Pëllumb Gorica: Vargje që gëlojnë mes dallgëve
| E Enjte, 23.12.2010, 09:49 PM |

VARGJE QË GËLOJNË MES DALLGËVE

 

PËRSIATJE

 

Nga PËLLUMB GORICA

 

Vështrim mbi vëllimin me poezi “Bisedoj me Detin”të Flora Shakajt.


Me qartësinë dhe intensitetin e mendimeve që vijnë, për librat që lexoj, por edhe të shijeve artistike, herë pas here shpreh mendimet e mia. Pa hyrë në analizë të thellë, që më shumë u takojnë kritikëve, studiuesve do të shpreh disa mendime shkurt për vëllimin poetik “Bisedoj me detin” të Flora Shakajt. Një vëllim poetik i këndëshëm që lexohet me shumë dëshirë.

Flora Shakaj në një nga poezitë  e këtij vëllimi me titull “Dashuroj jetën” shprehet:

 

Dashuruar me jetën jam,

Dua mes njerëzve të jem përherë,

Shpirtin tim mes vargjeve tua jap.”

 

Dhe vërtet poetesha me vargjet e saj mundohet të rrokë jetën në dinamikën e saj, pa harruar asgjë, e pavarësisht se në disa raste bie në prozaizëm, ëndrra e saj poetike është e sinqertë. Autorja kërkon të njohë më mirë dhe ta shijojë jetën në çdo grimcë të saj, të thurë ëndrra të bukura e të derdh djersë,të ndihmojë sadopak në fatkeqësi e t’u zbusë dhimbjet njerëzore, por dhe të ruaj fuqitë e fundit të shpirtit për t’i kënduar këngë e himne vitalitetit njerëzor. Thelbi i vëllimit me poezi të kësaj poete në fakt është një trajtim poetik i jetës, përjetimeve brenda kufijve të gjendjes shpirtërore.

Në vargjet e vëllimit me poezi “Bisedoj me detin”të autores Flora Shakaj ndjehet  dëshira dhe këmbëngulja për të arritur të pamundurën, për të gjetur shtigje e hapësira të reja, gjithmonë që e ardhmja e bukur të arrihet kur krijohen kushtet. Njeriu duhet të ketë të qartë, sipas poetes pikësynimin për të ardhmen, ta shohë mirë rrugën nga do të ecë, ndaj ajo i ankohet edhe trëndafilit , që e kënaq me aromën e këndshme :

 

Ankohem se trëndafili im

me shumë degë e lule

dritaren nga shoh rrugën

më ka zënë.

 

Autorja është e ndjeshme dhe e sinqertë për gjithçka, e lejon veten ta marrë zvarrë nostalgjia e viteve, por nuk e humb edhe orientimin për të ardhmen që e pret. Emocionuese janë vargjet ku ndjehet malli për nënën. Kështu “Meraku i nënës mbulesë për ty. Fli vogëlush!” shtrihet e bashkohet me shqetësimin e të gjithëve për një qëllim “ta bësh hallin të vogël”. Një krijim prekës dhe i trishtë e po aq mbresëlënëse është edhe poezia ku i thur himn gjyshit.

 

Mbetesh i shtrenjtë si kujtim

nuk le ofiqe e grada

veç zemërbardhësinë, ndershmërinë.”

 

Ajo i gëzohet pranverës që i sjell si dhuratë të bukur  një rreze dielli, petale a një zog”, ulet mbi rërën e zjarrtë të plazhit e bisedon si mikeshë me detin dhe ky “si shpërblim u  lë ngjyrë syve” ia shndërron nga kafe në blu, i buzëqesh ëmbëlsisht një gonxheje trëndafili të sapoçelur edhe pse gjembat xhelozë nuk e lënë të këpusë asgjë. Autorja ne vargje mbetet ajo gjimnazistja e dikurshme, që sa herë sheh çapkënet flokarta, merr krah jete dhe mediton:

 

Nga stinët me njeriun më ngjani

“Pranverën, burimin e freskisë

 

Zemërmadhësia e saj në vargje shtrihet edhe deri tek heroinat ndërkombëtare, si kimistja Roza Luksemburgu, për heroizmin e të cilës punëtorët e burgosur mbajnë 24 orë heshtje:

 

në 24 orë shokë ju bëtë shumë,

u kthye në luftë heshtja”.

 

Tek njeriu poetja Flora Shakaj nuk vlerëson vetëm bukurinë fizike, tek të tjerët ajo nuk vlerëson pasurinë si gjithçka, por virtytet e larta njerëzore, bukurinë shpirtërore e morale, intelektin dhe sjelljen e mirë. Poetja është e shqetësuar për gjithçka që u ndodh njerëzve, por kryesore është se shqetësimi i saj nuk kthehet në fatalitet, në mjet që të lidh duart e nuk të lë të ecësh në udhët e drejta të jetës. Sepse poetja është e ndërgjegjshme nga që jeta i ka të gjitha edhe suksesin edhe dështimin, edhe gazin edhe vdekjen, edhe sëmundjen edhe hallin, por njeriu duhet të jetë optimist  në jetë e të gjejë forca të mëdha, të ngrihet mbi çdo gjë të keqe që ndodh e të ketë moto kryesore në jetë dashurinë dhe progresin. Ndaj poetja për njeriun si qenie njerëzore nuk kursen asgjë:

 

Për gjithë njerëzit, për jetën

Thur mijëra poezi

Kërkoj nga një titull për to

Të gjitha i quaj lumturi

 

Lexon poezinë e fundit” “Si optimiste “, të vëllimit “Bisedoj me detin” dhe ndjen se poetja nuk lodhet së shkruari për jetën, edhe pse ajo nuk rrjedh gjithmonë siç duam ne.

 

Herë bie, herë ngrihem ,

duke u plagosur

diku qesh, diku këndoj

Jam duke jetuar”.

 

Dhe filozofia e të konceptuarit të jetës ashtu siç është, me të mirat dhe të këqijat e veta të çon drejt suksesit.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: