Pëllumb Gorica: Rrugë të vjetra në Sulovë të Poshtme
| E Shtune, 07.08.2010, 09:58 PM |

Rrugë të vjetra në Sulovë të Poshtme

 

Nga Pëllumb GORICA

 

Sulova e Poshtme është zonë e Elbasanit. Shtrihet midis kufirit ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore; pikërisht në të majtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll. Në territorin e saj, rrugët kanë qenë të natyrshme dhe të pranishme që në lashtësi, jo vetëm për qëllime tregtare, postare, por kanë pasur edhe karakter strategjik, luftarak.

 

Një degë jugore e rrugës Egnatia kalonte në Sulovë

 

 Rruga Egnatia kishte një degëzim në luginën e Devollit në Sulovë, duke ardhur nga qyteti antik i Apolonisë e Antipatraeas (Berati) për në Scampini (Elbasani). Ky degëzim,që megjithëse ka shenja,është më pak i njohur në hartat e dokumente e kohës,një nga rrugët më të herëshme në territorin e Sulovës. Arkeologu Neritan Ceka në revistën arkeologjike “Monumentet”, nr 2, viti 1972, faqe 31 shkruan: “Gjatë periudhës së sundimit romak kalonte në Sulovë një degë e rrugës Egnatia, dega e luginës së Devollit. Një rrugë ndërlidhëse jugore me luginën e Devollit, kjo e degës jugore të Egnatias me Scampinin”.

 Lidhur me itinerarin e saj studiuesi i rrugëve dhe urave të vjetra në Shqipëri Valter Shtylla në librin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri”, faqe 25 shkruan: “Kjo degë duke ndjekur anen e djathtë të Semanit (Devoll pas urës së Kuçit) arrinte ne Gostime, ku Devolli kthente drejtimin nga veri- perendimi ne jug-perëndim e prej këtej pasi takohej rrugën e Korçës të luginës së Devollit vijonte  vijonte për në veri-lindje dhe në Jagodinë pasi merrte edhe rrugën e Belshit në Dumre vijonte për në Shkumbin tek  ura e Topçiasit,që e lidhte me Scampin” Në shtigjet,qafat,në luginat ku kalonte ajo ka pasur kala, kulla, klose. Në lindje të fshatit Kamuna  gjendej  fortifikimi i njohur Kulla e Kamunaut. “Kulla e Kamunaut kontrollonte hyrjet dhe daljet e kësaj rruge. Rrugë që vinte nga krahinat e Ultësirës së Adriatikut. Lidhte Apoloninë dhe Antipatraean me Scampinin e më tej.(“Historia e popullit Shqiptar” vëllimi I, faqe 88. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, viti 2000) Tjetër dëshmi, që është një fakt i pamohueshëm, është se pranë rrugës ndodhej kalaja e Qafës, me veprimtari nga shekulli i VI e deri në pushtimin turk.“Mbrojtja e rrugës Egnatia përveç fortifikimeve të qyteteve u sigurua edhe ndërmjet ndërtimit të kalave të cilat kontrollonin rrugët. Për të kontrolluar daljen e rrugëve natyrore nga lugina e Devollit në fushën bregdetare u ndërtua kalaja e Qafës...”(Neritan Ceka “Ilirët”,faqe 244).Në mbrojtje e ruajtje të rrugës ishte ngritur edhe një vendbanimi(Klosi i vjetër) fare pranë kalasë së Qafës.

  Kjo degë e rrugës antike Egnatia përfaqësonte një shkurtim, por që nuk duhet të ketë pasur rëndësi të madhe dhe të jetë kaluar në mënyrë të përhershme. Kushte këto që ishin karakteristikë për rrugët dytësore. Traseja e kësaj rrugë në rastin më të mirë na ka lënë vetëm ndonjë fragment, me gurë të mëdhenj e të shtruar me kujdes në toponimet: Hurdha e Çobankës, Bregu i Gjatë, Kloset, Guri i Bardhë, Gur i kuq, Graxhua, Qelë, Zhavur, Skunaj, Kulë. Ajo kalonte në luginën e Sulovës rrëzë kodrave. Rrugë që për arsye të terrenit të pjerrët, për të evituar gërryerjen ka pasur pragje në trajtën e shkallëve. Për shkak të terrenit të pjerrët ku kalonte aty këtu ka pasur dredha dhe e ngushtë. Ngushtësi që shkonte 1–1, 5 m.

  Kjo rrugë është përdorur për qëllime strategjike e ushtarake. Kanë kaluar ushtri të ndryshme. Dëshmi dokumentuese na bëjnë të njohur se ka qenë rrugëkalim i shkurtër i ushtrive Iliro-Romake. Kjo mund të ketë qenë edhe rruga e përshkuar nga konsulli romak Sulpici që pushtoi gjatë fushatave edhe Desaretinë. Në këtë rrugë ka kaluar edhe Çezari me ushtrinë e tij në përparimin e tij për në  Dyrrakun kur u ndesh me Pompeun, por edhe në largimin pas betejës. Studiuesi austriak Gjergj Veith, që ka shkelur edhe Sulovën e Poshtme në vitet e Luftës së Parë Botërore si kolonel i trupave austro-hungareze, në botimin e tij historik “Fushata e Durrësit ndërmjet Çezarit dhe Pompeut”, faqe 11, shkruan: “Në vitin 48 para Krishtit trupat e Çezarit përshkojnë një copë të mirë të udhës Egnatia dhe largohen befasisht nëpër monopatet e ashpra të maleve për të zbritur në luginat e Shkumbinit e për të shkuar nëpër ato të Devollit e të Vjosës”.

  Në shekujt III -IV të erës sonë ky territor përfshihet në provincën e Epirit të ri me qendër Dyrrakun (Durrësin e sotëm). Në këtë kohë në trevat e Ilirisë së Jugut kryhej një aktivitet i dendur tregtar dhe rrugët ishin ato që sillnin këtë zhvillim. Kësisoj ka mundësi që kjo rruge për arsye tregtare e strategjike ka vazhduar deri vonë dhe ne trasenë e saj të ketë vazhduar në një kohë të mëvonshme edhe rruga e karvanëve Elbasan-Berat.

                                            

Rruga e Kaurrit

 

Është me rendësi të flasim në pak radhë edhe për një rrugë tjetër në Sulovën e Poshtme: Rrugën e Kaurit. Afër degëzimit të rrugës Egnatia gjendet kjo rrugë e vjetër, ndoshta që në mesjetën e herëshme sepse ende ajo ruan toponimin Rruga e Kaurrit. E veçanta e saj është se traseja kalon në shkëmb, duke lidhur kalanë e Qafës, vendbanimin e vjeter të Klosit  me degëzimin e rrugës Egnatia.  Ajo shquhet dukshëm nga lugina se kalon mes për mes  një shpati shkëmbor të zhveshur. Është një rrugë e shkurtër afërsisht 1 km, e ngushtë sa në disa vende i vështirë kalimi. Ky segment rrugor i shkurtër ka qenë një domosdoshmëri për kalanë e Qafës.

                                      

Rruga e karvanëve (Vromi)

 

Në Sulovë të Poshtme ka kaluar një rrugë tjetër e vjetër; Rruga e karvaneve Elbasan –Berat, degë e rrugës së Shkumbinit. Kjo tregohet se në fragmentet e saj, që gjenden sot në disa pjesë, ajo ishte e mjaftueshme, që të kalonin jo vetëm udhëtarë, por edhe karvane, të cilat mbanin gjallë edhe jetën ekonomike të këtij territori dhe lidhjeve tregtare të Jugut me Shqipërinë e Mesme, lidhje që bëhej më e shkurtër ndërmjet saj  me rrugë të mëdha karvanësh e me qendra e qytete të mëdha. Në Elbasan e Berat tregjet patën njohur një lulëzim të madh. Në shekujt XVIII-XIX Berati ishte qendra më e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë Jugore pas Janinës. Është rasti të nënvizojmë se, lidhja e krahinës me këto qendra tregtare ka qenë e përhershme, por me një aktivitet të kufizuar, aq sa për të shitur prodhimet e tyre dhe për të blerë mallrat më të domosdoshme.

Një e dhënë bindëse për këtë rrugë është një fakt i studiuesit Petraq Pepo (“Materiale dokumentuese për Shqipërinë e shekullit XVIII ”, nr I, Tiranë 1981, faqe 22) në të cilin ai shkruan: “Pushteti osman emëroi dhe feudalë shqiptarë me detyrën e Derven Pashait siç kanë qenë Ahmet Kurt Pasha i Beratit në mesin e shekullit të XVIII (një lloj funksionari i ngarkuar për sigurimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të Shqipërisë Jugore). Me emrin e të cilit është i lidhur edhe ndërtimi e mirëmbajtja e mjaft rrugëve dhe urave e midis të cilave edhe ndërtimin e rrugës së karvanëve, që kalonte në Sulovën dhe mirëmbajtjen e urës së Kadipashajt”. Por duhet thënë se rruga mirëmbahej, që të ishte sa më funksionale. Se në shume vende gërryej nga rrëketë e ujit. Për ruajtjen e sigurimin e rrugës kanë funksionuar Dervenet (një toponim i tillë Derven, ekziston në fshatin Selitë të Sulovës). Nga të dhënat arkivore rezulton se kanë kaluar edhe ushtri.“Nëpër luginën e Devollit kaluan në fund të shekullit XI kryeqtarët normanë me Boumundin” (“Historia e Shqipërisë”,Vëllimi i VI,faqe 178).Nga Elbasani pasi kalonte lumin Shkumbin, rruga e karvanëve vijonte nëpër vendbanimet fshatare të Shpatit të Poshtëm:Jagodinë,Muriqan,Belik,Shtërmen, Gostimë, këtu kapërcente lumin Devoll mbi urën e gurtë të Kadipashajt.Në luginën e Devollit në Sulovën e Poshtme rruga kalonte në bregun e djathtë të lumit, nëpër vendbanimet Selvias, Muratbejas, (Klos) Mollas, Linas, Selitë, hyn në fshatrat e Kuçovës: Drizë, Shegjëz, e më tej në Berat. Rruga ndiqte një itinerar plot variacione me bukurinë e kodrave me pyje, përrenj të cilët kanë krijuar lugina në formë V. Ajo ka pasur edhe degëzimet: Mollas-Topojan-Qafë e Grekanit-Prrenjas apo edhe Ura e Kadipashajt-Selvias-Dragot-Qafë e Grekanit-Prrenjas. Këto degëzime lidheshin me qendrën e krahinës së Sulovës, që ishte Prrenjasi i Sulovës, një vendbanim i zhvilluar, qytezë mesjetare.

  Rruga e karvanëve ishte rrugë e ngushtë dhe me shtrat të qëndrueshëm e shtruar me gurë të vegjël dhe e riparuar në periudha të ndryshme. Patkonjtë e kuajve dhe njëthundrakëve nuk rrëshqisnin, duke ua lehtësuar ecjen. Karvanët gjatë dimrit hasnin vështirësi si gjatë vërshimit të përrenjve, dhe bllokimit në kohë shirash të shumta e ardhjes së lumit Devoll, por edhe kur sulmohej e plaçkitej nga kaçakë dhe hajdutët. Të moshuarit tregojnë një gojëdhënë të tillë: “Një herë u sulmua një karvan me kuaj e mushka, ngarkuar aq rendë sa ato rënkonin. Kaçakët  i sulmuan tek Qafa e Radshit. Karvanxhinjtë luftuan gjithë ditën  dhe ndërkohë  fshehën  mallin se ishte flori. Lufta zgjati derisa u vra dhe karvanxhiu i fundit. Pastaj komitët kërkuan thesarin, por nuk e gjetën’’

 “Kësaj rrugë sipas të dhënave nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në fillim të shekullit XX gjithnjë e më rrallë shiheshin të vinin karvanë të shumtë dy herë në javë dhe nga qiraxhinjtë që kishin 4-6 kuaj. Qëndrimi për udhëtimin e ditës së parë bëhej në hanin e Mollasit që nga Elbasani mbante 7-8 orë dhe të nesërmen udhëtimi vazhdonte për 8 orë të tjera ose me shumë deri në Berat” (Abedin Çaushi “Transporti në Elbasan gjatë shekujve”, në “Etnografia Shqiptare” Nr II, viti 1963, faqe 161). Lëvizja e karvanëve me udhëtarë e mallra bënte të domosdoshme ngritjen e disa haneve të vegjël, të cilët mbronin gjatë natës karvanxhinjtë nga grabitjet e kusarëve dhe kaçakëve. Sipas gojëdhënave, Hane ka pasur në lagjen e Mëzotajve dikur pjesë e fshatit Haxhias (sot pjesë e fshatit Dasar) dhe në Mollas në toponimin Hanore (disa metra larg qendrës së komunës Mollas). Hani më i njohur ka qenë ai në Mëzotaj. Ai ka qenë ndërtuar në vendin, që sot i thuhet vromit, buzë rrugës si të gjithë, por asgjë se dallonte nga hanet e tjera, një ndërtesë e vogël me hangarë për kafshët e ngarkesës, por dhe i pajisur me bazë ushqimore dhe natyrisht konakët  për udhëtarët.

Rruga e karvanëve që kalonte në luginë në gjuhën e popullit njihej me emrin Vrom: Ika Vromit, Te Vromi, Kalova Vromit, Afër Vromit, etj.

Rruga e shkelur nga karvanë e ushtri, nga njerëz të marrë e të ligë, për tregti e miqësi e për luftë kanë pasur ndikime të qarta në jetën e banorëve, duke qenë gjithmonë të nevojshme për krahinën.



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: