falni z. kryeminister, por Kristaq Rama nuk ishte prokuror, ishte skulptor.

Berisha:     Edhe më keq. Bënte skulptura me të dënuarit e komunizmit. Vazhdo shkruaj dhe mos më ndërpre! 

Berisha:   Edi Rama komunisti i egër i bllokut, themeluesi i partise komuniste (e ndërpret zëdhënësi)

Zëdhënësi: Përsëri, me falni z. kryeministër, por Rama nuk ka qenë i lindur kur është themeluar partia komuniste.

Berisha:   Mirë, mire se më bëre çorbë. Atëherë shkruaj. Edvin Kristaq Rama, ky kriminel i akuzuar për krime kundër njerëzimit, siç ishte akuza që bëri ndaj të atit se e kishte fëmijën me bashkëshorten e Ramës, rrahja në publik e gruas së tij, zhveshja lakuriq në plazhet nudiste e shumë krime të tjera tregojnë se kush janë ata që duan të marrin pushtetin demokratik me dhunë.

Zëdhënësi:  Me falni z. kryeminister. Me duhet t’i them diçka urgjentisht sekretares tuaj. (Pyet sekretaren e kryeministrit) Ia ke dhene hapat kryeministrit apo ke harruar?

Sekretarja:  Cilat hapa?

Zëdhënësi: Hapat anti-haluçinantë qe i ka rekomanduar doktori amerikan. Ti e di se i ka të domosdoshme, se përndryshe pastaj nuk di çfarë thotë. Herën fundit që kishte harruar të merrte hapat, bëri skandal.

Sekretarja: Çfarë ndodhi?

Zëdhënësi: Mori Obamën në telefon dhe i shprehu ngushllimet për sulmin terrorist në aeroportin e Moskës. Mendonte se ishte presidenti i Rusisë.

Sekretarja: Nuk ke çfarë bën, duhet të shkruash gjithçka që të thotë. 

Zëdhënësi:  Na ka gjetur belaja. Jemi bërë bajatë në sytë e botës. Ka njerëz që kujtojnë se këto marrëzira i shkruajmë ne zëdhënësit e qeverisë.

Sekretarja:  Shko tani se po të thërret.

Berisha:      Eja të vazhdojmë me përgatitjen e deklaratës.

Zëdhënësi:  Po, vazhdoni.

Berisha:      Do ta fillojmë edhe një herë nga e para me kujdes.

Zëdhënësi: Dakord.

Berisha:    Të nderuar qytetarë kam marrë informacione të sakta nga burime tepër të   besueshme se nesër ish-bllokmenët do të bëjnë një përpjekje të mirë-organizuar për të marrë pushtetin me dhunë. I ftoj qytetarët që të mos bien viktima të këtyre banditëve që udhëhiqen nga Edvin Rama, djali i prokurorit komunist Kristaq Rama. Edvin Kristaq Rama, ky kriminel i akuzuar për krime kundër njerëzimit, siç ishte rrahja në publik e gruas së tij, zhveshja lakuriq në plazhet nudiste, themelimi i partisë komuniste, gjenocidi në Burundi e Ruandë, e shumë krime të tjera tregojnë se kush janë ata që duan të marrin pushtetin demokratik me dhunë. Këto çimka mos të mendojnë se unë largohem nga pushteti me disa protesta dhe sulme të armatosura. Unë jam Sali Berisha. Nuk kam frikë nga banditët e kuq se mbrapa më vjen Fatos Nano, më falni desha të them historia. Zoti e bekoftë Shqipërinë.



(Vota: 23 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: