Besnik Dizdari: Kur në Tiranë lindte Përfaqësuesja e Kosovës… (II)
| E Merkure, 12.12.2007, 08:32 PM |

Nga Besnik Dizdari

Zbulimi fotografik i 11 themeluesve dhe shpërthimi i Prizrenit

Besnik Dizdari
Javën që shkoi më në fund kemi arritur të njohim shtatë nga 11 emrat e plotë të themeluesve të Kombëtares apo Përfaqësueses së Kosovës të 65 vjet më parë. Po çka është më e rëndësishme, u zbulua foto e 11-shit historik të Kosovës që luajti ndeshjen themeluese të 29 nëntorit 1942 në Fushën e Shallvares së Tiranës. Eshtë merita e përkujdesit dhe përgjurmimit të kolegut AGIM BINAKU, ndër firmat e para të gazetarisë sportive të Prishtinës, mbajtës i Çmimit “Anton Mazreku”. Dhe protagonistët themelues të “Kosovës së futbollit 1942”, ndryshe 11 futbollistët e Kosovës në ndeshjen themeluese të Tiranës të 29 Nëntorit 1942, janë tashmâ së bashku në këte foto që po bohet për herë të parë në shtypin e Shqipërisë.

Ata janë: Daci, Ballanca, Zaimi, Xurxa, Veseli, Hamza, Dulatahi, Vraniqi, Barbaroga, Bajrami, Henci. Të gjithë në foton e rrallë. Kemi zbuluar ndërkaq me emra të plotë këta protagonistë: Mustafa DACI, Ahmet ZAIMI, Mazllum XERXA, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ (Barbaroga). Ende nuk saktësojmë mbiemrat e katër futbollistëve të tjerë: Ballanca, Veseli, Bajrami, Henci. Ndërkohë që Dobrica Barbarogiq, serb nga kombësia (shtypi e jep Barbaroga) të duket se është shprehje bashkëjetese paqësore me pakicat kombëtare edhe në Kosovën e asokohe!...

XXX

65 vjet më parë ata kanë shkuar te ndeshja e madhe e Tiranës me një gëzim të papamë në atë nëntor të çuditshëm të vitit 1942 të 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë – Nanë, nën pushtimin prej Italisë fashiste, por për herë të parë mbas 30 vjetëve të pushtimit serb, të bashkuar me Shqipërinë ata ndjeheshin të pavarun.

Qershori i Kampionatit të parë mbarëkombëtar me Prizren, Prishtinë e Pejë dhe vizita historike në Kosovë e kryeministrit Mustafa Merlika Kruja tashmâ kishin mbetur mbas. Po afronte vjeshta, një nga vjeshtat më të diskutueshme, por po aq dhe më interesante në historinë e Shqipërisë.

Ishte po aq i çuditshëm dhe interesant, madje historik ky vit 1942 edhe për futbollin e Shqipërisë. Riza Lushta ishte bërë fitues i Kupës së Italisë me Juventusin. Naim Kryeziu qe shpallur Kampion i Italisë me Romën. Shqipëria kishte zhvilluar të parin dhe të vetmin Kampionat Kombëtar me pjesëmarrjen e skuadrave të Kosovës, e madje një pjesë e turneut ishte zhvilluar po në tokën e Kosovës, pikërisht në Prizren, skuadra e të cilit ishte renditur e treta, duke tronditur Shallvaren e Tiranës me ndeshjet e saj të bujshme, që kishin qenë të papërmbajtëshme: Prizreni- Peja 2-1, Prizreni- Prishtina 5-0, Prizreni- Shkodra 3-1, Tirana- Prizreni 2-2, Tirana- Prizreni 2-1. Kishte lënë mbas jo dokëdo, por një Durrës e një Korçë, një Berat e një Gjirokastër!

Ndërkaq, shtypi njofton se: “Skuadra përfaqësuese e Prizrenit ka korrë në këto dy javët e fundit fitime të mdhaja, tue konfirmue kështu sukseset e korruna gjatë Kampionatit Kombëtar”.

Eshtë Kampionati Kombëtar, që ne këmbëngulim ta omologojmë e pakta tash pesë vjet, ndërsa asokohe ai pohohej thuajse përditë.

Më 9 shtator 1942, ditë e diel, kuqezinjtë e Prizrenit shpërthejnë në fitoren e thellë 6-1 kundër skuadrës së Tetovës. Një ndeshje e rrallë, jo aq për shifrat, por më tepër për përfshirjen edhe të Tetovës në gjithë këte mjedis të gjërë, të Shqipërisë së Vërtetë. Në Prizren tetovarët mbërrijnë duke udhëtuar edhe me kuaj për shkak të mungesës së transportit. Dhe 6-1 për Prizrenin nën gjykimin e italianit Cupidio.

Ajo ndeshje ishte vetëm paraprova. Papritmas njoftohet se pritej të mbërrinte edhe një herë Shkodra në Prizren. Ndeshja ka vend në orën 17.00 të 13 shtatorit 1942 para rreth 2000 shikuesve, çka për kohën është krejt e jashtzakonëshme! Midis personaliteteve të pranishëm në ndeshje, spikat Gjeneral D'Arle, Komandant i Divizionit të Puglia-s, që në Kosovë kishte marrë famën e një pasionanti të madh të ndeshjeve sportive. Gjyqtari italian Villa, i cili njëkohësisht është një ushtarak i xhenjos, thërret në fushën e lojës skuadrat dhe ndeshja është më elektrizuese se kurr. Eshtë një Prizren ku Ismaili e Zaimi janë dy mbrojtësit para portjerit Riello (italian?). Shporta, Xhara, Xhaferi janë treshja e mesit. Gota është sulmues i djathtë, Vraniqi gjysmësulmes i djathtë, Gjinali qendërsulmues, Vehbiu gjysmësulmues i majtë dhe Osmani sulmues i majtë. Dhe minuta e 15-të ka protagonist pikërisht Gjinalin. Ai shkëmben me Gotën dhe vetë Gjinali tund rrjetën përballë një mbrojtjeje shkodrane disi të hutuar. 1-0 për Prizrenin!. Dhe “në minutën e 28-të zbulohet goli i dytë për Prizrenin”, thotë kronika. Eshtë një kombinim Xhara-Vraniqi-Gota-Gjinali. Eshtë një katërshe kjo të cilën sot e njohim mjaft mirë: Xhara është Fisnik Xhara– kampion me Vllazninë në Kampionatin e vitit 1940 i kthyer në Kosovën e tij. Vraniqi është Ramadan Vraniqi, vëllai i gazetarit sportiv, Veli Vraniqit, një nga më popullorët e Kosovës. Sezair Gota është titullari i shquar i “Metohisë” së Prizrenit, klub ndër të parët e më të fortët e Kosovës qysh heret. Gjinali dihet, Skender Gjinali, një figurë e shquar sportive, shoqërore, kulturore e Kosovës, kampion me Sportklub Tiranën e Riza Lushtës më 1936, por dhe me Vllazninë– kampione më 1940. Kishte veshur edhe fanelën e Besës, gjithnjë në vitet ’30. Gjinali është protagonist edhe në këte 1942. Ai zotëron topin, mashtron Muhamet Dibrën e Shkodrës, kalon te Osmani i Prizrenit, i cili i vë firmën golit.

Shkodra e sheh veten në 0-2 dhe tashma bindet se Prizreni është e keqja e saj “e përgjithmonëshme” kur kujton humbjen e kampionatit me te. Megjithate kërkon të paktën golin e ashtuquajtur “të nderit”. Por ndesh në qëndresën e Ismailit, të Zajmit e të Shportës në një ditë mjaft të mirë, teksa mbaron pjesa e parë 2-0. Me fillimin e pjesës së dytë ata lëshohen në kërkim të përmbysjes së rezultatit dhe e bartin gjithçka në gjysmëfushën e Prizrenit. Por këta kanë një portjer mjaft të mirë që është Riello, i cili nuk lejon. Megjithate “jemi në të 18' minutë të kohës së dytë - siç shkruhet, - dhe këtu ka vend i vetmi sukses i Shkodrës”. Eshtë një veprim i hijshëm vërtet, dhe Nehani ia kalon topin Osmanit, ky Berishës, që gjuan fort, Riello pret, në të vërtetë kthen, dhe topin e riardhur e përcjell në rrjetë Abdija. Eshtë 2-1 përfundimtar.

Fusha e Prizrenit shpërthen prej gëzimit të tifozëve vendas. Shkodra dorëzohet përsëri në Prizren ashtu si tre muaj parë, më 21 qershor 1942, pra kur në ndeshjen e madhe të kampionatit ishte përkulë 1-3. Muhamet Dibra, Latif Alibali, Isuf Pelinku, Beqo Osmani me shokë, të cilët mbas tre vjetëve do të shpallen Kampionë të Shqipërisë së Mbasluftës, janë të detyruar të njohin epërsinë prizrenase përballë tyre. Ata do ta kishin revanshin shumë vonë, mbas tre vjetëve, më 1945, kur në turneun e tyre të paharrueshëm për herë të fundit në Kosovë, do të fitojnë 3-0 kundër Prizrenit mbasi kishin dhënë shfaqjen 6-0 në Prishtinë me skuadrën me të njëjtin emër! Ajo ishte Shkodra e Loro Boriçit... Ata do të kthehen në Shqipëri, pa iu shkuar ndër mënd se do ta shkelnin Kosovën vetëm mbas 56 vjetëve! Ishte ndalesa e madhe thuajse shekullore midis Kosovës e Shqipërisë, të cilën as fashizmi nuk e bëri. E bëri regjimi komunist.

Ramadan Vraniqi, Skender Gjinali, Ramazan Hima, Hasan Balla…

Dhe rikthehemi te ky vit i paimagjinueshëm 1942, kur nën pushtim, Kosova e Shqipëria ishin një, dhe ndërkaq një bashkim futbolli po arrinte që çuditërisht të na çonte vërtet te një bashkim sui generis. Nuk ka dyshim se ardhja e Skender Gjinalit dhe e Fisnik Xharës në 11-shin prizrenas, dukej se i kishte ridimensionuar punët dhe tashmâ pritej diçka tjetër. Formimi i një skuadre të përbashkët Përfaqësuese të Kosovës po fillonte të bëhej diçka konkrete. Ajo duhej të dilte në fushën e lojës, thotë mendja e Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora.

Futbollistët e tjerë, si të thuash, do të kryesoheshin prej mesfushorit 20-vjeçar, Ramadan Vraniqi, me të cilin isha “takuar” në një foto sportive të nxënësve të Normales së Prishtinës të viteve të Luftës së bashku me njeriun tim të afërt, mësuesin e shquar Feti Dizdari, përveç të tjerave, figurë e madhe e sportit shqiptar. Eshtë një gjashtëshe sportive e Normales në fjalë nën kostumin sportiv, me në krye mësuesin e tyre Feti Dizdari. Janë të rinjtë Hasan Kaleshi, Xheladin Softa, Fuad Grapci, Hamit Thaçi, Nijazi Burgi Deva dhe siç merret me mend, edhe personazhi ynë i madh, Ramadan Vraniqi. Në të vërtetë, të gjithë progatonistë të një historie, të shumë historinave të djeshme e të sotme që Shqipëria, sidomos Shqipëria, ende nuk i ka prekë…

Ndalem sërish te Ramadan Vraniqi – më mbas figurë e mirënjohur e jetës politiko-shoqërore dhe kulturoro-sportive të Kosovës, në një farë mënyre edhe personazhi im, deri para pak “i panjohur”, i shkrimeve të ciklit dhe librit të Kampionateve të Luftës. Tash me emër e mbiemër. Luftëtar kundër nazizmit, ku siç thotë një nga mirënjohësit e tij, gazetari i mirënjohur Gani Ajeti, “hyri i mashtruar sepse e paramendonte si të çlirimit të kombit”, njeri i politikës (ambasador në Turqi) dhe i sportit të Mbasluftës, kryetar disavjeçar i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, themelues i klubit “Liria” të Prizrenit, lojtar, kapiten, drejtues dhe trajner, kryetar i Komitetit Organizativ të Kampionatit Evropian të të Rinjve të UEFA-s (1968, Grupi B) zhvilluar në Kosovë – një ngjarje e jashtëzakonshme në Kosovën sportive. Dhe së bashku me shokët e tij kishte themeluar Kosovën e futbollit më 1942. Dhe si në një fatalitet të gjeopolitikës, mu këtij Ramadan Vraniqit do t’i takonte të ishte njeri prej kryesuesve të delegacionit të Jugollavisë në Lojërat Olimpike të Romës më 1960 ku ekipi jugosllav me Jusuf, Galic, Kostic Soskic, Takac me shokë fitoi titullin e Kampionit Olimpik.

Por… ka befasi të tjera. Shtatë vjet më vonë Ramadan Vraniqi do të jetë pjesë e kreut drejtues të Jugosllavisë së Rajko Miticit në ndeshjen e saj me Shqipërinë, 0-2 më 1966 në Tiranë.

“… Eshtë 14 maj i vitit 1967, - ka shkruar Gani Ajeti - Ora 17.00. Stadiumi “Qemal Stafa”. Të dy përfaqësueset janë rreshtuar në mesin e fushës… Dëgjohen tingujt e himnit kombëtar… Emocionet nuk kanë fund as të ndalur. Sytë e Ramadanit vezullojnë nga mburrja dhe gëzimi. Eshtë hera e parë që qëndrojmë gatitu para flamurit tonë…”

I ndodhte kjo një njeriu, një shqiptari të Kosovës, një ish futbollisti po dhe kryetari të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili 25 vjet më parë me shokët e tij kishte themeluar Përfaqësuesen e Kosovës po në këte Tiranë, vetëm treqind metra më larg prej këtij Stadiumi, aty, te Fusha e Shallvares. Ramadan Vraniqi nuk mundi të përjetonte çastet e pashlyeshme të vitit 2002, kur në Stadiumin piktoresk të Prishtinës, dy Përfaqësueset, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, dilnin në fushën e lojës para mizërisë së mijëra shikuesve të Prishtinës në Ndeshjen e Lirisë. Kishin pritur 60 vjet, qysh nga ndeshja themeluese e Tiranës më 1942. Ramadan Vraniqi nuk ia arriti. Ishte ndarë nga jeta në vitin 2000. Duke lënë emrin. Dhe jo vetëm ai…

Sepse personazhet historikë të tregimit tonë nuk mbarojnë këtu. Një tjetër ishte kampioni i mirënjohur i viteve ’30 të Sportklub Tiranës, Skender Gjinali, i rikthyer asokohe në Kosovën e tij, dhe i cili ka treguar se ka qenë pikërisht Ramadan Vraniqi një nga mbështetësit e krijimit të klubeve të futbollit në Kosovë. Gjinali shkruan se ishte pikërisht Vraniqi ai që mbështeti këte organizim. E vërteta tregon se skuadrat kosovare, ku sidomos Prizreni ishte forcë e parë, u krijuan, luajtën dhe mbërriten deri te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës mbas gati 30 vjetëve (1913) kur edhe atje si në Shqipëri, kishin qenë austrohungarezët ata të cilët iu kishin treguar futbollin edhe shqiptarëve të Kosovës.

Ata morën pjesë në njërin nga tre Kampionatet e periudhës, atë të vitit 1942, të cilët kemi provuar se janë kampionate kombëtare dhe qenë pikërisht këto tre kampionate që çuan te themelimi i jashtzakonshëm, historik i Përfaqësueses së Kosovës pikërisht më 1942, kur siç shkruan edhe Gjinali, është viti i një veprimtarie të gjërë të futbollit në Kosovë deri në ndeshje edhe me Divizionin Ushtarak italian në Prizren. Skender Gjinali, Mazllum Xërxa, Ramadan Vraniqi, Bezat Shporta, Sezai Gota, Sezai Surroi, Reshat Isa, janë protagonistë, ndonëse nuk arrijmë të kuptojmë përse disa prej këtyre, nuk gjënden mandej në ndeshjen e madhe të Shallvares nën fanelën e Kosovës. Ndonëse, siç zbulon kolegu Agim Binaku, maqina me të cilin udhëtonin për në ndeshjen e Tiranës atë 1942, pëson një aksident të rëndë dhe disa futbollistë lëndohen. Me sa duket kjo do të ketë qenë arsyeja e mungesës së Skender Gjinalit dhe ndonjë futbollisti tjetër. Në foton tonë historike të Kosovës në Shallvaren e Tiranës, në rreshtin ulur duket me kryet e fashur portjeri Mustafa Daci!

Kështu, në gjallërinë e çuditshme të mjedisit të këtij zhvillimi futbollistik mbrenda Kosovës, i afrohemi 28-29 nëntorit 1942 të 65 vjetëve më parë, kur do të dalë në fushën e lojës Përfaqësuesja e Kosovës. Rrethanat e kanë dashtë që ajo pasi është krijuar në Kosovë, të përurohet në Tiranë.

Nëntori vjen krejt i vrullshëm. Festa ndihet ditë të tana përpara. Kudo një gjallëri jete, kulture, veprimtarish të pafund. Sporti është aty mbrenda e jashtë fushës, mbrenda vetë shoqërisë sportive. Shtypi njofton ndërkaq, me elegancë episode e ngjarje tejet tërheqëse. Veçojnë njoftimet për dy kampionë të mirënjohur të Sportklub Tiranës, Ramazan Hima- kampion më 1936 dhe Hasan Balla- kampion më 1937, por dhe në Kampionatin e periudhës së Luftës 1939, gjithnjë i Sportklub Tiranës. Hasan Balla është i jati i kameramanit të shquar të Televizionit Shqiptar, Lulzim Balla, e rrjedhimisht edhe gjyshi i gazetarit të brezit të ri, gjithashtu të mirënjohur, Sokol Balla. Kësisoji gjithça të përqaset si te një traditë e “bijve të artit”, teksa trashëgohen kësisoji bota e interpretimeve publike, pavarësisht zhanreve të ndryshme.

“Gëzime ndër shtëpija sportistësh” titullon shtypi për Himën e mirënjohur, duke shtuar: “Të dielën e kalueme celebroi martesën e vet lojtari i mirënjohur i “Sportistëve të Vjetër” e tashma përsëri edhe i skuadrës përfaqësuese të Tiranës, Ramazan Hima. “Gëzim në shtëpinë e nji sportisti” titullon përsëri shtypi pesë ditë më vonë të këtij nëntori sensacional të historisë së Shqipërisë, duke njoftuar po në këte stil origjinal për martesën e Ballës: “Të dielën e kalueme celebroi martesën e vet lojtari i mirënjohur i skuadrës përfaqësuese të Tiranës, Hasan Balla, i cili ka fitue simpatin ma të shqueme ndër të gjithë sportdashësit e vendit t’onë. Çiftit të ri i shfaqim urimet ma të përzemërta për nji jetë shum të lumtun dhe fatbardhë”.

Vetëm pak ditë më mbas të sapomartuarit Hima dhe Balla do të ishin në 11-shin e Tiranës përballë Kosovës në themelim, duke qenë madje ndër më të mirët…

Atmosferë 1942 dhe 30-vjetori i Pavarësisë

Ndërkaq, përtej detit shpërthejnë shqiptarët. Mbrenda një dite të diele nëntori, luajnë njëkohësisht tre shqiptarë të mëdhenj të futbollit.

Shkruan “Tomori”: “Riza Lushta ka kontribue, si zakonisht, në nji shkallë të gjanë në fitimin e bujshëm juventin (3-0) të këputun në Livorno… . Loro Boriçi luejti si half me skuadrën e Lazios në ndeshjen e fitueme 2-1 kundër Vincenzës. Simbas mendimit të “La Gazzetta dello Sport” të Milanit, Boriçi ka qenë lojtari ma i miri i vijës së mesme të Lazios.

… Sllave Llambi asht tue luejtë gjithnji half në skuadrën e Fanfulla-s, qi merr pjesë në divizionin kombëtar B dhe të dielën e kalueme mbylli match të barabartë (1-1) me skuadrën e fortë të Brescia-s. Edhe loja e Sllave Llambit asht tue u çmue mâ s’mirit”.

Loro Boriçi half, Sllave Llambi me Fanfulla-n, ndërsa Lushta si Lushta! Në vitin e tij të madh 1942 kur arrin në 15 gola të tij juventinë, dhe një vit më vonë kryeshënuesi më i mirë i Serie A për lojtarët e huaj: 17 gola duke qenë thuajse në një vijë me Piola-n (21)– më i miri i botës! Qysh atëherë adn-ja e futbollit shqiptar…

Ndërsa në Tiranë themelohej Kombëtarja e Kosovës…

Nuk ka dyshim se në skenë dhe në prapaskenë ishte pushtuesi fashist, tejet i aftë për ta shfrytëzuar këte përvjetor për synimet e tij. Po nga ana tjetër, shqiptarët dijnë ta shfrytëzojnë edhe ata gjithçka për afshin e atdhetarisë së zemrës së tyre. Mjafton të përimtosh programin e Radio Tiranës së 28 Nëntorit 1942:

“Ora 7.05: Këngë atdhetare; 8.15: Kangë popullore;12.30: Kangë atdhetare; 12.45: Kangë popullore; 13.45: Orkestra popullore; 17.00: Vargje atdhetare; 19.20: Kangë nga malet shqiptare; 23.00: Kangë atdhetare.”.

Ndërkaq, nga vështrimi i historisë së gazetarisë së folur, Radio Tirana vendos padyshim një rekord të që i bën nder në Evropë. Mbrenda një dite të vetme, atë 28 Nëntor 1942, ajo ka patur katër transmetime të drejtpërdrejta: “12.10: Lidhje me Pallatin Mbretnuer për të transmetue radiokronikën dher zhvillimin e ceremonisë. 14.00: Ligjerata kremtuese e Kryeministrit Shk. Mustafa Merlika Kruja dhe kumtimi i Ministrit të Arsimit për pagëzimin e shkollave dhe rrugëve me emna patriotësh. 21.00: Lidhje me Theatrin Savoia, transmetim i zhvillimit të Mbrambjes artistike”.

Cilët mund të kenë qenë radiokronistët? Tejet interesante për t’u hulumtuar edhe këto themelime të jashtëzakonshme në sferën e gazetarisë së folur në Shqipëri mbas sensacionit po të rangut evropian, të transmetimit të drejtëpërdrejtë për herë të parë në histori të ndeshjes së shtatorit 1938, SK Tirana– Iraklis e Kavallës 7-0, prej Anton Mazrekut.

Festimi i 30-vjetorit të Pavarësisë më 1942 në Tiranë, ka kështu përmasa madhështore të ceremonialit. Të shtime topash qysh në mëngjezin e 28 Nëntorit, paradë ushtarake në atë që quhej “Shëtitorja e Perandorisë”, ceremonia e ngritjes së flamurit në Sheshin Skenderbej, manifestim popullor po në Sheshin Skenderbej, pritje në pallatin Mbretëror, fjala e kryeministrit në Radio Tirana, pagëzime shkollash nga Ministri i Arsimit me emra atdhetarësh të shquar, po kështu pagëzime të rrugëve të Tiranës, e në mbrëmbje shfaqje madhështore në Theatrin Savoia.

Kjo ishte dita e 28 Nëntorit 1942, e gjitha e zënë prej një dendësie të papame veprimtarish. Dhe është kjo zënie e plotë e ditës së 28 Nëntorit, që e shtyn organizimin e ndeshjes themeluese të

Përfaqësueses së Kosovës për një ditë më vonë.

Ngjarja unikale daton kështu ditën e hënë, 29 nëntor 1942. Dihej ndërkaq, që katër shqiptarë të Kosovës, futbollistët kosovarë më të mëdhenj të kohës, ishin përshkuar në Kampionatet e Shqipërisë të viteve '30: Riza Lushta e Naim Kryeziu, Skender Gjinali e Mazllum Xërxa. Dy të parët origjinarë të Sportklub Tiranës, dy të dytët me Vllazninë e Shkodrës, por Gjinali përveçse edhe me Besën e Kavajës, është gjithashtu titullar i Sportklubit. Dhe se tre prej tyre, Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Mazllum Xërxa janë pjesë e 11-shit themelues të Kombëtares së Shqipërisë më 12 mars 1936, ditë kur ajo doli për herë të parë në fushën e blertë nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.

Kësisoji, mbërritja te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës në 29 nëntor 1942, nuk është asgjë tjetër veçse lidhja vazhduese vetëm me një datë: 28 Nëntorin 1942, ditën e 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën derdhi aq gjak sidomos Kosova. Dhe Italia fashiste, e cila përkujton me bujë këte 30-vjetor së bashku me një ndeshje futbolli me plot kuptim: ndeshja që themelonte Përfaqësuesen e Kosovës. Protagonist i organizimit është Ekrem bej Vlora, Ministër i Tokave të Lirueme, njeriu kryesor, siç kam shkruar me kohë, në organizimin e të vetmit Kampionat Mbarëkombëtar të Futbollit, me Shqipëri e Kosovë.

Ndeshja themeluese e Përfaqësueses së Kosovës

Mbërrin 29 nëntori 1942 dhe Shallvarja pret ndeshjen vetanake (unikale). Nuk ka dyshim se ndeshja ka karakterin e saj politik, natyrisht nën vëmëndjen e qarqeve fashiste, po nga jashtë ajo ka një pamje të rrallë shqiptare. Shtypi shkruan se ishin 8000 shikues, që rrethonin në të katër anët fushën sportive të Shallvares. Thuhet se ishte një ndeshja e organizuar nga e ashtuquajtura Vepra Kombëtare e Mbaspunës Shqiptare. Për çka Shallvarja ka një pamje tejet zyrtare në tribunën e saj të autoriteteve. Ndodhet Ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, Nënsekretari i PKF (Partia Kombëtare Fashiste) Qazim Bllaca, Komisari i Jashtzakonshëm i Tiranës (Kryetari i Bashkisë) Omer Fortuzi, Federali i Pejës, Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, një "delegacjon i tanë i ardhur nga Kosova për kremtimet e 30-vjetorit të pamvarësisë shqiptare", siç thuhet fjalë për fjalë. Ndeshja ka një ceremoni zyrtare tejet të parashikuar. Kryetari i Veprës Kombëtare të Mbaspunës Shqiptare, Vasil Alarupi bën nderimet e rastit dhe vetëm mandej nis futbolli.

Skuadrat kanë emërtimet e tyre edhe këto të parashikuara. Nuk kemi të bëjmë me Sportklub Tiranën, por me Përfaqësuesen e Tiranës përballë Përfaqësueses së Kosovës. Eshtë ora 14.30 e 29 nëntorit 1942 dhe për herë të parë Përfaqësuesja e Kosovës e sheh veten të marrë udhë në histori. Ky është çasti i themelimit historik.

Ajo ka qenë një nga ndeshjet më tërheqëse që ishte parë në Tiranë në ato kohë. Gjithçka fillon me gol, madje qysh në të 5', kur Përfaqësuesja e Tiranës e sheh veten në 1-0 duke shuar menjëherë një shpresë kosovare. Eshtë një kombinacion që lind mbas pritjes së portjerit Mustafa Daci të Kosovës dhe Zyber Lisi sapo kishte lëshuar një nga goditjet e tij të papritëshme. E mbas pak lind kombinacioni Demneri-Koxhaj-Balla-Bylyku-Visha. Eshtë një gol spektakolar i Ali Vishës, dëshmorit të ardhshëm, i cili fluturim, pa e lënë topin të bjerë në tokë, gjuan fort dhe tund rrjetën e Dacit. 1-0!

Kronika e lojës natyrisht që nuk merr fund këtu. Ajo është tejet e pasur dhe përshkohet në gjysmëfushat e të dyja skuadrave. Laçej pret gjuajtjen e rreptë të Mazllum Xërxës, për të cilin shtypi shkruan “se është gjithmonë ai i vjetri”, me kuptimin e forcës së mirënjohur të tij si ish lojtar i Vllaznisë në vitet ‘30 dhe pjestar i Kombëtares së 1936-tës. Goditje këndi në portën e Kosovës, kundërzbritje të tyre, gjuajtje e fortë e Deranit të Tiranës, kënd për Kosovën në të 44' dhe këtu marrin fund episodet e pjesës së parë.

Në të dytën gjithçka fillon me gjuajtjet e Ballës e të Bylykut. Kronika thotë se “mbrojtësit kosovarë Zaimi dhe Ballanca janë shumë të mirë” dhe largojnë rreziqe. Dhe ja ku del në skenë Bajrami, gjysmësulmues i majtë, “me ide të shkëlqyeshme loje dhe jep kalime shumë të matuna”. Por minuta e 9-të i përket Dulatahit. Gjithçka përsoset prej Hamzës e Xërxës, kalim te Bajrami, Henci dhe Dulatahu i vetëm para Laçejt, çka duket një gol i sigurtë, por… shtyllë! Këtu nis epërsia e Kosovës. Vijnë dy goditje këndi dhe në të 14' prap Dulatahu e ka golin ndër këmbët e tij. Eshtë sërish krejt i vetëm përballë Laçejt, teksa gjuan jashtë. Dhe pa kaluar pak sekonda përsëri i vetëm po ky Dulatah tek flak tej topin gjithnjë i vetëm para portës!

Nisin ndërkaq e tronditen shtyllat. Në të 20' Zyber Lisi godet fort shtyllën e Dacit. Në të 23' është Ramadan Vraniqi që godet shtyllën e Laçejt. Në të 27' i takon Bajramit të realizojë gjuajtjen e tij të shkëlqyer: shtyllë! Mbrojtja e Tiranës me në krye Xhavit Demnerin, Muc Koxhjen e ardhur nga Shkodra, Himën, Qirin, Kuranin e Laçejn, të shumtë në numur, jashtë taktikës së kohës, tashmâ kërkojnë të ruajnë vetëm 1-0-n. Por ja minuta fatlume e 44' dhe 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës! Eshtë një kryevepër e kohës. Ali Visha e çon topin te Hasan Balla, ku Akil Deranit, i cili harkon për në qendër të mbrojtjes mike, e aty kërcen Zyber Lisi dhe me krye tund rrjetën e Mustafa Dacit. 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës, e cila merr një fitore të bukur, të mundimshme përballë një 11-shi të krejt befasues nga Kosova.

Gjyqtari dëgjuar i epokës, Abdurraham Toptani- figurë e shquar e sportit kombëtar - shénjon mbarimin e ndeshjes, i lumtur se i kishte takuar atij të zyrtarizonte në mënyrë protokollare themelimin e Përfaqësueses së Kosovës mu në Tiranën e tij:

Tiranë, Shallvare, 29 nëntor 1942

PERFAQESUESJA E TIRANES - PERFAQESUESJA E KOSOVES 2-0

TIRANA: Halit LAÇEJ, Ramazan HIMA, Dik QIRIQI, Bajram KURANI, Muc KOXHJA, Xhavit DEMNERI, Hasan BALLA, Akil DERANI, Zyber LISI, Tas BYLYKU, Ali VISHA.

KOSOVA: Mustafa DACI, BALLANCA, Ahmet ZAIMI, Mazllum XERXA, VESELI, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ, BAJRAMI, HENCI.

GOLAT: Ali VISHA 5', Zyber LISI 89'.

GJYQTAR: Abdurrahman Toptani

Tashmâ Përfaqësuesja e Kosovës edhe pse në humbje, ishte përuruar në themelimin e saj në një ditë të paharrueshme të 29 nëntorit 1942, në ditët e festimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë. Thotë kronika e shtypit:

“Nji mot i butë dhe shumë i favorshëm për lojën e topekambës desht me e shoqnue përzemërsisht ndeshjen aq të randësishme ndërmjet skuadrave Përfaqësuese të Kosovës dhe të kryeqytetit”.

Historia kishte shkruar kështu, ditën e themelimit të Përfaqësueses së Kosovës. Ishte themeluar në një ditë të shënuar të kremtimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë, ndonëse për fat me dekadat që do të vinin, gjithçka do të harrohej, madje do të fshihej nga historia, për të rihyrë mbas 60 vjetëve pikërisht në ditët e rikthimit të madh, historik të Përfaqësueses së Kosovës në lirinë e konsakruar. E kemi fjalën për 6 shtatorin 2002, Kosova– Shqipëria 0-1, në Prishtinë. Ku si për të dashtë për me dhënë një atmosferë të vetvetishme edhe ndërkombëtare, në stadium janë përfaqësues të trupave të NATO-s, ndërkohë që trajner i Shqipërisë është një italian: kampioni i botës Giuseppe Dossena, të cilit i sulen ushtarët italianë për t’i marrë autografe e për t’u fotografuar me te!

“Skuadra kosovare, - pëmbledh gjykimin e tij shtypi i kohës së vitit 1942, - humbi 2-0. Por me lojën që zhvilloi, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes provoi se nuk e meritonte nji humbje kaq të thellë. Nji përfundim prej dy golash me nji, në fitim të Tiranës, do t'i ishte përgjegjë ma mirë e ma besnikisht lojës që zhvilluen dy skuadrat”.

Duket se ka qenë një ndeshje e bukur nga të dy palët dhe ndërsa çmohet përvoja e kryeqytetasve, theksohet së përbërja e Kosovës “me elementë të katër qyteteve, tre pejanë, tre gjakovas, tre prishtinas dhe dy prizrendjanë, nuk kanë pasë shumë kohë që të stërviten së bashku”. Për çfarë nuk ia arritën të shkëlqejnë në sidomos në pjesën e parë, teksa në të dytën ata erdhën duke përforcuar harmoninë e një loje, që mund t'i kishte çuar edhe te barazimi. “Tre topa kosovarë rrahnë shtyllën e tiranasve”, thotë kronika. Dhe më poshtë: “Lojtarët e të dyja skuadrave meritojnë lavdatat ma të shqueme pse i dhanë jetë nji ndeshjeje të shpejtë dhe krejt vllaznore”.

Dhe mbyllja përsëri zyrtare.

Mëkambësi i “Vitor Emanuelit të Tretë, Shkëlqesa Jacomoni pret përzemërisht skuadrat”.

Edhe kjo hyn në historinë e epokës. Pritja është bërë ditën e nesërme të ndeshjes, 30 nëntor 1942. Skuadrat të prira nga Kryetari V.K.P.SH., Këshilltari Epror, Vasil Alarupi që iu prin, paraqiten te Jacomoni, ku janë të pranishëm edhe kryeministri Mustafa Merlika Kruja, Ministri i Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, Këshilltari i Përhershëm i Partisë Fashiste Shqiptare, Lugini, z,. Bllaca e z. Fortuzi. Më mbas dreka e dhënë për të dy skuadrat nga Bashkia e Tiranës në prani të Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, organizatori kryesor i këtij themelimi.


2007: Kosova është gati!

Ky ishte tregimi ynë historie në një 65-vjetor, një kthim mbrapa në kohë dhe i gjithë dossier-i ynë për atë themelim të vitit 1942. Historia kjo është. Mbi bazën e saj lind vazhdimësia e saj, sido që të vijnë kohërat, kur edhe sporti, i cili kurr nuk mund t’i shpëtojë zyrtarizmit politik, ndonëse nga jashtë duket sikur nuk ka punë me te, papritmas rikthehet në origjinë. Futbolli përfaqësues i Kosovës, natyrisht nuk lindi më 1942, kur dijmë që pjesa dërmuese e klubeve kosovare janë themeluar në fillim të viteve '20 – ’30. E pra nuk mund të thuash se ideja e Përfaqësueses së Kosovës, është diçka e re, pa traditë, sado që për arsyena që dihen, deshën t'ia shuajnë historinë. Midis 28- 29 nëntorit 1942 dhe këtyre 2007, është një 65-vjeçar i dhimbshëm, prekës e ringjallës megjithate, edhe për futbollin e Kosovës, një hark i pacak midis themelimit nën pushtim, veçse në një Shqipëri të Vërtetë, si dhe këtij në paqën 2007 të Kosovës së lirë, krejt në prag të shtetformimit të pavarun.

Prologu tashmâ rrezikon të vjetrohet. Qysh pesë vjet më parë “France Football” përmes dosser-it të tij për ndarjen e kryer edhe në futbollin e ish Jugosllavisë, e trajtoi Kosovën si etnitet futbolli të pavarur, ashtu si Serbinë, Kroacinë, Slloveninë, Maqedoninë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi. Ishte hera e parë qysh mbas mbarimit të Luftës në Kosovë. Qysh atë kohë, Kosova ia ka arritur të dalë në fushën e lojës, duke sfiduar paksa edhe FIFA-n e UEFA-n. Shqipëria sportive dhe e futbollit nuk ka guxuar më asnjëherë qysh mbas vitit takimit zâmadh të Prishtinës 2002. Një heshtje pesëvjeçare, ndonëse jo pak por nëntë futbollistë të Kosovës, kanë veshur fanelën e Kombëtares së Shqipërisë, duke i dhënë asaj pamjen më mbarëshqiptare të mbrenda e jashtë kufijve të Shqipërisë zyrtare e kufinore shtetare. Po i rendisim simbas rradhës kur ata e kanë veshur fanelën kuqezi të Shqipërisë së tyre dhe me shifrën e ndeshjeve që kanë luajtur:

Besnik HASI (43) Arian BEQAJ (31), Mehmet DRAGUSHA (10), Lorik CANA (29), Debatik CURRI (13), Bekim KASTRATI (2) Armend DALLKU (22), Besart BERISHA (7), Blerim RUSTEMI (3). Të gjithë së bashku japin plot 160 herë nën fanelën e Kombëtares. Eshtë rast vetanak (unik) në botë, që kaq veshje fanele, 160, në Kombëtaren e një shteti t’i përkasin futbollistëve të cilët nuk dalë prej mbrenda kufijve zyrtarë të atij shteti! Ky është zgjerimi gati legjendar i hapsirës së Kombëtares së Shqipërisë që ia kanë blatuar talentet e mëdhenj të Kosovës së pashterrshme në gjithçka.

E gjitha kjo është shumë. Sidomos kur kujton se edhe tash së fundi pati ndeshje kur gjysma e Kombëtares së Shqipërisë përbëhej nga bij të talentuar të Kosovës.

Kosova si Përfaqësuese tashmâ ka dalë në fushën e lojës. Ndonëse për herë të parë në histori ajo ka dalë në fushën e lojës 65 vjet më parë, në vitin fatthënë 1942 të 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kur mendja e ndritun e Ekrem bej Vlorës dhe Mustafa Merlika Krujës shpaloste dhe realizonte një ide të madhe atdhetare.

Kosova është gati!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: