Masakra e Tivarit, zbardhen dokumentet mbi Ramiz Alinë
| E Diel, 19.09.2010, 01:23 PM |

Si u dorëzuan nga Enver Hoxha tek brigadat serbe mijëra shqiptarë të Kosovës

 

Mbi 5000 shqiptarë të vrarë është bilanci i masakrës më të tmerrshme në historinë e kombit shqiptar. Më e tmerrshme dhe pa u dënuar asnjëherë nga pushtetarët e asaj kohe si nga pala jugosllave po ashtu edhe ajo shqiptare. E përmendim shtetin dhe udhëheqësit e saj shqiptar pasi kjo masakër në një farë mënyre, megjithëse janë fshehur shumë të dhëna që faktojnë bashkautorësinë e tyre në vrasjen e mbi 5000 mijë shqiptarëve, përsëri historia i nxjerr zbuluar ata. Po cili është roli i udhëheqësve shqiptarë të vitit 1945 në ekzekutimin makabër të vëllezërve tanë kosovarë? Nëpërmjet disa fakteve duhet të ndezim një shkëndijë të vogël, e cila do të ndezi përgjithnjë dritën e madhe të së vërtetës së genocidit shqiptar të muajve mars-prill 1945.

Si nisi kjo ngjarje

Shtabi Operativ i "Kosmetit" i urdhëruar nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill, por edhe më tej të vitit 1945, mobilizon me dhunë shqiptarët për t'i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të "Adriatikut" në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar - Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni. Intervali i mobilizimit do të prekte edhe territorin e Shqipërisë dhe për këtë forcat e UNÇJ duhet të bashkpunonin me UNÇ shqiptare, të cilat do të lejonin kordonin e gjatë të "kosovarëve fatkeqë" nën drejtimin e udhëheqësve jugosllavë, pa u cenuar në territorin shqiptar. Deri në këtë moment historia tregon se udhëheqësit shqiptarë me në krye Enver Hoxhën, nuk do të ishin drejtpërdrejtë bashkautorë në masakrën e shfarosjes së burrave të rezistencës kosovare. Por marrëveshja e bërë midis UNÇJ me ushtrinë e kuqe ruse, me forcat bullgare dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ të Shqipërisë në 2 shtator të vitit 1944 do të faktojnë të kundërtën.

Çfarë synonte marrëveshja?

Në vjeshtën e vitit 1944, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi. Kjo marrëveshje, e cila kishte synimin parësor luftën kundër fashizmit, devijoi në një plan tjetër ku do të eliminoheshin të gjithë kosovarët, të cilët do t'i bënin rezistencë forcave jugosllave. Luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t'i zhvillojnë gjoja "kundër Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë". Për të argumentuar këtë qëndrim, letra e Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, e shpjegon më së miri qëllimin e marrëveshjes së 2 shtatorit 1944. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim - vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t'i gjykojë menjëherë e fshatarët t'i çarmatosë…". Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës I të UNÇ të Shqipërisë. Marrëveshja UNÇ jugosllave-UNÇ shqiptare: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë. Këtu do të dilte fare hapur emri i më të përfolurit për pjesëmarrje në genocidin kundër shqiptarëve, Ramiz Alisë.

Si e mori urdhrin Ramiz Alia për të qenë pjesë e forcave të UNCSH në mobilizimin e shqiptarëve që do të bënin rezistencë kundër pushtimit jugosllav në Kosovë

Për shumë vite me radhë Ramiz Alia e ka mohuar prezencën e tij në mobilizimin dhe ekzekutimin e mijëra shqiptarëve, të cilët u bënë pengesë e ushtrisë jugosllave në pushtimin e Kosovës. Kjo për shkak të regjimit 50-vjeçar të diktaturës më të egër në historinë komuniste botërore. Duke u mbrojtur nga komoditeti që jepte regjimi komunist në fshehjen e shumë krimeve makabre të bëra nga udhëheqësit politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe eleminimin e dokumenteve, Ramiz Alia nuk është prononcuar asnjëherë për çka ndodhi netët e fundit të marsit 1945. Komisari politik Ramiz Alia, i dyshuari kryesor në vrasjen e mijëra shqiptarëve në librin e tij të botuar së fundmi është munduar të shtrembërojë të vërtetën, por gjithsesi në mes rreshtash ku Alia tregon për momentet e caktimit të tij në krye të Divizionit V nga komisari i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, shumë njerëz do të zbulojnë misionin e fshehtë që do të kishte Divizioni V dhe VI në mobilizimin dhe ekzekutimin e kryengritësve kosovarë. Ndër të tjera, në librin e tij "Jeta ime", Alia shkruan se urdhri i erdhi nga Enver Hoxha, ku i kërkoi që të kryente më së miri këtë detyrë pasi ky mision kishte një rëndësi të veçantë politike. Çfarë ka dashur të nënkuptonte Enver Hoxha me "rëndësinë e veçantë politike"? A mos vallë ky mision ishte një ndër nderet e diktatorit Hoxha në shërbimin ndaj Jugosllavisë? Këto përgjigje duhet t'i japë Ramiz Alia, i cili refuzon gjithmonë të hedhë dritë në prapaskenat e miqësisë së udhëheqësve shqiptarë dhe atyre jugosllavë.

Një pjesë e bisedës midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë e shkruar nga ky i fundit në librin "Jeta ime"

Enver Hoxha:

Ti je caktuar si Komisar Politik i Divizionit V, që bashkë me divizionin VI do të vazhdojnë ndjekjen e ushtrisë fashiste në territorin jugosllav.

Ramiz Alia:

Puna si Komisar Politik më trembte për mungesë përvoje dhe për moshën e re që kisha në atë kohë.

Enver Hoxha:

Partia ka besim tek ti se do ta kryesh më së miri këtë detyrë. Mbështetu tek shokët dhe bashkë me to, që komandat dhe shtabet të kryejnë me nder misionin e madh që u është besuar. Vendimi për dërgimin e dy divizioneve tona për të ndjekur ushtrinë gjermane edhe në Jugosllavi ka rëndësi të veçantë politike. Kështu ne ndihmojmë popujt vëllezër të Jugosllavisë për çlirimin e tyre nga fashizmi.

Pse u zgjodh Ramiz Alia?

Shumë pikëpyetje janë ngritur se përse Ramiz Alia do të ishte njeriu adapt për kryerjen e këtij misioni. Pa asnjë hamendësim, por bazuar në të vërteta historike, Ramiz Alia nuk është shqiptar në gjak. Nga pema gjenealogjike atërore konstatohet se Ramiz Alia ka atësi serbo-boshnjake. E ëma erdhi në Shkodër në fillim dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Gjithashtu, Ramiz Alia kurrë në jetë nuk përmend origjinën e vet, të familjes, farefisit në kujtimet e shumta. Pra, as ardhja dhe as hapat sistematike të Ramiz Alisë në jetë nuk janë një okazion human, por një program i cipuar i shërbimeve jugosllave të asaj kohe. Si pinjoll besnik i gatuar që në embrion me antishqiptari, agjenti serb Alia i infiltruar përmes lëvizjes komuniste, antinazifashiste u bë promotor i deshqiptarizmit të Kosovës dhe ndihmëtar i instalimit të kolonëve serbo-boshnjak.

Faktet që dëshmojnë se Ramiz Alia ka qenë bashkautor i ngjarjeve të marsit 1945

Ramiz Alia mohon të ketë dijeni se ç'ka ndodhur natën e 31 marsit 1945, duke mohuar kështu edhe se ishte në dijeni që kosovarët e mobilizuar nga çetat partizane shqiptare iu dorëzoheshin atyre jugosllave, ku i priste fundi i hidhur i eliminimit fizik. Duke kërkuar në arkivën qendrore të Shqipërisë rreth ngjarjeve të vitit 1945 vihet re eliminimi i dokumenteve zyrtare që kompromentonin udhëheqësit shqiptarë të kohës përgjatë regjimit komunist. Në arkivën qendrore të Shqipërisë është një terr informacioni përsa i përket periudhës shkurt-qershor të vitit 1945 për letërkëmbimet midis Shtabit të Përgjithshëm dhe dy divizioneve V dhe VI të forcave UNÇSH të dërguara në Kosovë. Nga kërkimi i gjatë në këto arkiva, Gazeta "Rilindja Demokratike" ka bërë të mundur gjetjen e disa dokumenteve ku tregojnë urdhrat që vinin nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas.

Menjëherë pas marrjes së detyrës si Komisar Politik i Divizionit V, i cili u çua me misionin "politik" të Enver Hoxhës, Ramiz Alia filloi të kërkonte mendime nga Shtabi i Përgjithshëm për mënyrën e kryerjes në përpikmëri të detyrave të ngarkuara në kryerjen e misionit si dhe të jepte informacione për ngjarjet e ditës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Në letrën drejtuar Shtabit të Përgjithshëm në datën 3 mars 1945, Alia informon udhëheqësin e UNÇSH, Enver Hoxhën se në datën 7 të po këtij muaji, ai dhe forcat e divizionit të tij do të niseshin drejt Novi Pazar-it dhe Mitrovicës. Por ai nuk shkruan se sa do të zgjasë misioni i tij në Mitrovicë. Kjo mbetet e vetmja letër që ekziston në arkivat e shtetit për muajin mars të vitit 1945 nga të tjerat që janë eliminuar nga regjimi komunist për të zhdukur çdo provë që konpromenton lidhjen e Masakrës së Tivarit me udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare.

Letra dërguar Shtabit të Përgjithshëm nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku (Komandant i Divizionit V) 3 mars 1945

Komandës së Përgjithshme

Sipas urdhërit të Komandës së Përgjithshme jugosllave përcjellë me anë të korpusit të II jugosllav, forcat e divizionit tonë po lëvizin në drejtim Novi Pazar, Mitrovicë. Lëvizja do të fillojë në datën 7.3.1945 në mëngjes. Për lëvizjen e forcave tona u morëm vesh me mjekët dhe ramë dakord me qenë se nuk lëvizjen Tonë??, jemi marë vesh edhe me Divizionin VI, i cili do të vendoset në Vuçiternë e rrethe.

 

Nga divizioni i V Rahman e Ramis. (vijon)

 


Bota Sot

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: