Pirro Çako: Ju rrëfej 25 vitet me Invën, nuk ia fal lidhjen e shpejtë me një burrë tjetër
| E Hene, 29.11.2010, 08:07 PM |

Nga KLOTILDA HARKA, Panorama Plus

 

Do të ketë një apel të fundit, që kantautori i njohur Çako do t’i bëjë sopranos së njohur Inva Mula. Vendimin e Gjykatës së Tiranës për divorc përfundimtar, Çako e ka çuar për rishikim në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar faktin që për këtë divorc fajtori ishte ai. Nuk është supersticioz, por kur vjen puna për të komentuar ndarjen e jetës së tij, ai i referohet shenjës së tij zoodiakale, peshores, sepse sipas tij në një ndarje faji peshon njëlloj mbi të dy. Është e vështirë që të hedhë pas krahëve historinë e dashurisë së madhe të jetës së tij, që e bëri më të komentuarin e faqeve të shtypit rozë edhe pse kurrë s’do ta kishte dëshiruar. Pas tri vitesh ndarjeje, tani që”zjarri” është shuar disi, ai vendos të japë intervistën e tij të parë për të rrëfyer se çfarë ndodhi pas 25 vitesh dashuri me sopranon e njohur. Shkak për këtë rrëfim u bë kënga që rrëmbeu trofeun e festivalit “Kënga Magjike”, me titull “Sa e shite zemrën”. Në duetin ku i këndohet një dueli dashurie, Pirro tregon se e ka shkruar për të gjithë të ndarët e kësaj bote, me të cilët i bashkon fati dhe çiftin Pirro-Inva:

 

Kënga “Sa e shite zemrën” u komentua si një krijim autobiografik, që i kushtohet Invës. Me të vërtetë e ke shkruar për të?

 

Nuk do të thosha që bëhet fjalë për këngë autobiografike, pasi kjo ka qenë një hamendësi mediatike teksa i referohen historisë së jetës sime. Kënga e kënduar nga Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli është një këngë ndoshta me nuanca autobiografike, ku çdo person që ka provuar ndarjen gjen diçka nga vetja në vargjet e saj. Njerëzit e paramendojnë se është shkruar posaçërisht për Invën, por unë do thosha që histori të tilla ka mijëra nëpër botë. Është versioni i këngës “Kuturu” dhe fjalë të tjera, pyetja “Sa e shite zemrën?” është një frazë që rëndon mbi të gjitha historitë e dashurisë që ngjajnë me historinë time. Për këto vargje jam frymëzuar edhe nga librat që kam lexuar, por u jam referuar edhe eksperiencave të mia, duke marrë shkas nga mjedisi që na rrethon, nga historitë që më kanë rrëfyer miqtë, nga fakti që ky fenomen prek… histori ndarjesh dëgjojmë shpesh… Ndaj mos i merrni si të mirëqena se vargjet i dedikohen pikërisht Invës, pasi më së shumti është një histori që e imagjinoj kështu. Gjithsesi,  përfundimi është fantastik, kënga fitoi çmimin e parë në “Kënga Magjike”.

 

Një nga vargjet që të ngelen në mendje është “As apeli i fundit nuk ta ndali ritmin”. Bëhemi kureshtarë të dimë se si ishte ky apel drejtuar Invës?

 

Në këtë rast e kam imagjinuar këtë apel. Pas një ndarjeje, ka gjithmonë një ndalesë ku të dy partnerët i shprehin njëri-tjetrit apelin e fundit, vendosin për një pikë takimi ku të thonë shumë gjëra. Edhe pse unë nuk e kam zakon që në historitë e mia të dashurisë të bëj apel, mendoj se është thirrja e fundit për të parandaluar ndarjen. Nëse i referohem martesës me Invën do të thosha që ne kaluam 25 vite bashkë dhe mund ta rishihnim këtë vendim, por ishte vonë dhe kur është gjërat s’mund të kthehen më.

 

Gjithsesi, “Sa e shite zemrën” fitoi një trofe dhe të solli gëzim si kompozitor. Por në fakt është këngë dëshpërimi apo urrejtjeje?

 

S’është këngë urrejtjeje dhe as dëshpërimi, ndoshta është mospërfillje. Kështu e kam parë unë këtë që ndodhi, kështu e kam përjetuar. Kam vënë veten në pozitat e një mashkulli, që pavarësisht të gjithave, thotë “jeta vazhdon”. Kjo këngë është dhe si një mesazh jo vetëm për mua, por për të gjithë ata njerëz që kalojnë një ndarje në historinë e tyre, unë u them se në këtë jetë ka vend për ta jetuar jetën në një këndvështrim tjetër. Po, e vërtetë dhe kjo është bërë me qëllimin që ata ta thonë të dy në të njëjtën kohë “ti mund të jesh tradhtari”. Vargjet i kam shkruar unë dhe jo pa qëllim këngëtarët Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli vendosen të këndojnë larg njëri-tjetrit në skenë, ndërkohë që është vështirë të merret vesh se kush e akuzon tjetrin. Nga përvoja ime, në një histori dashurie është e vështirë t’ia japësh të drejtën tjetrit. Për të mos e zgjidhur këtë enigmë se kush e ka fajin, unë zgjodha këtë mënyrë. Ndoshta mund të ishin dy këngë veç e veç se çfarë mendon vajza dhe çfarë djali, por zakonisht mendimet e dy të ndarëve janë një, secili mendon se ka të drejtë dhe simbolikisht vendosa të njëjtat vargje në gojën e dyve, përderisa secili mendon se e drejta është nga ana e tij. Njerëzit janë egoistë.

 

Ndryshe nga ti që vendose të heshtësh në media, Inva u rrëfye në media duke treguar se ai që la familjen ishe ti, dhe ajo të ishte lutur për t’u rikthyer në Paris… Ndodhi kështu vërtet?

 

Po, është e vërtetë që unë ika nga Parisi për t’u rikthyer në Shqipëri dhe këtë fakt s’mund ta mohoj. Por e vërteta është që me të drejtën e Zotit, për familjen unë dhashë shumë nga vetja ime për shumë kohë, duke bërë detyrën që më takonte si bashkëshort dhe baba. Por ndjeva që shpirti im po vdiste si njeri dhe si artist. Ngadalë isha ndarë në dy pjesë. Në Pirron që e kishte shumë të vështirë të ndahej nga familja ime, që e kisha ndërtuar me shumë dashuri dhe sakrifica dhe në Pirron tjetër, kompozitorin më të kërkuar nga të rinjtë nga viti 1988 deri në vitin 1992, pikërisht vitin kur ne të dy u larguam drejt Parisit dhe karriera ime në njëfarë mënyre pushoi. U ndava në këto dy pjesë, ku me shumë luftë brenda vetes vendosa që të isha ai Pirroja i dytë. E pranoj tërheqjen time drejt Shqipërisë, por tashmë është vërtetuar që nuk jam kthyer kot. Mos harroni që vij nga familje artistësh të shquar dhe ata kishin shumë nevojë të më shihnin të realizuar në rrugën time muzikore. Po ashtu jam babai i një djali, të cilit nuk do i duhej vetëm një baba që ta rriste dhe edukonte, por do i duhej një baba me identitet në jetë. Pirroja i dytë luftoi shumë gjatë dhe në një moment zëri i brendshëm doli pas 15 vjetësh. Natyrisht që nuk ishte një vendim apo një kapriço e imja. E theksoj, unë vendosa të kthehem në Shqipëri në momentin kur gjërat shkonin më së miri në familjen time. Sepse Pirro artisti s’e pranonte dot pamundësinë për t’u shprehur si artist i shumanshëm.

 

Por mund të gjeje një rrugë të mesme, siç bëre me realizimin e dy albumeve nga Parisi…

 

Në fakt s’mund ta mohoj që në Paris realizova dy albumet e mia, por më vonë kuptova që nuk më mjaftonin, e ndieja që kisha shumë mundësi të kthehesha në atë Pirro Çako, që kisha qenë në vitin ’88-të. Dhe veprova me zemër. Dëshira e brendshme për t’u rikthyer në garë me kolegët e mi këtu, që i ndiqja tek bënin krijime të bukura dhe që i kisha zili, më bëri t’i jepja vetes forcë për ndryshim. E dija shumë mirë që do prishja diçka nga jeta ime familjare, por do rregulloja diçka tjetër në planin artistik. Siç e kanë komentuar dhe të tjerët, kthimi im ishte “një ogur të mirë”, pasi tashmë jam një emër që kontribuoj për muzikën dhe artin shqiptar. Në fillim mendoja se ma thoshin për të më bërë qejfin, por tani jam i bindur që ma kanë thënë me sinqeritet, sepse kështu është.

 

Ky është nga rastet kur shumë artistë bien pre e dilemës së jetës së tyre, “karrierë apo familje”. Ti zgjedh karrierën, duke lënë familjen. Nuk mendon se je treguar egoist?

 

Po jam treguar egoist. Por egoizmi është virtyt i gjithë njerëzve dhe bëhet më evident tek artistët. Nuk jam penduar, pasi vërtet jam treguar egoist në një moment që mendoja se ishin pjekur kushtet për t’u rikthyer në skenën shqiptare. Vendosa në një moment kur në familjet time gjërat kishin shkuar (jashtë parashikimeve të mia), për mirë. Unë s’doja thjesht të kthehesha kantautor (pasi unë kantautorin e bëj për hobi). Unë doja të rikthehesha si kompozitor, si krijues, që është talenti im. Doni të dini se kush isha unë në Paris? Po jua them. Në Paris unë isha një njeri i mbyllur, pa shoqëri, s’kisha emrin e Pirros që kam sot kur të gjithë më njohin, më kërkojnë këngë. Këto tri vite punoj me shumë pasion. Tashmë jam një emër i kërkuar në muzikë. Ndryshim shumë i madh apo jo... ndaj ia vlejti. Gjithsesi, unë para se të kthehesha, kisha dyshimet e mia ndërsa po lija komoditetin e jetës që bëra. Por ndoqa intuitën time për t’u rikthyer dhe për të vërtetuar se nuk u ktheva aspak për t’u shpëtuar përgjegjësive të një familjari. Të kundërtën e vërtetova këto tri vjet në të gjitha aspektet dhe me punën time.

 

Po prindërit e tu si e përjetuan këtë ndarje dhe a këmbëngulën që të mos ndodhte?

 

Prindërit e mi, një çift që kanë jetuar gjithë jetën në harmoni, kanë qenë kundër prishjes së familjes dhe s’kanë dashur kurrë që unë të ndahesha. Ata natyrisht që e kanë vuajtur shumë këtë ndarje, ashtu siç e kam vuajtur dhe unë, fakt që nuk e mohoj. Por atëherë një dritë besimi m’u dha nga im bir Anthony, i cili edhe pse ishte vetëm 12 vjeç, më tha me bindje: “Bëre shumë mirë që u ktheve në Tiranë”. Ai më jepte kurajo dhe kur në momente të caktuara pata dobësitë e mia dhe mendoja të rikthehesha në Paris pranë familjes. Por Anthony, një fëmijë shumë i zgjuar, me logjikën e një të rrituri, më jepte zemër: “S’ka gjë, do mësohemi dhe larg njëri-tjetrit”. Tani, Anthony kalon verën me mua në Tiranë dhe është shumë koherent me krijimet e mia. Ndihet krenar me mua dhe thotë se tashmë i dukem tjetër njeri, “më i qetë dhe më i qeshur”. Djali më ka kuptuar dhe besuar dhe nuk fajëson asnjë nga ne. Për të, të dy kemi të drejtë dhe kjo është një gjë që më pëlqen shumë. Tani që ai e ka pranuar këtë verdikt timin ndihet i lumtur, pasi edhe mamaja e tij është në një karrierë të shkëlqyer. Besoj që dhe vetë Inva tashmë e ka kuptuar që në Tiranë erdha për të kontribuuar në muzikë dhe jo për t’u sjellë vërdallë kot më kot.

 

Po me prindërit e Invës, të ka ndodhur të komunikosh?

 

Jo, realisht pas kësaj që ndodhi, s’kam asnjë ide rreth tyre. Zakonisht prindërit mbrojnë fëmijët, të njëjtën gjë kanë bërë dhe ata. Unë s’i ndaloj dot komentet që mund të bëhen pas shpinës sime, por mund të them se me ta kam pasur raporte shumë të mira dhe u uroj shëndet e jetë të gjatë, se në fund të fundit ata s’kanë lidhje me këtë histori, vendimin e kemi marrë ne dhe ne jemi përgjegjësit.

 

Po miqtë tuaj të përbashkët si u pozicionuan?

 

Në fakt disa më qëndruan afër, por më kanë bërë shumë përshtypje disa miq të tjerë, të cilët pas ndarjes u larguan nga unë dhe unë kuptova se sa shumë ishin shtirur më parë, duke u hequr edhe si miqtë e mi.

 

Kanë kaluar tre vite tashmë, të dhemb ende kjo histori dhe si e gjykon tashmë këtë ndodhi të jetës tënde?

 

Mendoj që pas tre vitesh flas për herë të parë në media, edhe pse çështja e divorcit ka qenë ndër më të komentuarat mediatikisht. Dhe jo më kot vendos të flas tani, pasi gjërat janë qartësuar në kokën time. Tani mund të flas me qetësi pa atë inatin e momentit. I shoh gjërat shumë ndryshe, aq ndryshe sa ajo që mendoj tani është se ne kemi një fëmijë dhe çfarëdo që të ndodhë është ai fëmijë që do na mbajë peng shpirtërisht, edhe pse në heshtje.

 

Por ky fëmijë zgjodhi të jetojë me nënën në Paris, pse?

 

Në fakt, ai e tha vetë në procesin gjyqësor, që zgjedh të jetojë me mamin në Paris, pasi atje ka lindur, atje ka shoqërinë e tij, dhe do vazhdojë të jetojë të paktën derisa të mbarojë studimet e larta. Unë vetë ia bëra ofertën të vinte të jetonte këtu, por pa iu lutur, sepse mendoj që kishte të drejtë dhe realisht do ishte vështirë për të të niste një jetë të re në Tiranë.

 

Ndërkohë që mediat shkruan për ndarjen përfundimtare, ju e çuat vendimin në Gjykatën e Apelit. Pse, me çfarë nuk ishit dakord në atë vendim?

 

E hodha në Gjykatën e Apelit çështjen, pasi në atë vendim faji rëndonte mbi mua. Nganjëherë, koha i qartëson gjërat, prandaj vendosa që këtij procesi t’i jap edhe pak kohë, jo se do të ndryshoj ndonjë gjë, por mendoj që përballë opinionit publik të dalë në pah e vërteta. Unë, duke mos u shprehur në media dhe duke krijuar muzikë, i dhashë kohë opinionit publik të gjente vetë të vërtetën dhe e vërteta e ikjes sime nga Parisi ishte muzika, që u vërtetua nga sukseset e mia. Ndaj e apelova pikërisht për të vërtetuar se kthimi im kishte vetëm këtë qëllim, pasi në Shqipëri kam pasur shumë presion dhe paragjykime.

 

Ndarja e pasurisë është një tjetër çështje e përfolur për çiftin Çako-Mula. Do të vazhdosh sërish me gjyqe?

 

Për mua pak rëndësi ka kjo. Pasuria më e madhe ishte familja, por tani që ajo nuk ekziston, zerove të parave u mungon njëshi, kështu që pasuria është zeruar në mendjen time. Kam respekt për veten dhe shpresoj shumë që kjo pikë të mos bëhet edhe më objekt i shfrenuar mediatik, duke shitur tirazhe pa fund nga proceset tona gjyqësore. Shpresoj shumë që unë dhe Inva të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe këtë çështje ta zgjidhim me marrëveshje, pra, pa gjyqe. Besoj se jemi aq të vetëdijshëm sa të respektojmë njëri-tjetrin në këtë pikë.

 

Është e mundur që ju një ditë të uleni përballë njëri-tjetrit?

 

Patjetër, pasi do të ishte pa kuptim nëse nuk do arrinim të uleshim një ditë për të folur. Divorcet janë kthyer në fenomene të përhapura në botë, ndaj mendoj që inatet dhe mëritë janë metoda të vjetëruara tashmë, në kohët që jetojmë. Pasi kemi kaluar 25 vite bashkë, të dalim në një duel të këtij tipi s’është gjë e mirë. E adhuroj Invën dhe tani që koha ka bërë të vetën, mendoj se asgjë s’ka ndodhur, inati më duket absurd.

 

Në këto kohë ke tentuar për të bërë paqe, pra për të folur nga afër?

 

E kam bërë tentativën time para një viti disa herë, nëpërmjet djalit, jo për t’u rikthyer më shumë sesa për të pasur një komunikim. Por mendoj se atëherë s’ishin pjekur kushtet për ta bërë këtë dhe me të drejtë Inva më ka refuzuar.

 

Çfarë përjeton kur dëgjon për Invën, qoftë për karrierën dhe për vendimet e saj të reja në jetën private?

 

Jam shumë realist dhe normal që vjen një moment që dikush nga dy vetë e ka kohën për të ikur dhe duhet ta respektosh vendimin e tij. Por në këtë lidhje dikush iku fizikisht, ndërsa tjetri me mendje.

 

Tashmë Inva nuk e fsheh më faktin që po jeton një lidhje të re me biznesmenin kosovar Et’hem Ramadani. E kishe pritur këtë vendim ndoshta të shpejtë nga gruaja me të cilën ke provuar dashurinë e madhe?

 

Në momentin që s’jemi bashkë, ajo është e lirë të zgjedhë kë person të dojë. Por mua s’më tronditi fakti që ajo ishte me dikë tjetër, sepse ndonjëherë vendimet në këto raste merren për hakmarrje dhe domosdoshmëri sepse një femër artiste e ka të vështirë të jetë vetëm. Por tek Inva më habiti fakti që ajo kishte qenë një kohë përpara meje. Në atë moment që unë ende nuk mendoja se e kisha humbur Invën plotësisht, ajo kishte krijuar një lidhje tjetër vetëm pak muaj pas ndarjes. Unë personalisht s’mund ta bëja kurrë që të hidhja poshtë 25 vite me Invën vetëm pak muaj pasi i kishim thënë njëri-tjetrit që kjo lidhje ka marrë fund. Atëherë hoqa çdo iluzion për ribashkim, një iluzion që e kisha në vetvete, pasi s’është çudi që dy të ndarë të ribashkohen, jo vetëm pas disa muajsh, por edhe pas shumë vitesh. Por jo, pas kësaj, për mua dhe Invën kishte marrë fund.

 

Kush ka qenë Inva Mula atëherë dhe kush është për ty tani pas ndarjes?

 

Deri në momentin që u ndamë, martesa jonë ishte model për t’u marrë shembull. Por nëse do flas për Invën atëherë, unë tashmë kam filluar të kuptoj më shumë që njeriu e dashka suksesin, suksesi e tjetërson, e bën të besueshëm, të pagabueshëm, e bën njeriun lider. Tani që unë ndihem i barabartë me Invën, e admiroj për atë që ajo ka arritur në jetë, se me të vërtetë nuk është e lehtë të bësh karrierë në botë. Dhe do doja që ashtu siç unë u bëra mbështetësi i saj që ajo të arrinte atë sukses, edhe pse tani s’jam më pranë saj, i uroj që ky sukses t’i zgjasë gjithë jetën. Është e lehtë të flasësh dhe të paragjykosh me inate të vogla. Por theksoj që po flas me sinqeritetin e shpirtit. Ne ikëm të dy nga Shqipëria në vitin ‘92 si dy njerëz të humbur në një Paris gjigant. Inva u realizua atje dhe kur mendoj që falë Zotit gëzojmë shëndet të plotë, them që tashmë mund të përshëndesim suksesin e njëri-tjetrit në distancë dhe t’i pranojmë vendimet tona.

 

Me këngën “Mirëmbrëma, si je?” krijon idenë se tani dashurinë nuk e kërkon më nga njohjet e gjata si ajo me Invën, por nga rastësia. Beson se mund të lindë një dashuri e madhe kaq rastësisht?

 

Po fakti që dal këndoj këtë këngë, edhe mund të paragjykohem. Po mendoj që shumë njerëz e kanë gjetur dashurinë e madhe te rastësia. Ndërsa unë vetë po e kërkoj te rruga e jetës sime, një itinerar që e bëj përditë dhe e bëj vetëm unë.

 

Këto tre vite ku bën jetën si beqar, të ka ndihmuar ndopak rastësia?

 

Unë kam dashur shpesh të dal nga vetja, por një Pirro që i takon shenjës zodiakale të peshores, nuk do të ndryshojë kurrë. Kam bërë jetë aktive, kam pasur liri pafund, por në thelb kam mbetur i njëjti. S’jam aventurieri që mund të jem komentuar nisur nga vargjet e mia, pasi tekstet s’janë gjithçka. Thonë ndonjëherë që Pirro është “naiv”, por të jesh naiv në moshën time është si piktorët naivë që bëjnë mrekulli. Me jetën time në Tiranë kam hedhur dritë mbi ëndrrat e mia, pasi kam pasur ëndërr të realizohem si muzikant. Për fat, Zoti nuk më ka harruar, pasi të gjithë pyesin me çudi se ku e gjen Pirro atë forcë për të qenë energjik dhe gjithmonë i ri. E Zoti ma jep gjithmonë një dorë, është Ai që më kupton dhe më jep të drejtë.

 

Je një nga kompozitorët më të lakmuar, je pasuruar në këto vite nga muzika?

 

Jo, me muzikë në Shqipëri vetëm mund të mbijetosh. Unë tashmë realizoj 15 këngë në vit dhe secili mund ta bëjë llogarinë vetë sesa para fitoj unë.

 

Folëm për një martesë të gjatë, të bukur, por jo me “Happy end”. Je i trembur nga kjo eksperiencë, do e provojë sërish?

 

Këto tre vjet jam ndier i vetmuar, por martesa nuk është një kombinim matematik, ku mund të arrish rezultat ideal me mbledhje e shumëzime. Nuk dua që të provoj prapë të njëjtën eksperiencë ndarjeje dhe në këtë pikë do tregohem shumë i kujdesshëm. Deri tani s’e kam kërkuar femrën që mund të më bëjë ta rimendoj martesën, por nëse do vijë ndonjëra që të më bëjë të ndihem mirë, pse jo…!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: