Shevki Sh. Voca: 65 vjet nga hedhja e bombës atomoke në Hiroshimë dhe Nagasaki
| E Enjte, 05.08.2010, 07:58 PM |

 

Shevki Sh. Voca

 

65 VJETË NGA HEDHJA E BOMBËS ATOMIKE

                                        NË HIROSHIMË DHE NAGASAKI 

           “Nga të gjithë më së shumti nënat i urrejnë luftërat”

  Horacio

 

       Ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Nevil Çemberlen për luftëra thoshte: “Në luftë nuk ka fitues sepse të gjithë humbin”.  

       Luftëra ka pas gjithmonë. Ekspertët e Institutit ndërkombëtar për hulumtime paqësore në Stokholm (SIPRI) thonë: që nga viti 3200 para erës sonë e deri më tani janë zhvillu rreth 14560 luftëra në të cilat humbën jetën 3.6 miliard njerëz, (statistika e viteve të nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, shënim Sh. V.) Gjatë kësaj periudhe të historisë njerëzore bota ka qenë në paq (kohë pas kohe) vetëm 260 vjet, ndërsa sipas librit “Komplotit  botëror “ të N. Nikolovit dhe librit “Shekulli i luftës-2 plani gjeopolitik i fshehtë amerikan” të autorit Wiliam Engdahl, botimi Zagreb 2008, “bota gjatë periudhës 3360 vjeçare të historisë njerëzore ishte pa luftëra vetëm 227 vjet. 

       Shekulli XX ishte shekull i luftërave. Në te pati 120 konflikte të armatosur, nga të cilat 50 ishin ndërkombëtare, kurse ato lokale dhe regjionale ishin shumë  më tepër. Në këto luftëra globale, regjionale apo lokale ranë më tepër se 150 milion viktima. Bilanci i Luftës parë botërore ishte tmerruese. Në te pati 20 milion të vrarë dhe të vdekur nga epidemitë, si dhe 20 milion të mbetur invalid.

       Lufta e dytë botërore  zgjati 2194 ditë. Kjo luftë ishte jashtëzakonisht më vdekjeprurëse se ajo para saj. Në këtë luftë morën pjesë forcat kryesore të 61 vendeve të botës me 110 milion ushtarë nga të pesë kontinentet, duke vepruar në territorin e 41 shteteve. Numri i banorëve të vendeve ndërluftuese ishte dy miliard e njëqind milion. Pasojat e Luftës dytë botërore për njerëzimin ishin një katastrofë e vërtet . Sipas disa vlerësimeve numri i të vdekurve sillet prej 55-60 milion; të plagosur 35 milion; më tepër se 20 milion të mbetur bonjak, dhe 110 milion refugjat. Në “Enciklopedia britanike” të vitit 1954, proporcioni i ushtarëve të vrarë me banorë në disa nga shtetet e mëdha në konflikt ishte: SHBA 1 ushtar në 500 banorë; Kina dhe Franca nga një ushtar në 200 banorë; Britania e Madhe 2 ushtar në 150 banorë; Japonia 1 ushtar në 46 banorë; Gjermania 1 në 25 banorë dhe B. S. 1 ushtar në 22 banorë. Shtetet e aleancës në luftë patën 47 milion e 635 mijë të vdekur (rreth 13 milion ushtarë, dhe 35 milion civil). Fuqitë e boshtit humbën 7 milion e 300 mijë njerëz (nga këta 5 milion ushtarë dhe 2 milion e më tepër civil). Gjithashtu edhe dëmet materiale ishin të mëdha. Shënimet tregojnë në 30 milion fabrika, uzina, objekte hekurudhore e rrugore, porta e objekte aviacioni, institucione publike etj. në tërësi qenë të shkatërruara. Nga artileria dhe aviacioni u rrafshuan dhjetëra mija fshatra e qytete. Dëmi material i  tërësishëm i Luftës dytë botërore arriti shumën katër mijë miliard dollar.

 

      Hiroshima dhe Nagasaki-fat identik. Sulmi japonez në Perl Harbur më 7 dhjetor 1941 e bëri luftën të përbotshme. Brenda pak muajve japonezët pushtuan tërë Azinë Juglindore, kontinentale dhe ishullore, duke kërcënuar kështu të vërshonin në Indi nga Birmania në perëndim dhe drejt veriut të zbrazët të Australisë, përmes Guinesë së Re.

     Ndoshta Japonia edhe mund t’i shmangej luftës me SHBA, po qe se vendi nuk do të kishte pasur si synim krijimin e një perandorie ekonomike të fuqishme (e quajtur me eufemizëm Sfera më e Madhe e Prosperitetit të Përbashkët të Azisë Lindore) gjë që përbënte thelbin e vërtet të politikës së saj.

      Pretendimet ekspansioniste të Japonisë ishin të gjëra. Parashikimet e saja qëndronin në mënjanimin e ndikimit ekonomik dhe ushtarak evropian dhe amerikan në Azi, që më pas ajo të mbetej sunduese e vetme në këtë kontinent. Ajo do të aneksonte drejtpërdrejtë Mançurinë, Korenë,Taivanin dhe ishujt e Paqësorit jugor e qendror. Pjesa tjetër e kontinentit si Kina, Indonezia, Malajzia, do të kontrollohej me qeveri kukulla. Japonia synonte të mposhtte Bashkimin Sovjetik e të pushtonte Siberinë dhe Mongolinë. Pas fitores Japonia dhe Gjermania do të ndanin midis tyre SHBA-në dhe Kanadanë. Japonia do të merrte Alaskën, Havain dhe pjesën perëndimore të SHBA-ve, tej maleve Roki. 

      Për të mposhtur Gjermaninë, fuqive aleate iu deshën tre vjet e gjysmë, ndërkohë që Japoninë e gjunjëzuan brenda tre muajve. Interesant është thënia e kryeministrit britanik të asaj kohe Uinston Çurçill kur deklaroi me bindje pas Perl Harburit, se fitorja ishte e sigurt për shkak të përdorimit të drejtë të forcës dërmuese.

  

Kapitulimi i Japonisë.  Gjenerali i forcave ajrore amerikane Kertis Lemej metodikisht shkatërronte qytetet Japoneze nga qielli duke hedhur bomba të zjarrta. Gjatë dhjetë ditëve të marsit të vitit 1945, u kryen 11600 fluturime me B-29 duke shfaros një hapësirë prej 50 mijë kilometra katror në katër qytete më të mëdha Japoneze, me ç’rast u mbytën të paktën 150.000 njerëz. Me 25 maj 1945, u sulmua Tokio. Qyteti nga bombat klasike që binin mbi te digjej në flakë, pa ngelur asnjë godinë mbi këmbët e veta. Japonia imperialiste përkundër sulmeve dhe dëmeve të mëdha që i pësonte në forcat ajrore, në flotën detare si dhe në humbjet tokësore ajo prapë gjallëronte duke rezistua.

     Ishte kjo arsyeja pse amerikanët dhe shtetet aleate të cilët veç ishin zbarkuar në vendet Japoneze, filluan  përgatitjen e një invazijoni të madh, të ngjashëm me atë të korrikut të vitit të kaluar në Normandi, me ç’rast në Evropë ishte hap e ashtuquajtura fronti i dytë dhe ishte përshpejtua rënia e fashizmit. Mirëpo Japonezët nuk rrinin rehat, me një mbrojtje dhe rezistencë fanatike ata i shkaktonin mjaftë humbje kundërshtarit, ku njëkohësisht dëmtoheshin planet e tyre. Japonezët me vështirësi largoheshin nga territoret e marra. Në anën tjetër hartuesit e planeve në Uashington duke bërë vlerësimin e përgatitjes së aksionit konstatuan: humbjet do të jenë të shumta. Ngjarjet në vijat e frontit shkaktuan që kryetari Amerikan Truman të jap leje për përdorimin e armës më të re, të posa krijuar. Ishte ajo e famshmja bomba atomike.

      SHBA gjatë kohës së luftës  në fshehtësinë më të madhe  kishin filluar punimet për krijimin e bombës atomike. Për një punë të tillë presidenti Frenklin Delano Ruzvelt ( ishte i vetmi njeri që u zgjedh katër herë radhazi kryetar i SHBA-ve por, që nuk arriti ta përfundoi, vdiq katër muaj pas mandatit të fundit, shënim i autorit) e kishte informuar kryeministrin britanik Çurçill. Në konferencën e Uashingtonit të qershorit të vitit 1942, Ruzvelti dhe Çurçilli lidhën një marrëveshje që shkencëtarët e atomistikës, ata  amerikan dhe britanik  të koordinojnë punët duke pas reciprocitet në arritjen e rezultateve. Mirëpo shkencëtarët amerikan ishin më të suksesshëm.

     Pas vdekjes së kryetarit amerikan Frankllin D. Ruzvellt kah fundi i muajit maj 1945, kur në vend të tij erdhi zëvendësi Hari Trumani, gjëja e parë për të cilën e informuan presidentin e ri ishte projekti i bombës atomike. Dhe ende sa zhvillohej lufta, amerikanët arritën ta krijojnë dhe ta provojnë bombën e parë atomike. Eksperimenti i parë i kësaj bombe ndodhi me 17 korrik 1945, (diku qëndron me 16) në poligonin e quajtur Triniti një shkretëtirë e Nju Meksikos (SHBA) në kohën kurrë mbahej konferenca e Potsdamit. Shpërthimi i saj ishte aq i fuqishëm dhe tmerrues sa që i kaloi të gjitha pritjet dhe shpresat. Hulumtimet më të reja na bëjnë me dije se gjatë kësaj prove nga pasojat e fuqishme të eksplodimit të saj për shkak të mos kujdesit të sigurimeve nëpër fabrikat e armëve nukleare kishin vdekur mijëra njerëz nga kanceri, kryesisht amerikan, (kjo gjë deri vonë ka mbet fshehtë opinionit shënim i Sh. V.). Ndërsa presidenti Truman në ditarin e tij të 25 qershorit shkruante se si prova e bombës kishte qenë e suksesshme dhe se ajo do të përdoret kundër Japonisë diku në mes të kësaj dite dhe të 10 gushtit.  Presidenti Truman dhe ministri i luftës Henri Stimson në lidhje me zhvillimet dhe provën e kësaj arme pranonin informata të fshehta . Në këtë kohë ata gjendeshin në  Potsdam. Presidenti Truman merr vendim fatal: arma e re të përdoret në Pacifikë kundër Japonisë, me shpresë të madhe se pas kësaj lufta dhe vuajtjet e luftës do të përfundojnë shumë më shpejtë, si dhe do të kursehet jeta e shumë ushtarëve amerikan. Nga Potsdami presidenti Truman urdhëron komandantin e forcave ajrore amerikane gjeneralin Spak që bombën atomike ta hedhin në ndonjërin nga qytetet Japoneze. Ai në ditarin e tij e cekte edhe këtë: “...Edhe pse japonezët janë të egër, të ashpër, të pa mëshirshëm dhe fanatik ne këtë bombë kaq të tmerrshme nuk mund ta hedhim në kryeqytetin e vjetër apo të ri...” Pas disa kërkimeve, hetimeve dhe hulumtimeve të bëra u murrë një vendim, që viktimë e bombardimit të jetë qyteti industrial Hiroshima e 350.000 banorëve, e cila gjendet në pjesën jugperëndimore të mbretërisë më të madhe Japoneze Honshu.

     Përgatitjet përfundimtare për këtë aksion u kryen në fshehtësi të thellë. Bombarduesi i rëndë amerikan B-29 e cila me vete barte bombën atomike të gjatë rreth tri metra dhe me një peshë prej 4077 kg. u nis në drejtim të Hiroshimës. Bombarduesi B-29 i emëruar “Anola Gay” fluturonte në lartësi mbi dhjetë kilometra dhe me të arritur në sipërfaqen ajrore të Hiroshimës priste urdhër nga Uashingtoni për aktivizimin e një bombe që deri më atëherë njerëzimi nuk kishte parë dhe as kishte dëgjuar për një armë të tillë çfarë ishte kjo, por që edhe nuk ishte hedhë kundër asnjë armiku.

      Në anën tjetër banorët e Hiroshimës kryenin punët e tyre të përditshme, dikush në fabrikë, dikush në zyre, amviset pas mëngjesit bënin punët shtëpiake etj. Me një fjalë askush nga banorët e qytetit në mënyrë të veçantë nuk ia kishte vu vëmendjen bombarduesit të rëndë amerikanë. Ndërkohë që radioja japoneze i qetësonte banorët me lajmet: aeroplani ndodhet në detyrën e vëzhguesit.

       Tomas Wilson Ferebi ishte njëri nga gjashtë anëtarët e ekuipazhit të bombarduesit amerikanë B-29. Obligimi i tij ishte; në momentin kur komandanti i fluturakes jep urdhër për hedhjen e bombës atomike, Ferebi duhet ta zbatoi. Dhe, në të vërtet çka ndodhi në mëngjesin e nxehtë të 6 gushtit 1945. Uashingtoni urdhëroi, komandanti sinjalizoi dhe Ferebi zbatoi urdhrin, bomba u lëshua, ishte ora 8.15 minuta. Aeroplani me shpejtësi të madhe ndërroi drejtimin dhe filloi të largohet. Pas pak sekondash kur bomba arriti në lartësinë rreth 600 metra mbi sipërfaqen e tokës ajo eksplodoi. Efekti ishte i tmerrshëm, fuqia shkatërruese e një bombe atomike ishte baras me eksplozivin e 20 kiloton T.N.T.(20 milion kilogram të këtij eksplozivi), ashtu që Hiroshima pësoi shkatërrime dhe dëme të mëdha njerëzore dhe materiale. Pasojat ishin fatale: 62000 shtëpi të rrafshuara, 78.150 njerëz të vrarë dhe 13.963 të tjerë të humbur pa lënë gjurmë. Sa i përket numrit të viktimave, edhe sot e kësaj dite ofrohen shifra të ndryshme varësisht nga lloji i burimit.

     Të nesërmen me 7 gusht radio stacioni Japonez  lëshoi një komunikatë të shkurtë,  Hiroshima pësoj shkatërrime të mëdha nga një lloj i ri i bombës. Të njëjtin ditë edhe presidenti Truman bëri një deklaratë publike: “...16 orë më parë aeroplani amerikan hodhi një bombë në Hiroshimë, bazë e rëndësishme e ushtrisë japoneze. Fuqia e kësaj bombe ishte më e madhe nga fuqia shpërthyese e 20 mijë tonë  trinitrotoluol. Fuqia e saj shpërthyese e kalon më shumë se dy mijë here fuqinë e bombës angleze “Grand Slem”, që është bomba më e madhe që mund të jetë përdorur në historinë e luftrave…”

      Në vazhdim japim disa deklarata nga të përjetuarit e tragjedisë së Hiroshimës. Njëri nga ata ishte Akahiro Takahashi, dhe ja çka deklaroi: “Ajo çka ndodhi më 6 gusht të vitit 1945, në ora 8,15 nuk mund të sqarohet. Për atë as që mund të shkruhet libër e as të gjirohet ndonjë film. Ajo vetëm mund të përjetohet nëse keni fat të madh në fatkeqësi të madhe. Në moment u dëgjua eksplodimi i fuqishëm dhe dritë shumë më e forte se e diellit, pastaj një nxehtësi e cila çdo gjë ndezi,. Pas do çastesh errësirë e plotë dhe erë e fuqishme prej 450 kilometrash në orë. Të gjithë mendonim se zoti ka vendosur ta shkatërrojë botën. Deri atëherë askush nuk kishte dëgjuar për një armë të tillë të çuditshme. Si do të mendonit ndryshe kur t’i shihni drunjtë të cilët shkulen dhe fluturojnë në disa kilometra lartësi. Asnjëherë nuk mund ta harrojë një skenë trishtuese-shkruan Takahashi- në çdo hap flakë nga trupi i pleqve, fëmijëve, foshnjave. Pastaj filloi një shi i zi. Askush nuk e dinte se ai shi në vete programon vdekje edhe për atë që akoma do të lindin. Shi radioaktiv prej 400 radi, kurse organizmi i njeriut mund të duroj prej 0,1 gjer më 0,5 radi”, përfundon Takahashi.

      Një dëshmitare tjetër Michiko Yamaoko e cila ishte vetëm15 vjeç kur  bomba atomike shkatërroi qytetin e saj Hiroshimën, ja  çka tha: “Ishte një dritë verbuese, dhe mendova se kisha vdekur. Pastaj i dhashë lamtumirën nënës time pasi mendova se edhe ajo kishte vdekur, dhe ndërsa e bëra këtë, trupi im u hodh tej nga fuqia e erës që krijoi bomba. Mendova se ky ishte fundi i botës. Rrobat më ishin rreckosur, flokët më ishin ikur. Të gjithë njerëzit rreth meje ishin lakuriq dhe të shushatur”. Një dyqanxhi i cili kishte pas rast të shoh skenat e kufomave të djegur tha: “Nuk mund t’i dallonit a i shikoni kah ana e përparme apo nga prapa. Në rrethin prej 4 kilometrave prej qendrës së eksplodimit të gjithë u ishin ekspozuar djegëseve nga nxehtësia e liruar gjatë shpërthimit të bombës atomike”.

      Për Hiroshimën flitej se brenda tre vjetëve të gjithë do të vdesin,  se në te  asnjë dru  nuk dot bihet dhe se qyteti për 75 vjet do të mbetet e shkretuar. Interesante janë të dhënat që viteve të fundit janë plasuar dhe ende plasohen nëpër shtyp e libra, të cilat më tepër vijnë nga autorë që merren me shkrime të komploteve dhe të konspiracioneve si bie fjala Rallf Eperson, i ndjeri Geri Allen, Pet Robinson, Xhon Kollman, Piter Skoven e të tjerë, të cilët na ofrojnë të dhëna kontradiktore me ato të versioneve zyrtare. Për shembull për qytetin e Hiroshimës thuhet se në te nuk ka ekzistuar fare ndonjë bazë ushtarake, dhe as që ka pas ndonjë kazermë. Ajo ka qenë një qytet me shtëpia të shpërndara dhe rastësisht janë pa në at kohë një numër i kufizuar i ushtarëve Japonez.

      Mirëpo përkundër reagimeve të shpejta në opinionin botërorë për shkatërrimet e mëdha materiale dhe njerëzore në Hiroshimë, amerikanët vetëm tre ditë pas, me 9 gusht, e hodhën bombën e dytë atomike. Fatin e Hiroshimës e pësoi Nagasaki, një port me rëndësi të madhe luftarake (lexo sipas versionit zyrtar Sh. V.) që gjendej në pjesën perëndimore të bregdetit Kjushu. Bomba e dytë atomike ishte për 15% më e forte se e para. Nagasaki kishte 260.000 banorë. Dëmet ishin të rënda, 36.000 njerëz të vrarë, 40.000 të tjerë të plagosur (varësisht nga lloji i burimit) dhe 1,8 km. katrorë sipërfaqe e qytetit e shkatërruar. U rrënuan 1.326 ndërtesa kurse u dëmtuan dhe u pa aftësuan për banim 5.509 ndërtesa. Zjarri dogji 18400 ndërtesa. Megjithëse kjo bombë  ishte më e fuqishme se e para, dëmet ishin më të vogla për shkak të terrenit të thyer.

     Presidenti i SHBA Truman foli në radio, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve të tij me këto fjalë: “Ne falënderojmë Zotin që u shfaq tek ne dhe jo tek armiqtë tanë, i lutemi që na i tregoi si ta përdornim këtë armë sipas dëshirës së tij dhe për arritjen e qëllimeve të tij”. 

    Edhe për këtë qytet po si për Hiroshimën, nëpër literatura me ekzemplar të kufizuar, të autorëve që merren siç thamë edhe më lartë me trajtimin e temave të shoqatave të fshehta mos ti përmendim se ka mjaft sosh, por jo edhe vetëm të atyre, na ofrohen të dhëna që tregojnë se në qytetin Nagasaki gjendej një kantier detar, për të cilën amerikanët mendonin se aty fshihen anijet luftarake japoneze. Ndërsa bomba shkatërroi vendet si për shembull: shkollat, zyret administrative, burgjet, vendbanimet, kishat, spitalet etj. Shumë vite më von me të vërtet u vërtetua se aty nuk kishte fare anije ushtarake japoneze.

   Pas kataklazmës së dytë pasoi ceremonia e nënshkrimit të aktit të kapitullimit me pa kusht të Japonisë e cila ndodhi më 2 shtator 1945, në anijen luftarake amerikane “MISURI” në gjirin e Tokios. Pranimin e bëri gjenerali amerikan Makartur. Në këtë ditë spikerja e Radio Tokios, njoftonte: “ Ne humbëm, por kjo është e përkohshme. Gabimi i Japonisë ishte tek forca e pa mjaftueshme materiale dhe tek dijet e pakta shkencore në fushën e armatimit, këtë gabim ne do ta korrigjojmë”.

      Disa historian thonë se edhe sikur mos të ishte hedhur fare bomba atomike në këto dy qytete, Japonia ishte e gatshme për kapitullim. Ata mbështeten në deklaratat e më vonshme të shumë zyrtarëve të lartë amerikan. Njëri prej tyre ka qenë edhe ish admirali Villijam D. Lihti, shefi i kabinetit të presidentit Truman i cili kishte deklaruar: “Për shkak bllokimit detar dhe të bombardimeve të suksesshme me armët konvencionale, Japonezët veç ishin të gatshëm që të dorëzohen...Ne, që të parët e përdorëm hedhjen e bombës atomike pranuam masat etike të barbarëve të mesjetës...” Ndërsa Dvajt Ajzenaueri i cili më vonë u zgjodh kryetar i SHBA-ve aso kohe gjeneral i armatës kishte deklaruar: “Në atë kohë Japonia kërkonte mënyrat e dorëzimit me mundësin më të vogël nënçmues...Nuk ka qenë dashtë ti bombardojmë me atë gjë...” Edhe kryeministri britanik i asaj kohe Çerçilli po ashtu kishte dyshuar në arsyetimin e sulmit atomik. Ai kishte deklaruar: “Është gabim i madh që të vihet në përfundim se fatin e Japonisë e  vulosi bomba atomike...”

      Japonia doli nga lufta me shkatërrime të mëdha: 1/4 e qyteteve qenë dëmtuar rëndë, 1/3 e pajisjeve kapitale në ndërmarrjet industriale dhe 4/5 e flotës detare kishte dale jashtë përdorimit Ajo humbi tregjet e jashtme nga të cilat siguronte lëndët e para që i mungonin në vend.

      Citojmë disa  nga deklaratat e krijuesve të kësaj vepre: Piloti amerikan Pol Tibest pranon se asnjëherë në jetë nuk ka qenë i humbur prej momentit  kur mbi njerëzit e pa fajshëm hodhi “A” bombën njëzet kilotonësh të emëruar me emër përkëdhelës “ Litle boy” (djaloshi). Në një intervistë dhënë gazetës franceze “ PARI  MAÇ”, ai pranon se nuk ka kaluar natë e të mos ëndërrojë gjëra të tmerrshme. Pas vdekjes sime- thekson Tibetsi do të bëhem hi, nuk dëshiroj fjalime,dua të shkoj në qetësi

       Piloti tjetër amerikan i bombarduesit B-29 “Anola Gay” Robert Lluis në ditarin e vetë shkruan: “Oh Zot çka bëmë”. 

       Bob Keron, mitraljer në “Anola Gay” i cili e fotografoi këpurdhën atomike mbi Hiroshimën-“ Nuk kam brejtje të ndërgjegjes. Nuk vuaj”.

       Albert Ajnshtajn –“ Bëra një gabim shumë të madh, kur e nënshkrova letrën për kryetarin Ruzvelt, duke rekomanduar krijimin e bombës atomike”.

        Hari Solomon Truman- presidenti amerikan, në ditarin e vet shkruan: “Kemi zbuluar bombën më të tmerrshme në historinë e botës”.

        Dhashtë Zoti  e të mos përsëritet më, sepse siç shkruante gazetari dhe publicisti i mirënjohur Maksut Shehu: “Kanë llogaritur me maje pene, se dy bombat që shkatërruan Hiroshimën e Nagasakin, në krahasim me arsenalin e sotëm bërthamor, kanë qenë me forcë, sikur kur bie ara e kokësit mbi kokën e majmunit”.  “Kurë nuk ka pas luftë të mire dhe paq të keqe”- fliste Benjamin Franklin, mendimtar i madh dhe bashkautor i “Daklaratës  pavarësisë” së SHBA.

      

                                                                                         FUND. 

        

 

               

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: