Deo Graciani: Mesazhi i Krishtlindjes është dashuria e Zotit për njeriun
| E Premte, 24.12.2010, 11:59 AM |

Mesazhi i Krishtlindjes është dashuria e Zotit për njeriun

  

Unë jam buka e gjallë, e zbritur nga qielli.

Kush ha prej kësaj buke, do të jetojë përjetë.

(Gjoni 6:51)

 

Nga Deo Graciani

 

Dita e Krishtlindjes po afron, dhe njerëzit në mbarë botën vrapojnë për të blerë dhurata, për t’u dërguar kartolina e urime të afërmve dhe miqve të tyre të zemrës. Kudo të zë syri shumë përgatitje për këtë ditë madhështore. është një ditë kur familjet mblidhen së bashku për të adhuruar Perëndinë. Mbarë bota lutet që në këtë ditë të shenjtë të ketë më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë dritë, më shumë mirëkuptim. Kjo është një ditë e shënuar për njerëzimin. Për shumë njerëz kjo është një ditë kthese në jetën e tyre, një ditë shprese. 

 

Për ne shqiptarët, Krishtlindjet mbartin një kuptim të veçantë. Sot bëhen plot 20 vjet që shqiptarët e Shqipërisë, e festojnë Krishtlindjen të lirë. Dhe pothuajse 20 shekuj që nga momenti kur Shën Pali, i solli ilirëve lajmin e gëzueshëm, duke mbjellë në zemrat e tyre  farën e mirë. Krishti Zot ka qenë dhe mbetet themeli i identitetit shqiptar ndër shekuj. Krishti është forca e vetme rigjeneruese e shpirtit të këtij kombi. Krishtlindjet në Shqipëri po fitojnë përherë e më shumë një rëndësi të veçantë në jetën e njerëzve, edhe për faktin se çdo vit shtohet progresivisht numri i familjeve që i festojnë ato. Shumë njerëz po rikthehen gradualisht në shtegun e dritës, duke adhuruar Zotin e vërtetë, që ka vetëm një emër, Jezus Krishti. Mesazhi i Krishtlindjeve, ka qenë, dhe mbetet gjithmonë i njëjti, Zoti e do njeriun. Për këtë arsye, duke i ditur nevojat e njeriut, Zoti i padukshëm, u shfaq në mish, për të na treguar rrugën e shpëtimit. Fjala u bë mish dhe banoi në mesin e njerëzve. Jezusi tha: “Unë dhe Ati jemi një.” 

 

Gjatë gjithë historisë njerëzore, që nga krijimi i Adamit, Perëndia është përpjekur që t’i tregojë njeriut shtegun që duhej të ndiqte, dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Gjatë mijëra vjetëve, Perëndia i dërgoi shumë shenja njeriut, që ai të kuptonte se cili ishte plani i Perëndisë. Në të gjithë Testamentin e Vjetër, Perëndia me anë të profetëve i dha njeriut premtimin e shpëtimit. Profecitë e Testamentit të Vjetër tregojnë qartë se një nga shtyllat kryesore të këtij plani hyjnor ishte ardhja e Shpëtimtarit. Ky Shpëtimptar do të ishte rruga e vetme që do ta afronte njeriun me Perëndinë, prej të Cilit mëkati e kishte larguar. Dhe vetëm ky Shpëtimar kishte fuqinë që ta kthente njeriun tek Perëndia. Krishti lindi në Betlehém të Judesë, duke përmbushur kështu profecinë e Mikesë.

 

Lindja e Jezusit përmbushi qindra profeci të Biblës që flisnin për ardhjen e Tij. Disa prej tyre janë:

libri i Zanafillës 3:15, 12:3, 17:19, 49:10

libri i Numrave 24:17

libri i Isaisë 9:1-2, 9:6, 7:14, 40:3, 61:1

libri i Malakisë 3:1

libri i Psalmeve 45:6-7, 102:25-27, 72:10, 110:4, 2:7

libri i Ozesë 11:1

libri i Jeremisë 31:15

libri i Danielit 9:25

libri i Mikesë 5:2

libri i Zakarisë 9:9 

 

Rreth 700 vjet përpara se të lindte Krishti, Isaia profetizonte: “Zoti do t'ju japë një shenjë; ja, e virgjëra do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel (Zoti me ne) (Isaia 7:14).

“Na lindi një foshnjë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të vihet shenja e mbretërisë. Ai do të quhet Këshilltar i Mrekullueshëm, Hyj i Plotfuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes” (Isaia 9:6).

 

Lindja e shpëtimtarit ishte një moment kyç në historinë e mbarë njerëzimit. Foshnja e lindur në Betlehém, është rrezatim i dritës hyjnore, është i njëgjëjtë me Atin. Kjo foshnjë është dashuri e kulluar. Në këtë natë Krishtlindjesh, me tepër se kurrë, bota e turbulluar ka nevojë për paqen që sjell Krishti. Nëpërmjet Krishtit, Zoti i thërret gjithë njerëzit, që të bëhen pjesë familjes së Tij. Rreth 2000 vjet më parë, engjëlli i Zotit u dha lajmin e mirë njerëzve duke iu thënë: “Sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar; Ai është Krishti Zot.” (Luke 2:11) Edhe sot pas 2000 vjetësh, lajmi i mirë vazhdon t’i ripërsëritet gjithë njerëzimit. Për ju ka një Shpëtimtar. Ai është Krishti Zot. Ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta.

 

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha u bënë nëpërmjet Tij dhe pa Të nuk u bë as edhe një nga ato që janë bërë.

Në Të ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Drita ndrit në errësirë dhe errësira nuk e mposhti.

Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, emri i tij ishte Gjon.

Ky erdhi për dëshmim, të dëshmonte për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

ai nuk ishte drita por erdhi të dëshmonte për dritën.

Drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri, po vinte në botë.

Ishte në botë dhe bota u bë me anë të Tij, por bota nuk e njohu.

Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan.

Por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtet të bëhen bijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij,

të cilët nuk lindën prej gjaku, as prej vullnetit të mishit, as prej vullnetit të njeriut, por nga Perëndia.

Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne e pamë lavdinë e Tij, lavdi si ajo e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e vërtetësi.

(Gjoni 1:1-14)

 

Billy Graham thotë: “Krishti bën për ne, atë që nuk mund ta bëjë askush tjetër. Heqën mëkatin tonë dhe na pajton me Zotin. Na pajton me të afërmin tonë. Ai mbjell tek ne shpresën, qëllimet, entuziazmin. Ai rigjeneron ndjenjat, dëshirat dhe energjitë tona. Kur Krishti hyn në jetën e njeriut, e tranformon plotësisht atë. Ky njeri bëhet një krijesë e re.”

 

Krishti është busulla e ndërgjegjes dhe e shpirtit të çdo njeriu. Pa këtë busull njeriu e humbet orientimin e tij.

Krishti është drita. Aty ku mungon Ai, errësira fillon të zërë vend.

Krishti është jeta e përjetshme, pa Të ka vetëm vdekje të përjetshme.

Kombet pa Krishtin nuk kanë të ardhme, janë të humbura.

 

Në këtë natë Krishtlindjesh le të lutemi, për më shumë paqe, dashuri dhe mirëkuptim mes njerëzve. Le të lutemi që drita hyjnore të hyjë në shpirtrat e njerëzve duke larguar errësirën. Le të lutemi që drita e Krishtit të rrezatojë fuqishëm mbi çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare, duke i afruar sa më shumë njerëzit me Zotin e Vërtetë.  

 

Shqiptarëve kudo që ndodhen, i uroj: Gëzuar Krishtlindjet!

 


23 Dhjetor, 2010

(Vota: 30 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: