Sejdi Berisha: Varret e varrezat, puseta dhe flamuri...!
| E Premte, 26.11.2010, 10:59 PM |

E  s  e

 

Sejdi BERISHA:

 

VARRET E VARREZAT, PUSETA DHE FLAMURI...!

 

Sa e shenjtë është liria e shprehjes, sa vështirë është atë për ta thënë bukur, me mençuri dhe me respektin më të madh. Pikërisht, këtë fenomen shpirtëror dhe njerëzor duhet respektuar dhe mbrojtur me çdo kusht. Kjo, nuk është diçka e re që e them unë tani. Këtë e kanë thënë dhe e thonë të gjithë, por në mënyra të ndryshme, kohë e pakohë, dhe si e tillë, ajo mund të dalë si monstrum që shtrembëron edhe mendjen e njeriut. Pastaj, nga kuptimi i gabueshëm i kësaj “farse”, mbjellë urrejtjen dhe pabesinë, që këto bashkë, pothuaj krijojnë gërmadha historish, në të cilat mund të biejnë edhe njerëzit me mendjen më të hollë. Edhe diçka. Çfarë mendoni për vetëvrasjen si formë të lirisë së njeriut?...

Por, lidhur me këtë, dua të tregoj një rrëfim interesant që pastaj mund të komentohet, ose, menjëherë të hedhet në shportë plehu, apo në hedhurina!

 

1.

Një ditë feste, duke i vizituar varrezat e prindërve të mi, m’u përthur në mendje dhe s’më lëshonte dot një mu si makth mendimi, se: vdekja s’ka vlerë përfundimtare! Ec e zbërtheje këtë budallallëk, i cili është vërtetë shumë i saktë.

U përkula para varrit të babait dhe atij të nënës, por, në vend falënderimi që më kanë rritur e ngritur me gjithë skamjen më të madhe por edhe me bardhësinë e pashembullt shpirtërore, isha ngatërruar në zbërthimin e kuptimit: varre dhe varreza!

Të ju them të drejtën, atë ditë isha i pezmatuar, se pjesën dërmuese të varrezave i kishte mbuluar bari i egër, hithrat dhe therrat, që thjeshtë ishte pasqyrë e nivelit të kulturës, qoftë individuale por edhe kolektive, e pse jo edhe kombëtare...!

I vizitova varrezat e të afërmve të mi, kurse ato ngulfaten nga therrat që janë refleksion i harresës dhe i papërgjegjësisë. Dhe, besoni. Shumë hidhërohem dhe turpërohem. Nuk e di në kë hidhërohem, as për kë turpërohem. Por, për këtë pasqyrë, për të ngulitur në te sytë dhe mendjen. Nejse...!

Varrezat... më iku mendja vrap e vrap duke shëtitur si i çmendur nëpër histori. E, varreza ka këtu e deri tek Molla e Kuqe,... Tivari e Trogiri,... në Srem e Maqedoni, në Preshevë e Bujanoc,...në Selanik, Çamëri, Egjipt(Misir), Amerikë,,... edhe në Siri,... Turqi,... Bukuresht,... Sofje... Interesant. Gjithkah shtrihen varrezat, e në to edhe eshtrat e njeriut...

Dhe tash, çfarë?! Punë e madhe! Varreza ke edhe në qytete e fshatra, në ara e livadhe, në bjeshkë e lugina...!

Ngela tërë kohën duke shikuar pllakën prej mermeri mbi varrin e nënës në të cilën shkruante vetëm emri dhe mbiemri i kësaj heroine. Shkruante edhe viti i lindjes (ndoshta nuk është i saktë) dhe viti i vdekjes(shumë i saktë). Tash, nëna ime është histori në vete,... histori e madhe edhe rrëqethëse.

Pasi ia vura një lule të bardhë mbi varr (ajo gjithmonë i ka pasur merak lulet e bardha dhe stinën e pranverës) u ktheva mbrapsht. Ika duke thënë: po, secili varr është histori në vete...

Sa peshë ka kjo tokë, sa barrë të rëndë ka mbi supet e saja, e cila, ndoshta dikur do të lodhet nga hilet, tradhtitë dhe nga papërgjegjësia e njeriut...  Dhe, nga inati do të na i zhduk varrezat, rrafsh do të na i bëjë,... rrush e kumbulla, si thotë populli!

Harrova të them, atje kur theksova se nëna i donte lulet e bardha dhe stinën e pranverës, për këtë arsye, asnjëherë nuk mund t’u iki lotëve as dhembjes në këtë stinë. Për këtë dobësi, edhe nëse ma shihni për të madhe, dert i thellë!

Dhe, ta përmbylli këtë rrëfim për varrezat. Varre e varreza ka pasur dhe ka në qytete e në fshatra. Po, po. Ne, gjumin e bëjmë mbi varre. Kaq, kaq,... bile shumë...!

 

2.

Njeriu, tërë jetën bën luftë për të treguar e për të lënë diçka, por sikur asnjëherë nuk e realizon as çerekun e tërë asaj. E kjo, i ngjason diçkaje që është e dhembshme, por nganjëherë edhe e parëndësishme. Sepse, edhe nëse njeriu i arrin të gjitha, çfarë atëherë?! Në një mënyrë mbyllen dhe bllokohen rrugët. Asgjë nuk është përfundimtare. Pra, sikurse thash më lartë, as vdekja nuk ka vlerë përfundimtare!

Dhe, njësoj. Caku arrihet. Ose, në cak mbërrin si ai që ka begati e pasuri, si ai që ka bërë tradhti, marri,... si ai që i ka bërë gjërat më të mira dhe më të mrekullueshme në botë. Kur vjen tek stacioni i fundit, shih, prapë s’ka fund! Nis diçka e re, qoftë edhe e mbrapshtë ajo.

Në këtë aspekt, një ditë e kisha pikatur mendjen për ta analizuar një mendim që e kisha lexuar kohë më parë diku në gazeta ditore: vetëvrasja si formë e lirisë së njeriut! Dhe, interesant. Dot nuk dal nga kjo kurthe e mendimit, nga ky komoditet i mendimit! Po,... ne, si formë të mendimit të lirisë nuk e kemi as lirinë e lirisë, e lëne më të përpëlitemi me një ide të tillë, që në të vërtetë është mendim shumë i avancuar, pa marrë parasysh vetëvrasjen si fenomen dhe element interesant të ndriçimit deri në fund!

Nëse ka heronj në këtë fushë si në periudha historike, atëherë, siç ka ndodhur shpeshherë, kuptimi i gabueshëm i heroit, gjithnjë e komprometohen atë dhe e shëmton personalitetin e tij dhe të vet njeriut.

Sa e vështirë kjo, apo, sa të pakuptueshme “shkrolat” e mia...!

 

3.

Njerëzit asnjëherë nuk janë të gatshëm të qëndrojnë besnik as ndaj vetvetes, as ndaj ndërgjegjes dhe as ndaj sinqeritetit e lëne më ndaj të tjerëve . Shkurt. Një grup shokësh dhe miqsh, në një ndejë bisedonin e trajtonin tema e gjëra nga më të ndryshmet. Qeshnin dhe u rridhnin lotët edhe nga barsoletat e mahitë që ia tregonin njeri-tjetrit.

Mirëpo, njëri prej tyre, gjatë tërë kohës përpëlitej në karrigen e tij duke e endur prapanicën herë në një skaje e herë në skajin tjetër te ulëses. Njëri prej shokëve e kishte vërejtur dhe e pyet se çfarë sikleti kishte.

-Kam për të shkuar në tualet!

-Po, mirë. Shko!

-Jo. Nuk guxoj!...

-Po, pse nuk guxon?!!

-Sepse, derisa unë të kthehem, ju do t’i thoni njëmijë të zeza për mua!...

Ja, se në çfarë sikleti kishte rënë njeriu. A, nuk është për tu dhimbsur mendja e njeriut. Sikur të analizohej ky fragment i ironisë së jetës, çfarë do të dilte,... çfarë do të ndodhte...!

 

4.

Pusetat?!... Ato, gjithmonë kanë qenë problem për shumëçka. Për të gjitha lagjet,... për të gjitha qytetet,... për çdo shtëpi e banesë. Kjo mu kujtua me një rast kur disa përpiqeshin që ta pastronin apo të nxjerrin diçka nga një pusete. Rrëfimi që do ta tregoj ishte një përshkrim brilant i një momenti kur ishte ngulfatur puseta nga mbeturinat,,, nga fëlliqësirat.

Binte shi, konop. Një zhelan,... një cuklan ishte bërë i tëri qull nga shiu duke u përpjekur për ta dëlirë pusetën,... për ta pastruar atë birë të viranët. Ishte shtangur më shumë nga inati, sepse nuk dinte se si t’ia dilte. U fut brenda në pusetë, por vetëm sillej e rrotullohej. Si t’ia bënte...  edhe vet sikur të shndërrohej në hedhurina nuk do të bënte gjë.

Kishte dalë nga ai pus dhe nga lartë vetëm vrojtonte, dhe sikur kishte dëshirë të flaktë për ta gjetur zgjidhjen. Shiu i kishte depërtuar thellë në palcën e kurrizit. Ndezi një cigare dhe sikur meditimi i tij e shponte pusetën anë përtej, por kot se kot!

Belbëzonte vet më vete duke thënë se duhet pastruar pusetën, sepse, duhet mbajtur familjen,... duhet buka... për këtë punë i marr edhe lekët. Pasi i kishte përftuar ky mendim, përskaj këmbëve të tij i kaloi një autocisternë e specializuar mu për hapjen e pusetave kur ngulfaten ato nga flliqëtirat! Shpejtas kishte ikur autocisterna, kurse, zhelani e përcolli me zë murmurues me një dridhje buzësh, si në trajtë pordhe! Demek, dert i madh për ty,... s’më ha palla për ty!

Vazhdoi për të menduar për pusetën, ky ”cukla”, i cili, mirë ta dini; nuk është personazh i Migjenit dhe as nuk i përngjet asnjërit prej tyre. Është ky njeri i shekullit të XXI-të, njeri i kohës më të re, më moderne, i cili kishte ngelur tërë ditën duke u përplasur me pusetën derisa ajo tani edhe kishte shpërthyer dhe e kishte përlarë tërë një lagje me duhmën e fëlliqësirave. Ndoshta, nesër do të përhapet edhe në tërë qytet...

Gjatë tërë kësaj kohe, edhe unë qëndroja pranë pusetës së ngulfatur, kurse ai zhelani as që më shikonte,... mund të ketë ndodhur se as që më kishte vërejtur. Apo, ndoshta ishte irrituar nga fytyrat e njerëzve,... edhe nga surrati im...! Me dorën e lagur nga shiu, nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës së cuklavtë të punës një flamur të vogël me shqiponjë në mes. E shikoi dhe e shikoi bukur gjatë derisa nuk i dolën lotët nga sytë e zemëruar apo të mallëngjyer, dhe pastaj e puthi duke e shtrënguar fortë e gjatë.

-Këtu e ke vendin, Ti. Afër zemrës,... në damarët e gjakut tim. Ti, e ke vendin aty ku shtrohet buka e kripa,... ku shtrohet sinqeriteti si sofër me të gjitha të mirat. Ti, e ke vendin në këmishën time,... që puthitet me kripën e djersës. Shqiponja ime,... gjaku im!-e futi në xhep me plot kujdes at copë flamur dhe tash sikur i kishte ardhur fuqia e tërë botës. E futi dorën thellë në pusetë dhe nxori si me fuqi ekskavatori tërë ato hedhurina,... tërë atë fëlliqësirë dhe e shpëtoi lagjen nga duhma aq e rëndë...! Dashuria për flamurin,... fuqia e sinqeritetit, lotët për flamurin,... çfarë ishin ato?!

S’di pse e tha këtë për flamurin?! Telashe për të humbur kohë për gjëra të tilla. Ndoshta edhe ju mendoni kështu...!

 

5.

Interesant. Një ditë bënte shumë ftohtë, andaj, tërë qytetin e shëtita, i vizitova të gjitha dyqanet dhe butikët për të blerë një kapele për kokën time. Besoni. Askund nuk gjeta kapele për kokën time. Atëherë, nga inati, e pyeta vetveten:

-Athua, kokën e kam shumë të madhe dhe nuk ka kapele me numër aq të madh, apo e kundërta?! Ndoshta e kam kokën e vockël, e kapelat janë të mëdha. S’ka numër për mua?!... Çudi, pra. Sikur të “guxonin”, shumëkush do të më thërriste: kryeshenik! Demek, kokën e madhe, a!...

Sido që të jetë, unë ngela pa kapele. Por si pa lidhje, m’u kujtua edhe një “xhevahir” i popullit që e përmend pleqnari, Xhemal Abria: “Mendtë e njeriut nuk rrinë në hu të gardhit...!” Pse m’u kujtua kjo, as vetë nuk e di. Ndoshta e di dikush,... i kujtohet dikujt.

Kaq. Bile, ndoshta edhe kjo është shumë. Sepse, edhe Kafka kurrë nuk i përfundonte shkrimet e tija, sepse, ato nisnin nga ideja e pafundësisë...! E kjo shoqërohet dhe pëlqehet edhe me vetminë si profesion i veçantë i krijuesit. Sa interesant...         



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: