Sylë Ukshini: "Patkoi", plani serb për dëbimin e shqiptarëve
| E Merkure, 12.01.2011, 08:34 PM |

"Patkoi", plani serb për dëbimin e shqiptarëve

 

Nga Sylë Ukshini*

 

Në fillim të prillit 1999, për ministrin gjerman të Mbrojtjes, Rudolf Sharping, gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhej. Prej më shumë se një jave aeroplanët luftarakë të NATO-s, në mesin e tyre edhe 'Tornadot' gjermane, bombardonin caqet ushtarake të Jugosllavisë së mbetur. Në vend që të ndodhte ajo që ishte pritur në Bon, natyrisht edhe në kryeqendrat e tjera ndërkombëtare, Sllobodan Millosheviçi nuk ishte gjunjëzuar pas rënies së bombave të para, porse ishte përgjigjur me kundërgoditje brutale. Soldateska e tij intensifikoi edhe më shumë ndjekjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Në vendet e NATO-s zienin: me fillimin e sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur, kriza humanitare në Kosovë po thellohej akoma më shumë, ajo kërkonte të pengohej, por kjo nuk mund të bëhej vetëm nga ajri. Humbja e luftës rrezikonte kredibilitetin e Perëndimit dhe të Aleancës ushtarake Veriatlantike. Në këto momente, kur publikut ndërkombëtar duhej t'i qartësoheshin motivet e angazhimit ushtarak në Kosovë, doli në skenë ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, i cili kolegut të tij të kabinetit i dorëzoi një dokument të shërbimeve informative. Ai ishte si i "elektrizuar", tregoi më vonë ministri i Mbrojtjes. Ky dokument kishte të bënte me një plan sekret serb me emrin "Operacioni Patkoi", sipas të cilit, Beogradi qysh prej një kohe të gjatë kishte planifikuar dëbimin me dhunë të shqiptarëve. "Më në fund kemi një dëshmi për këtë", konstatoi në mënyrë triumfuese Sharping. 
Pra, sapo filloi lufta ajrore e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, kur çështja e të dëbuarve shqiptarë nga soldateska serbe mori përmasa të paparashikuara, publiku gjerman u informua lidhur me një plan sekret të udhëheqjes së Beogradit, që mbante emrin e koduar "Patkoi". Ndërkaq, më 29 mars 1999, zëdhënësi i presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Klinton deklaroi se Millosheviçi për një kohë të gjatë kishte planifikuar spastrimet etnike. Kështu ai edhe pa sulmet e NATO-s do të kishte zbatuar këtë plan. 

Pasqyrë trishtuese 


Ndërsa, ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, në librin e tij ditar (Wir dürfen nicht wegsehen. Der Kosovo Krieg und Europa", Berlin 1999) më datë 7 prill 1999, fq.107-106, mes tjerash, ka shkruar: "Ne e kemi planin e përpiluar 'Patkoi'. Më në fund kemi dëshmi për atë se spastrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës ishte i planifikuar me të gjitha detajet dhe emërimet për njësitet pjesëmarrëse jugosllave... Informacionet u morën nga një burim i besueshëm i Shërbimit Informativ. Përpunimi dha një pasqyrë të qartë trishtuese. Unë vendosa që ky plan 'Patkoi' në ditët vijuese të bëhet publik ...". Kurse kancelari federal, Gerhard Shrëder, më 15 prill 1999, para deputetëve të Bundestagut deklaroi: "Udhëheqja jugosllave që nga fillimi ka besuar dhe planifikuar fushatën e spastrimit etnik, një fushatë, dëshmitar të së cilës jemi ne sot. Kjo, të nderuar zonja dhe zotërinj, deri më sot u ka kushtuar me jetë mijëra njerëzve në Kosovë... Dëbimi dhe vrasjet kishin filluar, kur NATO-ja filloi aksionin e saj ushtarak... (Protokoll, S.2.620). 
Edhe ministri i Jashtëm, Joshka Fisher do të deklaronte: "Ju mund ta quani si të dëshironi këtë plan. Me rëndësi është çështja se ai ka filluar të zbatohet qysh në vitin e kaluar. Lexoni biografitë e familjeve që janë vendosur në Gjermani..." (S.2.639). 
Mirëpo, menjëherë me të përfunduar lufta e Kosovës, madje edhe tani, në mediat gjermane filluan të shfaqen shkrime kritike lidhur me shumë zhvillime para dhe gjatë kësaj lufte, u inskenuan, u konstruktuan dhe u distribuuan edhe gënjeshtra primitive vetëm e vetëm për të kontestuar intervenimin e Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës. Në këtë kontekst, krahas hedhjes së dyshimeve rreth masakrës së Reçakut, plani serb "Patkoi" është një tjetër rast që u politizua skajshmërisht në shtetin gjerman, sidomos kjo çështje u politizua nga kundërshtarët e angazhimit të Aleancës Veriatlantike në konfliktin e Kosovës. Edhe para pak kohësh politikanët e opozitës deklaruan se ministri federal i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, nuk e ka thënë të vërtetën përkitazi me planin "Patkoi". 

Indikacionet e qeverisë 


Winfried Nachtwei, anëtar i Aleancës së të Gjelbërve/ 90 në Komisionin e Mbrojtjes, ka ardhur në përfundim se " nuk ekzistojnë dëshmi për ekzistencën e një plani për veprim " Patkoi ". Vitin e kaluar Sharping e kishte informuar këtë komision, pasi gazetat "Abendblatt", javorja "Die Woche" dhe gjenerali i dikurshëm i armatës gjermane, Heinz Loquai, patën informuar se Sharping nuk e kishte në dorë planin serb për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës. Nachtwei potenconte se "Ministria e Mbrojtjes nuk e kishte në dispozicion planin 'Patkoi', por vetëm indikacionet për një plan të tillë. Ky plan nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm për deputetët e Bundestagut gjerman". Por ai luajti një rol të veçantë për publikun e gjerë, meqë vlerësohej si dëshmi për politikën dëbuese serbe. Nga ana tjetër, Sharping deri më tani gjithnjë theksoi se ka pasur në dorë planin "Patkoi". Si gjithnjë, Dieter S. Lutz, ekspert gjerman për Hulumtime të Paqes në Hamburg, në shkrimet dhe paraqitjet e tij ka hapur debate dhe polemika të vazhdueshme lidhur me luftën e Kosovës. Ka qenë një gabim i deputetëve gjermanë që "nuk kanë menduar në mënyrë radikale e konsekuente lidhur me alternativën e sulmeve ajrore", pohon Nachtwei. "Edhe sot kam shumë pikëpyetje, nëse është bërë gjithçka, thotë ky politikan, kur flet për angazhimin e Bundesverit në konfliktin e Kosovës. Gjeneral brigade, Klaus Wittmann, këshilltar i ambasadorit gjerman në NATO gjatë sulmeve 78-ditëshe, pranon se Aleanca nuk mundi të mënjanonte përshtypjen krijuar se "NATO-ja gradualisht po bëhej forcë ajrore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 
Rudolf Sharping, në një nga konferencat e tij për shtyp gjatë kohës së sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake të Jugosllavisë së mbetur në librin e tij, "Wir dürfen nich wegsehen- Der Kosovo-Krieg und Europa", thotë "se operacionet jugosllave vazhdonin gjatë në kohë para ekzistimit të këtij plani". Pak ditë më pas Sharping do të marrë nga ministri i Jashtëm, Joshka Fisher, një letër që përmbante të dhëna për operacionin " Patkoi". 

Shkatërrimi i UÇK-së 


Ky plan serb për shfarosjen kolektive të shqiptarëve në vazhdim u bë sinonim i debateve në Bundestag, në konferencat për shtyp dhe në debate për pakundërshtueshmërinë e krimeve, të cilat i ndërmerrnin forcat ushtarake-policore serbe. Ndërsa, kundërshtarët e angazhimit ushtarak të Aleancës Veriatlantike në Kosovë kritikonin se dëbimi i shqiptarëve në masë nga Kosova kishte filluar tek pas tërheqjes së vëzhguesve të OSBE-së dhe fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s. Por, plani i përgatitur gjatëkohë nga Millosheviçi për spastrime etnike në Kosovë asfikson në embrion argumentet e tilla dhe është krejt e parëndësishme si është quajtur një plan i tillë. 
"Kontradiktat në sjelljen e provave të Ministrisë së Mbrojtjes janë aq të mëdha, sa lindin dyshimet për ekzistencën e një dokumenti të tillë", shkruan Heinz Loquai në librin e tij, "Der Kosovo-Konflikt-Wege in einen vermeindbaren Krieg"( Nomos, Baden-Baden 2000,184 S ). Ky gjeneral i dikurshëm gjerman prej shumë vitesh punon për OSBE-në në Vjenë lidhur me çështjen e kontrollit për armatim në Bosnjë-Hercegovinë. Ai ka qenë këshilltar ushtarak në Shtabin e OSBE-së për krijimin e masave të mirëbesimit dhe me këtë edhe përgjegjës për vëzhguesit e paarmatosur, të cilët duhej të mbikëqyrnin armëpushimin të tetorit të vitit 1998 midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave qeveritare serbe. Edhe deputeti gjerman nga radhët e PDS-së, partia që trashëgoi nostalgjikët e komunizmit gjermano-lindor, Gregor Gysi, i vetmi politikan gjerman që shkoi në Beograd dhe u takua me Millosheviçin në kohën e bombardimeve të NATO-s, kishte vënë në dyshim ekzistencën e planit "Patkoi" me argumentin se plani i tillë quhej sipas fjalës kroate "Patkova" dhe ekspertët ushtarakë serbë nuk do të hartonin një plan të tillë në këtë gjuhë. 
Në anën tjetër, gjeneral-inspektori i Bundesverit, Hans Peter von Kirchbach, bëri një shërbim të mirë në drejtim të argumentimit të pohimeve të ministrit federal të Mbrojtjes dhe të ministrit të Jashtëm, kur më 8 prill 1999 prezantoi "rezultatet thelbësore për vlerësimin e planit "Patkoi" . Gazeta londineze "Times" qysh më 8 prill 1999 lidhur me planin në fjalë raportonte si vijon: "Qysh në vjeshtë të vitit 1998, CIA kishte informacione për planin me emrin e koduar "Operacioni Patkoi", me synim që për disa muaj të vriste ose të dëbonte shqiptarët. Edhe në një artikull të gazetës amerikane "U.S.News" të datës 12 prill 1999, thuhej se në Shtëpinë e Bardhë ka pasur të dhëna për një plan sulmi të detajuar të Milosheviqit. Ndërsa , shefi i CIA-së, George Tenet, në shkurt të vitit 1999 theksonte se mund të ketë ndonjë aksion për spastrim etnik...". 
Më 19 prill 1999 Rudolf Sharping, në një emision special të BBC-së britanike kishte thënë: "Qëllimi i planit 'Patkoi' është spastrimi i Kosovës dhe dëbimi i popullsisë civile". Sipas Sharpingut, plani përmbante hollësi deri në emërimin e njësiteve jugosllave. Sipas ekspertëve të shërbimeve informative, qëllimi tjetër kryesor i planit " Patkoi "ishte shkatërrimi, përkatësisht neutralizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës". Në korrik të vitit 2000 agjencia e lajmeve 'Kosovapress', e cila i referohej 'Reuters'-it", bënte të njohur lajmin se gjyqi ushtarak disiplinor i "Jugosllavisë" kishte shkarkuar nga detyra një oficer rezervist, që, sipas tyre, ka zbuluar një operacion sekret. Kolonelit rezervist, Dragan Vuksiç, 54-vjeçar, i ishte marrë grada për shkak të "dëmtimit të reputacionit të shtetit dhe nderit e reputacionit të ushtrisë". Në një takim që ka pasur në Vjenë, në vitin 1999, ai i ka treguar një eksperti ndërkombëtar për operacionin sekret të quajtur "Patkoi", i cili ishte përgatitur për ta parandaluar kryengritjen e shqiptarëve dhe për ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë. 

Shërbimi sekret bullgar 


Ish-ministri i Jashtëm i Austrisë dhe kancelari aktual; Wolfgang Schüssel, në prill të vitit 1999 pranoi se informacionet e shërbimit informativ të ushtrisë austriake ua ka dorëzuar ministrave të Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian". Po kështu, sipas pohimeve të një bashkëpunëtori të shërbimit informativ austriak, të dhënat për planin "Patkoi" ishin marrë nga Shërbimi Informativ i Bullgarisë në janar dhe në shkurt të vitit 1999. Hulumtimet e javores gjermane " Die Woche" kanë ardhur në përfundim se lidhur me planin "Patkoi" - ashtu siç pohonte Sharping- nuk bëhej fjalë për një plan të detajuar të udhëheqjes jugosllave, por vetëm për një analizë të Shërbimit Informativ të Bullgarisë (Die Woche, 24 mars 2000). Thuhet se stacioni i përgjimit në Hainburg ka regjistruar linjat ushtarake jugosllave të komunikimit dhe se ato të dhëna janë përcjellë në Bon të Gjermanisë. 
Sipas Sharpingut, plani "Patkoi" duket se është përgatitur "nga Millosheviçi dhe regjimi i tij, prej nëntorit 1998 është organizuar dhe gjatë kohës së bisedimeve në Rambuje filloi të zbatohet. Për këtë arsye trupat serbe në Kosovë ishin përforcuar në masë të ndjeshme, kur në Kosovë forcat ushtarake-policore ndërmorën një ofensivë në shkallë të gjerë si kundër UÇK-së, ashtu edhe kundër popullsisë civile. Përafërsisht kështu do të shprehet Sharping edhe në një emision special të kanalit televiziv gjerman "ZDF" (Ditët e Maincit në kritikën televizive). Plani "Patkoi": Me sa duket në udhëheqjen serbe ai është diskutuar dhe aprovuar në periudhën nëntor/dhjetor 1998. Kjo ka lidhje direkte me shkarkimin e gjeneralit të atëhershëm Perishiq, i cili ishte një kundërshtar i implikimit të forcave tokësore ushtarake kundër popullsisë civile. Dhe, nga ana tjetër, njeriu duhet vetëm të shikoj realitetin për të parë si ishte mënyra e veprimit dhe se a përputheshin ato me këtë plan". 
Para dy vjetësh deputetët e Partisë Liberale të Gjermanisë (FDP) në Bundestag kërkonin sqarime lidhur me arsyet e angazhimit të Gjermanisë në luftën e Kosovës. "Si parlamentare unë mund të kërkoj sqarime", - i thoshte para dy vjetësh gazetës "Berliner Morgenpost" politikania liberale, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger. Në qendër të pyetjes së saj qëndronte plani "Patkoi", të cilin e kishte paraqitur Ministria e Mbrojtjes si dëshmi për dëbimin sistematik të shqiptarëve nga ushtria e policia serbe dhe me këtë edhe legjitimiteti vendimtar për luftën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur. Në të vërtetë, menjëherë pas përfundimit të luftës, në masmediat gjermane u shtuan zërat kritikë kundër ministrit të Mbrojtjes, Rudolf Sharping, ministrit të Jashtëm, Joshka Fisher, dhe kancelarit fedral, Gerhard Shrëder, se planin "Patkoi" dhe masakrën e Reçakut i kishin përdorur vetëm si instrument për t'u justifikuar para Bundestagut dhe publikut gjerman për futjen e shtetit gjerman në një luftë të re në Ballkan qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këtë qëllim paraqiteshin lloj-lloj argumentesh vetëm për të vënë në dyshim ekzistencën e një plani të tillë dhe për të akuzuar ministrin Sharpingu se ka dezinformuar Bun-destagun. 
"Nëse ne tani nuk konfrontohemi me gabimet, lëshimet dhe strukturat e rrejshme, atëherë si do të mënjanojmë konfrontimet e ardhshme", pyeste Luethe-usser - Schnarrenberger. Por, edhe kësaj radhe Rudolf Sharping iu është kundërvënë dhe ka hedhur poshtë të gjitha këto dyshime për ekzistencën e planit "Patkoi". Një zëdhënës i ministrisë së tij argumentonte: "Ushtria gjithmonë vepron sipas planit" dhe se një dokument sekret nuk mund të kërkohet nga ajo. Veç kësaj, vetë Sharping si dëshmi për ekzistencën e këtij plani ka përmendur fotografitë e kampeve të refugjatëve shqiptarë, të cilët nën dhunën e egër të trupave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe kishin gjetur strehë në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të tjera. Por, për parlamentaren Leutheusser-Schnarrenberger fotografitë, të cilat u shfaqën pas fillimit të luftës, nuk janë dëshmi për atë se çfarë është bërë më herët. "Unë dëshiroj ta di, çfarë ka ditur Sharping para 24 marsit për planin 'Patkoi' dhe për dëbimin 'e popullsisë shqiptare'. Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes ka hedhur poshtë pretendimet e tilla të ngjashme, duke plasuar në internet dokumente me mbishkrimin operacioni "Patkoi". Pranë pasazheve të tekstit shihen skicat, të cilat tregojnë marshimin e trupave serbe që nga janari i vitit 1999. 

Spastrimi etnik 


Edhe Alice Mead, në një artikull për të përditshmen kosovare "Zëri ditor", shkruante se Millosheviçi gjatë gjithë periudhës 1989-1999 bëri përpjekje për spast-rimin etnik të Kosovës, duke synuar të ndërronte strukturën etnike në dobi të entitetit serb. "Ishte baza e operacionit "Patkoi" gjatë luftës së NATO-s, në të cilën qëllimi ishte të reduktohej popullsia e shqiptarëve në 800.000 banorë përmes spastrimeve etnike. Dhe kjo ka qenë gjithmonë pjesë e politikës serbe, nga viti 1913 e deri më 1999-ën", konstaton Alice Mead. 
Mbi të gjitha, pra ata që duan të shohin dhe të pranojnë atë që shohin, nga lufta e Kosovës ekzistojnë materiale dhe dëshmi të mjaftueshme për të hedhur poshtë të gjitha këto spekulime tendencioze të qarqeve gjermane, kryesisht majtiste, lidhur me planin serb "Patkoi", sipas të cilit ishte planifikuar vrasja, dëbimi i popullsisë civile shqiptare dhe zhbërja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto qarqe ultramajtiste dhe revizioniste në emër të sovranitetit shtetëror ishin në gjendje të mbyllnin sytë para dhunës, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve masive të shqiptarëve të Kosovës nga forcat ushtarake-policore të regjimit diktatorial të Millosheviçit, i cili, përpos në Kosovë, spastrime etnike kishte planifikuar dhe zbatuar edhe në viset tjera të ish-Jugosllavisë, në Kroaci dhe në Bosnjë. 
Në anën tjetër, Aleanca Veriatlantike dhe bota perëndimore demokratike u sprovuan me sukses në mbrojtjen e parimeve të të drejtave njerëzore, të cilave në gjysmën e dytë të shekullit XX u është dhënë përparësi në raport me sovranitetin e shteteve. Pikërisht kjo e bëri të ligjshëm sulmin e NATO-s mbi Jugosllavinë i mbetur, qoftë edhe pa mandatin e OKB-së, dhe bëri të pamundur realizimin e të planit serb "Patkoi", përkatësisht pamundësoi realizimi e ëndrrës serbomadhe në Kosovë, zhbërjen e saj etnike dhe dëbimin e përhershëm të shqiptarëve dhe vrasjet masive, të cilat serbë i filluan në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t'i vrasin të tjerët, nëse ata u dalin përpara në rrugë. 

*Autori është Drejtor i Departamentit të Arkivit Shtetëror të Kosovës


Gazeta Shqiptare – Për ZSH: Gjergj Kabashi

(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: