Sejdi Berisha: Poezia si spektër përjetimesh për dhembjen dhe lumturinë
| E Hene, 15.11.2010, 10:57 PM |

R e c e n s i o n

  

POEZIA SI SPEKTËR PËRJETIMËSH PËR DHEMBJEN DHE LUMTURINË

 

(Halide MILLAKU: “Zemër e thyer”, poezi-2009)

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Krijuesit e rinj, pothuaj se këndimin e tyre gjithnjë e nisin me një vrull e shpresë për të thënë shumë për tërë atë që e kanë në brendinë e vetvetes dhe tërë atë që ua dikton ëndrrat për rrugëtimin në damarët e jetës dhe të botës së ndijimit, i cili, nganjëherë, në të njëjtën kohë duket dhe bëhet zjarr e zë, që me vete pandashëm bartë lumturinë dhe përjetimet që shndërrohen në mur jete. E tillë është edhe krijuesja, Halide Millaku, e cila, në librin e saj të dytë “Zemër e thyer”, vërtetë na prezanton një spektër të gjerë përjetimesh, por të cilat, nuk janë gjithherë të fushës ku zemra bëhet ndjenjë e thyer, mesazh i mallëngjimit për tërë atë që autoren, njeriun dhe botën e saj e rrethon.

 

Vargu-shprehje e ndijimit dhe e peshës filozofike të jetës

 

Libri “Zemër e thyer” e shtruar në tre cikle, ka atë tharmin e përplasjeve rinore, i cili nëse lexohet kujdesshëm dhe arsyeshëm, përkundër dhembjeve që përcjellin këndimin poetik, begaton shprehjen dhe vlerat krijuese, të cilin pra, nëse e shprushim ndryshe, ai bëhet edhe dinamikë dhe filozofi e jetës. Kështu, autorja kujton dhe mëton që përmes vargjeve dhe dhembjes, njeriun ta shndërrojë në beden për tu përballur me të gjitha sfidat të çfarëdo natyre qofshin ato. Këtë begati shprehëse, nëse mund të quhet kështu, por edhe atë shpirtërore, duhet kuptuar drejtë, edhe pse në shumë poezi reflektohet doza dhe barra e mallit dhe e nostalgjisë, gjëra këto të cilat, që sikur të gjitha si prolog ajo i rrumbullakon në poezinë nismëtare “Një engjëll”: “...Lotët e syri.../Gjurmë lënë shtigjeve të jetës...”.

Në këtë poezi-pikturë këndimi, dhembja kthehet në shpresë dhe në forcë e këngë për lumturinë: “...Sa herë që vetmia më shoqëron/Dhe thellë në zemër më vret/Një engjëll plot shpresë më flet”.

H. Millaku, edhe pse krijuese e re, dhe që vetes i ka dhënë guxim për t’i shprehur gjërat më të dhembshme të cilat gjatë tërë kohës e ngacmojnë dhe e bezdisin, ajo, duke u shndërruar në “flakërimën e zjarrit të vetmisë”, kuvendon me vetveten por edhe me lexuesin, dhe se për t’i rezistuar sfidave dhe për tu përballur me jetën, asaj i “Zbret hëna me yje.../Sikur duan të më sjellin ngushëllim”!

Veç kësaj, autorja e këtij libri, vetminë, heshtjen mbase shpesh edhe lotin, sikur i dëshiron dhe zemra i bëhet mal, për t’i shtruar në sofrën e vet poetike, në mënyrë që lexuesi ta zgjidh rebusin e jetës, e cila në rini, sikur asaj i duket se shpesh është e lënduar për shumë shkaqe dhe shumë arsye. Andaj, poezitë e ciklit të parë dhe jo vetëm të parit, edhe pse janë të gjata, që nuk është karakteristikë tek krijuesit e rinj, ato, poeteshës ia mbajnë energjinë e këndimit poetik, mesazhin e dëlirtë, të cilat mund të konsiderohen se janë elemente të kërkimit të së bukurës, të lumturisë dhe të madhërishmes.

Këtë vjershërim e hasim tek shumë poezi, si në “Lotët”, “Sonte”, “Në vetminë e heshtur”, “Mallkim shprese” e të tjera, të cilat jo rrallë lënë përshtypjen e depresionit shpirtëror dhe të luhatjes së personalitetit, i cili duke u ndërtuar gjithnjë e më shumë, normalisht, përplaset me dhembjet karakteristike, të cilat, autorja, nganjëherë sikur ato i shtrëngon me duar dhe me kraharor, gjithnjë me dëshirën që të mos i ikën, sepse, me to jeton më “rehatshëm”, dhe me kënaqësinë më të madhe i përjeton dhe i konsideron si begati shpirti e jete, e që për mosha të tilla është krejt normale.

 

Kur kemi të bëjmë me vargun e kësaj natyre, i cili shpesh edhe i tejkalon caqet e dëshiruara të ndijimit aq të trazuar, ndoshta ishte dashur që autores t’i dilet në ndihmë qasja më ndryshe redaktoriale, me qëllim që rrugët krijuese do t’i bashkoheshin në një drejtim të qëndrueshëm e karakteristik tek shtruaja dhe “edukimi” i shprehjes poetike, që fjala vjen, lotin do ta detyronte të shndërrohet në këngë, që rebelimin e shpirtit ta kthente në lumë, uji i të cilit rrjedhë kulluar dhe kthjellët.

E them këtë, sepse, një krijuese e re, përkundër ngarkesës emocionale të një moshe e cila nga çdo gjë ngacmohet por edhe mund të lëndohet, poezitë duhet të janë këngë e shpirtit që forcon e krenon, e kurrsesi të bëhen, ose të shndërrohen  në “oqean të mbytur në lot”.

I theksova të gjitha këto karakteristika, edhe pse autorja përpiqet dhe deri diku ia arrin të vargëzojë me dinjitet dhe me zjarrminë e arsyeshme poetike, që asaj i hapin rrugë për të bërë një karrierë të suksesshme në drejtim të begatimit të sofrës poetike, të cilën, kuptohet, e ka shtruar aq me vullnet, aq me zemër të hapur dhe aq me sinqeritet, veti të cilat shprehin këmbëngulësinë dhe begatinë për t’i thënë e për t’i prezantuar vlerat e saj krijuese.

Duke lexuar me vëmendje librin “Zemër e thyer”, pothuaj se në çdo poezi, në çdo varg vërejmë dhe e hasim peshën, vrullin, energjinë dhe talentin e poeteshës, e cila ngarend për t’i thënë të gjitha ato gjëra që i ka brenda vetvetes. Kjo, sigurisht, ngase ajo, ndijimet i kupton jo vetëm si dëshirë për t’i hedhur në varg e poezi, por edhe i kupton si gjëra të cilat duhet dhuruar lexuesit dhe opinionit të gjerë, në mënyrë që edhe ata të grishën me zjarrminë poetike, me zërin dhe me mesazhin vargut.

 

Kur frymëzimi shndërrohet edhe në simbol shprese e paqeje

 

Në ciklin e dytë “Simbol paqe”, hasim një qasje tjetër të vargëzimit, ku autorja, frymëzimin e shndërron në jetë, në shpresë, në diell e dritë, dhe ajo, sikur na befason tani me një energji tjetër të vargëzimit: “...O zogj që këndoni ngadalë/Kënga e juaj me frymëzon/...Eja më trokitni në derë” (Poezia: “Frymëzim jete”).

Po ashtu, duke lexuar poezitë e këtij cikli, vërejmë se H. Millaku i këndon edhe paqes, edhe njeriut e jo vetëm “ngufatjeve” dhe dhembjeve, të themi të moshës dhe jetës rinore. Ndërsa, këndimi që i kushtohet luftës, gërshetohet me dhembjet dhe me krenarinë, të cilat vërtetë janë tema prekëse, por edhe simbol i rrugëtimit të ndritshëm historik. Kurse, vargjet kushtuar personaliteteve historike dhe shoqërore, autoren e identifikojnë si bashkudhëtare të kombit bashkë me të gjitha reprezaljet dhe madhështitë që ka, e që ajo dëshiron t’i shndërrojë të gjitha këto në simbol paqeje: “...Me emrin tuaj çdo libër/Titullohet për mbamendje/Çdo lule fushave dhe kopshteve/Ka aromën e gjakut tuaj/...Përjetësisht/Shpirti juaj/U prehtë në paqe”.

Në këtë vazhdimësi, autorja e ”Zemër e thyer”, me përjetim të veçantë thurë vargje për tema të tjera që jetën e bëjnë histori, si për pesëmbëdhjetë maturantët nga Malisheva, të cilët, në të kthyer nga ekskursioni humben jetën në një fatkeqësi komunikacioni. Ndërkaq, një prej poezive më me sens të fuqisë dhe peshës së përjetimit poetik që bëhet piramidë këndimi, është ajo me titull “Mikes”.

Se përjetimi është refleksion i dhembjes dhe i ndërgjegjes por edhe i respektit, autorja na dëshmon duke na ofruar vargëzimin si transparencë të pikëllimit dhe mallit. Është kjo një sintezë edhe e diapazonit krijues që po ndërtohet tek Halide Millaku: “Njëmijë e një ditë/Pa të parë/Njëmijë e një net/Pa ty/Njëmijë e një lule/Janë tharë/Njëmijë e njëherë/Zemra ime është thyer”!

Në këtë kontekst, vlen theksuar se vargjet në asnjë moment nuk janë thurë zorshëm apo në mënyrë vetëm sa për të bërë poezi. Përkundrazi. Ata rrjedhin natyrshëm dhe bindshëm duke shtruar një temë, e cila secilin lexues dhe dashamirë të poezisë e bën për vete. Autorja, pra, na ofron cilësi morali poetik dhe premtim se vargu i saj po ndërtohet me peshën artistike dhe me dimension poetik dhe esteto-letrar. Mirë inkorporohet edhe tema e përditshmërisë, me të cilën përballet e lufton rinia, siç është dukuria e përdorimit të drogës, e keqe kjo që ka goditur edhe rininë kosovare, e cila deri me tash ka qenë bukur shumë e kursyer nga ky fenomen negativ dhe shkatërrues. Kështu, autorja si një e re, dëshiron që përmes vargut të vihet në mbrojtje dhe të bëhet këshillëdhënëse tek gjenerata e re, e cila, jo rrallë jetën e vet e mbyllë dhe e përfundon në përdorimin e narkotikëve, të cilët, poetesha i quan “shiringu i vdekjes”. Por, përpos kësaj, “shëtitjet” poetike të Millakut i hasim në forma të ndryshme, që nënkupton rrugëtimin e saj drejtë pjekurisë dhe të krijimit të personalitetit individual. Këtë gjë e hasim në shumë poezi, si tek “Betohem”, nga e cila krijon pikturë të natyrës alegro dhe të lumturisë: “Aty ku ka lot/Ka edhe dashuri/Nëse vuajtje ka kjo botë/Ka edhe lumturi”.

Ndërsa, poezitë “Vargje për ty”, “Nëna ime”, “Letër nga mërgimi” e të tjera, karakterizohen sikurse edhe tek shumë krijues të tjerë, si sublimë e ndërgjegjes njerëzore, e në këtë rast edhe tek kjo krijuese, e cila begaton opusin premtues por edhe ecjen drejtë përgjegjësimit dhe vetëdijesimit intelektual mbase edhe ndaj rrjedhave të jetës.

 

Përjetimi si refleksion dhe cilësi e ndërgjegjes dhe e moralit poetik

 

Ndërkaq, në ciklin e tretë “Një zemër e thyer”, autorja shpalon vellon e jetës-ditar të saj, që është një refleksion i agimeve, stinëve dhe i kërkimeve të mbërthyera në ëndrra, në shpresa, por nganjëherë edhe në nebulozë dhe agoni, të cilat, këto të fundit, njeriu shpeshherë ia imponon vetvetes. Kjo frymë e vargëzimit mund të haset pothuaj tek të gjitha poezitë, si në: “Baladë dashurie”, “Malli për ty”, “Sytë e pafjetur”, “Më mungon” etj.

Por, në këtë vistër përjetimesh të thella, në disa nga poezitë e këtij cikli, vërejmë frymën e çiltër dhe mobilizuese për të ecur tutje: “Mos ma humb shpresën/Me të cilën jetoj/...Mos m’i vraj ndjenjat/Buzëqeshjen mos ma largo/...Se brenda je ti”. Por, për habi, duke “shëtitur” nëpër “xhevahirtë” e jetës, autorja, shpesh dhe qëllimshëm, por edhe me domethënie e kuptim shumëdimensional “ndërron” medaljen dhe disponimin, sepse, përplasjet janë të pamëshirshme, sidomos atëherë kur mendimet përpëliten duke u pjekur ato e duke mbetur si vulë kujtimi apo edhe historie: “E mora ditarin e zbehur të kujtimeve/Ngadalë po e hap/Çdo gjë më kujtohet.../...E mbylla ditarin me lot/Përbrenda kujtimeve të jetës” (Poezia: “Çdo gjë mori fund”).    

Është krejt e natyrshme se autorja i këtij libri, duke qenë përplot ambicie, në një mënyrë ka nxituar për tu “shfryrë” dhe për të na ofruar sa më bindshëm mendimin për një pjesë të tablove të jetës dhe të përjetimeve të saj, e cila gjë, me siguri do t’i shërbejë që në krijimtarinë vijuese ta ndërtojë gjithnjë e më shumë dhe qëndrueshëm përmbajtësinë dhe filozofinë e vargut dhe të të kënduarit poetik, element ky i cili është edhe përgjegjësi e secilit krijues, për t’i ofruar opinionit vlera të njëmendta duke e bërë gjithnjë e më shumë domethënës ndijimin, por edhe zë të çiltër dhe të artikuluar. Duke u mbështetur në një konstatim të tillë, autorja, edhe sikur e përmbyllë arsyeshëm rrëfimin e saj poetik në këtë vepër, duke na sjellë vargjet e reflektimit të ndërgjegjes dhe të çiltërsisë shpirtërore: “...Por kjo frikë më zgjoi/Nga ëndrra e mashtrimit/Si qiri ndriçoi/Rrugën e zhgënjimit/...E tash unë po vazhdoj/Rrugën time...”. Me këtë sikur shprehet besimi i palëkundur në vetveten dhe në jetën, andaj, librin “Zemër e thyer” të Halide Millakut le ta konsiderojmë si këngë të besimit.

E gjithë kjo tregon se libri i dytë i Halide Millakut, “Zemër e thyer” padyshim se është një sublimë karakteristike e vargëzimit për të bërë poezi dhe vepra me vlera të qëndrueshme letrare në periudhën e ardhshme.   



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: