Kalosh Çeliku: Dyluftimet e Partive Politike Shqiptare, si puna e jorganit të Nastradin Hoxhës…
| E Merkure, 22.12.2010, 09:59 PM |

DYLUFTIMET E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE

 SI PUNA E JORGANIT TË NASTRADIN HOXHËS

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

       Vërtetë, njëzet vjet të merresh me vteveten gjatë ndryshimeve demokratike, është për librin e Ginisit. Edhe atë, të bësh luftë për pushtet, kur gjatë gjithë kësaj kohe vite me radhë ke qenë argat  politik në Qeveri. Përmëtepër, tashti më kur arrihet kulminiacioni i tërbimit në skenën politike. Populli thotë: derdhet grosha. Shqiptarët, ende edhe në këtë kohë merren me spiunim. Dosjet si në kohën komuniste, ende ua lënë si kurva kopilat pas dere. Në momentet më të vështira për popullin shqiptar si dikur, për një armë, për një vend pune, për një post në qeveri vazhdojnë ta spiunojnë vëllain edhe më zi se në atë kohë famëkeqe.

       E kanë thënë gjermanët gjatë pushtimit të këtyre trojeve etnike: ne për spiunët kemi harxhuar shumë para. E këtu shqiptarët, qenkan spiunë pa para. Dhe, vërtetë: shqiptarët vazhdojnë ta spiunojnë njërin - tjetrin pa para edhe në kohën e sotme demokratike. ”Pëllumbat postier” edhe sot si dikur me ndihmën e “vëllezërve” sllav ua flukin “dosjet” pas dere. Të nesërmen, shqiptarët gurë e dru mbi njëri - tjetrin se, ka qenë spiun i shërbimeve sekrete sllave. Po, kujt i hynë kjo sot në punë?! Shqiptarëve me siguri jo, po “vëllezërve” sllav. Shqiptarët këtë dukuri negative të ngulitur në gjak e kanë pagur edhe me burgje. Jetë. Robëri shekullore. Sot, nuk duhet gjithaq t’u interesojë e djeshmja, po e sotmja dhe e nesërmja. Shkaku se, i kanë paguar në atë kohë me një çmim të lartë borxhet historike. E me të djeshmen, kush dhe çka ka qenë në atë kohë ferri, patjetër do të merret historia. Prandaj, edhe nuk duhet të bëjnë gara: cili ka qenë dhe është spiuni më imadh. Tashti më, kur është koha, shqiptarët të merren me të sotmen dhe të nesërmen, me punë dhe veprime strategjike për çështjen shqiptare. Gjurmët që kanë lënë pas vetes gjatë këtyre ndryshimeve demokratike. Gjurmë, që nuk i fshi dot asnjë stuhi, nuk i mbulon dot asnjë borë. Me çfarë argumentesh mund ta bind Një politikan popullin shqiptar se, është spiun më i vogël se Tjetri?! Ose, i Treti e i Katërti me shokë?! Fare s’dua të merrem me rastin e fundit, “pëllumbin e vogël postier”, që e ka lënë Kaçanikun dhe është shpërngulur në Shkup për të ikur në Turqi, ose për t’u strehuar nga “rreziku” i shqipatrëve me humbjen e pushtetit policor të Rankoviqit në Kosovë. Edhe pse, Kaçaniku ka qenë edhe në atë kohë dhe është Kosovë. E kam thënë disa herë nëpër shkrimet e mia dhe e them prapë se: Shkupi ka qenë stacioni kryesor prej nga janë shpërngulur shqiptarët me dhunë për në Turqi. Poashtu, Shkupi ka qenë edhe jataku i bashkëpunëtorëve të Rankoviqit, kur e humbi pushtetin policor në Kosovë. Shkak ky, që shqiptarët edhe sot, nuk është koha të lejojnë që t’u përsëritet historia. Edhe sot si dje, ta dalldisin veten me veprime përçarëse - vëllavrasëse: Demonstratat e 81 ua bënë shqiptarëve serbët. Edhe Luftën e fundit, të 1999 dhe atë të 2001-shit ua bënë serbët?! Serbët sipas këtyre dumdumëve e paskan ndërmend t’i bëjnë shqiptarët edhe Shqipëri Etnike. Dikushi do të thotë: po, qenkan të mirë këta “vëllezërit” serb të Njerkës, e shihni se duan të na e bëjnë me zor edhe bashkimin kombëtar. Shqipëri Etnike.

      Ndoshta, trusakatët nisen edhe nga ky parim: bashkëpunimi me serbët do të na sjellë edhe Shqipëri Etnike. Prandaj, o burra sulm mbi njëri - tjetrin se kush është spiun më i madh! Dhe, të shtien të dyshosh se, shqiptarët gjatë gjithë jetës së tyre kanë qenë vetëm spiunë. Edhe sot si dje, kur pushteti i atëhershëm ia japte shqiptarit armën për ta vra vëllain për një gardh, për një kufi në arë, për një dele. E dalldiste permes hoxhallarëve se ai është mysliman, dhe atdheu i tij është Turqia. Nuk duhet fare të mërzitet për të nesërmen se, i ka “vëllezërit” serb. Gjithë jetën nën hije në kokërr të shpinës, shqiptarët kanë pritur serbët t’i bëjnë shtet etnik. Edhe, “vëllezërit” kur kanë dashur ua kanë hedhur grepin me një krimb. Shqiptarët, bythekrye turr pas krimbit, dhe përpulitu pastaj si peshku në zall. Në fund, dihet edhe në fëltere për të ngritur dolli me verë “dasmorët” nëpër sallone të Evropës demokratike.  Nusen ata të na e hipin në koçi. Pse jo, edhe të na e zbresin me krushka në Lëmë. Copë – copë t’i bëjnë dajret. Shqiptarët janë trima, kanë besë. Dhe, pse të mos u besojnë edhe “vëllezërve” të Njerkës, që Nusen “probatimat” t’ua sjellin në shtëpi me koçi, krushq, këngë, valle e krisma pushke nëpër Katund.

       Në tavolinë ndryshon situata, na i fusin gërshërët. Ose, siç thotë populli: na qepin struke. Mëngët na mbesin në Serbi. Arna me të cilën ajo e qep gëzofin nëpër histori  në Dimër. Ponemadhe, që shqiptarët me fajin e tyre ende i presin dimrat me struket krahëve pa mangë. Maleve të Sharrit i bien fyellit. E ujku një nga një po ua hanë delet.

       Anekdotën e Nastradin Hoxhës me jorganin e dini me siguri. Megjithatë, është mirë edhe një herë t’ua bëj me dije: Nastradini kthehej nga pazari me një jorgan nën sjetull. Rrugës i takoi dy veta, që ishin rrokur fyt për fyti përpara xhamisë. E la jorganin anash dhe u përpoq t’i ndaj belaxhinjtë. Në fund, pasi i ndau e pa se nuk e kishte jorganin. E kuptoi se, e gjithë puna kishte qenë për jorganin e tij, që ia vodhën hajdutët.

       Edhe ku ta dish, vërtet serbët mund të na bëjnë një ditë Shqipëri Etnike. Vetëm, unë e kam një brengë: kam frikë se dyluftimet e Partive tona Politike Shqiptare janë, si puna e jorganit të Nastradin Hoxhës…



(Vota: 25 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: