Komisioni i Hetimit për Masakrën e Tivarit - zbardhet korrespondenca qeveritare
| E Diel, 10.10.2010, 01:36 PM |

Enver Hoxha është informuar nga Ramiz Alia dhe Haxhi Lleshi për ngjarjen makabre, që u mori jetën 5 mijë shqiptarëve të Kosovës

 

Komisioni hetimor parlamentar për masakrën e Tivarit ka zbardhur disa fakte tronditëse të përfshirjes së krerëve më të lartë të shtetit në ngjarjen makabre të afro 60 viteve më parë. Implikimi i tyre, sipas anëtarëve të këtij komisioni, faktohet nga korrespondenca që kanë patur drejtuesit e shtetit shqiptar, e zbuluar në dosjet e Arkivës Qendrore të Shtetit.

Anëtarja e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, deputetja Mesila Doda u shpreh se në bazë të të dhënave të pamohueshme, ku Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia informojnë Enver Hoxhën

“Nga të dhënat që ne kemi përgjegjësinë direkt të ministrit të Brendshëm të asaj kohë, Haxhi Lleshi, të kryetarit të divizionit të V që ishte Ramiz Alia, i cili në replika kërkon të dijë fatin e këtyre njerëzve dhe i shkruan Enver Hoxhës, dhe më pas kemi ekzekutimin në masë të kosovarëve, të cilëve u kërkohet të dorëzohen tek forcat jugosllave. Të rejat më të fundit na bëjnë të kuptojmë përgjegjësinë e madhe politike të krerëve të shtetit të asaj kohe dhe urdhrat e dala. Bëhet fjalë për një radiogramë të vetë Enver Hoxhës që fliste për një rikthim të të arratisurve pranë divizioneve partizane jugosllave. Përgjegjësi direkte bie dhe mbi Haxhi Lleshin, apo Alia që i ka shkruar Enverit për t’u vënë në dijeni të arratisurve”, u shpreh Doda.

Dokumentet e zbuluar, sipas komisionit hetimor, faktojnë se Ramiz Alia ka qenë në dijeni të masakrës.

“Ramiz Alia e ka nisur karrierën e tij politike si një vrasës dhe po e përfundon si një gënjeshtar ordiner. Të gjitha faktet që ekzistojnë në arkivat e shtetit shqiptar tregojnë për një dijeni të plotë në këtë ngjarje dhe për një aktivitet të plotë të Ramiz Alisë, në masakrën e Tivarit. Ai ka qenë në dijeni të të gjithë ngjarjes”, thotë ajo.

Komisioni po punon aktualisht vetëm me anëtarë të mazhorancës, pasi socialistët kanë refuzuar të marrin pjesë në të.

“Socialistët e rinj duhet të tregojnë që janë larg komunistëve të vjetër, shpresoj që shumë prej tyre të mund ta bëjnë këtë hap për të zbardhur njëherë e përgjithmonë të vërtetat e shqiptarëve”, deklaroi më tej deputetja demokrate.

I ngritur me një afat kohor 1 vjeçar komisioni hetimor për masakrën e Tivarit pritet të hedhë dritë mbi ekzekutimin makabër të afro 5000 burrave në territorin e ish-Jugosllavisë. Pas mbledhjes së dokumenteve zyrtarë për ngjarjen, komisioni do të thërrasë edhe dëshmitarë të kësaj ngjarje.

 


Gazeta 55

(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: