Hilmi Saraçi: Një popull është Sovran nese e ka të drejtën për të vendosur vet
| E Marte, 02.11.2010, 10:00 PM |

Një popull është Sovran nese e ka të drejtën për të vendosur vet

 

Nga Hilmi Saraçi

 

Ne besojmë se shteti është Sovran, por po ashtu ne besojmë  se populli është burimi i sovranitetit. Një popull është Sovran, nese e ka të drejtën  për të vendosur vet. E drejta në këtë fushë  është liria politike e popullit, që populli të vendosë çdo herë  për gjithçka , ashtu si di, që është më se miri për jetën e tij “ (Albin Kurti). Këtë duhet pasur parasysh dhe duhet të punohet dhe të luftohet gjithmonë për të drejtat e qytetarit dhe të mos manipulohet me votën e tyre gjatë zgjedhjeve…. Prandaj zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas  krizës institucionale ,kanë një rëndësi të veçantë. Në këtë fushë duhet pasur tolerancë ndërpartiake, kujdes dhe organizim të mirë, pa shantazhe dhe probleme , sepse vetëm në këtë mënyrë do të dalim nga kjo krizë institucionale , duke realizuar synimet tona për një shtet demokratik ,i pavarur dhe Sovran…

                  

 Pragu zgjedhor dëmton partitë e vogla

 

 Në këtë fushë partitë e vogla sikur kanë mbetur shumica prej tyre pa realizuar pragun zgjedhor. Ka pasur propozime  që pragu të ulet nga pesë në dy për qind për subjektet politike , ndërsa për kandidatët e pavarur të bëhet pragu prej 1 për qind. Ndërkohë ligjëdhënësit nuk kanë miratuar këtë propozim të uljes së pragut zgjedhor, prandaj shumë parti të vogla do të mbesin jasht parlamentit…

 

Ç’mendojnë Bujar Bukoshi dhe Ukë Rugova  me “Iniciativën qytetare  Ibrahim Rugova” (?)

 

Tani është bërë e njohur se në disa subjekte politike kanë ndryshuar raportet për tejkalimin e  problemeve të grumbulluara . Kjo u verejtë  sidomos me  LDK-në dhe PDK-në, pas prishjes së koalicionit. Këto raporte tani një kohë të gjatë kanë qenë të pranishme dhe të pritshme , sepse në këtë fushë nuk janë ndërmarrë iniciativa në kohën e duhur për tejkalimin e tyre , përkundrazi këto dukuri në kreun partiak sikur kanë marrë formën e zgjeruar, për shkak të karierizmit dhe interesave personale. Kjo dukuri e mungeses së unitetit në kreun partiak , sidomos brenda LDK-së nuk po shkon në drejtim të konsolidimit (bashkimit) dhe të përmirësimit, sidomos pas paraqitjes në skenë të Bujar Bukoshit si kandidat për kryetar të LDK-së dhe të Ukë Rugovës si përkrahës i Bukoshit  dhe bartës i listës “Iniciativa qytetare Ibrahim Rugova”.Kongurimi për kryetar është e drejtë demokratike. Këtu kurgjë të keqe nuk ka , sepse çdo njëri ka të drejtë që të paraqesë kandidaturën e vet pa ndonjë pengesë të veçantë. Por paralajmërimi për një iniciativë qytetare me emrin “Iniciativa qytetare Ibrahim Rugova “, mendoj se nuk është e mirë dhe me mend, sepse këtu kemi të bëjmë me një fraksion përbrenda LDK-së që në këto momente nuk është për tu respektuar. Ukë Rugova si duket nuk ka qenë sa duhet i këshilluar  për t’i hyrë kësaj “loje” zgjedhore në këto momente dhe kushte të “ngutshme të kohës” për lider të partisë, në të ardhshmen, siq mendojnë të tjerët . Më mirë kishte për të qenë për Ukën ta ruaj qendrimin e derisotëm dhe mos të ngutet, të presë edhe për një kohë , kur ka pritur deri me tani,  sepse gjasat se do të këtë një përkrahje siq e kishtë babai i tij, mungojnë, prandaj kam frikë së në këtë fushë ende është i pa përvojë dhe nuk do të dijë të notojë në këto “ujra demokratike” dhe të realizojë atë që e kanë mësuar dhe e kanë shtyrë që t’i hyjë kësaj pune. Mirë është për të bërë ndryshime dhe për ta freskuar elektoratin (udheheqësinë) me kuadra të reja  dhe për ta përmirësuar gjendjen që një kohë të gjatë është e papërspektivë .

 

LDK-ja nuk njeh fraksione dhe nuk mund të ketë iniciativa qytetare brenda saj

 

Pasi për këto raporte (iniciativa) ka munguar vullneti dhe forca parimore , kanë lindur shumë kundërthënje  përbrenda kreut të LDK-së në krye me kryetarin e saj z. Fatmir Sejdiun, i cili megjithë disa gabimeve dhe lëshimeve (mendoj si pasojë e disa qendrimeve të bashkëpunëtorëve të tij që nuk ishin vigjilent gjatë  vlimeve të më hershme në kuvendin zgjedhor (kuvendi i karrikave siq u quajt më vonë) kur LDK-ja  u nda në dy parti. Kjo ka lënë pasoja të mëdha në harmonizimin dhe ndertimin e raporteve në kreun e LDK-së pas vdekjes se Dr. Ibrahim Rugovës . Prandaj si rrjedhojë e këtyre qendrimeve joparimore, po  lind , si duket edhe një parti (fraksion) tjetër, në krye me Bujar Bukoshin dhe Ukë Rugovën. Megjithse ata  e mohojnë  ndarjen nga LDK-ja  dhe formimin e partisë së re, por mënyra si e paramendojnë Bukoshi, Ukë Rugova , Astrit Haraqia dhe të tjerë  iniciativen e tyre qytetare, deshem ose nuk deshem  është një fraksion brenda LDK-së që nuk vlerësohet si e drejtë nga elektorati i gjerë , sepse kjo do të shkojë në dëm të LDK-së si parti e njohur dhe me vlerë të veçantë për shtetndërtimin e shtetit të Kosovës.

Për këto paqartësi pati përveç reagimeve të ndryshme, edhe një lloj tubimi i organizuar nga disa të rinjë  për dorëheqjen e Fatmir Sejdiut nga kreu i LDK-së dhe përkrahjen e Isa Mustafës për kryetar të LDK-së. Megjithëse këto reagime të kësaj forme nuk vlerësohen të drejta , mendoj se për t’i menjanuar disa dilema në këtë drejtim , pa një cenim të autoritetit të Sejdiut, i cili me gjithate ka merita  në shtetndërtimin e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe sovran, zgjidhja e Isa Mustafës do të ndihmonte për tejkalimin e problemeve të paraqitura dhe për konsolidimin e LDK-së në të ardhshmen.Prandaj për të dalur nga kjo “mjegulli” duhet të bisedohet pa ndonjë hezitim dhe dilema individuale me strukturat më të gjera të LDK-së dhe sa më parë të gjendet një zgjidhje që do ta ruante unitetin (bashkimin) e LDK-së në të ardhshmen…

Prandaj sipas  vlerësimeve që janë bërë në LDK kohë më parë  për opinion, LDK-ja nuk e njeh fraksionin dhe nuk mund të ketë  iniciativa qytetare  përbrenda  një partije  politike. Pra “ky është  një nonsense i llojit të veçantë, nuk ka LDK të Bukoshit dhe as të Sejdiut. LDK-ja është  një dhe unike , në të mund të hyjë  dhe të dalë  kur të dëshiroj dhe se kush të dëshirojë . Ai që e gjen veten del, por nuk mund të ketë fraksion legal brenda LDK-së dhe nuk mund të ketë  aq më pak, iniciativë qytetare brenda  LDK-së “…(Manaj)…

 

Pasojat pas mosbesimit të Qeverisë Thaçi

 

Përveç problemeve dhe “pshtjellimeve “ në LDK si rrjedhojë e këtyre  kanë lindur edhe të tjera , sidomos me Qeverinë e Kosovës e cila për shkak të koalicionit të prishur pritet që të bie nga pushteti. Për këtë pas mocionit të bërë nga 40 deputet , vlerësohet se mundësia reale është e pranishme që mocioni të mbështetet nga shumica  e deputetëve  të Kuvendit të Kosovës  dhe të shkohet në zgjedhje të jashtzakonshme . “Në këtë rast do të shpërndahet  Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha nismat e mëdha  që kanë qenë tash në proces të shqyrëtimit do të mbetin peng për legjistaturën e katërtë pas zgjedhjeve të reja. Këtë fat do ta  kenë  strategjia për privatizimin e PTP-së , Projekti i bugjetit për vitin e ardhshëm dhe të gjitha nismet e tjera  parlamentare  ligjore  që janë në procedurë    Kuvendit” - ka deklaruar Jakup Krasniqi….

Mirëpo ekspertët e çështjeve ekonomike në këtë fushë  theksojnë  se niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë  po e dëmton zhvillimin ekonomik të vendit. Ky nivel i korrupsionit, vlerësojnë ekspertët pamundëson ardhjen e investitorëve  të huaj në Kosovë , që sipas tyre , shihet si potencial më i mirë  për zhvillimin  ekonomik të vendit. Prandaj pa luftimin e kësaj dukurije  nuk mund të pritet përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend. Kompanitë e mëdha që kanë vision të investimeve , korrupsionin e shohin si problem kryesor , prandaj në këtë fushë duhet të shikojmë më me syçeltësi për të gjitha këto “levizje demokratike” dhe të të bashkohemi për një të ardhshme ma të mirë të vendit…



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: