Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954
| E Marte, 25.01.2011, 11:00 PM |

FORMIMI I GRUPIT TË NDSH-SË “BALLI KOMBËTAR” NË TUGJEC, MË 1954

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-BASHA

sabile_basha@hotmail.com

 

Edhe pse ishte zbulua dhe dënua më parë grupi që e kishte ndihmua Hasan Remnikun me shokë. Edhe pse udbashët mendonin se me arrestimin e tyre, në Anamoravë, lëvizjes ilegale i kishin dhënë përfundimisht grushtin e fundit, megjithatë veprimtaria e NDSH-së në këtë anë nuk ishte shua dhe nuk e kishte ndërprerë veprimtarinë ilegale. Për këtë veprimtari dhe aktivitet të bujshëm të anëtarëve të NDSH-së, flasin proceset e shumta gjyqësore që u organizuan në vitet e më vonshme anë e kënd Kosovës dhe gjithë andej ku jetonin shqiptarët.

Kësaj radhe do të ndalesha, në procesin gjyqësor që njëherë llogaritej se ishte edhe grupi i fundit i anëtarëve të ONDSH-së, në Anamoravë. Me 23 qershor të vitit 1956, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan organizohet procesi i njohur gjyqësor ndaj tre personave: Ali Pecit- Boletinit, Emrush Bejtës dhe Selim Buzukut, por në këtë grup merrte pjesë edhe atdhetari i njohur nga Letanci i Podujevës- Shaban Shala. Për këtë proces gjyqësor, kryetar i grupit gjykues ishte caktuar Ratomir Paternogiq dhe gjykatësit porot Svetka Stojanoviq dhe Sllobodan Zhivkoviq, për procesmbajtëse – Zagorka Gruiq. Si zakonisht, siç ndodhte në çdo proces gjyqësor, atdhetaret akuzoheshin se ishin tradhtar të popullit, banda dhe spiun që punonin për llogari të shteteve tjera perëndimore. Këtyre epiteteve, nuk i shpëtoi as grupi i vogël (them i vogël, ngase të arrestuarit, edhe pse u torturuan nuk i zbuluan shokët), që doli në gjykatoren e Gjykatës së Qarkut në Gjilan duke u akuzuar për vepra penale kundër shtetit dhe popullit nga neni 110, pika 1 dhe neni 117, pika 1 e 2 të LPJ.

Të lodhur e të rraskapitur nga torturat e shumta që iu kishin bërë në hetuesi, në bankën e zezë zënë vend:

1. Ali Peci- Boletini, që ishte i lindur më 12 korrik të vitit 1934, në fshatin Zhashë të Mitrovicës, nga babai Xhemail dhe nëna Arife, e lindur Latifi. Ishte i pa martuar me gjendje të dobët ekonomike. Me profesion ishte mësues. Në arrest ndodhej që nga 19 dhjetori 1955

2. Emrush Bejta, mësues nga fshati Përlepnicë, i lindur me 1934, nga babai Ruzhdi dhe nëna Hyrije e lindur Bilalli. I martuar, babai i një fëmije. Ishte i dënuar edhe më herët, më 1951, për vepër penale me dy vite burg. Ndodhej në paraburgim që nga 27 shkurti 1956.

3. Selim Buzuku, ishte bujk nga fshati Tugjec, rrethi i Gjilanit. I lindur me 1922 nga babai Hasan dhe nëna Rabije e lindur Neziri, analfabet. Më 28 shkurt, forcat e shumta policore e rrethuan shtëpin dhe e arrestuan.

Të gjithë të arrestuarit ngarkoheshin se, që nga viti 1952, në fshatin Tugjec, deri sa punonin si mësues, kishin filluar të punonin në terren për të formuar një organizatë nacionaliste ilegale shqiptare. Sipas dokumentit thuhej se Ali Peci si një nacionalist i përbetuar, kishte mbaruar shkollën Normale në Gjakovë, por gjatë tërë periudhës sa ishte nxënës, pasi se vinte nga një familje patriotike nga Mitrovica, ngase edhe babin, menjëherë pas LDB-së, forcat partizane ia kishin pushkatuar, dhe ishte e natyrshme që ishte i pakënaqur me ri-okupimin e Kosovës nga ana e Serbisë. Ishte një djalë i ngritur dhe me një kulturë të gjerë. Pas likuidimit të babait, familjen e tij kishin filluar ta përcillnin udbashët. Edhe ai ishte në shënjestër. Nuk ishte i rastësishëm arrestimi i tyre. Emrush Bejta dhe Shaban Shala edhe më herët kishin qenë të burgosur dhe kishin zhvilluar një aktivitet të dendur ilegal. Ndërsa Ali Peci-Boletini, në kohën sa ishte nxënës, me punën e vet tërhoqi vëmendjen e organeve të ndjekjes. Ata e përcillnin hap pas hapi, atë, dhe se kishin informata se ai e urrente dhe nuk u pajtonte dot me sistemin okupues, që kishte katandisur trojet shqiptare, që kishin ngelur pa dashjen e tyre, jashtë kufijve politik të Shqipërisë. Është interesante të veçohet se gjatë tërë shkrimit të aktgjykimit, atij i kushtohet vëmendje e posaçme si sjelljeve po ashtu edhe bashkëpunimit të tij me të tjerët. Kështu në faqen 4 të dokumentit thuhej se “ai sa ishte nxënës, me një vëmendje të veçantë dëgjonte stacionet e huaja në radio siç ishin: Radio-Parisin, Radio Londrën, Radio Uashingtonin, por rëndësi të madhe i kushtonte stacionit “Shqipëria e Lirë”, që transmetohej nga Italia, që për çdo ditë emetonte lajme për Shqipërinë komuniste, dhe njoftonte opinionin e gjerë se sistemi komunist i instaluar me dhunë, së shpejti do të përmbysej[1]. Sipas të dhënave që dëshmojnë bindshëm, se Ali Peci-Boletini ishte properëndimor dhe u angazhonte për një shtet të mirëfilltë demokratik shqiptar, në kuadrin e secilës do të përfshihej Kosova. Shoqërohej me intelektual të kohës dhe me të gjithë ata që ishin kundër robërisë së shqiptarëve. Pas mbarimit të shkollës, ai, emërohej si mësues në fshatin Tugjec të rrethit të Gjilanit.

Ideja për të cilën kishte gjakuar kaherë, me ardhjen në këtë fshat të varfër të Anamoravës filloi të bëhej realitet. Në biseda të përditshme me njerëz të zakonshëm, u bind se sa të pakënaqur janë shqiptarët e kësaj ane. Fati e deshi që në këtë fshat të emërohej si mësues edhe një ish i dënuar politik- Shaban Shala, mësues nga Letanci i Podujevës. Më vonë, këtij grupi i bashkëngjitet edhe mësuesi i ri nga Perlepnica e Gjilanit- Emrush Bejta. Takimet dhe bisedat e gjata në mes tyre lindin dhe realizojnë iniciativën që të formonin në nëntor 1954, grupin ilegal, me emrin, siç e quajtën ata “Balli Kombëtar”, që e mendonin si degë të ONDSH-ës. Karakteristik e këtij grupimi ilegal ishte shifra e saj konspirative- SH.SH.SH.F.K.Z, që në zbërthim, do të thoshte “Shlirimi i Shtetit Shqiptar nën Flamurin Kuqë e Zi”.

Por, duhet sqaruar lexuesit, se në kohën kur mbahej procesi gjyqësor, nga grupi i lartë përmendur mungonte Shaban Shala, ngase nga torturat dhe dhuna që ishte përdorur në hetuesi ndaj tij dhe të tjerëve, ata qenë të detyruar që Shabanin ta dërgonin në Spitalin Neuropsikiatrik në Beograd, kjo ishte edhe arsyeja që ai mungon në këtë proces gjyqësor. Të gjithë këta, sipas aktgjykimit[2] thuhej se kishin për qëllim rrëzimin me forcë të pushtetit në Jugosllavi, e më vonë, ta bashkonin Kosovën me Shqipërinë.

Në dokument, më tej thuhej se, grupi ilegal, gjatë veprimtarisë së saj, kishte mbajtur shumë mbledhjet, në të cilat u morën qëndrime të rëndësishme, që bënin fjalë për angazhimin sa më të madh të personave në radhët e saja dhe të venin urgjentisht kontakte me grupe tjera ilegale që vepronin në Kosovë. Detyrë primare që kishin vu para vetes ishte edhe kontakti sa më i shpejt me kreun e “Ballit Kombëtar” që vepronte në Itali.

 

Mbledhja e grupit ilegal në tren

 

Ilegalistet e grupit, veç që mbanin takime në dhomat e njëri tjetrit, ata për të humbur gjurmë nga organet e ndjekjes, organizuan një takim, që ta mbanin në tren që udhëtonte në relacionin Kaçanik- Shkup. Në atë mbledhje që u mbajt me 3. IV. 1955, në mes shumë vendimeve që morën, ata kishin caktuar edhe pseudonimet për punë sa më të suksesshme konspirative. Ali Peci në këtë takim kishte marr pseudonimin “Ylli”, Emrush Bejta kishte marr pseudonimin “Sokoli”, ndërsa Shaban Shala kishte marr pseudonimin “Soda”[3]. Ndërsa, me rastin e korrespodencës, zakonisht në qoshe të letrës, shënonin shifrën “SH.SH.SH.F.K.Z”, me qëllim që të mos harronin se për çfarë ideje e qëllimi bëjnë luftën.

Më vonë, gjatë punësinë terren, ata hetojnë se veprimtaria e tyre ilegale kishte fillua të përcillet. Në bisedë e sipër shokët Ali Pecit i propozojnë që të largohet nga vendi. Dy herë gjatë veprimtarisë së vet ilegale ai kishte tentuar që të largohej, por e kishte hetua se ishte i zbuluar nga organet e sigurimit jugosllav, dhe kishte qenë i detyruar që të heq dorë. Herën e parë kishte tentuar me 18.12.1955, që të ikte për në Shqipëri. Ndërsa në korrik të vitit 1954 s’bashku me Selim Buzukun kishin tentuar që të iknin ilegalisht për Austri, por kishin dështuar.

 Në grupimin ilegal ishte i angazhuar edhe fshatari nga Tugjeci, Selim Buzuku. Angazhimi i Selim Buzukut ishte një shans edhe më e mirë për grupin, ngase ai ishte anëtarë i Partisë Komuniste dhe këshilltar i Këshillit Popullor në komunë, dhe çdo informatë që vinte nga pushteti e partia ishte i mirëseardhur për ta. Informatat nuk mungonin nga Selimi i cili me vëmendjen më të madhe përcillte ngjarjet në komunë e më gjerë.

Në procesin e grupit të quajtur të “Ballit Kombëtar, Emrush Bejta akuzohej se në nëntor të vitit 1954, bëhet anëtar i saj, i cili me kënaqësi pranon programin dhe detyrat që i caktohen nga ana e organizatës dhe gjatë tërë kohës ishte shumë aktivë në punën e saj në terren.

Ndërsa anëtari i tretë- Selim Buzuku, akuzohej se kishte marr pjesë në formimin e organizatës, dhe gjatë tërë kohës ishte aktivë dhe sillte informata të rëndësishme që i merrte si anëtarë i PKJ-së dhe si këshilltar që ishte. Merr pjesë rregullisht në mbledhjet e grupit dhe me fjalët e tija bindëse kishte angazhuar shumë fshatar në radhët e grupit. Ndërsa në korrik të vitit 1954, s’bashku me Ali Pecin kishin tentuar që të iknin ilegalisht për Austri

 

“Në emër të popullit dhe të shtetit, iu shpallim fajtor...”

 

Duke u bazuar në këto të dhëna dhe sipas aktgjykimit me numër K-45/56, me datën 13 shtator 1956, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpall fajtor dhe i dënon me këto vite burgu, këta atdhetar:

K-45/56

1. Ali Peci, mësues, ( 1934 ), Zhashë, 13. 09. 1956. neni 110, 117/ 1, 2 LP.   ( 8 vjet burg )

2. Emrush Bejta, mësues, (1934), Përlepnicë, 13.09.1956.neni 110, 117/1,2 LP. ( 2 vjet burg )

3. Selim Buzuku, bujk, ( 1922 ), Tugjec, 13. 09. 1956. neni 110, 117/ 1,2 LP. ( 3 vjet burg )

 

Vlen të cekim, reagimin e të akuzuarit të dytë- Emrush Bejtës, kur gjykatësi i thotë se: “Në emër të popullit dhe të shtetit, i akuzuar je i dënuar me dy vite burg”. Ai, e shikon vëngër gjykatësin dhe, në gjuhën e tij i drejtohej: Në emër të popullit, thua, po të cilit popull shqiptoni dënime, o të mjerë. Në emër të shtetit! të cilit shtet, flet ti? o i marrë. Por, polici që i qëndronte pran, me një të rënë të dorës në shpatull, e ulë në karrige, duke iu kërcënuar se do të marri edhe masa të tjera ndaj tij. Ai, duke qeshur me ironi, ulët në vendin e vet. Flitet se Emrush Bejtën gjatë tërë veprimtarisë e karakterizonte një sinqeritet i çiltër dhe me punën e vet kishte dëshmuar se ishte atdhetar i devotshëm. Padrejtësinë nuk e duronte dot, e aq më pak, robërinë ku e kishin katandisur Kosovën. Edhe pse ndaj tyre u përdorën metoda të shumta e ndër më të rëndat e dhunës, ata shumë pak folën për punën e tyre, e aq më pak përmendën emra që ishin angazhuar në të. Andaj në mungesë të fakteve, atij i shqiptuan dënimin me dy vite burg.

 

 Kush ishte atdhetari Shaban Shala

 

Atdhetari, Shaban Shala para se të emërohej mësues në fshatin Tugjec, ai edhe më herët kishte krijuar një biografi të pasur patriotike. Në radhët e ONDSH-es ishte angazhuar qysh nga viti 1949. Ishte i lindur me 16 shkurt 1933. Shkollën fillore e kishte mbaruar në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen –Shkollën Normale e kishte mbarua në Prishtinë. Qysh si i ri, kishte filluar që të punonte si mësues. Mirëpo, krahas punës që bënte me fëmijë, duke e parë mjerimin e madh të popullatës shqiptare pas “çlirimit”, ai e ndjente rëndë robërinë që kishte rënë mbi Kosovën. Dhe, me tërë punën dhe aktivitetin që bënte dhe me tërë dashurin e madhe që kishte për atdheun, atij i kishte ngelur vetëm një rrugë. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme, për çlirimin e Kosovës dhe mori për obligim që ta qoi deri në fund amanetin e të parëve që e kishin gjakuar me shekuj. Ai si i ri u angazhua në organizatën patriotike-ilegale të NDSH-es. Aktiviteti i madh i atdhetarit i bie në sy organeve të UDB-es, nga disa të afërm njoftohet se ata- udbashët i kanë rënë në gjurmë, dhe ai vendos që të arratisej nga vendi, nga Kosova. Por, hijet e përcillnin hapa pas hapi, dhe hetojnë që ai po përgatiste arratinë, kështu s’bashku me Ibrahim Demollin, Nuhi Gashin dhe Shaban Zhieqin[4] shkojnë deri në kufirin slloven, në Maribor, por aty kuptojnë se janë të përcjell nga organet e UDB-es, dhe vendosin të kthehen. Por, posa arrijnë në Podujevë, ata arrestohen me 1952, në muajin gusht. Pas torturave dhe mundimeve të mëdha, nga ata kuptohet se ishin anëtar të NDSH-së. Pas kësaj fillojnë arrestimet e grupit të anëtarëve të NDSH-së me në krye Sabit Kapitin[5]. Me grupin e Sabit Kapitit arrestohet edhe Shaban Shala, por në mungesë të argumenteve ai lirohet pas dhjetë muajve të kaluara në burg.

Pasi lirohet si i pafajshëm, ai s’bashku me mikun e tij të idealit, Nuhi Gashin, përsëri vazhdon aktivitetin e tij në ilegale, duke iu treguar dhe duke i bindur bashkëfshataret se rruga që shpije drejt lirisë dhe për çlirim kombëtar është angazhimi sa më i madh i tyre në radhët e NDSH-es. Shabani, organeve të sigurimit iu ra në sy me aktivitetin e dendur që zhvillonte me popullatën. Pas kalimit të tij për të punuar si mësues në fshatrat e Dardanës (ish- Kamenicë), saktësisht në fshatin Tugjec, formon organizatën e re të NDSH-së, në të cilën merrnin pjesë edhe Ali Peci- Boletini, Emrush Bejta nga Perlepnica e Gjilanit, Selim Buzuku e shumë të tjerë, të cilët gjatë procesit gjyqësor, të arrestuarit nuk i përmendën emrat e tyre. Në aktakuzën e lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, me numër K-45/56, thuhej se, ata dënohen për një mori veprash “armiqësore”, për të cilat duhet dënuar pa hezituar.

Edhe pse kishte qëndruar në burg, pas lirimit nga burgu, ai përsëri filloi të merret me veprimtari atdhetare. Pas arrestimit më 1956 në Gjilan. Në këtë burg, ai përjeton torturat më ç’njerëzore nga organet hetuese sa që pushtetarët qenë të detyruar që ta dërgonin në Spitalin Neuropsikiatrik në Beograd. Më vonë, atë e dënojnë me 4 vite burg. Kalvari i jetës së patriotit vazhdon edhe pas daljes nga burgu. Përsëri punon për çështje atdhetare, por përsëri zbulohet dhe përsëri bie në burg. Në bisedë me shokët e idealit, Shabani ishte i vetëdijshëm se një ditë do ta likuidonin edhe fizikisht udbashët, por nuk mërzitej. Ai, ishte i gatshëm që të flijohej për atdheun, vetëm e vetëm që ti bëhej e ditur botës se shqiptarët nuk janë të kënaqur me okupimin e ri.

Parandjenja e tij doli e saktë. Më 1962, Shabani përsëri arrestohet vet i 18-ti, dhe me këtë rast dënohej me 2 vjet burg, por një ditë para se të lirohej, më 20 janar ndaj atij u aplikua një torturë ç’njerëzore, dhe kur anëtarët e familjes shkojnë për ta pritur, ata, udbashët i njoftojnë familjaret se, ai- Shabani, po atë natë kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë.

Dhe krejt në fund, edhe pse u zbuluan shumë organizata e grupe ilegale, edhe pse u shqiptuan vite të shumta burgu, megjithatë okupatori më kotë trumbetonte se i kishte zhdukur të gjitha organizatat ilegale në Anamoravë, kjo e dhënë nuk përkonte me të vërtetën, ngase, qëllimet dhe aspiratat e ilegales shqiptare vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes së përgjithshme qytetëruese properëndimore, e qëndresës për çlirim të përgjithshëm kombëtar, të mbështetur në traditat e çmueshme të lëvizjes çlirimtare, themelet e së cilës u vunë që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( 1878 ), për të vazhduar edhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, gjatë Luftës së Parë Botërore e deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e në vazhdimësi deri më vitin 1999. E këtë amanet të përcjellë brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate, ia doli ta kurorëzoi me sukses bija më e devotshme e këtij populli, e dalë nga gjiri i saj i përflakur – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 


[1] Aktgjykimi K-45/56, Gjykata e Qarkut -Gjilan

[2] Aktgjykimi i  grupit të Gjilanit, K-45/56, Arkivi privat i Emrush Bejtës

[3] Po aty,f. 3

[4] Shaban Shala- njeriu që u flijua për gjuhë e flamur, “Epoka e Re”, 17 shkurt 2007, f. 13.

[5] Dr. Fehmi Pushkolli, Llapi gjatë historisë, Prishtinë 1998, f. 265



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: