Lirim Nezha: Mysafirja
| E Shtune, 04.12.2010, 05:52 PM |

Lirim Nezha

 

MYSAFIRJA

 

Isha ulur krejt i shkujdesur në njërin nga kolltukët dhe këmbët i kisha hedhur në një kënd të tavolinës së ulët që kisha përpara.Po lexoja i qetë novelat e 

prozën e mrekullueshme.

Befas trokiti dera.

-Hyr!-u përgjigja nga brenda pa e ndërprerë leximin.Dera ra prapë.

-Hyr!-fola më fort,këtë herë i bezdisur.Askush nuk po hynte.I zymtë në fytyrë,shkova ta hap.Ula dorezën me nervozizëm duke menduar se do të ishte ndonjë nga fëmijët.Afshi i nxehtë i diellit të korrikut më përfshiu fytyrën.Picërrova sytë.Para meje qëndronte një grua e moshuar dhe e panjohur.U perpoqa të ndryshoja menjëherë pamjen dhe,i befasuar e i hutuar njëherësh e ftova.

-Urdhëroni,urdhëroni Brenda!

Ajo e pikasi hutimin tim,por nuk foli.U çapit ngadalë pasi i lirova rrugën dhe hyri në korridor.E drejtova për nga dhoma e ndenjjes dhe i tregova kolltukun ku isha ulur vetë pak më parë.Me një lëvizje të shpejtë,hoqa librin gjysëm të hapur.U ul.Isha i veshur me pizhama dhe ndihesha në siklet para saj.Ndaj,ende pa u prezantuar me të,i kerkova të falur që të mund të vishesha.Nuk më dukej dinjitoze që të qëndroja i veshur kësisoj perpara një gruaje të moshuar e aq më shumë të panjohur.Ajo aprovoi me një tundje të lehtë të kokës dhe unë,shkova me të shpejtë në dhomën tjetër.Në më pak se një minutë vesha diçka dhe u gjenda prapë përballë saj.E gjeta duke shikuar fotografinë e nënës në mur.Kur hyra unë,e largoi shikimin nga fotografia dhe e drejtoi mbi mua.

-Si jeni?-e pyeta dhe i zgjata dorën.

-Mirë jeto,mirë,-dhe me një shami të vogël që nxorri nga xhepi i trikos së zezë prej akriliku,fshiu bulëzat e djersës që i kishin mbuluar fytyrën.E perëndoi prapë shikimin mbi fotografinë e nënës.Ishte me të vërtetë një foto e bukur,bardhë e zi,por shumë e pastër,e bërë prëj mjeshtrash të kohëvë të shkuara.Aty pat dalë me flokët të lëshuara dhe e qeshur,një e qeshur që i jepte dritë gjithë dhomës.Ishte foto vajzerie.

Nuk e pashë të udhës të pyesja pa folur ajo më parë.Pastaj nuk isha as i sigurt në ishte vërtet një e panjohur,apo unë nuk po e kujtoja dot dhe ajo,me heshtjen e saj përpiqej të më zgjuante kujtesën?Mos ishte vallë ndonjë e afërmja jonë dhe unë e kisha harruar?Nuk po kujtohesha dot.Nga dialekti i atyre pak fjalëve që dëgjova prej saj,nuk m’u duk nga krahina jonë.Edhe veshja e saj ishte tjetër soj.Plakat tona vishen ndryshe.Ajo ishte një grua e shëndetshme,e moshuar,por e mbajtur mirë.Ishte e veshur krejt në të zeza.Veç trikos që dukej sikur prodhonte djersë,kishte veshur një fund te gjerë dhe të gjatë deri afër këmbëve.Në kokë dukej se kishte patur një shami të zezë najloni që e kishte kaluar në qafë.Pak cullufe flokësh të thinjura i binin në të dyja anët e fytyrës.Në fytyrën e saj dukeshin qartë shenjat e pleqërisë e ajo as që mundohej t’i fshihte.Balli i saj kishte një mori rrudhash paralele,të ngjashme me vijat e pentagramit të pasqyruar në ujë.Sytë i kishte ende të bukur,teksa undronin brenda një lëngëzimi të qelqtë.

Ç’të ishte vallë kjo grua e panjohur që më bujti në shtëpi këtë mbasdite të nxehtë korriku?Kush ishte dhe pse nuk prezantohej?Ndërsa unë mendoja të gjitha këto,ajo gjithnjë e më shumë shihte me mallëngjim brenda kornizës ku qëndronte fotografia e nënës.Pastaj më shihte mua,pastaj prapë fotografinë.Mbase kërkonte të gjente të ngjashmen midis nesh.Dukej sheshit se kjo grua,ndonëse askush nuk e njihte,nuk kishte ardhur rastësisht.Një motiv duhej ta kishte derisa kishte marrë rrugën nëpër vapë.Ajo u mbështet fort pas shpinores së kolltukut,i lëshoi të dyja duart mbi prehër,i kryqëzoi aty duke vendosur njërën dorë mbi tjetrën dhe psherëtiu thellë.U duk sikur do të fliste.Lëviza pak si për t’i krijuar hapësirë,duke shfaqur ndoshta edhe ndonjë shenjë padurimi.Por nuk foli.Fshiu edhe njëherë bulat e djersës që i dilnin vazhdimisht mbi ballë dhe prapë psherëtiu.Unë e shihja herë drejpërdrejt e herë vjedhurazi,për të zbuluar diçka nga enigma që kisha përpara.,por nuk munda.Jo,nuk munda të kapja asnjë shenjë që ajo grua të më ishte e njohur.

-Të vura në siklet,jeto.

-Me vjen keq,-i thashe.Rrini si në shtëpinë tuaj-dhe dola me te shpejtë për të thirrur gruan.Me sa dukej nuk e kishte parë mysafiren.Ajo erdhi pas pak çastesh.U përshëndet me të dhe u ul afër saj.Më hodhi mua një vështrim pyetës dhe qortues njëkohësisht që nuk po e prezantoja me këtë mysafire të nderuar,por hasi në vështrimin tim enigmatik.Atëherë,kaloi nga kuzhina për të na bërë kafetë.

-Paçi jetë dhe shëndet,-uroi mysafirja me filxhanin e kafesë në dorë.J’u përgjigjëm edhe ne me formulat e njohura të mirësjelljes.Mua gjithnjë e më shumë po më shtohej ankthi dhe padurimi për të mësuar diçka rreth kesaj gruaje të çudishme që megjithatë të impononte respekt e të mallëngjente tek shihje sytë e saj të lengezuar,të qelqtë,si një akuarium brenda të cilit lundronte jeta me të gjithë përbërësit e saj;gezim,dhimbje,ankth,brengë.Ajo uli ngadalë filxhanin dhe m’u drejtua mua:

-E shoh që po habiteni me mua e po mundoheni të më njihni.Mos u lodhni kot.Ju nuk më kini njohur kurrë.-dhe si të m’i kishte lexuar mendimet dhe hamendjet,vazhdoi:

-Nuk jam e afërmja juaj,por bëni durim se jam plakë e dua të mbledh veten.

U kapërdi e mallëngjyer,piu një gllënjkë ujë,pastaj prapë kafenë.Dukej se e bënte enkas për të rritur interesin për atë që do të dëgjonim më pas.Dhe ja kishte arritur qëllimit.

-Nuk është hera e parë që vij këtu,-filloi tregimin e saj mysafirja,-por ju nuk më njihni e nuk kini se sit ë më njihni.Kjo që do t’ju tregoj,se për këtë kam ardhur sot,ka ndodhur mote të shkuara.Kam dashur shumë në këta vjet që të lehtësoja shpirtin tim ,por nuk ishte e mundur.Nuk kisha se si…Po ja ku erdhi dita.Dëgjomeni:

-Ka qënë një ditë e nxehtë korriku e ati moti të mallkuar që mos ardhtë më kurrë.Si sot më kujtohet ajo ditë.Vapë e madhe.Çahej guri.Unë vija nga bregu me një thes ulinj ngarkuar.Harrova t’ju them se jam nga bregdeti,po mos ma vini veshin se mosha bën të sajën.Isha nisur me natë për të bërë atë tregëtinë e zakonshme që benim ne gratë e bregut me fshatrat e tjera të krahinës.Ullinjtë i shkëmbenim me lesh apo fjollë për të bërë triko e tërkuza.Kisha udhëtuar me orë të tëra dhe ndihesha e lodhur edhe pse isha grua e re.E kalova Llogoranë pa dalë dielli mirë.Ec e çlodhu.Thesi bëhej gjithnjë e më i rëndë.Po rrija me thesin mbështetur mbi një gur kur m’u bë se ndjeva një zë.Hodha sytë rrotull por nuk pashë asnjë njeri.Bëra të ngrihem.Prapë ai zë i çuditshëm që nuk po e gjeja dot se nga po më vinte.Ishte një zë gruaje.Një zë i dobët që nuk po ja gjeja burimin.Pashë nga mali ku dridhej e përdridhej një rrugë kuajsh.E ndoqa me sy atë rrugë.E pashë.Ishte një grua e ngarkuar me dru që me zor çapitej teposhtë.Më bëri me shenjë.Nuk ishte shumë larg.Shkarkova ullinjte e bashkë me ta ,m’u duk se shkarkova edhe lodhjen.U ngjita thuajse me vrap deri tek ajo grua që po më kërkonte ndihmë.Zemra më rrihte fort nga zori dhe nga ankthi.Por ndihesha edhe krenare që do të ndihmoja një njeri që kishte nevojë për mua.Kur u gjenda praën saj u lemerisa.Ajo ishte dyfish e ngarkuar.Në kurriz kishte drutë,në bark një fëmijë.Ishte e zverdhur dhe e pa fuqishme.

“-Ndihmomë motër,ndihmomë!”-tha dhe u mbështet pas një guri.E ndihmova që të shkarkohej.Kur u çlirua nga barra u këput në tokë,pa pikë fuqie për të qëndruar në këmbë.U habita se ku e kishte gjetur gjithë atë forcë për të ardhur deri aty.E kuptova që ishte e uritur.Çdo njeri do ta kuptonte.Ai vit mbahet mend si viti i zisë së bukës.

“Ke uri”.-i thashë.Nuk foli.Vetëm rënkoi lehtë.Atëherë bëra të nisesha poshtë ku kisha lënë ulinjtë e ku kisha edhe atë pak bukë .Ajo,e tmerruar,nuk më la.

“-Mos ik,-më tha.-Kam dhimbje,shumë dhimbje.-dhe i vuri duart përfund barkut.E kuptova.Një grua që ka lindur një herë e kupton fare mirë një gjendje të tillë.

 

Mysafirja heshti një hop.Psherëtiu thellë dhe e treti shikimin në sytë e mi të përlotur që kishion marrë në ato çaste pamjen e syve të saj.Rrufiti kafenë me dorën që kishte filuar t’i dridhej,e la filxhanin mbi pjatën që kërciti me dhimbje dhe vazhdoi:

-Nuk më la që të merrjka bukën.Nuk mund të më linte.Ajo kishte frikë.Ajo më shikonte mua sikur Zoti vetë të më kishte dërguar për ta ndihmuar.I kishin filluar dhimbjet e lindjes.Ajo do të lindte pas pak.Nuk dija ç’të bëja.Veç duarve nuk kisha asgjë tjetër me se ta ndihmoja.Asgjë nuk kisha me vete nga gjërat e domosdoshme që kërkon një lindje.E tërhoqa ngadalë në hijen e një përralli dhe po ilutesha Zotit.Rënkimet e saj të pafuqishme të këputnin shpirtin.Ishte e re dhe e bukur.Me shumë zor,përmes renkimeve,më tha se e kishte lindjen e parë.O Zot!Po çfarë mund të bëja unë e vetme në atë faqe mali,për ta ndihmuar që të lindte?Nuk kisha asgjë,as ujë,as pelena,as gershërë,hiç,asgjë.Megjithatë,diçka duhet të bëja.Përpara kisha një nuse të re e të bukur.Faji i vetëm i saj ishte se donte të lindte një fëmijë.Ajo po zbehej prej dhimbjeve.Nuk më kishte ndodhur kurrë që të ndihmoja një grua të lindte.Punë të tilla i bënin gra të moshuara që ja dinin asaj pune,kurse unë isha akoma e re.Nuk kishte kohë për t’u menduar.Pashë rrotull që të kërkoja ndihme,por fshati ishte larg.J’u përvesha punës me aq sa kisha parë e dëgjuar.Rënkimet dhe klithmat e saj ma këputën shpirtin.E ndihmova sa munda.I jepja zemër,por ajo po zbehej gjithnjë e më shumë.Që të lindësh një fëmijë duhen mbledhur të gjitha forcat,këtë e dinë mirë të gjitha ato gra që kanë lindur të paktën një herë.Po kjo grua nuk kishte forca.Ajo nuk kishte ngrënë bukë atë mëngjes.Po zbehej gjithnjë e më shumë dhe gulçonte.Unë përpiqesha sa mundja dhe qaja.Qante ajo nga dhimbjet e lindjes,qaja edhe unë për dhimbjet e saj.I fshiva lotët me të shpejtë kur degjova klithmën e përvajshme të nënës së re.Diçka prita në duar e pastaj dëgjova të qarën e foshnjës.Më në fund!I këputa kordonin me se munda,e lidha,dhe foshnjën e mbështolla me trikon time.E përqëndrova shikimin mbi nënën e re.Dy pika loti i ishin tharë në faqe.Hapi sytë përgjysëm dhe u mundua të buzëqeshte.Ishte vetëm një përpjekje e mundimshme për të buzëqeshur.Të verdhët e fytyrës sa vinte e shtohej.Perpara meje kisha një pellg gjaku.U tmerrova.Po sikur…?Ky mendim i kobshëm më shkundi.

“-Djalë,motër,djalë!”-i pëshpërita tek veshi.Bëri prapë atë përpjekjen e mjerë për të buzëqeshur.Me shumë mundim e vuri dorën e saj mbi timen si për të më shprehur mirënjohjen.Dora e saj ishte e ftohtë.O tmerr!Sytë i kishte thuajse të mbyllur.Mbi fytyrën e saj lozte hija e buzëqeshjes,e asaj buzëqeshje që nuk e bëri dot kurrë.Floket e verdhë ishin përhapur në tokë dhe ishin përzier me gjethet e thata të përrallit.Ata ja rrethonin fytyrën si një kurorë e artë.E lashë me kujdes foshnjën dhe ja shtërngova të dyja duart në duart e mia.Ato ishin të ftohta.Nuk mund t’i tregoj ato çaste të tmerrshme kur po më shuhej një jetë përpara syve.Jo,nuk i kam harruar edhe sot,pas kaq shumë vjetësh që kanë kaluar.Nuk mund t’i harroj kurrë ato çaste kur për herë të parë në jetën time kisha pritur me këto duar një jetë,dhe për herë të parë po shikoja të më shuhej përpara syve një jetë.Klitha fort.Ulerita.Nuk mund të them sa shumë kam uluritur.Ulurija për ndihmë.Sytë më ishin mjegulluar krejtësisht.Si nëpër mjergull pashë grupe njerëzish që po vraponin.Klithmat dhe ulurimat e mia kishin arritur në fshat.Njerëzit më kishin ardhur fare praën,por unë i shihja turbullt.E kuptova se çfarë kishte ndodhur vetëm kur dëgjova klithma dhe ulurima të tjera rrotull meje.Kuptova fatin e zit ë asaj nusje  të re.Deri atëherë kisha shpresuar se,kushedi,njerëzit do të bënin që ajo grua të shpëtonte.Britmat dhe ulurimat e mia ishin aq të forta sa çanë qiellin.Ajo i bëri njerëzit që të kujtohen për mua dhe për foshnjën që qante në duart e mia.Njëra nga gratë nxorri me të shpejtë gjirin dhe i dha të pijë.Pushoi.

 

Pushoi për një çast edhe mysafirja ime,te cilës ende nuk i kisha mësuar emrin.Mori filxhanin e kafesë,e rrufiti,ashtu,të ftohur krejt,shikoi edhe një herë fotografinë e varur në mur  dhe vazhdoi rrëfimin duke i gëlltitur lotet.

-Atë ditë,ky oborr u mbush plot me njerëz.Ata qanin,grisnin faqet e ulurinin,e mua prapë më dukej pak.Qaja edhe unë bashkë me ta edhe pse nuk më njihte askush.Nuk di sa orë kishin kaluar,por pashë që dielli po i afrohej buzës së malit.Deri atëherë ishin mbledhur aq shumë njerëz dhe kishte aq shume vajtime per atë nuse,sa ndjeva njëfarë lehtësimi.Dhimbja po jepej ashtu siç e meritonte nje kob i tillë.Një dhimbje që të ish e madhe sa kjo vdekje.Të kish peshën e kobit që mbajti ky oborr.Siç thashë,po ngrysej e më duhej të ikja.Dhe ika.Në raste të tilla njerëzit vijnë dhe ikin pa u përshëndetur aq kohë sa është meiti brenda.Pastaj,mua nuk më njihte askush dhe unë nuk doja të prezantohesha ne momente të tilla.Ika me mendimin që të kthehesha një ditë.Ika dhe duke ikur ndihesha e mjerë që nuk kisha mundur dot ta shpëtoja atë grua nga thonjtë e vdekjes.Ktheva kokën prapa.Nuk doja që të ndërpritej vajtimi.Vetëm kështu më gjente shpirti njëfarë qetësie.Vetëm kështu ndihej ajo farë dhimbjeje.Ika!Ishte shtatëmbëdhjetë korrik i vitit te mallkuar pesëdhjetë e një.

Rrefimi u nderpre.

Tek rrija ulur,gjysëm i kruspullosur dhe i vëmendshëm sy e veshë,u drodha.Ishte pikërisht data shtatëmbëdhjetë korrik.Ditëlindja ime mbushur gjëmë e zi.E kisha harruar.Dhe ja ku vjen kjo grua e panjohur,nga ana e anës për të ma kujtuar.U zura nguhtë.Heshtje.Vijoi një psherëtimë.E shikoja mjergullt atë grua.Sytë i kisha të mbushur me lotë të nxehtë që kishin marrë rrugën drejt mjekrës.Diçka dija nga tërë kjo histori.Qysh në fëmijëri kisha dëgjuar për vdekjen e nënës time.Diçka më kishte zënë veshi edhe për një grua të panjohur e cila u harrua shpejt,sepse prej asaj dite nuk ishte bërë më e gjalë.Askush nuk u interesua për të sepse askush nuk ja dinte emrin dhe as adresën se nga ishte e ku shkoi.Ajo ishte shfaqur befas në oborrin e shtëpisë dhe ishte zhdukur po aq befas,sikur ta kishte përpirë dheu.Të gjitha këto më vinin të mjergullta nga bisedat që kisha dëgjuar prej gjyshes.Ajo,në biseda me plakat e mëhallës,e përmendnin shpesh pa u ruajtur nga prezenca ime që isha një fëmijë.Derisa një ditë gjyshja ndërroi jetë dhe unë ngela vetëm me babanë.Per të kjo ngjarje ishte tabu.Nuk e përmendte kurrë.Vetëm se çdo verë,çdo shtatëmbëdhjetë korrik ,përpiqej,në një përpjekje të mundimshme ,që të dukej i gëzuar,por përnjëherë përfshihej nga një ndjenjë e dyzuar midis trishtimit dhe lumturisë.Deri sa më la edhe ai për gjithnjë.Që nga ajo ditë,unë gjithnjë e më rrallë kujtohesha për ditëlindjen time.Nuk doja ta kujtoja,sepse,nga ditëlindjet e mia të fëmijërisë,mbaja mend vetëm lot të hidhur.Kjo nuk më kishte pëlqyer kurrë por ja që jeta ime kishte ardhur përmes lotësh.Keshtu,u detyrova të mos e përmendja fare,madje ta harroja.Por ja ku erdhi kjo grua për të më shkundur e për të më zgjuar të tjera ndjenja e të tjera kujtime.Duke e parë turbull përmes lotëve,ashtu,të moshuar,të rrudhur,të vrarë nga jeta,port ë zgjuar dhe fisnike,duke parë atë grua në duart e të cilës kisha ardhur në jetë,më mbyti mallëngjimi e nuk munda të flisja dot.Ajo grua më kishte pritur mua dhe kishte mbyllur sytë e nënës time që nuk e njoha dot kurrë.Madje as kjo grua nuk e kishte njohur dot.Që të njohësh dikë duhet t’i njohësh dhimbjen,gëzimin,lotët,buzëqeshjen,atë buzëqeshje që nuk e pat formuar dot kurre.Atë buzëqeshje që përmes kornizës i jepte dritë gjithë dhomës.U mundova të flas e zeri m’u drodh:

-Po pse…?

-E di se çdo më thuash.Pse nuk u bëra më e gjallë?Ah more bir,sa kam dashur!Të qaja edhe njëherë për të,t’i lëmoja varrin…Po unë ika.Ika për fare.Që atë natë në bregdet e ca ditë më vonë përtej kufirit.U arratisëm bashkë me burrin dhe fëmijët.Ikëm se mbetëm pa bukë.Të thashë më përpara se ai vit ishte viti i zi,viti i urisë.E vumë kokën në rrezik dhe kaluam kufirin.Ikëm që të mos vdisnim për bukë.Kur qajnë fëmijët për bukë e nuk ke ç’u jep,jeta nuk vlen një grosh.Por edhe pse ikëm,punuam,u shkoluam,gjetëm bukë e siguruam njëfarë jetese,gjatë këtyre dyzet vjetëve,plot dyzet vjet sot,shembëllimet e fundit,agonia e asaj gruaje,klithmat e saj për ndihmë,ajo gjysëm buzëqeshje që ngriu në fytyrën e saj të zbehtë,gjithçka ndodhi më pas atë ditë,i kam patur gjithnjë përpara syve si një film që nuk ndalonte se shfaquri.Besoj se do më besoni,për hir të moshës që kam,po t’ju them që kam qarë shumë herë si fëmijë.Nuk munda gjatë gjithë jetës,më mirë të them nuk desha që t’i harroja ato orë të tmerrshme.Ato kanë qënë orët më të dhimbshme,por që i kanë dhënë jetës time njëfarë kuptimi.

Bëri një pauz,me zor mbyti brenda vetes një psherëtimë dhe vazhdoi:

-Ma bëni hallall.Kam plot dyzet vjet që vuaj sepse nuk kam mundur dot kurrë që ta largoj nga mendja atë ditë të nxehtë korriku.Ajo më digjte përbrenda.Ju nuk mund ta kuptoni se çdo të thotë të jesh larg,të kesh mall qoftë edhe për ditë të helmëta si kjo që folëm,e mallin të mos e shuash dot.Ndaj sapo u ktheva në Shqipëri,nuk doja të vdisja pa u kthyer,erdha këtu për të nderuar kujtimin e asaj dite e për t’u njohur me ju.Të kam përfytyruar gjithnjë foshnjë të porsalindur e kur të pashë që më hape derën,u trondita e nuk munda të flisja dot.Jam nënë e kujtimi i një nëne që nuk e njohu kurrë fëmijën e saj,më ka helmuar.Jam ndier e mjerë.Jo,nuk dua të shfajësohem e as dua të më falenderoni për këtë kthim të vonuar.Erdha vetëm për të lehtësuar shpirtin tim e për të mësuar për fatin e atij djali që e prita në duart që më dridheshin në një ditë të largët korriku.Ma bëni hallall që u futa kështu në jetën tuaj.Kam lënduar një plagë,por ka qënë një plagë që më ka dhëmbur njëlloj.Me kë tjetër mund ta ndaja dhimbjen e kësaj plage?Ku mund të gjeja melhem veçse tek ju?

Rrëfimi i saj mbaroi.Ra prapë heshtja.Unë nuk mundesha të flisja.Isha gati të shpërtheja në lotë.I mora të dyja duart e saj në duart e mia dhe i mbajta gjatë.Ajo më shikonte ngultas e unë nuk dija se si ta shprehja mirënjohjen për të.

-Ah,nënë!-psherëtiva thellë pa e ditur as vetë në j’u drejtova kujtimit të nënës që nuk e njoha kurrë ,apo kësaj gruaje fisnike.

 

Maj, 1999



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: