Sejdi Berisha: Vdiq gazetari dhe publicisti nga Peja, Nazmi Lukaj
| E Merkure, 26.01.2011, 08:59 PM |

Në vend të përkujtimit

 

VDIQ GAZETARI DHE PUBLICISTI NGA PEJA, NAZMI LUKAJ

 

Nga Sejdi Berisha

 

Pas një sëmundjeje të shkurtër po të rëndë, dje në Spitalin Ushtarak të Tiranës vdiq gazetari dhe publicisti nga Peja, Nazmi Lukaj.

Duke përjetuar këtë humbje të tij, në vend të përkujtimit i shkrova vetëm disa fjali, të cilat, këtë njeri të devotshëm të kauzës kombëtare, këtë njeri të penës dhe të informimit e bëjnë pjesë të dhembjes dhe kujtimit tim dhe në ecjen e gjërave që nganjëherë janë të papritura, të rënda mbase edhe të papranueshme.

Askush as që e ka menduar dhe askush nuk e ka pritur, që sot, në këtë tempull të kulturës (Mledhja komemorative në Teatrin e Pejës “Istref Begolli”), të cilën aq shumë e adhuroi Nazmiu, të flasim dhe ta përkujtojmë jetën dhe veprën e tij. Por, në jetë edhe kjo ndodhë! Ndodhë, por unë do të thosha, ndodhë me hile, sepse, Nazmiu na iku në kohën kur pandërprerë bënte përpjekje që njeriun tonë ta bëjë të lumtur si në fushën e arsimimit ashtu edhe në lëmin e informimit.

Nazmiu, gjatë tërë kohës, për të mirën e kombit dhe të atdheut, sikur fliste ndryshe dhe me një vizion të largët por tjetërfare. Për këtë arsye, shpirti i tij asnjëherë nuk ishte i qetë. Ani. Sepse, njerëzit e tillë ashtu veprojnë e jetojnë, por edhe ashtu shkojnë.

I nderuari Nazmi, ishe i thjeshtë. E, njerëzit e mëdhenj janë të tillë. Por, kontributi yt në gazetari ishte me peshë dhe domethënës. Asnjëherë nuk e deshe të keqen, e veçmas kishe dëshirë dhe dukeshe i lumtur kur njerëzit i bëje të tillë me fjalët dhe me shkrimet tuaja. Kontributi yt në shumë mjete të informimit, e sidomos në gazetat “Bota Sot”, në “Pavarësia”, që ishte këmbëngulës edhe për ta themeluar këtë gazetë me titull domethënës dhe shumëdimensional dhe së fundi edhe në gazetën “Nacional” që botohet në Tiranë, po ashtu me një titull me mesazhin e fjalës dhe të unitetit të kombëtar, do të mbetet pjesë e ndritshme në historinë e informimit kosovar dhe kombëtar. Është kështu edhe për një arsye: sepse, punove në periudhën kur Kosova por edhe kombi po bën të pamundurën për stabilizimin dhe për forcimin definitiv të qenies së vet.

Nazmi, ti asnjëherë nuk ngurrove që informimin ta bëje pjesë të jetës të secilit. Gjithnjë ishe i ngarkuar me gazeta duke ua dhuruar njerëzve dhe lexuesve kudo. Kjo reflekton për shpirtin tënd të përkushtuar, kjo reflekton që tani të mbetesh pjesë e kujtimit dhe e jetës të secilit.

Nazmi, kur ma kumtove lajmin për sëmundjen tënde, diçka më theri thellë në zemër dhe në shpirt. Sikur një zë më kumboi thekshëm për ikjen tënde! E di, se të pata ngushëlluar duke të thënë se edhe kjo sfidë do të përballohet dhe do të jetojmë njëqind vjet. Dhe, më kujtohet, më pate thënë: m’i siguro vetëm edhe dhjetë vjet, të tjerat po t’i fali!

Edhe kjo ishte dhembje që ma rëndonte shpirtin për shumëçka, por edhe për moshën tënde të re, për synimet dhe ëndrrat tuaja për kombin dhe atdheun. Por,... të gjitha këto janë dhembje, dhembje që na krenon për Ty.

Nazmi, ti ishe njeri që kacafyteshe me problemet, por që përplaseshe edhe me vetveten, sepse nuk pajtoheshe me realitetin në shoqëri.

Tash,... të gjithë e përjetojmë thellë humbjen e tënde, por, duke i pasur parasysh virtytet tuaja, dhembja  na lehtësohet. Kështu duhet ta kuptojë edhe familja yte.

Mua, kurrë nga mendja as shpirti nuk do të më hiqet, kur hiq më larg se para dymbëdhjetë ditësh, përkundër luftës me sëmundjen, më pate telefonuar se gazetën “Nacional” si gjithherë, ma kishte lënë te Restoranti “Tiffany” në Pejë. Atë ekzemplar të kësaj gazete do ta ruaj me respekt dhe krenari, dhe gjithnjë do të kujtoj se jam me ty, Nazmi,... se jam duke ta dëgjuar zërin...!

Dhe, tani i drejtohem edhe Familjes tënde: Keni humbur birin, bashkëshortin, babain dhe vëllanë tuaj, për të qenë ai kujtesë, mburrje, përjetësi e krenari për Ju dhe për të gjithë ne.

Nazmi, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, i Atdheut!

 

(Fjala që desha ta lexoj në mbledhjen komemorative, në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë me 25 janar 2011/14:00 me rastin e vdekjes së gazetarit dhe publicistit, Nazmi Lukaj)



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: