http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Thanas L. Gjika: Vepër madhore në studimet skënderbejane
| E Premte, 17.12.2010, 09:59 PM |

VEPER MADHORE NE STUDIMET SKENDERBEJANE

 

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

 

Në tetor 2010 në Tiranë doli në qarkullim prej shtypshkronjes KUMIPRESS vepra Barleti apo Becikemi? Një pështjellim në shkencën shqiptare, hartuar prej studiuesit Ilia S. Karanxha i cili jeton e punon në Firence të Italisë prej vitit 1997. Mbas një pune shumëvjecare nëpër bibliotekat e atij qyteti, ky studiues ka hartuar pesë vepra me vlera të rëndësishme për jetën e bëmat e shqiptarëve që jetuan në diasporë në Italinë veri-lindore në shek. XV-XVI-të. Me studimin Barleti apo Becikemi?... hapet kjo seri veprash që ka për të pasuruar shkencat albanologjike dhe humanizmin evropian. 

Vepra që kemi në duar sjell hipoteza e teza të reja lidhur me autorësinë e dy veprave monumentale të albanologjisë Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut… të cilat, si dihet, deri më sot janë konsideruar si vepra të Marin Barletit.

Që në leximin e parë të bie në sy se hartimi i kësaj vepre ka kërkuar punë e pasion të madh, kualifikim të shumanshëm, guxim shkencor dhe logjikë të mprehtë. Vetëm të tilla tipare mund ta ndihmonin këtë autor të luftonte, që me veprën e tij të pare, për krijimin e tezave dhe hipotezave të reja, kur teza e hipoteza të vjetra kishin kohë që ishin përhapur e kishin zenë vend.

Duke krahasuar një mori të dhënash historike, filologjike e ikonografike, duke u thelluar në leximin e tekstit dhe duke përqasur pjesë teksesh nga panegjirikët e njohur të humanistit Marin Becikemi me tekstet e veprave të lartpërmendura, Karanxha përmes arsyetimesh logjike, ka tronditur fort një sërë problemesh dhe ka sjellë përfundime të reja bindëse.

Këto përfundime sqarojnë autorësinë e këtyre veprave, duke e lidhur atë me emrin e humanistit të njohur prof. Marin Becikemit e duke e lënë Marin Barletin thjesht si një emër mbas të cilit është dashur të fshihej autori i vërtetë; sqarojnë se i quajturi portret i Marin Barletit është vetëm një klishe ikonografike e përdorur dhe në vepra të tjera si portret autori, saktësojnë datën e botimit të Historisë së Skënderbeut... duke e spostuar atë në vitin 1522; shpjegojnë ndërhyrjet e pasardhësve të Pal Engjëllit në botimet e mëvonëshme për qëllime lavdie familjare, si dhe plotësojnë me të dhëna biografike jetën e humanistit të madh shkodran Marin Becikemi dhe të botuesit B. Vitali, një shqiptar tjetër ky që u shqua si editor në botimet veneciane të shek XV-XVI. Jeta dhe veprimtaria e vëllezërve Vitali është objekt studimi i njërës nga pesë veprat e I. S. Kakranxha që do të dalin në vijim.

 

Mbas qëmtimesh të kujdesëshme të fakteve të fshehura brenda në tekstin e veprave, janë mbledhur të dhëna biografike për persona historikë që përmenden aty, janë krahasuar ato me të dhëna dokumentare dhe është ngritur me guxim teza e re. Sipas kësaj teze nuk ka qenë vëzhgues e përshkrues i shumë ngjarjeve autori i këtyre veprave, i quajturi Marin Barleti, si është konsideruar deri sot, por babai i Marin Beçikemit. Ky person i njohur historik, i cili quhej gjithashtu Marin, kishte qenë një nëpunës i Venedikut që kishte shërbyer shpesh herë si i dërguar, si ndërmjetës, pra si vëzhgues i Republikës së Shën Markut (i Venedikut) tek drejtuesit e trupave osmane, edhe në  Krujë pranë Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Shkodër pranë komandantëve venecianë A.  Loredan, dhe A.da Leçe. Ky vëzhgues e luftëtar, i cili u vra gjatë luftimeve heroike të rrethimit të dytë të Shkodrës, duket se ka qenë kronikani i shumë ngjarjeve, hartuesi i relacioneve, të cilat janë shfrytëzuar për hartimin e këtyre dy veprave madhore prej hartuesit te tyre.

Mbasi jepen sqarime biografike për marrëdhëniet midis qeveritarëve të Venedikut e prof. Marin Becikemi, mbasi jepen sqarime lidhur me opinionin konkret të qeveritarëve venedikas për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, të cilët nuk donin t’ia dëgjonin më emrin në dhjetvjecarët e parë të shek. XVI-të, argumentohet fakti pse vepra madhore Historia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut… u desh të botohej jo në Venedik, po në Romë, pa datë botimi, pa emrin e vërtetë të autorit, pa emrin e plotë të botuesit, si dhe me prezantues të maskuar në kopertinë.

Sqarohet se emri Marin Barleti me cilësimin prelat shkodran, u përdor për fshehjen e emrit të hartuesit të vërtetë Marin Beçikemit me që vepra e tij sillte interpretime të ndryshme nga historiografia zyrtare veneciane.

Emri Marin Barleti që shfaqet në disa dokumenta, si emër i një djaloshi para vitit 1497, humbet krejt gjurmët e veta si person fizik në kapërxyell të shek XV dhe del vetëm si emër autori i dy veprave të mirënjohura, mirëpo nuk ka asnjë dëshmi ndër letra, ligjërata, libra, ose dokumente të botuara për jetën e tij si person konkret. Një farë biografie që është sajuar për këtë autor është krijuar kryesisht duke u mbështetur në të dhënat e brendshme të tekstit të veprave Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut… dhe Rrethimii i Shkodres, të cilat në të shumtën e rasteve duhet t'i  përkasin babait të Marin Becikemit. Ndërsa për personin Marin Becikemi sillen të dhëna që dëshmojnë se ai kishte qenë tepër i ri kur kishte emigruar në Venedik. Këto fakte e shtyjnë studiuesin të hedhë idenë se Marin Barleti dhe Marin Becikemi përjashtohen nga mundësia e të qenit pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të luftimeve në rrethimet e Shkodrës, e aq më pak në betejat e mëparshme skënderbejane.

Rrëzimi i hipotezës ekzistuese sipas së cilës autori i këtyre dy veprave kishte qenë pjesëmarrës në luftimet që përshkruhen aty, shoqërohet me të dhëna biografike e biobiliografike për të supozuarin Marin Barleti dhe për profesorin real Marin Becikemi.

Duke përqasur të dhënat biografike të këtyre dy humanistëve, autori i studimit thekson faktin se jetët e tyre afrohen shumë me njëra tjetrën, kurse duke gërmuar në të dhënat e brendshme filologjike të tekstit të veprave, ai ka mbritur në rezultatin se prapa emrit Marin Barleti prift shkodran, duhet parë profesori universitar Marin Beçikemi. Bëhet një hap i parë e i sigurt në një rrugë të gjatë e të braktisur prej shekujsh duke rrikthyer në plan të parë meritat e mohuara të humanistit të shquar italian nga Lombardia Paolo Xhovio (Jiovio). Studiuesi Kakranxha e njeh mirë jetën dhe pasuritë artistike e ikonografike të këtij humanisti Italian dhe së shpejti do të hedhë në shtyp veprën e tij të dytë titulluar Shqiptarët në Muzeun e Paolo Xhovios.  

           Të dhënat për prelatin e devotshëm Marin Barleti, tregojnë se ai mbetet i projektuar në një situatë sureale, gati komplet i panjohur dhe jashtë ambientit të Rilindjes italjane. Kurse të dhënat për profesorin universitar Marin Becikemi tregojnë se ka qenë një hartues i talentuar fjalimesh, ligjëratash biografike dhe komentesh për autorë e personalitete të antikitetit romak e Italian dhe se ka qenë një gërmues i njohur i arkivave, sidomos i atyre veneciane. E kaluara e largët dhe e afërt e popullit shqiptar ishin temat e preferura me të cilat Beçikemi rekej të afirmonte identiten e dinjitetin e popullit të tij në arrati.

Kështu bëhet e pranueshme hipoteza e re sipas së cilës autori i veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka qenë profesori i talentuar Marin Becikemi. Për hartimin e tyre, ky gërmues i arkivave ka shfrytëzuar si kronikat e relacionet e shkruara prej babait të tij edhe aftësitë e tij oratorike e letrare për mbushjen e veprave me ligjërata të shumta në përshtatje si me periudhën historike dokumentare kur ndodhën ngjarjet po ashtu edhe me mendësitë e kohës kur u shkruan dhe u botuan veprat.

Të dhëna të shumta bëjnë të qartë pse Marin Becikemi nuk donte të komprometohej me argumenta delikate historike në një ambient ku faktet e ngjarjet e ndodhura në Shqipëri mes venecianve dhe shqiptarve ishin tepër të mpleksura me fërkime të shumta. Në Venedikun e dozhëve, nga shumë persona këto argumenta do të shiheshin me një sy jo dashamirës. Me një fjalë historiografia e Beçikemit me një mjeshtëri të hollë e me mençuri të madhe arriti të delte nga konturet e historiografisë zyrtare veneciane, si dhe nga ligjet që pengonin e dënonin ata që guxonin të diskutonin veprimtarinë e Republikës së Venetikut. Pra përdorimi i emrit Marin Barleti prift shkodran e mbronte autorin e vërtetë nga pasojat, si dhe veprën e parë monumentale shqiptare e thënë me fjalët e vetë autorit nga kafshimet e zemërkëqijve.

 

            Vepra Barleti apo Becikemi… ka dhe merita të tjera. Aty analizohet në një kapitull të veçantë mpleksja e dhunëshme e familjarëve Ëngjëlli në themelet e kulturës shqiptare.  Këto vëzhgime e kanë shpënë studiuesin në kokluzionin se të afërmit e pasardhësit e Pal Engjëllit, peshkopit të devotshëm të Durrsit dhe bashkëpunëtorit të afërt të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjatë shekullit të XVI-të shkuan tepër larg në ambicjet e tyre për të ngritur sa më lart origjinën e lidhjet e tyre fisnore duke e lidhur familjen e Engjëllorëve me familje të shquara të Perandorisë Romake e asaj Bizantine. Kjo mani i çoi ata në shtrembërime, thjeshtime dhe shtesa të tjera në veprat e hartuara prej Marin Beçikemit të cilat na janë trasmetur deri në ditët e sotme me emrat Marin Barleti (1555) apo Paolo Xhovio (1539, 1541) e Dhimitër Franku (1584 e më tej).

Si konkluzion themi se studiuesi Karanxha me rezultatet e reja mbi autorësinë e veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me sqarimet e shumta për rrethanat e botimit, me shpjegimet për ikonografinë kastriotiane, me ndjekjen e idesë për helmimin e Gjergj Kastriotit, me fundin misterioz e të papritur të Marin Beçikemit, etj, ngul piketa të reja në studimet skënderbejane. Me rezultatet e veta ai tërheq me sukses vëmendjen e studiuesve dhe hap hapësira të reja në këtë fushë të rëndësishme të studimeve albanologjike me vlera të mëdha edhe për studimet e humanizmit evropian.

Duke ia njohur vlerat këtij studimi të hartuar prej një studiuesi të diasporas së sotme, I cili nuk ka mundësi të merret me shhpërndarjen e veprës, sugjerojmë që Ministria e Arsimit  të ndërmarrë shpërndarjen dhe shitjen e tij si në Shqipëri dhe Kosovë. Jemi të sigurt se leximi i kësaj vepre do të ndihmojë lexuesit, sidomos studentët e degëve histori dhe letërsi shqiptare të marrin një formim më shkencor.

                                                           

So. Lancaster, MA. 15 dhjetor 2010.