Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare
| E Premte, 31.12.2010, 07:59 PM |

KARIKATURA - SI FORMË E REZISTENCËS NË ILEGALEN SHQIPTARE

 

Për të vu në spikamë, për ti përqeshur të gjitha të metat, mangësitë dhe padrejtësitë që iu bënin popullit shqiptarë nëpër mes sistemit të instaluar okupues, ilegalja shqiptare aplikoi edhe një metodë tjetër, që solli në shprehje, në një mënyrë tejet të vrullshme nëpër mes karikaturës.

 

Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Zanafilla e karikaturës politike

 

Në “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002, thuhej se “Karikatur/Ë f.sh. –A,-AT. 1. art. Lloj i artit figurativ që kritikon anët negative në sjelljet e në veprimet e dikujt nëpërmjet paraqitjes së zmadhuar e qesharake të tipareve e të metave; vizatim që zmadhon tiparet e të metat e dikujt dhe i paraqet ato në mënyrë qesharake...”[1].  Ndërsa sipas të dhënave që na i ofron prof. Mustafa Ferizi, ai thotë se “Karikatura është zhanër specifik i artit pamor dhe në vete përmban humorin, satirën, ironinë...”[2] etj. Ndërsa sipas Vikipedia-së në gjuhën kroate thuhej se “karikatura” është nocion apo shprehje latine “caricave” që do të thotë theksim i të metave, dhe përqeshje me to”[3].

Shenjat e para te karikaturës në historinë e artit, paraqiten shumë herët, ato mund ti hasim qysh në fillimet e para të renesancës italiane. Fillimisht, skicat e para të karikaturës i gjejmë te Leonardo Da Vinçi, i cili konsideronte se e bukura mund të konceptohet vetëm në raport me të shëmtuarën, respektivisht me të karikuerën.

Në vitet e më vonshme e gjejmë se me karikaturë u morën edhe shumë piktorë italian si: Gjyzepe Arkimboldo, Annibale Carraçi, Gjanlorenzo Bernini e shumë të tjerë.

Mirëpo, meritë të jashtëzakonshme  për të ngritur karikaturën në art e bëri piktori francezë i cili veproi në shekullin XIX, Onore Domie .

Nën regjimin ish-Jugosllav edhe karikatura si shumica e arteve, poçes përqeshte dhe merrej me të metat e shoqërisë, ku vihej në dyshim se edhe liria ishte jo vetëm e kufizuar, por edhe e dënuar, shumë karikaturistë edhe u dënuan, për mungesë të lirisë së shprehjes. Kjo kishte ndodhur edhe në shumë vende të Lindjes, ku karikaturistët për të gëzuar lirinë e shprehjes ose janë larguar drejt perëndimit, ose janë dënuar me burgim. Kështu ka ndodhur me të tjerë karikaturistë polakë apo rumunë[4]. Për ti ikur arrestimit e burgimit, ilegalja që vepronte në Kosovë si formë rezistence aplikoi edhe karikaturën, që në mënyrë të mprehtë vente në spikamë okupimin klasik të Kosovës. Personat në ilegale që bënin karikatura ishin aq të kujdesshëm në bërjen dhe shpërndarjen e tyre, sa ishte shumë vështirë ti zbuloje e aq më vështir ti de-konspiroje. Konspiracioni ishte aq i madh në vet ilegale, sa edhe sot e kësaj dite, vështirë, po them vështirë që të vije deri te zbulimi i autorit të tyre. Zakonisht ndodhë që autorët e veprave artistike, në skicat apo veprat e tyre, vënë ndonjë iniciale, apo ndonjë nënshkrim, por në këto vepra arti nuk ndodhë, se kujdesi është tepër i shtuar ndërsa pas zbulimit të tyre rreziku ishte edhe më i madh. Organet e sigurimit (hetuesit), çdoherë që binin në gjurmë të ndonjë punimi të tillë, i bënin rrëmujë shtëpitë e ilegalistëve, vetëm e vetëm për të zbuluar autorin, por në të shumtën e rasteve mundi iu shkonte huq. E vërteta ishte e rëndë për ata, se nëpër mes karikaturës u paraqitët, robëria e skajshme, padrejtësitë e shumta dhe sistemi gllabërues që u ushtronte ndaj Kosovës.

 

Karikatura Nr. 1

 

Ajo që më shtyri të shkruaj dhe të analizoi disa nga karikaturat që i gjeta në dosjet e disa të burgosurve politik në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ishte hulumtimi i shtypit ilegal botuar në Kosovë gjatë viteve 1945-1990. Dhe befasia ishte e madhe, kur në arkiva, hasa në shumë shkrime, pastaj në shumë fotografi që i kishin bërë punëtorët e sigurimit, në teren. Kishte fotografi të shpërndarjes së trakteve, afisheve, të vetë të burgosurve etj...etj. Por në dosje gjeta edhe shkrimet e dokumenteve e materialeve të ndryshme, pastaj punimet e bëra gati për botim, dhe në mesin e tyre gjeta skicat e shumta të karikaturave të ndryshme që ishin të gatshme për ti botuar në shtypin e ilegales.

Në një dosje të një ish-të burgosuri politik, gjeta shumë skica, por edhe karikatura të përfunduara. Por nga ai numër jo i vogël do të veçoja vetëm pesë nga ato.

Mendojë se qëllimi i karikaturistit Nr. 1. ishte që nëpër mes saj, të paraqet Serbinë dhe aspiratat e saja hegjemoniste për të gllabëruar  të gjitha ish- republikat jugosllave. Duke e analizuar këtë skicë-karikaturë, më vije që të mendojë se sa vizionar ishte personi që i bëri këto, ngase Slloveni e Kroacia, tek me fillimin e viteve të nëntëdhjeta e patën të qartë se Serbia në çdo kohë dhe në çdo moment qëllim i saj ishte që të dominojë tërë republikat ish-jugosllave. Më tej, në karikaturë shihej, ashtu siç e paraqet autori i saj, se ajo me një mënyrë dirigjohej nga Bashkimi Sovjetik. Si gjithherë në vizatimet e shtypit ilegal, Serbia kishte formën e derrkucit të majmë, por si në mitologjitë greke, ai “derrkuc” kishte duart tepër të gjata dhe kthetrat shumë të mprehta, që sado të fuqishëm të ishin kundërshtarët, ajo mendonte se do ti kollofitët.

 

Karikatura Nr. 2.

 

Në karikaturën Nr. 2. autori i saj, në mënyrë shumë të qartë, në një gjysmë fletë A-4, na paraqet shumë dyer, po që në të njëjtën kohë paraqesin përfaqësitë e shteteve më të fuqishme si : SHBA, Bashkimin Sovjetik, Gjermanin Perëndimore, Japoninë etj. Duke i ditur qëndrimet dhe sulmet që iu bëheshin nga llageri socialist dhe nga vetë Jugosllavia atyre shteteve për një sistem të dështuar, autori na e prezanton Jugosllavin në formën e një lypsareje por, që ka formën e një shtrige shpirt zezë, duke trokitur në dyert e tyre (SHBA).

Pas viteve 1981, edhe pse Jugosllavia donte që të prezantohej para botës se ende ishte një shtet stabil dhe me perspektivë në arenën ndërkombëtare, dhe me një mjeshtri të rrallë kamuflonte të gjitha të metat, dhe për vite me radhë, ajo kishte filluar të mos arrinte rezultatet e planifikuar. Për dështimet në ekonomi, arsim e mos të flasim për politik shkruanin edhe vet gazetat e tyre që kishin dështua. Gazeta “Komunist”, në vitin 1981 shkruante se në dekadën e kaluar, është ndërtuar vetëm një objekt i madh dhe me afatin e caktuar. Kjo ishte një urë, që lidhte pjesën kontinentale me një ujdhesë. Ndërsa, borxhet e jashtme të Jugosllavisë sa vinin e shtoheshin. Që nga viti 1976 Jugosllavia kishte rreth 8 miliardë dollar borxh, më 1981, ato u shtuan në 20 miliardë dollar. Andaj, sejcili njeri që mendonte drejtë e dinte se në një të ardhme të shpejt, do të pësojë një fiasko të tillë, ky shtet i themeluar artificialisht. Në të vërtet themelet e krijesës ish-Jugosllavi po trandeshin dita më ditë dhe qëndrimi i saj i mëtutjeshëm i një shteti “unik” në çdo aspekt po i vinte fundi.

Populli shqiptar duke e përjetuar në formë të veçantë robërinë, në mënyrë të veçantë bënte observimin e saj, dhe nëpër mes karikaturës, në një formë specifike manifestonin rezistencën me aktualitetin që ishte tej mase i paduruar.

Pakënaqësitë e shumta që filluan të manifestoheshin fillimisht në Kosovë më 1981, e më vonë pasuan protesta e greva të shumta në ndërmarrje e organizata gjigante në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë, këto edhe ishin shkaqet kryesore që në Federatën Jugosllave filluan fërkimet e shumta në mes republikave për zhvillimin, përkatësisht për mos zhvillimin e tyre. Andaj me një mënyrë apo tjetër, karikaturisti i ilegales shqiptare, me anën e tyre ç’veshi sistemin dhe raportet “e mira”, false të shtetit Jugosllavi.

 

Karikatura Nr. 3.

 

Ndërsa, skica e karikaturës Nr. 3. që e gjejmë në dosjen e Hydajet Hysenit, e sipas bisedave që kam pasur me shumë të ish-burgosur politik, që të gjithë pohojnë bindshëm se, këto karikatura i ka përgatitur, i ka skicuar dhe i ka rregulluar për botim vet Hydajet Hyseni. Megjithëse në këto vizatime nuk ka asnjë shenjë që dëshmon për autorësinë e tij, por e cekëm më lartë se për hir të konspiracionit, kanë ngel kështu siç kanë ngel, por duke e ditur talentin e Hydajetit për pikturë, dhe duke u nisur edhe nga e dhëna që edhe sot ai bënë portrete e vizatime të ndryshme, duhet besuar .

Karikatura e tretë që prezantohet në këtë shkrim, e kam hasur të botuar edhe në gazetën “Liria” e cila ishte organ i organizatës ilegale “Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës” në numrin 4-5, f. 5, të vitit 1981.

Autori paraqet zingjirin armiqësor kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Figura e Brezhnjevit simbolizon imperializmin rus, figura e Markoviqit, kolonializmin serb dhe së fundi figura e Ristiqit, dorën e zgjatur të Beogradit në Kosovë

Karikatura në fjalë është e lidhur me fije të padukshme me të gjitha format e dhunës dhe të represionit. Autori i saj e dinte se ndikimi i karikaturës ishte  i madh tek masat e gjera si me format artistike të shpirtit dhe me format logjike të mendjes (arsyes), Duke u nisur nga logjika se njerëzit nuk kishin mundësi të lexonin shumë, kjo ishte forma më me ndikim tek ata.. Edhe sot na ndodhë që ti lexojmë vetëm titujt e shtypit të ditës, por kur shohim ndonjë karikaturë, aty për aty ndalemi dhe me një kujdes më të vëmendshëm, automatikisht kuptojmë mesazhin që na vije nga ajo. “Jemi në shekullin e shpejtësisë”, - thotë Kadare. Kjo shpejtësi reflektohet edhe në mënyrën e të lexuarit. Gazeta në treg ka shumë, koha nuk del t’i lexosh të gjitha, por karikaturën në cilëndo faqe të saj nuk mund ta lesh pa e parë. Ajo ka forcë magnetike. Karikatura është imazh. Një imazh është më i fuqishëm se 1 000 fjalë. Fjalët kanë nevojë për përkthyes, imazhet jo. Prandaj,  karikatura është arti më global.[5] Duke i shikuar karikaturat e ilegales, herë-herë të vjen për të qeshur e herë-herë për të qarë, dhe habitem me faktin se çfarë sensi praktik kanë pasur për tërë atë dhunë të shprehur ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në ish-Jugosllavi.

 

Karikatura Nr. 4.

 

Ta zëmë, karikatura Nr. 4. të nxitë që të mendosh se Titos dhe Jugosllavisë qysh në vitin 1981, nëpër mes të saj-karikaturës, ata, parashihnin rënien e tyre. Edhe pse “kombet e kombësitë”  u mundonin që ta mbanin drejt, por në karikaturë vërehej se edhe bazamenti i bustit ishte në shkatërrim e sipër. Nëpër mes karikaturave të shumta që i kam hasur, që në të gjitha, qenia kombëtare shqiptare kërkonte identitetin e vet, në këtë shtet që gjithmonë tentonte që ta zhdukë dhe asgjësojë pa zgjedhur mjetet.

 

Karikatura Nr. 5.

           

Ndërsa karikatura e fundit, Nr. 5.  paraqet Ish- udhëheqësin serb të Kosovës Dushan Ristiqin, që në një periudhë të caktuar kohore të veshur lëkurën e demokratit, por në anën tjetër, me tankun serbë bridhte rrugëve të Prishtinës, jo që lëndonte shqiptarët e pafajshëm, por edhe më thellë hapte hendeqe në truallit tonë.

Ndoshta numri i prezantuar i karikaturave, në këtë punim është i vogël, por reagimi i organeve hetuese të sigurimit shtetëror serb ishte tejet i madh. Shumë njerëz u burgosën  dhe ndaj shumë të tjerëve u përdorën mjetet më të tmerrshme të torturës dhe dhunës.

Edhe pse autorët e tyre u burgosën, edhe pse u torturuan, edhe pse me vite të gjata qëndruan në qelit e errëta të burgjeve anë e kënd Jugosllavisë, megjithatë, shumica e karikaturave kanë lindur dhe janë skicuar në ato biruca, dhe në një mënyrë apo tjetër gjetën rrugët që ti thyejnë qelit, burgjet, dhe të arrijnë të botohen në revistat ilegale dhe të shpërndahen në çdo cep të Kosovës.

Mesazhi i tyre ishte i çart se robëria ishte e padurueshme, populli ishte i lodhur por shumë syçelë dhe i hetonte të gjitha padrejtësitë që i shprehte me një mençuri të rrallë në karikatura ilegalja shqiptare[6].



[1] Fjalor i shqipes së sotme, Tiranë 2002, 552

[2] Mustafa Ferizi, Arti i karikaturës, “Lajmi”, 12 janar 2008

[3]Vikipedia-kroatisht

[4] Arben Meksi, Fuqia e karikaturës

[5] Arben Meksi, Fuqia e karikaturës, Gazeta “Start”, 03.03.2006

[6] Dr. Sabile Keçmezi-Basha,“Karikatura- si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare”, “Lajm”, 24 maj 2008



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: