Ndue Ukaj: Ëndrra për paqe universale
| E Hene, 10.01.2011, 07:59 PM |

Ëndrra për paqe universale

 

Nga Ndue Ukaj

 

Një nga fjalët më të përdorshme në çdo kohë, në gjitha kulturat, kombet e gjuhët, pa mëdyshje, është paqja.  Ëndrra për paqen universale, për atë paqe të përjetshme, për të cilën pat shkruar filozofi i madh Kanti dhe për të cilën janë flijuar mijëra jetë, mbetet dëshirë përhershme e njerëzimit. Pikërisht këtë ëndërr, synon ta kthej në realitet botëror, mesazhi i Papa Benedikit XVI, drejtuar të krishterëve dhe mbarë njerëzimit, liderëve botëror dhe fetar, me rastin e Ditës Botërore të Paqes. Ajo që shquan këtë mesazh, në kuadër të mesazheve të pafundme që vijnë prej njerëzve të ndryshëm, është se vjen si zë thellësisht burimor, që ndërlidh tokësoren e qielloren, Njeriun e Hyjin dhe synon të ndërtoi ura besimi dhe bashkëpunimi, duke flakur intolerancën, ideologjitë verbuese dhe ekstremizmin e fundamentalizmin e çfarëdofshëm. Papa e trajton paqen globale dhe të përhershme, nga prizmi fetar, andaj insiston se liria fetare është premisë për paqe të qëndrueshme. Paqja, pa një nënshtresë fetare, mbetet e paqëndrueshme. Ajo mund te bëhet kuptimplote dhe e plotfuqishme, vetëm kur ka nënshtresë të saj lirinë fetare, prandaj edhe më të drejtë Ati Shenjtë e ka konceptuar lirinë fetare si udhën më të mirë për paqe universale, një paqe universale për gjithë njerëzimin, për të cilën, më shumë se kurrë bota e sotme ka nevojë. Kjo për faktin se liria fetare qëndron në zanafillën e lirisë morale dhe është premisa prej ku zënë fill të drejtat dhe liritë tjera. Angazhimi qëllimmirë i Papës rrjedh nga fakti, siç thekson Papa “liria fetare është, në këtë kuptim, edhe një arritje kulture politike dhe juridike”. 

 

Mesazhi i Papës për Paqe, është një thirrje universale, është një klithje pozitive, është një grishje për vetëdijesim, aty ku plaga është e hapur dhe ku duhet kuruar. Papa kërkon mirëkuptim të madh mes besimeve. Qëllimi parësor i këtij mesazhi është dhënia fund e gjitha agresioneve dhe lirive selektive që ndodhin në botën e sotme, kur feja ndodh të instrumentalizohet dhe kur liria fetare i është nënshtruar, në shumë vende e rajone, dhunës nga grupe e bashkësi tjera. Papa Benedikti XVI, këtu mëson, edukon në paqe, qorton dhe argumenton thelboren e paqes, tamam si bariu shpirtëror  i qenies njerëzore, i cili këmbëngul në faktin se vetëm liria fetare është  udhë dhe garanci e sigurt për paqe të qëndrueshme dhe të përhershme. Që të ndodh kjo, kërkohet dialogu si kërkim i përbashkët, i cili hap portat e paqes. Ndërsa ky dialog, duhet të ndodh mes institucioneve civile dhe fetare, sugjeron mesazhi i Benediktit XVI, të cilit i bashkohen zëra si ai i ish kryeministrit britanik, Toni Blar, i cili këto ditë shkroi: “pikërisht në këtë epokë globalizmi, besimi mund të përfaqësojë arsyen dhe përparimin. Feja nuk po vdes dhe as nuk duhet të vdesë. Bota ka nevojë për besimin”.

 

Në agimet e këtij viti, kur trazimet dhe dramat njerëzore nuk kanë të ndalur, thirrja që i bënë Papa njeriut, motivohet nga thellësia e besimit të thellë se ekziston mundësia e krijimit të paqes për të gjithë dhe në të mirë të gjithëve. Në këtë aspekt, mesazhi i Papës jep modelin më të shkëlqyer dhe duhet vlerësuar si një paradigmë drejtë një paqe të përjetshme, një paqe pozitive, një paqe e cila krijon atmosferë lirie për të gjithë njerëzit, mirëpo vetëm atëherë kur ka si premisë, lirinë fetare.

 

Nobelisti i letërsisë nga Meksika, shkrimtari Oktavi Paz në eseun e tij ”Historia si dialog” të mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel, thoshte se ”demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”. Duke zhvilluar dialog të mirëfilltë për probleme të caktuara, bashkësitë e ndryshme,  popujt mund të arrijnë deri tek ”ëndrra e paqes universale”.  E pikërisht në këtë kontekst, qëndron edhe indi që lidh përsiatjet e Papës në këtë trajtesë që e kemi përpara sot, një trajtesë shumëdimensionale që për strumbullarë ka lirinë fetare, si premisë për  paqe, si domosdo për të sforcuar dhe konsoliduar korpusin e të drejtave në rrafshet kombëtare e ndërkombëtare. Ai thotë ” Liria fetare, si çdo liri, edhe pse zë fill në sferën personale, realizohet në marrëdhënien me të tjerët. Një liri pa marrëdhënie nuk është një liri e arritur”.

 

Nëse liria fetare është udhë për paqen, atëherë nënkuptueshëm edukimi fetar mbetet rruga e privilegjuar për t’i aftësuar breznitë e reja me jetuar në paqe. E këtu qëndron thelbi i mesazhit të Shenjtërisë së tij, Papa Benediktit XVI. Duke analizuar trendët bashkëkohëse dhe abuzimet e shumta që bëhen në emër të paqes, Papa mbron me konsekuencë parimin se “liria fetare nuk është trashëgimi vetëm e besimtarëve, por e krejt familjes së popujve të tokës”. Prandaj, për të sendërtuar dhe jetësuar ëndrrën universale për paqe të përjetshme, nënkuptueshëm duhet që politika dhe korpusi i drejtave njerëzore, në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar, të kenë nënshtresë të vetën themelore, fenë, besimin dhe lirinë fetare, lirinë për ta shfaqur dhe praktikuar. Ndryshe, korpusi i drejtave të njeriut është i mangët, ndërkaq paqja mbetet e brishtë, ashtu siç vazhdon të ndodh sot në shumë vende të botës, ku viktimat e shumta janë ato që bëhen me motive fetare. Sendërtimi i Paqes së përjetshme, asaj paqe universale, e të dëshirueshme në çdo kohë, në thelbin e vetë, është një dëshirë e çdokohëshme e qenies njerëzore dhe mesazh Hyjnor, i mishëruar në besimet fetare. Këtë vlerë njerëzore, të ngjizur dhe brumosur nëpërmjet lirisë fetare, Papa ja kumton botës fuqishëm, si një zë i arsyes, kundruall indiferencës, si një zë i unitetit kundruall ndarjeve, si një zë i moralit kundruall amoralitetit, si një zë i mëshirës kundruall së keqes. Andaj, ai mbron fuqishëm idenë se: “Liria fetare është një armë e përnjëmendtë e paqes, me një mision historik dhe profetik”, një mision ky për të cilin është i thirrur çdo qenie njerëzore, sidomos çdo i krishterë, i cili, këtë mësim e ka të trashëguar nga Ungjilli dhe përshëndetja e Jezu Krishtit pas ngjalljes: Paqja qoftë me ju.

 

Si të jetësohet dhe sendërtohet paqja universale, kur në botë ka vrasje në emër të fesë, kur në emër të lirive tjera pengohet individi të ushtroj besimin e tij, analizon dhe pyet Papa, për të konkluduar se paqe të qëndrueshme mund të ketë vetëm atëherë kur asaj i paraprinë liria fetare, mirëpo assesi e selektuar dhe e mbështetur në ideologji të caktuara dhe sajesa të çfarëdoshme që motivohen nga rrjedha politike, ideologjike, fundamentaliste, etj.

 

Këtë mesazh të Papës, e karakterizon fryma e plotë e unitetit mes bashkësive dhe njerëzve, mes feve dhe kombeve. Ky tekst, është një sublimim i grishjes së përhershme që i bënë Kisha njerëzimit për paqe. Paqja universale, nuk mund të jetësohet pa respektimin në plotëni të lirive fetare. Kjo për faktin se siç thotë Papa:  “... në lirinë fetare gjendjet specificiteti i personit njerëzor, që nëpërmjet saj mund ta drejtojë jetën e vet personale dhe shoqërore kah Hyji, në dritën e të cilit kuptohet plotësisht identiteti, kuptimi dhe qëllimi i njeriut”.

 

Mungesa e një paqe të qëndrueshme, e një paqe universale, siç kërkonte filozofi Kanti disa shekuj më parë, sipas Papës buron nga fakti se në botën e sotme, ndjehet mungesa e respektit për liritë fetare, për këtë korpus vlerash shpirtërore, pa të cilat nuk mund të sendërtohet një raport i fuqishëm ndërnjerëzor, në të mirë të paqes universale dhe kësisoj pamundësohet vendosja e një paqeje të përnjëmendtë dhe të qëndrueshme në mbarë familjen njerëzore.

 

Pas një viti të shoqëruar nga përndjekja, nga diskriminimi, nga akte të tmerrshme dhune dhe mungese lirie e tolerance fetare, në këtë fillimvit, vjen mesazhi i Papa Benediktit XVI, si një mesazh shpresëdhënës, një grishje për qenien njerëzore, të meditoj dhe përsiat për rëndësinë e lirisë fetare në korpusin e normave dhe standardeve të aplikueshme në rendin botëror. Në këtë mesazh, Papa trajton çështje aktuale, duke reflektuar mbi domosdonë e lirisë fetare, si udhë për paqen, si premisa e vetme për një rend stabil botëror. Në këtë kontekst, Papa e sheh tejet të rrezikshme faktin se të krishterët sot janë të përndjekur, të diskriminuar për shkak se shprehin lirinë personale. Kjo jo vetëm se është e papranueshme, mirëpo edhe “përbën një fyerje ndaj Hyjit dhe ndaj dinjitetit njerëzor; po ashtu, është një kërcënim ndaj sigurisë dhe paqes dhe pengon realizimin e një zhvillimi njerëzor  të përnjëmendtë dhe të tërësishëm”-porosit Papa.

 

Në kuptimin juridik, moral dhe filozofik, e drejta për lirinë fetare është e rrënjosur në vetë dinjitetin e personit njerëzor, prandaj ajo duhet promovuar me gjitha kapacitetet, në të mirë të interesave të përbashkëta, duke respektuar lirinë vetjake, si një parakusht për liri tjera. Kësisoj, ky mesazh në thelbin e tij, e shtron çështjen e dinjiteti të personit, perceptuar nga e mira universale. Për t’u përmbushur ky, lypset respektimi i elementëve thelbësorë të dinjitetit të njeriut, si e drejta për jetë dhe e drejta për liri fetare, që është një kusht i ligjshmërisë morale të çdo norme shoqërore dhe juridike. Papa, duke marr shembuj konkret e të identifikueshëm në botë, ku njerëzit vriten për shkak se shprehin lirinë personale, qorton ashpër njeriun dhe kërkuar njëherësh që “qenie njerëzore dhe grup shoqëror, në bazë të ligjit moral, duhet të kenë parasysh si të drejtat e të tjerëve, ashtu edhe detyrat e veta ndaj të tjerëve dhe ndaj të mirës së përbashkët”.

 

Përderisa ekziston përmasa fetare dhe shoqërore tek çdo qenie njerëzore, atëherë duhet të bashkëjetoj në koherencë të qëndrueshme, marrëdhënia mes këtyre dy kategorive, apo thënë ndryshe, këto  dy komponentë duhet përplotësuar njëra tjetrën. Nuk guxon në shoqëri apo në personin njerëzor të ndodh selektimi i lirive fetare. Liria fetare duhet njihen dhe pranohet në tërësi. Sepse kur “liria fetare njihet, dinjiteti i personit njerëzor respektohet në rrënjën e vet, përforcohet ethos-i dhe institucionet e popujve. Edhe e kundërta, kur liria fetare mohohet, kur bëhen përpjekje për ta penguar dëshminë e besimit vetjak fetar apo të fesë vetjake dhe për të jetuar sipas tyre, fyhet dinjiteti njerëzor dhe, po ashtu, kërcënohen drejtësia dhe paqja, të cilat bazohen mbi atë rend të drejtë shoqëror të ndërtuar në dritën e të Vërtetës më të Madhe dhe të së Mirës më të Madhe.

 

Papa e vlerëson tejet shqetësues faktin se ka rajone ku liria fetare instrumentalizohet dhe kësisoj mund ndodh: “përmbysja e rendit kushtetues, përvetësimi i padrejtë i burimeve apo mbajtja e pushtetit nga një grup, mund t’i sjellë dëme shumë të rënda shoqërive”. Në këtë kontekst, ai duke prek në thelbin e plagëve të kohës, qorton ashpër “Fanatizmi, fondamentalizmi dhe praktikat kundër dinjitetit njerëzor, nuk mund të përligjen kurrë dhe aq më pak nëse kryhen në emër të besimit fetar”. Pikërisht për këtë arsye, shoqërua, shtetet, elitat duhet të jenë të vetëdijesuar se “liria fetare është kusht për kërkimin e të vërtetës dhe e vërteta nuk diktohet me dhunë, por me “forcën e vetë së vërtetës ”. Në këtë kuptim, besimi fetar është një forcë pozitive dhe shtytëse për ndërtimin e shoqërisë civile dhe politike. Në këtë aspekt, ai e trajton bindshëm edhe problemin e cenimit të laicitetit.

 

Në përsiatjet e tij, Papa e grish Europën, “të dijë të pajtohet me rrënjët e veta të krishtera, që janë themelore për të kuptuar rolin që ka pasur, që ka dhe që ka ndër mend të ketë në histori, do të dijë, kështu, të provojë drejtësinë, harmoninë dhe paqen, duke kultivuar një dialog të sinqertë me të gjithë popujt.

 

Çfarë mund të na shërbejë ne si komb ky mesazh?

 

Kombi shqiptar, i njohur për tolerancë fetare, nga ky mesazh i Paqes, duhet të gjejë forcë dhe kuraje, të dijë të ruaj e kultivoi lirinë fetare, me gjitha premisat e saj, si shenjë të identifikueshme dhe si domosdo për lirinë e paqen e përgjithshme. Në peripecitë e shumta dhe luftën për ekzistencë kombëtare, feja dhe liria fetare, për ne ishin e mbetën, shembujt me specifik që na ndihmuan të ndërtojmë rrugë të përbashkëta. Sot, kur ekstremizmi ka lëshuar rrënjë kudo nëpër botë dhe kur trumbetohen gjithfarë idesh, mendjet racionale, mund të frymëzohen nga ky mesazh i jashtëzakonshëm i Shenjtërisë së tij, Atit të Shenjtë, për të promovuar dhe mbrojtur me konsekuencë liritë fetare, duke respektuar bashkësitë e tjera. Papa kërkon të luftohet fundamentalizmi, intoleranca dhe kërkon nga njeriu të jetë syçelë kundruall tendencave të shumta për instrumentalizmin e fesë, për qëllime të caktuara të grupeve që duan të sundojnë mbi tjerët. Me elementet e tij, me argumentet që shtron dhe analizën e thellë që i bënë kohës sonë, ky mesazh është tejet të dobishëm edhe për ne, në kontekstin tonë shqiptar dhe veçmas në atë kosovar, kur po konsolidojmë shtetin tonë të ri. Papa Porosit dhe këmbëngul për një paqe pozitive, paqe kjo cila, i duhet Kosovës. Papa insiston se kësaj duhet t’i paraprijë liria fetare. Kosova ka nevojë të sforcoj këto liri.

 

Papa apelon për liri fetare, si udha e vetme për paqe. Papa  thërret në vetëdijesim, duke na bë me dije se gjërat nuk janë aq mirë. Papa në thërret në arsye, sepse në botë ka sinjale të rrezikshmërisë dhe joarsyes. Papa bënë apel për tolerancë dhe kërkon të mos tolerohet intoleranca. Prandaj duhet medituar, pranuar dhe jetësuar sa më shumë në jetën tonë këtë apel dhe mesazh qëllimmirë.

 

(Kjo kumtesë u mbajt në Prishtinë me rastin e prezantimit të mesazhit të paqes, të cilin Papa ia drejtoi botës me rastin e Ditës Botërore të Paqes)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: