Pëllumb Gorica: Tradita e dasmës së vjetër, në Sulovë të Elbasanit
| E Enjte, 09.12.2010, 09:57 PM |

Tradita e dasmës së vjetër, në Sulovë të Elbasanit

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Dasma ishte dhe është një ceremoni e pasqyruar gjatë shekujve me lloj-lloj ritesh e zakonesh të bukura si kudo edhe në krahinën e Sulovës. Çdo moment i saj kryhej në kohën dhe vendin e duhur. Dasmat ishin dhe janë të domosdoshme me gëzimin e tyre të shfrenuar.Tradita e dasmën së vjetër sulovare ka treguar se më e gëzuar dhe e madhe është te djali, ndërsa kur martohej vajza shpesh mjaftohej me një dasmë më të vogël. Zakonisht dasma bëhej në stinën e vjeshtës, kur njerëzit liroheshin nga punët e verës. Për dhëndrin ajo fillonte një javë përpara, kurse për nusen tre ditë. Në rrëfenjat e ndryshme tregohet se bëheshin shpenzime të mëdha, në varësi nga rrethi miqësor dhe gjendja ekonomike, duke e futur të zotin shpesh në borxhe. Se dasmat në çdo kohë kanë qenë dhe janë të shtrenjta. Thereshin dhjetëra bagëti, bëheshin dhjetëra tepsi me byrek e bakllava me gjalpë e arra, veç atyre që sillnin dasmorët në shenjë ndihme. Por, gjithnjë, sipas rrëfenjës tregohet për dhjetëra krushq,miq, farefis, nip e stërnip, vëllazëri, shokë. Dhe gëzoheshin pa masë kur bënin dasma të tilla me larminë e riteve të bukura, urimeve, muhabeteve në konakë me këngë e valle, rroba të reja, hingëllime kuajsh, ritme vallesh e lojërash popullore, shkrehje armësh, prisnin apo përcillnin nusen, me sofrat plot me meze, raki e dolli. Dikur ka qenë traditë kur miqtë kur afroheshin te shtëpia qëllonin në ajër me pushkë, sinjal se dikush po vinte. Në afërsi të shtëpisë priten nga të afërm të familjes me urimet e rastit e me këngë. Kjo këngë e sjellë shumë bukur këtë moment:

 

Ftorësit nji nga nji.

Kush me dhen

E kush me dhi.

Dane me nji dhi.

Tana me revani

Ju a paçim hua,

Në dasëm e gosti.

 

Ysmetçinjë, shoqëronin ndihmonin, në gjithçka, kuaj, hejbet, këpucët etj. Miqtë shoqëroheshin nga i zoti i dasmës dhe qeraseshin. Midis një atmosfere gëzimi, pasi ishin përgatitur çdo gjë dhe kishin ardhur të gjithë dasmorët sidomos më të rëndësishmit e pasi zinin vendet, sipas urdhrit prej njerëzve të ngarkuar, që merreshin me shtrimin e sofrave në konakët e burrave si dhe aty te gratë e fëmijët. Nëpër dasmat e njerëzve në gjendje ekonomike mesatarisht shtroheshin 10-15 sofra për burrat dhe po aq për gratë e fëmijët. Ulej gjithkush në vendin e caktuar rreth sofrave të shtruara. Sofrat ndaheshin në atë mënyrë, që në çdo sofër të kishte kategori të ndryshme miqsh, sipas radhës e rëndësisë së miqve, apo edhe sipas vendeve që u takonte. Respektohej gjithmonë miku më i largët, muhabetçiu.

Krushqit që caktoheshin për të marrë nusen, padyshim ishin të zgjedhur: daja, xhaxhai, krushku i parë. Zakoni në Sulovë e në krahinat përreth saj ishte edhe mënyra e caktimit të krushqve. Zakonisht caktoheshin 11, por edhe 9 edhe më pak, por gjithmonë si rregull numër tek. Krushq shkonin vetëm burra. Duhet theksuar se gratë nuk kishin të drejtë të shkonin krushq. Vetëm pas vitit 1960 filluan edhe gra. Po kështu dhëndëri nuk shkonte për të marrë nusen, po dërgonte një shishe raki, e cila në mes të muhabetit kur vinin krushqit te shtëpia e nuses bëhej e njohur, për pjesëmarrësit në dasmë. Me këtë raki uronin të gjithë. Kujdes tregohej për zbukurimin e kuajve. Sa pa u kthyer krushqit dhëndëri rruhej. Dikush e daroviste me pare. Dasmorët hidhnin valle dhe këndonin rreth tij:

 

Me ngadale dorën-o.

Berber të keqen-o

Se m’i pret faqen-o.

Djalit që bëhet dhëndërr-o.....

 

Një moment tjetër i veçantë i veçantë i dasmës së djalit ishte kur krushqit niseshin për të marrë nusen e përcilleshin me këngë:

 

Udhë e mbarë o krushq

Ju o krushq të gjithë me radhë.

Udhë e mbarë o krushku i parë

I thuaj nuses të mos na qajë.

Udhë e mbarë o krushku i dytë

I thuaj nuses të mbylli sytë.

Udhë e mbarë o krushku i tretë

I thuaj nuses të vije vetë...

 

Krushku i parë që shkonte për të marrë nusen quhej selamez, duhet të ishte i gojës, njohës i traditave. Krushqit e djalit duhet të venë në dasmë një orë më vonë se të fillojë ajo dhe të ikin një orë më përpara. Një zakon i hershëm ky. Kur arrinin krushqit në shtëpinë e nuses, në dhomën e grave nusja qante me zë të lartë që ta dëgjonin, ajo vishej me rrobat e nusërisë dhe dëgjonte porositë e fundit që i jepte e ëma dhe gratë e farefsit. Kënga është ajo që përcjell këtë moment:

 

Të djelën që me natë,

Pa dil moj, shiko moj! *

Vijnë krushqit për të marrë,

Vijnë krushqit 11 vetë.

Tyja o moj, për të marr,

Tyja me kalë me shalë.

 

*( përsëritet pas ç’do vargu tjetër)

 

Krushqit priteshin me përzemërsi me nderimet e rastit nga pala e nuses. Burrat i drejtonin në konak. Përshëndeteshin, ndërrohej cigarja, pastaj hidhej ndonjë fjalë së cilës miqtë duhet ti përgjigjeshin. Pasi shkëmbeheshin edhe një herë përshëndetjet e urimet e rastit, krushqit qeraseshin me raki e kafe për urim. Shtrohej sofra e tyre. Bëhej dollia e parë nga ana e të zotit të shtëpisë me plot shëndete e para për mirëseardhjen, për çiftin e dyta për krushqit, për miqtë e me radhë. Këndohej dy këngë, ndërsa pala e djalit dëgjonte.

 

Sa lezet sa bukuri.

Miku po bën dolli.

Ju mbledhshim në shtëpi.

Për dasëm për gosti.

Pijmë e bëjme muhabet.

Se kështu na ka lezet.

Muhabetin të shtruar.

Miqtë i paçim të gëzuar.

 

Ju këndoftë zemra! Qofshi të nderuar!’’ Këndohej me iso. (Në dasmën sulovare më përpara, para viteve ‘50 të shekullit të kaluar veglat muzikore nuk janë përdorur. Kurse sot ato kanë hyrë gjerësisht në të gjitha dasmat.) Në radhën e saj në dollinë e krushqve bëhen shëndete të tjera me urime plot. Këndohej dy këngë edhe nga pala e dhëndrrit, hiqej një valle prej së cilës palë. Pastaj krushku bisedon me lajmësin. Ysmetçinjtë vijnë rrotull të mos mungon asgjë. Një tjetër moment i veçantë i dasmës është kur ngrihej dolli nga rakia e dhëndrit, raki pikë e parë. Gratë në dhomën e nuses lëvdojnë nusen me këngët e mira. (Gratë e vajzat e fshatit një ditë më parë kanë ardhur e darovitur nusen, hedhin pare, ato që mblidhen i merr nusja.) Çasti më prekës për të gjithë ishte kur nusja e rrethuar nga shoqet e veta dhe nga gratë e tjera, dilte nga shtëpia dhe qan me dënesë, kur mendonte se po i afrohej momenti për ti dhënë lamtumirën shtëpisë ku ka lindur, familjes, prindërve, që e kishin rritur dhe sidomos kur fillonin këngët e ndarjes, dhe e bën nusen të qajë, se po ikën nga shtëpia e prindërve. Këngë, që janë më prekëse se asnjëherë:

 

Ç’ka goca që qan me lot?

Ka nënën s’e lën dot.

Ç’ka goca që qan me lot?

Ka babanë s’e len dot.

 

Në oborr ushtojnë zhurmat: këndojnë, qajnë, urojnë, thërrasin emra, kërcasin pushke, trokasin kupa, lëvizin kuaj, ngarkojnë torba, hejbe, velenxa. Nusja e veshur me duvak të kuq nxirret nga të afërmit në oborr për të hipur në kalë. Mes mallëngjimit shpërthen me lot. Puth dorën e babait, nënës, vëllait e duke qarë tund kokën. Të gjithë e urojnë “Të trashëgohesh” Nusen e hipin në kalë. Pushkët kërcasin sërish, bashkë me to prapë shumë urime, këngë, ngashërime, lot nga të gjithë dasmorët. Zbrazja e armëve, shenjë kjo sa e gëzimit, aq edhe të jehonës se doli nusja nga shtëpia dhe krushqit u nisën. Sadiçi ishte personi i afërt i familjes, që përcillte nusen në derë të dhëndrit. Sipas besimit ajo mbulohej  me duvak dhe nuk duhej të shihte njeri dhe rrugën që bënte pasi do të ngelej pa fëmijë. Dikush lag përpara rrugën me raki, ku do kalojë nusja, që të mos i ndodh gjë e keqe dhe ta shpëtojë nga magjia që të mund ti ketë bërë ndokush. Gjatë kthimit krushqit duhet të mos kalonin rrugës që erdhën, ndërrimi i rrugës ishte një tjetër rit. Krushqit gjatë rrugës këndonin, qëllonin e në rast se shkëmbeheshin me krushq të tjerë shkëmbenin faqoret e rakisë, dhe sidomos kur nusen e merrnin larg.

Gëzim të veçantë sillnin krushqitë që vinin pasi kishin marrë nusen. Lajmin me britma gëzimi për mbërritjen e krushqve, përveç krismave të pushkëve e jepnin fëmijët, që si kudo janë gjithnjë të parët. “Erdhi nusja! Erdhi nusja!” Është kulmi i gëzimit për të gjithë, një tjetër moment i veçantë. Ardhja e nuses bashkë me krushqit pritej nga të gjithë dasmorët me këngë e valle.*

 

Ike, ike, le vatanin,

Jemine moj fëllënxe e bukur.

Erdhe e more Neim aganë,

Se ai na ishte një djalë.

Na mbante baluket menjanë.

 

Ardhjen e priste me padurim edhe fshati, sidomos gratë, të shtyrë nga kureshtja për të parë nusen. Të moshuarëve, me ardhjen e nuses dalin përpara e shkojnë ti takojnë, e me rigorozitetin, që nuk u shpëton asgjë nga ritet që bëhen. Krushqit përmbi kuaj shtinin me armë e krismat dhe këngët gjallëronin më shumë atmosferën për një kohë të gjatë.

 

Erdhi nusja në oborr

Shtati i nuses si vaporr.

Erdhi nusja në shtëpi

Syri i nuses si ulli...

 

Pa zbritur nga kali, nuses, kur hynte në oborrin e shtëpisë i vinin përpara një djalë të vogël, që të bënte djem. Nusja i jepte një palë çorape si dhuratë. Motra ose vajza e xhaxhait të dhëndrit hedh oriz, grurë, karamele, pare. Të hedhurit si simbol i prodhimit dhe i lumturisë në jetë. Sapo hyn në shtëpi me këmbë të djathtë, asaj i vihej një bukë në sqetull, i lyheshin gishtat me mjaltë dhe ajo i vinte në derë, më pas  një gjymit të mbushur me ujë, i bie me këmbë. E zonja e shtëpisë nuk harronte, që gjatë darkës në shtratin e nusërisë të vinte për të fjetur përsëri një djalë të vogël, me dëshirën e madhe që çifti i ri të lindte djalë, por edhe të tjera zakone si: Bakllavaja për shumë kohë deri në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar kur vihej për t’u servirur në dasmë, tregohej se e kush ishte. Këto zakone e të tjera tashmë janë lënë në harresë, prej kohësh. Ndërkaq këngë të tjera këndohen nga gratë kur nusja zbriste nga kali dhe vihej të nusëronte në dhomën e grave.

Thëllëzë zbrite nga mali.

Thëllëzo, thëllëzo.*

Të pëlqeu vendi apo djali.

Dil prej ujit mos dalsh kurrë.

Dil të shoh sa je e hollë.

Faqe kuqe porsi mollë.

 

(*përsëritet pas ç’do vargu tjetër)

 

Ata që ishin ngarkuar, merreshin me përgatitjen e darkës, me shtrimin e sofrave. Sofrat mbusheshin si kurrë ndonjëherë me mish të pjekur, raki dhe meze nga më të mirat. Rreshtohet gjithkush në vendin e caktuar rreth sofrës. Burrat rakinë dhe dollinë , duke i dhënë hare gëzimit. Ajo ndiqte këtë rregull: Dollibashi gjente një njeri të afërt i drejtohej me formulën e thjeshtë “Të kam gjetur” uronte mikun kryesor: Ta ngremë këtë dolli për shëndetin e çiftit!/ U trashëgofshin e u shtofshin, u bëfshi një mëhallë!/ Në të mira e gëzime ua shpërblefshim!/Me trashëgime e jetë të lumtur! Dollitë fillonin e mbaronin me shëndete  me radhë e me lezet e cila vazhdonte, për të gjithë pjesëmarrësit në sofër e shoqëruar me këngë, valle, shaka e muhabete.

O konaku me tavan,

Lumja ti ç’farë mban.

Shokë e miq  janë mbledhur.

Sofrat plot shtrur.

Kush e ngriti këtë dolli.

Ky miku me dashuri.

Pije more djalë pije.

Shumë të paska hije.

 

Në këtë mënyrë dasma vazhdonte deri ndaj të gdhirë. Në përgjithësi dasmat shkonin mirë, por kishte edhe raste që muhabeti prishej për qejfmbetje, sherre të vjetra, teprime në pije.

Kur ceremonia e dasmës merr fund dhe miqtë janë ngritur e shkojnë e pasi kanë pirë mirë çifti mbyllet në dhomën e tyre. Në këtë rast të pranishmit, në kohën kur dhëndëri do të hynte në dhomë te nusja, e goditnin me grushte në shpinë a me ndonje shkop, një gjest ky gazmor, që i bëhej atij në momentin kur do të shihte nusen. Një rit më vete është hapja e pajës së nuses, që bëhet të nesërmen. Nusja vendoset, në një kënd të dhomës dhe gjithë gratë e fshatit vijnë e shkojnë turma-turma, njëkohësisht ato shohin atë edhe ç’kishte sjellë ajo si pajë. Natyrisht familja e nuses duhet të përcillte të bijën e vet me një pajë sa më të bollshme për të dhe peshqeshe për njerëzit e dhëndrit.

Dasma sot ka ndryshuar në përpjekje për t’iu përshtatur kushteve ekonomike dhe shoqërore të kohës. Disa prej riteve janë harruar e nuk përdoren. Duvaku është zëvendësuar me vellon e bardhë. Është për të ardhur keq që brezi i ri duvakun nuk e njeh. Kali me shalë është zëvendësuar me taksinë. Dasmat bëhen në lokale. Dasma që nisnin një javë para ndërsa në ditët e sotme kryesisht ka mbetur e shtuna për nusen dhe e diela për dhëndrin. Por edhe këngët e vallet e traditës janë harruar e sot e kanë zënë vendin kryesor orkestra e këngëve dhe valleve të bastarduara. Mungon perla e traditës kostumi popullor, sidomos ajo e vajzave dhe grave. Pra, megjithëse sot dasmat kanë marrë një drejtim krejt ndryshëm, në thelb ato e ruajnë traditën. Vazhdon të jetë një ceremonial i gëzueshëm me zakone, rite.



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: