Selim Hasanaj: Tregime popullore nga Podguri
| E Diel, 14.11.2010, 07:03 PM |

TREGIME POPULLORE NGA PODGURI

 

AVDYL ZEKA

 

Avdyl Zekës nga Orroberrda i vijnë do musafir. Ai i pret sipas zakonit me respekt dhe nji nga musafiret i thotë Avdylit, po si i ke punet o mik, si e ke bereqetin sivjet. Ishte verë e thatë dhe gjithçka ishte ba shkrumb nga vapa. Avdyli i merzitun me telashet e veta disi provokohet nga kjo pyetje dhe i thotë musafirve: po ju derisa erdhet te unë ka i keni ra bre, apo mos keni ardh me helikopter.

 

ADEM ARIFI - HELSHANI

 

Nji katunar i Ozdrimit shkon në zyren e vendit te ofiqari në Vitomiricë per ta marr nji dokument që i duhej. Ofiqari nji serbo - malazez i thotë se nuk muj ja leshon dokumentin pa pas nji deshmitar. Del jasht dhe per fat shef Adem Arif Helshanin. O Adem, a po vjen e mu ban deshmitarë se po më duhet nji dokument. Po more si jo thotë Adem Arifi dhe futen mbrenda te ofiqari. Ai pasi e shkruen dokumentin i thotë katunarit shqiptarë; nenshkrueju këtu që ta dhash, por ky i shkreti pasi ishte analfabet i thotë, per zoten me shkrue nuk di veq nese vnoj gisht. Ofiqari buzqesh dhe i thotë deri kur juve shqiptaret me gishta?! Adem Arifi që nifej per burr i rrept, provokohet dhe ja dredh ofiqarit; ndegjo knej ti, atë ditë kur neve të gjithë do mësojmë të shkruejm juve shkijet duhet të ikni nga këto troje.

 

SHABAN TAHIRI - RUGOVA NGA CARRALLUKA DHE FADIL HOXHA

 

Kishte pas ardh Fadil Hoxha në katundin Carralukë dhe kerkon që të dalin tanë burrat e katunit se don me ju mbajt nji fjalim. Carraluka katund i vogël dhe aty nuk shkojnë kater pes burra. Fadili shef se ka pak njerz dhe irritohet andaj masi mban nji fjalim ashtu pa lidhje ai ju thotë të pranishmve. Juve duhet ti falemnderoheni pushtetit socialist, juve dikur këtu i keni hudh patligjanat kur ata janë skuq se keni mendue se janë kalb, pra jeni kanë të padije, tash socializmi ju ka hap syt dhe ju do jetoni ma mirë....

Shaban Tahir Rugova nuk muj durohet dhe ja dredh, po o shoku Fadil, por neve nuk i kemi hudhë patligjanat e kuq se nuk e kemi ditë se çka janë, por pse kemi pas me bollak dhe nuk kemi mujt me i hanger. Ndersa tash prej si na erdh partia e socializmi ka aq pak se nuk po i presim të skuqen, po i hajm të gjelbert.

 

ADEM ARIF HELSHANI

 

Ky burr dukagjinas njifej si burr i rrept dhe trim. Pushteti e kishte halë në sy dhe ka ba shumë vite burg në kohen e Jugosllavisë së Titos.

Nji ditë Adem Arifi del në Ilixhe dhe aty takon nji njeri i cili ishte akuzue se ka tregue ku mshifen disa kaqak antikomunist dhe pushteti i ka zan ata dhe dy i ka ekzekutue në Bjeshken e Sejnoves.

Ishte koha e bajramit të vogël dhe ai far shpiuni i thotë Adem Arifit, o Adem a don me pre kurban sivjet per bajram. Ademi e shikjon dhe ja dredh, hajt more, çka po të duhet kjo ty. Jo, kurgja veç deshta me të tregue se unë du me pre. Ademi tash ma nuk u durue dhe ja perplasi ftyres. Po more ibret unë të besojë se ti je i msuem me pre kurban. Ke mësue zanatin ti që nga koha kur dole në bjeshkë të Sejnoves dhe aty i preve dy kurbana.

 

DAUT LOSHI

 

I kishin pas ardh Daut Loshit disa mësues musafir. Ata posa hyn në odë ulen në trapazan. Aty Dauti i kishte pas lan disa thas me lakna. Mësuesit tja kersasin , krrup e krrup dhe ja hajnë të tana laknat.

Dikur njani nga ta frigohet se mos laknat i bajn zarar dhe thotë ta vet Dautin per hallin që i futet në krye. O daut, a ta merr mendja se laknat na bajn zarar? Per zotin unë per juve nuk e di , por di se nese i shti turrshi dhe i rrasi me forcë në kacë ato ma qesin kacen prej rrathve.

 

GRUEJA E DYTË

 

Njanit i vdes grueja dhe martohet per të dyten herë me nji vejushkë. Qysh naten e parë të marteses ky derisa tregonte aftësitë e veta mashkullore e vet gruen ; më trego drejtë, a ma i fort jamë unë a ai burri yt i parë. More hajt ma shpejto e hiqmu qafe se me pas kan ai gjallë kurr ty nuk të kish ra hise mem prek me dorë.

 

 

Selim M. Hasanaj

Sarpsborg

Norvegji

11.11.2010



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: