Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë
| E Merkure, 22.12.2010, 10:58 PM |

KONTRIBUTI I FEMRËS NË PAVARËSISË E SHQIPËRISË

 

Nga Ma. Alban Dobruna

 

Këtë fjalë time të rastit do ta filloja me  thënien e njërës nga femrat më të shquara shqiptare Dora D’Istria: “Në një vend luftarak gratë kanë shpirt luftarak jo më pak se burrat  e tyre”  Femra shqiptare  nuk ishte asnjëherë më pak e preokupuar  për çlirim dhe bashkim  kombëtar se sa burrat. Kështu veproi edhe në kohën  e rezistencës heroike për Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas burimeve historike, qëndresa e sakrifica, si forma të rezistencës së gruas shqiptare  në luftërat  për liri e pavarësi, paraqiten në vazhdimësi që nga antika e deri në ditët e sotme. Femrat shqiptare, treguan me dhjetëra herë shembuj të heroizmit që kryen akte të papërsëritshme në histori.  U shquan gratë ilire që në kohën e Teutës kur luftua krah burrave të tyre. Pozita e tyre në shoqërinë ilire u lejoi të bëheshin edhe sundimtare si Teuta. Në Përudhën e Skënderbeut , sipas shumë tregimeve, gratë e vajzat merrnin pjesë drejtpërdrejtë edhe me armë në dorë në luftën e lavdishme të udhëhequr nga kryetrimi shqiptare.

Gratë shqiptare në luftërat kundër osmanëve  realizuan akte të larta, lavdia e të cilave jo vetëm u përmend nga opinioni kombëtar,por edhe ai ndërkombëtar. Në relacionin që Vinçenc  Zmajeviqi më 31 gusht 1707 i shkruan Romës në  mes të tjerash theksohej:” Di se midis kelmendasve u dukën në betejë 300 gra të armatosura me çdo  gjë, kurse njëra prej tyre pati nderin të vrasë dhe t’i presë kokën turkut komandant  të ushtrisë së vendosur. Edhe  Shqipëria prodhon amazona. Ky nuk është shembulli i parë trimërorë i grave kelmendase, sepse edhe një herë tjetër vetëm me gurë ato dhanë dëme ushtrisë së Vuçi Pashës, që pati 500 të vdekur”.

Gjatë lëvizjes  kryengritëse që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër , dokumentacione arkivore dëshmojnë se “ në malësitë e lira gra dhe fëmijë bënin pjesë  në radhët e luftëtarëve  dhe se gratë  qenë  të ngjeshura me armë dhe të veshura ushtarakisht e sidomos në Shqipërinë e sipërme”.

Kur flitet për  kontributin e femrës në Pavarësinë e Shqipërisë, duhet pasur parasysh të gjithë faktorët ekonomikë, politik, shoqërorë dhe kulturo-arsimorë, që kushtëzuan pozitën e saj.

Një pozitë të tillë të femrës e ilustrojnë bindshëm  edhe idetë e rilindëseve  duke u nisur  nga Naum Veçilharxhi, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri e deri te periudhat e mëvonshme. Ata e çmonin shumë rolin e gruas  si nënë, edukatore si dhe pjesëmarrjen e saj në disa profesione.

Një kontribut të madh kanë dhënë edhe gratë kosovare gjatë kryengtijtjes së viteve 1910, 1911 dhe 1912. Një ndër këto gra ishte Baftie Seferi , bashkëshortja dhe bashkëluftarja e denjë e prijësit Idriz Seferit nënë e 12 fëmijëve, e cila përkrah të shoqit dhe me gratë e krahinës luftoi në frontin e luftës. Po në këtë periudhë vlen të theksohet heroizmi i grave të familjes Boletinëve në Mitrovicë  është në nga rastet e rralla kur një familje, jo vetëm burrat dhe djemtë, por edhe gratë qëndrojnë stoik në mbrojtje të çështjes kombëtare.

. Me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u krijuan kushte të reja që bëri të mundshëm  të arrihen rezultate të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve shoqërore,  arsimore  dhe kulturës. Si pjesë e pandarë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  femra gjithnjë  e më tepër inkuadrohet në të gjitha rrjedhat shoqërore dhe politik, duke i bartur të gjitha karakteristikat për  kapërcimin e prapambetjes si ne fushën ekonomike dhe atë sociale . 

Kështu femra shqiptare veproi edhe ne kohën  e rezistencës heroike  të Lëvizjes Kaçake të viteve 1918-1928. Emri  Shotë Galicës, e cila me trimërinë e saj u bë sinonim i femrës shqiptare për çlirim kombëtar që me  qëndrueshmërinë  dhe heroizmin e saj u bë frymëzuese e shumë brezave. Jeta dhe vepra e Shotë Galicës (dhe e shumë të tjerave) e cila 12 vjet me radhë u kalit në luftërat e pareshtura për liri e pavarësi kombëtare, tregoi se çfarë forcash kolosale fshehën në femrën shqiptare. Me këtë rast do të përmendim vajzën e patriotit Mazllum Qafa, Sulltanja nga fshati Qafë të Gostivarit ,e cila me gërshërë mbyti dy xhandarë serbë. Rezistenca dhe kontributi i femrës shqiptare gjatë Lëvizjes Kaçake vuri në pah jo vetëm virtytet dhe idealet e larta të saj, por edhe synimet për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Kjo u dëshmua edhe gjatë Luftën e Dytë Botërore  dhe pas saj. Femra në të gjitha trevat shqiptare zhvilloi një aktivitet në Organizatën e Nacional Demokratikes shqiptare-NDSH-së.

Ato u bënë pjesë aktive e kësaj organizate që luftoi për çlirim dhe bashkim kombëtar, do të përmendim kontributin e Nasibe Zhurit  njëra ndër aktivistet e dalluara të kësaj organizate.  Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998  paralajmëronte ditë të nxehta për shqiptarët .

 Kosova ngjasonte në një det të trazuar nga fundi. Ky vit njihet për ndryshime të mëdha  në Ballkan. Historia  e shqiptare u pasurua edhe me një emër të madh, me emrin e Xhevë Lladrovcit dhe e shumë të tjerave, të cilat me veprimtarin luftarake përkrah burrave në radhet e Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës u bë legjendë në gjithë hapësirën shqipfolëse.

 Edhe pse femrat shqiptare jetuan ne kushte specifike, duke marrë parasysh pozitën e tyre ne familje e shoqëri, mendojmë se qëndresa dhe kontributi e femrës shqiptare gjatë shekujve  ishte shprehje adekuate  e vetëdijes nacionale që është i lidhur ngushtë me institucionin e natyrshëm të vetëmbrojtjes. Rezistenca e pandërprerë e popullit shqiptar, pra kishin synim kryesor çlirimin dhe bashkimin  kombëtar. Femra shqiptare nuk ishte vetëm vëzhguese e këtyre  luftërave, por  ajo me pushkë ne dorë  dhe me forma  të tjera të shumta të rezistencës u inkuadrua ne  Lëvizjen Kombëtare, duke dhënë kontributin e saj me vlerë.

 


Për ZSH: Sabile Keçmezi-Basha

(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: