Pëllumb Gorica: Bazilika në Klos të Sulovës
| E Enjte, 18.11.2010, 10:58 PM |

Bazilika në Klos të Sulovës

 

Gurë rrënojash

të kishës së vjetër

ende psaltojnë

Milianov Kallupi

 

Nga Pëllumb Gorica

                         

Për Sulovën krahinë me histori të hershme dhe të banuar në vijueshmëri flet edhe prania e gërmadhave kishtare dhe toponimeve të vjetra. Janë të shumta legjendat dhe gojëdhënat që tregojnë të moshuarit, për këto kisha. Ka pasur shumë kisha, që gjendeshin pothuajse në çdo vendbanim të territoreve të saj, në vendet më të bukura, në maja e sheshe kodrash me fushë pamje. Një numër i mjaftueshëm për të gjykuar për shtrirjen e tyre, por nuk i dihet as vendi ku kanë qenë dhe të vjetrit nuk janë as në gjendje të tregojnë më shumë. Në Sulovë të Poshtme ka pasur kisha në fshatrat Selitë, Dasar, Klos, Dragot, Kamuna, Floq, Banjë. Shumë prej tyre njihen sipas vendodhjes (toponimit). Kisha në Graxhua të Floqit, Kisha e Skunajt në Dasar, Kisha e Radshit në Topojan, Kisha e Klosit, Bregu i Kishës në Dragot, Kisha e Mëhallës së Kuqe në Selitë, Kisha  në Banjë etj. Përveç toponimit ku gjenden nuk sjellin asnjë elementë, por edhe tjetra, nuk dihen emrat e tyre dhe cila është më e vjetra. Sipas gojëdhënave dhe gjurmëve në terren, ato ishin të vogla e ndërtime të thjeshta. E veçanta e tyre pa gjurmë ndërtimesh të tjera pranë, pak të veçuara nga banesat e tjera, por gjithnjë brenda kufijve tradicionalë të territorit të vendbanimit, të rrethuara me pemë të ndryshme. Ato ishin të ndërtuara në hyrje të vendbanimeve, në maja e sheshe kodrash, për të treguar se aty gjendej një vendbanim, ngaqë edhe vendbanimet dikur ishin të rrethuar nga pyjet. Elementë të tjerë janë edhe varret pranë kishave.

Është e pamundur të përcaktosh periudhën e saktë të ndërtimit të tyre. ( Natyrisht që një trajtim më të zgjeruar  për kishat u përket studiusëve të kësaj fushe).Mundet vetëm të besohet se një pjesë e tyre, janë të periudhës bizantine, të tjera më vonë. Në mungesë të dhënave burimore apo mbishkrimore datimi i tyre sigurisht ka paraqitur vështirësi edhe për studiusit. Rrjedhat e kohës, luftërat me pushtuesit, por edhe për shkak të lakmisë së njerëzve janë shkatërruar plotsisht shumica e tyre. Megjithëse duhet pranuar që me gjendjen e sotme të njohurive, dokumenteve, në arkiva, botimeve specifike kemi disa të dhëna edhe për kishat e krahinë së Sulovës. Studiuesi i kësaj fushe, Aleksandër Meksi, në librin e tij “Arkitektura mesjetare në Shqipëri ”, faqe 149, shkruan: “Mendohet se i takojnë shekujve VII – XIII, që janë dhe shekujt e lulëzimit të ndërtimeve të kultit fetar të krishterë’’.

Bazilika në Klos të krahinës së Sulovës ka qenë e vetmja kishë që ka mundur të mbërrijë në gjendje të mirë deri në ditët tona në këtë krahinë. (Muret e plota kanë qenë deri vonë) Vendasit e njohin me emrin kisha e Klosit. Në dokumentet e shkruar njihet si bazilikë. Ishte e ngritur në rrugën që të çon në kalanë antike të Qafës, që ndodhet në një majë kodrine në lindje të fshatit të sotëm Klos të Elbasanit. Gjenden sot shumë pak fragmente muresh gati 1 m të lartë të rrethuar nga ferra e shkurre. Duke parë fotografitë e kohës kur ekzistonin shumë mirë muret e saj të larta dhe kur shikon pamjen e sotme të kësaj kohe kthyer në gërmadhë vërtet që të vjen keq për shkatrrimin që i është bërë qoftë nga njerzit, qoftë nga neglizhenca e instancave përgjegjse e sidomos në vitet e sistemit komunist që ndaj ndërtimeve të tilla të cilat i shërbenin fesë, “opiumit për popullin”.

 

Faktit, që bazilika e Klosit e ngritur në një vend të dukshëm afër kalasë së Qafë në Sulovë dhe në mes të një vendbanimi të madh, të braktisur tragjikisht prej pushtuesëve turq, e ndërtuar në kohën kur vendbanimi kishte arritur një zhvillim të mirë ekonomik, mund të thuhet se ka pasur një rëndësi. Mund të jetë ndërtuar në periudhën e lulëzimit të plotë të kësaj qendre banimi. Studiuesi i fushës kishtare Aleksandër Meksi e ka studiuar dhe sigurisht në botime të ndryshme ka shkruar. Në revistën shkencore “ Monumentet ’’, Nr 5- 6, viti 1973, faqe 190 shkruan: “ Bazilika e Klosit përbën një dëshmi me rëndësi si ndërtim në një zonë fshatare, se ndodhte rrallë që larg qyteteve, qendrave të mëdha urbane gjendej një bazilikë”. Në botimin “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, faqe 149.’’, ka shkruar gjithashtu se “ Gjatë ekzistencës së saj bazilika ka pësuar transformime të ndryshme. Është rindërtuar muri jugor, janë ngritur mure që kufizojnë një pjesë të saj. Këto janë ndërtuar me gurë të lidhur me llaç baltë, pra në kohë të vështira, e duhet ti takojnë periudhës së pushtimit turk. Hartuesit e “Enciklopedia Elbasani’’, faqe 49 kanë shkruar: “Ajo ka pasur një arkitekturë të thjeshtë dhe përbën një ekzemplarë me rëndësi për studimin e arkitekturës bizantine tek ne, sepse është e vetmja bazilikë trenëfëshe me arkiada mbi pilastra.” Si një dëshmi e herëshme e kulturës dhe e qytetërimit në këta shekuj, ata janë të mendimit se “ajo i përket ndërtimeve kishtare të shekujve XIII - XIV ndërtime bazilikale që kishin një përhapje të madhe në këta shekuj’’. E ndërtuar në një zonë të banuar më parë, një vendbanim i vjetër i braktisur kushedi për ç’arsye shekuj më parë.

Nga të dhënat dokumentohet se Bazilika e Klosit në Sulovë ishte e vogël, trenëfëshe, një konkë, me arkada, mbi pilastra drejtkëndëshe. Absida(pjesa e përparme) ishte e ndërtuar prej guri, me breza me rrathë tullash të lidhura me llaç gëlqeror ka formë gjysmëharkore e mbuluar me çati, muret e brendshme ishin me afreske. Dyshemeja ka qenë shtruar me pllaka guri në formën e një mozaik shumëngjyrësh me gjatësi 12 m dhe me një gjerësi 10 m. Ka pasur edhe ambient që shërbente si aneks të bazilikës.

    Gjithashtu tregohet se bazilika në Klos të Sulovës ka funksionuar deri në fund të shekullit XIX. Bazilika mund të jete shkatërruar me sa duket nga ndonjë zjarr sepse aty ka edhe gjurmë zjarri. Ndoshta zjarri mund të jetë ndezur më vonë nga barinjë apo udhëtarë. Shkatrrimi total i këtij monumenti të kulturës ka filluar edhe nga mospërdorimi, nga mosushtrimi i riteve fetare. Sipas dokumentave në fund të shekullit XX Sulova e gjithë u kthye në  fenë myslimane. Është një fakt i rrallë që këtu edhe pse popullsia është myslimane, sipas gojdhënave që në fillim të shekullit, por edhe në kohën e diktaturës, kur feja ishte e ndaluar nga shteti, njerëzit vinin fshehurazi dhe ndiznin qirinj, bënin kurban si dikur. 

                                                    

* Falë punës kërkimore e studimore të Aleksandër Meksit janë nxjerrë në dritë nga errësira e kohëve dhe pluhuri i harresës disa kisha në Shqipëri.

** Fjalor shpjegues për të shpjeguar disa nga termat që janë përmendur më sipër.

- Nefi - është hapësira e kufizuar e dy rrathëve të kolonave me muraturë.

- Pilastrat – janë kolonat që mbajnë kapriatat.

- Absida- është pjesa mbyllëse e kishës,.etj.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: