Sejdi Berisha: Përurimi i librit në Tiranë dhe rruga e kombit...!
| E Merkure, 22.09.2010, 09:00 PM |

Reportazh: Nga Gjakova në Tiranë...

 

PËRURIMI I LIBRIT NË TIRANË DHE RRUGA E KOMBIT...!

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Që në fillim dua të them se titulli (s)është metaforik, por, nejse,... nuk di pse ua thash, kur Ju këtë e kuptoni!

Ka kohë që kishim biseduar me krijuesit e Bajram Currit, që ta bëjmë përurimin e librit të një poeti, nga Gjakova në Tiranë. E kishim këtë dëshirë e këtë mendim edhe për shumë dëshira e qëllime të tjera, cili, sikur pastaj na detyronte edhe ide të tjera. Të cilat, nganjëherë janë rrëqethëse nëse mendojmë në histori, nganjëherë janë madhështia e ëndrrës së njeriut për ta bërë dorën grusht dhe për ta bërë stërpikë “hallakamën” e rrjedhave, e cila gjithnjë ka bezdisur dhe bezdisë edhe sot e kësaj dite njeriun. Dhe, përurimit të atij libri sikur i erdhi koha në momentin më të përshtatshëm.

 

1.

Hotel “Tirana”
Hotel “Tirana”
Paraprakisht, unë dhe disa shokë nga Gjakova qëndruan në Bajram Curr për t’i “dhënë” vulë përgatitjeve për një ngjarje të tillë, sepse, Tirana është kryeqytet, dhe atje duhet të jemi të përgatitur për të mos na rrjedhur asnjë gabim. Të them të drejtën, krijuesit në këtë qytet të Malësisë së Gjakovës, por edhe ne, sikur e kishim një trohë frike se si do të shkojnë punët në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ku edhe do të përurohet libri. Mirëpo, gjatë tërë bisedës, gjithnjë i sodisja bjeshkët përballë qytetit, e që përtej tyre sikur e shihja Valbonën, shkrepat e larta, Dragobinë dhe tërë atë bukuri, që besoni, në atë moment dëshiroja të tërën ta përqafoj, duke ia puthur faqet e historisë, duke ia përkëdhelur hujin dhe hidhërimin që ka për njeriun, i cili, ndoshta gjithherë nuk di të flasë me gjuhën dhe amanetin e këtyre viseve.

Dhe, pikërisht e tërë kjo më trimëronte për përurimin e librit, më ngazëllente dhe ma shtonte përgjegjësinë se si do ta “zbresim” Malësinë në Tiranë, se si do t’ua bëjmë atje pjesë të jetës rrugëtimin që po bëjmë në këtë anë të atdheut. Por, gjithnjë mendja më shkonte tek madhështia e shpirtit, tek qëndresa dhe papërkulshmëria e njeriut të kësaj ane, i cili me vullnetin që gjithnjë ka, acarin e bënë vapë kurse vapën e shndërron në fllad e freski për t’i dhënë të mbarës dashuri për gjithçka që ka aromën e gjakut, pamjen, frymën dhe gjuhën e këtij dheu.

Nuk dua të flas më gjatë për qëndrimin në Bajram Curr, sepse, atëherë do të duhej të rrugëtonim gjatë e gjatë me begatinë e rrallë, me historinë dhe zërin e saj, me heshtjen, mallin dhe me dhembjen që janë pjesë e kalasë të jetës së këtushme. E, që pastaj, të gjitha të trokasin mendjen për shumë emra që kanë bërë vepra e kanë mbetur në histori, personalitete të spikatura që padyshim janë beden e krenari, por edhe kushtrim e përgjegjësi për rreshtim të mirë në mënyrë që asnjë hallkë të mos jetë as e shkëputur por edhe as e ligështuar. Por, tani ta harrojmë këtë dhe të vazhdojmë...!

 

2.

Letrarët nga Bajram Curri, Gjakova dhe Peja, në rrugën për në Tiranë presin për t’i parë bukuritë e tunelit në Kalimash, i cili bashkon fusha dhe bjeshkë...
Letrarët nga Bajram Curri, Gjakova dhe Peja, në rrugën për në Tiranë presin për t’i parë bukuritë e tunelit në Kalimash, i cili bashkon fusha dhe bjeshkë...
Në të kthyer nga Bajram Curri në Gjakovë e pastaj në Pejë, e pyes autorin e librit që do të përurohej se çfarë mendimesh i “zihen e përzihen” në kokën e tij. Ai, vetëm më shikoi dhe duke buzëqeshur më tha:

-Shpresoj!...

E dija se në zemër e në shpirt i vlonte që sa më shpejtë të vjen ai moment dhe ta heq nga vetvetja një barrë të madhe. E inkurajova duke i thënë se do tu “tregojmë” tiranasëve se si shpalohet ndijimi shpirtëror nga Malësia e Gjakovës.

Erdhi dita e shtunë. Në Tiranë duhej të jemi pikërisht në orën 11:30, aty në Muzeun Historik Kombëtar. Pjekja e të gjithë neve ishte caktuar në Gjakovë. Nga Bajram Curri, krijuesit letrarë ishin nisur herët, për të arritur me kohë te Hotel “Evropa” në hyrje të Gjakovës, ku do të bashkoheshim edhe ne nga Peja dhe Gjakova. Si duket, atë natë të gjithë kishim ngelur pa fije gjumi. Kujtoj se këtë kishte ndikuar edhe respekti për kryeqytetin e atdheut, edhe kënaqësia, por edhe përgjegjësia për mbarëvajtjen e punëve. Derisa prisnim tek Hotel “Evropa”, shikoja mbishkrimin e këtij objekti dhe mendoja: Evropa dhe ne,... ne dhe Evropa?! Është kjo që plotësisht reflekton arsyeshëm për tu shkrirë rrjedhat e jetës, sepse, shumë kemi rrugëtuar duke u ngritur e duke e rrëzuar. Edhe pikëpjekja te “Evropa”, sikur solli një metaforë të fuqishme, të cilën secili duhet kapur drejtë dhe fortë.

U takuam dhe u bashkuam të gjithë! Aty, tani ishte Peja, Gjakova dhe Bajram Curri. Ose, hajt të themi: aty ishte Bajram Curri, Peja dhe Gjakova. Por, jo. Radhitja duhet të jetë: aty ishte Gjakova, Bajram Curri dhe Peja. E bëra këtë radhitje kështu, sepse, ndryshe do të më qortonte miku im nga Gjakova, i cili edhe ky e ka vargun poetik me zjarrmi dhe me plotë peshë e vlerë.

 

3.

Foto për kujtim: letrarë pranë Muzeut Historik Kombëtar pas përurimit të librit
Foto për kujtim: letrarë pranë Muzeut Historik Kombëtar pas përurimit të librit
Pasi i përshëndetëm, dua të theksoj: të gjithë e përqafuam njëri-tjetrin, kurse udhëtimin deri në Tiranë, padyshim se do të na madhështojnë edhe dy krijuese të reja; njëra nga Gjakova kurse tjetra nga Bajram Curri, të cilat qysh në veprat e para të tyre, i kanë stolisur vargjet me atë çurgun e dashurisë për jetën, me sinqeritetin dhe me padjallëzinë, dhe kështu më bëhej se i kam dy vajza të mia, të cilat bëjnë dritë si rreze që depërtojnë kudo që është njeriu, dashuria, shpresa dhe ëndrra e tij.

 

Të them të drejtën, unë nga Peja u nisa, siç thonë, në terr të agut, dhe gjatë tërë rrugës, fushat dhe bjeshkët e larta ma rritnin zemrën, ma bashkonin fuqinë e fuqisë për të thënë e vepruar për çdo gjë që njeriun e bën të lumtur. Në atë mëngjes të hershëm, nuk kishte terr. Çdo gjë shndriste, çdo gjë ishte e bukur dhe e ëmbël, jo si mjalti, por si qumështi i nënës, si këshilla e babait, si ligjërimi i mësueses, si ëndrra dhe si gurgullima e ujit të Valbonës, si qetësia e Drinit të Bardhë, si bukuria dhe fuqia e fjalës së drejtë...!

Sa qel e mbyll sytë e pashë vetën te Hotel “Evropa”. Aty kishte dalë për të na pritur edhe autori i librit, i ngarkuar me emocione dhe me dozën e “frikës” se çfarë

 

dhe si do të jetë dita e 18 shtatorit 2010. U përshëndetem ngrohtësisht. Tani, nuk vonuan dhe arritën edhe letrarët nga Bajram Curri. Në këto orë të mëngjesit, diellit kishte filluar t’i duket ngjyra e kuqërremtë. Ishte mëngjes,... ndoshta i jashtëzakonshëm.

Kah, tani?! Ku, pos drejtë për në Prizren dhe për t’iu koptisur Rrugës së Kombit... nëpër tunel të Kalimashit...!

 

4.

Udhëtimi për në Tiranë nuk kalon pa u shënuar edhe me foto
Udhëtimi për në Tiranë nuk kalon pa u shënuar edhe me foto
Që të gjithë, në vetvete e fshihnim njëfarë kureshtje dhe gëzimi. Në Tiranë përurojmë librin e një krijuesit nga Gjakova... Nga Gjakova në Tiranë... Po, po! Nuk është kurrfarë çudie. Dhe, kështu duke kuvenduar nga pak e duke menduar e heshtur nganjëherë, arritëm në “kufi”. Nuk pati vonesë, sepse, aty jep për të kuptuar se çdo gjë po shkrihet e po bashkohet, sepse, toka është e tillë!

Në rrugë, tani shoferi i minibusit kishte halle tjera. Një. Për ta “grabitur” shpejtësinë dhe, dy: për të rrah pak gjoks se tani është realitet: toka lidhet me rrugë, kombi bashkohet përmes rrugës...! Është e vërtetë, kjo. Nga dritarja e makinës vështroj gjithë ato madhështi, vështroj dhe syri m’i zë të gjitha ato begati të atdheut, të cilat, me të vërtetë janë krenare dhe të lavdishme. Tani, zemra më rrahë se shpresat dhe ëndrrat e mia do të bëhen realitet ashtu sikurse edhe të çdonjërit. Do të ringjallet edhe më shumë Krahina e Tropojës,... edhe Malësia e Shkodrës. Tani do të shkruhet historia me shkronja tjera,... me shkronja drite. Gjithçka do të këndohet nga loçka e zemrës.

Udhëtojmë e udhëtojmë, kurse mua, por edhe të gjithë të tjerëve, zemra na bëhet mal për Rrugën e Kombit. Por, dua t’ua sjellë ndërmend. Vetëm autostrada, nuk është rruga e kombit. Apo, jo...! Tani, edhe bjeshkët dhe ato pllaja, ndryshe do të flasin. Terrin e hakmarrjen do t’i vënë në karantinë, apo do t’i balsamosin vetëm sa për t’i kujtuar si relikte të kohës, mbase edhe si përralla. Do të fillojmë një nismë tjetër të jetës dhe të historisë krejtësisht të re. Dhe, Pukën, Migjenin bashkë me biçikletën e tij, por edhe sëmurjen që mësuesit ia mori jetën në rini, do të ngelin vetëm ditar dhembjeje dhe si qortim...! Kështu e ka tani rrugëtimi i kombit.

 

Të ju them të drejtën, derisa përlajnë mendjen time edhe shumë gjera të tjera, më shoqëron përmallimi, kurse nganjëherë edhe lotët tinëz i largoja nga faqet tani bukur të skuqura, se përse, nuk e di!

Kishim kaluar bukur një copë rrugë. Dikur edhe hymë në kryeqytetin e atdheut,... në Tiranë. Pakëz vonohemi derisa u takuam edhe me krijues të tjerë që na prisnin në aty. Gjatë kësaj kohe, soditja Sheshin e Tiranës, i cili, dorën në zemër, duhet ngutur që ai të bëhet shesh i vërtetë, hajt të them, që të bëhet edhe Shesh i Kombit...!

Qëndruam pak te Muzeu Historik Kombëtar. Derisa ishim aty, me mall e shikoja Hotelin “Tirana”.

 

Aty, para tridhjetë vitesh kisha bërë një natë. Dhe, tani më dukej sikur ajo natë kishte ndodhur sot. Atë kohë, nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë patën shfaqur koncert me Ansamblin e Folklorit Burimor “Rugova”. Bëra ballë dhe hyra edhe tash. Në kafene, u ula bashkë me disa krijues nga Bajram Curri që kishim udhëtuar së bashku. Vetëm një ujë pa gaz e porosita. Isha shumë i impresionuar, sepse kishte kaluar një kohë prej tri deceniesh që nuk kisha hyrë në këtë hotel. Nuk e di pse, ndoshta pse nuk më është dhënë rasti. Kjo përshtypje, tash për dy gjera më ngatërronte mallin. Një, për atë që hyra në hotelin “Tirana” dhe dy, për përurimin e librit të krijuesit nga Gjakova, që do të fillonte edhe gjysmë ore.

 

5.

Nga përurimi i librit në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë
Nga përurimi i librit në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë
Derisa meditoja dhe e kujtoja atë turne të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar nëpër Shqipëri, pranë nesh sikur u mbi drejtori i Shtëpisë botuese dhe i gazetës “Nacional”, Mujë Buçpapaj. Edhe pse kisha botuar shkrime në “Nacional”, atë njeri nuk e njihja dhe as nuk e kisha takuar ndonjëherë më parë. U përshëndetem me një ngrohtësi, dhe ai më la përshtypjen e njerëzve të cilët botën e shohin me syrin e punës dhe të realitetit, gjithnjë duke e quar përpara kauzën, fatin dhe mirëqenien e kombit dhe të njeriut përgjithësisht. Edhe ky, tani ishte i preokupuar me përurimin, sepse, një punë e tillë bëhej në organizim të Shtëpisë Botuese “Nacional”, e cila edhe e kishte botuar librin të cilin për pak çaste do ta përuronim.

Dhe, interesant. E gjithë kjo më kthen tek kufiri, e cila shprehje tanimë më duket e pa lidhje, dhe e gjithë kjo më kthen edhe tek Rruga e Kombit... Por, nejse! Hymë në Muzeun Historik Kombëtar. Në foajeun e tij ishte e hapur edhe një ekspozitë pikturash, kurse, para nesh, në sallën ku do përurojmë librin, kishte qenë edhe një manifestim kulturor i një shoqate çame.

Të gjitha këto ngjarje më mahniten. Erdhi koha të hymë në sallë. Ishe kënaqësi. Aty kishin ardhur krijues, dashamirë të fjalës së shkruar, piktorë, artistë, regjisorë etj. Në atë moment më dukej se po fillonte një nismë si copëz apo periudhë historie: në Tiranë,... në kryeqytetin e atdheut po përurohej libri i krijuesit nga Gjakova,... nga Kosova! Aty janë edhe shkrimtarë nga Bajram Curri e Peja...! Po, çkafit i ngjanë e tërë kjo?! Më duket si në ëndërr,... nismë e mirë e bashkëpunimit,... e bashkimit të vlerave letrare, kulturore dhe shpirtërore. Nismë e vogël, por punë e madhe,a?!

 

Në kryesi të punës tani ishin radhitur udhëheqësi i Shtypshkronjës dhe i gazetës “Nacional”, Mujë Buçpapaj, pastaj, autori i librit “Piskamë e heshtur”, Tahir Bezhani, redaktori i librit, Hamit Aliaj, shkrimtari dhe publicisti nga Peja, Sejdi Berisha, kryetari i shkrimtarëve të qytetit Bajram Curr, Lulzim Logu dhe kryetari i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” nga Gjakova, Muharrem Kurti. Fillon manifestimi, të cilin me themel intelektuali e udhëheq, Mujë Buçpapaj, i cili edhe i bën një vështrim krijimtarisë së poetit gjakovar, Tahir Bezhani. Pastaj, përkitazi me librin flasin, redaktori i librit, shkrimtari Hamit Aliaj, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, poetët, Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti. Por, nuk përfundon vetëm me kaq. Flasin edhe Skënder R. Hoxha, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve në Pejë, pastaj Qazim Shehu, publicist e krijues, Bedri Myftari, poet nga Çamëria, Gjon Neçaj, poet, Demir Gjergji, publicist e poet, Perikli Jorgoni, poet dhe Azem Baliaj, poet. Ndërsa, vargjeve të poezive nga libri “Piskamë e heshtur” u dha frymë përjetimi, Vjollca Tytyni, aktore dhe gazetare.

 

6.

Çdo gjë u përmbyll me etjen për takime të tjera, të cilat do ta madhështojnë e bashkojnë letërsinë dhe vlerat e saj, do ta madhështojnë e bashkojnë kombin në rrugëtimin e ri historik. Këtë reportazh do ta përfundoj me disa fjali nga prezantimi im në këtë përurim, të cilat ishin si prolog dhe epilog i shkrimit dhe i mesazhit tim: Sa është kënaqësi, sa është madhështi, sa është lumturi, sa është me peshë dhe domethënëse që sot, këtu në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, të përurohet vepra e një krijuesi nga Gjakova, nga Kosova.

Kjo, do të thotë shumë. Ky është një mesazh, të them, interesant, në rrugëtimin e kombit, në mishërimin dhe zhvillimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore, pra edhe të atyre letrare, sot tek ne. Andaj, s’ka edhe si të mos ketë njeriu edhe emocione të veçanta.

Kjo ngjarje, kujtoj se është kontribut i cili begaton vlerat kulturore dhe letërsinë kombëtare, gjëra këto të cilat kërkojnë afirmim, respekt më të denjë dhe afrim më të madh reciprok. Gjithashtu, edhe sot e kësaj dite është e nevojshme të theksohet se krijuesit, pra, edhe shkrimtarët, nuk janë vetëm ambasadorë të vlerave shpirtërore, por edhe ambasadorë të kombit. T’i mbështesim dhe t’i respektojmë ata!

 

_____________

Sërish u kthyem pa iu ndarë Rrugës së Kombit deri në Gjakovë, në Bajram Curr dhe deri në Pejë. Ky ishte promovimi i librit në kryeqytetin e atdheut, në Tiranë dhe nisma jonë nëpër, dhe në Rrugën e Kombit...!



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: