Besnik Dizdari: Kur në Tiranë lindte Përfaqësuesja e Kosovës
| E Merkure, 12.12.2007, 08:40 PM |

Nga Besnik Dizdari

Besnik Dizdari
Katër vjet më parë këtu në "TemA" kishim parashikuar që Përfaqësueses së Kosovës në futboll do t'i festonim 65-vjetorin e themelimit më 28-29 nëntor 2007 në një Kosovë të pavarun dhe shtetthemeluese. Për fat nuk ia arritëm, e për të prekur këte status do të na duhet të presim edhe pak, krejt pak. Por 65-vjetorin e këtij themelimi, i cili qysh më 2004 ka qenë pjesë e librit tonë zbulues për Kampionatet Kombëtare të Futbollit të periudhës së Luftës (1939, 1940, 1942), do ta shpalosim sot si një ngjarje të jashtëzakonshme nën një vështrim të ri dhe tejet të plotësuar. Do të jetë një vështrim sa gjeopolitik dhe kulturor, historik dhe sportiv për një ngjarje po aq të jashtëzakonshme të historisë, të kulturës kombëtare dhe të vetë shoqërisë shqiptare.

Nuk do të tutemi prej heshtjes institucionale që e mvesh këte vend, që është i yni, për ngjarje të tilla të mëdha që i përkasin edhe botës shpirtërore shqiptare. Ngjarja e madhe ka të bëjë mu me një jubile të madh: 30 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1942. Njëra prej atyre që dikur Partia i quante “festat e mëdha të nëntorit”, duke përfshirë mbrenda tyre jo pak, por plot katër festa: atë të shpërthimit të Revolucionit Socialist të Tetorit, 7 Nëntor; të Themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, 8 Nëntor; të 28 Nëntorit të Pavarësisë, dhe të 29 Nëntorit të Çlirimit të Atdheut. Për të vjetrit, të cilat ende i kanë të padëmtuara celulat trunore të kujtesës, është bukur mirë e kujtueshme se si midis këtyre të katërtave, mu 28 Nëntori, ka qenë festa më pak dhe më rrallë e përkujtueshme në krahasim me tri të tjerat. Shkoni e shfletoni shtypin e para vitit 1991 dhe do të bindeni se çka ka ngjarë.

Tash 28 Nëntori ka marrë përparësi, ose është vënë në vendin që i takon, sepse me kushtetutë është sanksionuar si Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë dhe ndërkaq “pa Kushtetutë” dihet se është festa e më e çmueshme e pakta për nja 8 milion shqiptarë në krejt rruzullin.

Do ta thyejmë heshtjen me këte tregim modest tonin, pa ndikimet apo paragjykimet e partizanerisë fanatike apo të historianëve politikë, që ende kërkojnë që me periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku edhe populli shqiptar me ndjenjë të lartë atdhetare rrëmbeu pushkën për liri, të spekullojnë midis të pavërtetave dhe të vërtetave për hir të një interesi tejet të ngushtë që të çon te një monopolizim i papamë aksionesh e ngjarjesh, dukurish dhe kundërshtinash, spekullimesh apo falsifikimesh, e deri te një egoizëm i pangjashëm partiak. Ky tregim kronikal sa sportiv aq dhe historik e gjeopolitik, natyrisht nuk njeh ndikimin e atyre të cilët një koleg i huaj, autor i disa librave të vlefshëm rreth të vërtetave të Luftës së Dytë, Gianpaolo Pansa, me të drejtë i quan "xhandarët e kujtesës”.

Shqipëri - Kosovë 1942

Nuk ka dyshim se viti 1942 është një nga vitet më interesante në historinë e Shqipërisë. Eshtë një vit kur revolta shqiptare kundër pushtimit fashist, sa vjen e rritet, por ajo ende nuk ka një shpërthim të mirëfilltë. Nga ana e jashtme gjithçka të duket si një jetë më se normale, ndonëse nuk mund të thuhet se është plotësisht kështu. Nuk ka asnjë dyshim se ky vit që përkonte me 30-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do të shfrytëzohej me dinakëri nga pushtuesi fashist, edhe për të vërtetuar se ky nuk ishte një pushtim, por thjesht një bashkim. Ashtu siç do ta quante Ministri i Jashtëm i Italisë, Conte Galeazzo Ciano, në editorialin e tij në numrin e 28 nëntorit 1942, në “Tomori”, kushtuar mu 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me titullin "28 Nanduer". Shkruan Ciano:

"Më 28 Nanduer 1912 Shqipëria zgjohet nga nji gjumë shekujsh... . Populli shqiptar fis autokton asht në formimin e vet kulturuer i ngjitun me Romën nga lidhje të fuqishme. Bashkimi mbështetet kështu, mbi dy shtylla të patrandshme: ndiesije dhe interesi politik".

Në të vërtetë mjaft qartë, teksa Ciano me fjalët e fundit bën mirë edhe diplomatin e rreptë, nëse mund të përcaktonim kështu. E ka fjalën për atë që Italia fashiste e quante “bashkim”, jo pushtim. Ndonëse shqiptarët përjetonin nën këte “pushtimbashkim” edhe një bashkim tjetër, atë Shqipëri - Kosovë. Ndonëse edhe Duce në telegramin e tij dërguar kryeministrit Mustafa Merlika Kruja me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë, nuk shkon më tej asaj çka thotë dhëndërri i tij Ciano: "Festimi i tridhjetëvjetorit të pavarësisë shqipare, që na gjen në luftën për lirinë e popujve asht ma kuptimplotë se ç'do herë tjetër", thotë Mussolini.

Mirëpo, duam apo s'duam ne, festimet për 30-vjetorin e Pavarësisë në atë vit të çuditshëm 1942, ku është përfshirë në mënyrë sensacionale edhe futbolli, janë zhvilluar, përjetuar, organizuar në mënyrën më të përsosur të mundshme.

Rrugëtimi për te ky 30-vjetor i Pavarësisë, në të vërtetë nis qysh disi më heret, qysh në muajin qershor me vizitën historike të kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika Kruja. E gjitha kjo vizitë e kryeministrit Kruja në Kosovën e vitit 1942, tashmâ pjesë e Shqipërisë së vërtetë, padyshim që nuk është treguar asnjëherë, ndonëse pavarësisht se nën pushtimin fashist, ajo në përmbajtjen e veprimtarive dhe të përgjurmimit ditor të ecurisë të saj, duam apo s'duam, duan apo s'duan "xhandarët e kujtesës", është historik. Historia nuk tutet prej fanatizmit politik. Ajo është histori, pra në kuptimin më vetanak të saj si "bashkësi e ngjarjeve njerëzore, ose e ngjarjeve ndikuese njerëzore, të marra në konsideratë në zhvillimin e tyre" apo “si një "tregim i fakteve në rendin politik, shoqëror, ushtarak, fetar, ekonomik, kulturor që i përkasin një epoke", sa për të nënvizuar dy përcaktime nga më klasiket të kuptimit të saj, që të çojnë te më e çmueshmja e historisë: tregimi me vërtetësi i saj.

Mustafa Merlika Kruja e ka vizituar Kosovën më 27 qershor 1942. I shoqëruar prej protagonistit të madh të ngjarjes sonë të pëzgjedhur për këte kronikë historike, Ekrem bej Vlorës, ministër i Tokave të Lirueme, siç ishte emërtimi i zyrtar germë për germë, si dhe prej Ministrit të Punëve Botore, Iljaz Agushi, kryeministri shqiptar mbërrin në aeroportin e Prishtinës me avion, në të vërtetë janë dy avionë trimotorësh, mbas një udhëtimi që asokohe zgjati 1 orë e 30 minuta. Kruja ndodhej në avionin e tij, ndërsa dy ministrat në avionin tjetër të shoqëruar me gazetarë, fotografë dhe stenografë!

Ai ishte i pari kryeministër shqiptar që shkelte tokën shqiptare të Kosovës në jetë të jetëve. Dhe "përshëndetja që i blatoi Prishtina ishte e flaktë”, siç thotë kronikani i kohës.

Në aeroport e presin një grup i tanë autoritetesh të prirë prej prefektit Riza Drini dhe kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Hysen Prishtina. Në 12 kilometra të tanë nga aeroporti deri në qendër të qytetit, qindra e qindra shqiptarë të Kosovës përshëndesin kryeministrin, që kalon përmes tyre në të dy anët e tokave, apo "të fuqisë së madhe prodhimtare të Kosovës kreshnike, ai popull që s'ka lanë asnji pëllambë tokë të pa punueme".

Eshtë kuptimplotë për synimin e tregimit tonë, kur mëson se përshëndetja e parë e korteut të gjatë të veturave në të hymë të Prishtinë "iu dha pjesëtarëve të Qeverisë nga nji rradhim i gjatë i djelmnis sportive të Prishtinës".

Dhe mbas pak aty, te ai që quhej “Sheshi Skanderbeg" mu në zemër të Prishtinës. Përshëndet Prefekti Riza Drini dhe flet shkëlqesa Kruja. Kalimi i fjalës së tij përzgjedhur prej nesh, në të folmen autentike të kryeministrit, është ky:

"Kosovarë!

Mirëse u gjeta! Asht e dyta herë në jetë t'eme qi kam gzimin e madh, gzimin e pa shoq e pa masë me e vizitue Kosovën. E kam vizitue për të parën herë plot tridhetë vjet para ksaj dite. Ishte qershori i vjetit 1912. Shqypnija mbarë ishte çue më kambë me kërkue të drejtat e veta kombtare të grabituna e të shkeluna për mo se katërqind vjet. Shqypnija donte lirinë e vet. E kush kje atëherë pararoja e Revolucjonit Shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe e banë me ra në gjuj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë Kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i Shqyptaris po dahej në Shkup. Edhe Kruja e Skanderbegit kishte çue n'atë Kuvend burrash përfaqësuesin e vet. Por shka bamë atje? Kurgjo. Fitues në fushë të luftës me gjakun e derdhun prej popullit, dolme të mujtun në tavolinë. E pse? Këto ka për t'a thonë historija. Por nji gjo asht e sigurtë. T'i kishim pasë da hesapet me Tyrkin qysh në Qershorin e 1912-s, t'i kishim pas da me to kufijtë e Shqypnis me katër vilajetet t'ona, të kishim pasë ngrehë flamurin t'onë në Shkup e në Manastir, në Janinë e në Shkodër, para se t'u lidhshin anmiqtë t'onë balkanikë tue na njehë si pjesë të Tyrkis, ndryshe do t'ishte konë da fati i Atdheut t'onë".

XXX

Dhe… Vizitë në spitalin e vendit, në Shkollën Normale të Prishtinës që kulmojnë me përurimin e Stacionit të Radios "Kosova", 27 qershor 1942 - një tjetër datë historike për jetën kulturore dhe të botës së komunikimit për Kosovën. "Jam kryenaltë”, - thotë Kruja, i cili përveç politikanit ushtroi plot pasion edhe njeriun e kulturës, studjuesin dhe madje shkencëtarin e gjuhës shqipe, - “qi tue përurue këte stacjon, po më takon mue të parit me e dhanë këte zo nëpër valët qiellore prej ksaj vegle të mrekullueshme qi ka sajue gjenija e nji taljani të madh, Guljeljm Marconit”.

Italia! Italia Fashiste. Pushtuese. Fjalimet e kryeministrit nën pushtim, po dhe nën bashkimin Shqipëri- Kosovë, merret me mend që nuk mund t’iu shpëtonin lavdeve për Italinë Fashiste. Qoftë në fjalimet e jashtëzakonshme të pritjeve të rralla, gati të papërshkrueshme, qoftë në Ferizaj, qoftë në Gjilan. As që mund të mendohej ndryshe në atë kohë të udhëkryqeve të mëdha shqiptare. Ndonëse të theksuara në të rrallë dhe shkurt, pa ditirambet që aq të papërmbajtshme do të bëheshin për "pushtuesit" e rinj të Shqipërisë së Mbasluftës. Kjo ishte në stilin e kryeministrit Mustafa Kruja, i cili asesi nuk mund t'i shpëtojë gjykimit të historisë për këto vite kundërshtuese dhe të habitshme në të cilat përshkohesh edhe Shqipëria e viteve të Luftës së Dytë Botërore. “Zoti m’a ka falë jetën e, qoftë lëvdue, bashkë me tê, edhe shëndeten, por në të njâjtën kohë më ka edhe ndëshkue tue më lane gjallë në shkreti!”, do të shkruante ai pesë vjet më vonë, maj 1947, nga Bolzano e Italisë, siç mësojmë prej librit të rrallë “Letërkëmbim”, të botuar nga “Cama– Pipa” e Shkodrës para një viti.

Atë 1942, ishte një Shqipëri vërtet e rrallë në gjithë këto “kundërthënie” të pamshirshme të historisë. Ajo do të guxonte të kërkonte edhe sportin, edhe futbollin.

1942: Kosova dhe Shqipëria sëbashku në Kampionat

Kanë kaluar disa vjet, më shumë se shtatë, dhe propozimi i autorit të këtyre rradhëve për të pasur një turne futbolli Shqipëri - Kosovë, një kupë midis 4 skuadrave më të mira të secilës, ka mbetur vetëm në faqe gazetash. Asgjë nuk u bë. Ndonëse asnjë pengesë nuk ka për një gjë të tillë. E pra më 1942 është arritur shumë, shumë më tepër çka kemi kërkuar ne para shtatë vjetëve. Më 1942 u arrit në një sensacion të përmasave: u organizua Kampionati Kombëtar i Futbollit Shqipëri- Kosovë. Tash për tash një Kampionat i tillë ligjërisht për shkaqe të njohura UEFA- FIFA, nuk mund të bëhet. Po një turne në formë kupe midis klubesh të të dy anëve jo vetëm që mund të bëhet, por shpejt mund të kthehet në tradicional.

I kthehemi tregimit tonë të vitit të 30-vjetorit të Pavarësisë, vitit “fatal” 1942 të Kampionatit Kombëtar mbarëkombëtar. I kemi kushtuar një libër të tanë. Heshtja na rrethon si gjithnjë, sepse historia e sportit kombëtar nuk mund të themi se është integruar në krejt historinë e kombit shqiptar. Mosnjohja deri më sot e tre Kampionateve të Luftës nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, e vërteton këte.

Dhe… qershor 1942. Ndërsa në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj nuk ndalin pritja dhe ngjarjet prej vizitës së kryeministrit Mustafa Merlika Kruja, Tirana përjetonte dit po kaq të rralla të futbollit. Duket sikur gjithçka është paramenduar. Ideja e Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora për të përfshirë në Kampionatin Shqiptar edhe skuadrat e qyteteve të Kosovës, është e përmasave të mëdha. Nuk ka dyshim se e gjitha kjo përkonte me vetë zhvillimin befasues të arësimit dhe kulturës sidomos në Kosovë. Normalja e Prishtinës me drejtor Profesor Rexhep Krasniqi, titullar i “Bashkimit Shkodran” (Vllaznisë) qysh në Kampionatin e parë Shqiptar, atë të vitit 1930, po shndërrohej edhe në një qendër të mirëfilltë të edukimit fizik dhe atij sportiv. Arësimtarë nga Shqipëria kishin marrë ndër duart e tyre ngritjen dhe ecurinë e shkollave të panumurta në Kosovë, një nga zhvillimet më të mëdha për shqiptarët e Kosovës, e gjithë kjo nën drejtimin e Ministrit të Arësimit të kohës, Ernest Koliqi, poet i madh i kombit. Nuk dijmë një rast tjetër në Evropë si ky i Kosovës i viteve të Luftës së Dytë Botërore, nën një pushtim të huaj, ku ngritja e shkollave dhe zhvillimi i arësimit të kenë qenë në këto përmasa të tilla, gati gjigande.

E, dihet, nga shkolla lind edhe një përhapje sporti.

Përkimi nuk mund të jetë i rastit. Ndërsa në ditët 27- 29 qershor, Kosova është thuajse në delir prej vizitës së parë të një kryeministri shqiptar, Tirana shpërthen prej epilogut të një kampionati futbolli Shqipëri - Kosovë të padëgjuar më parë në histori. Edhe në Tiranë ngjarja i përket po ditëve të 26-29 qershorit 1942.

Ky ishte Kampionati i tretë dhe i fundit i periudhës së Luftës, dhe i pari dhe i vetmi deri më sot me pjesëmarrjen e skuadrave të qyteteve të Kosovës.

Gjysmëfundoret e këtij Kampionati, të cilin e kam quajtur si Kampionati i 10-të Kombëtar i Futbollit, duke e bashkuar me të gjithë paraardhësit e tij të viteve ’30, që janë zhvilluar në Tiranë më 26 dhe 27 qershor 1942, përbëjnë për historinë e sportit shqiptar një ngjarje vetanake (unikale), të jashtzakonëshme, historike. Ato janë kurorëzimi i një bashkimi sportiv të rrallë midis shqiptarëve etnikë, po që kurr nuk mund të konsiderohet thjesht sportiv. Prania e skuadrës së Prizrenit në kryeqytetin e Shqipërisë së Vërtetë, Tiranë, duke synuar titullin e Kampionit, përbën ngjarjen e rrallë që ndonëse ka qenë e futur në histori 65 vjet më parë, ishte zhdukur dhe rifutet përsëri me të gjitha të Drejtat e së Vërtetës.

Ndeshja Tirana- Prizreni e 26 qershorit 1942 për kohën, duhet konsideruar një spektakël i vërtetë me pasurinë e episodeve, me rrjedhën e saj plot befasira e madje dhe me çuditë e saj. E gjykuar nga italiani Giovanni Fontana, ajo dhuron "nji lojë të zjarrtë, të shpejtë e të bukur", siç nënvizon kronika. Dhe vetëm përvoja e madhe e Zyber Lisit, padyshim më i miri lojtar i këtij Kampionati, me golat e tij të vazhdueshëm, shpëton si të thuash, nderin e 7 herë Kampiones së Shqipërisë. Dhe SK Tirana– Prizreni 2-2! Duhet shtesa prej 2x15 minuta. Po tashmâ Tirana kishte kapërcyer muzgun. Thuajse është errur. Nuk mund të luhet më tej. Skuadrat e lënë Shallvaren midis duartrokitjeve të tifozave të shumtë kryeqytetas. Sidomos për Vishën, Fagun, Demnerin dhe Spahiun nga njëra anë dhe për Gjinalin, Jusufin, Shportën, Gotën dhe Ismailin nga pala e Prizrenit, të cilët komenti i kohës i veçon si më të mirët.

Kolonel Adem Boletini, tifozi numur 1 i Prizrenit, lë edhe ai tribunën e nderit, i bindur se skuadra e Kosovës kishte paraqitur një shembull të shkëlqyer, përtej se sportiv.

Dhe pa e zgjatur, 24 orë më vonë, vjen ndeshja e përsëritur. Nuk ka mëshirë për lodhjen e lojtarëve. As në modelet e vjetra të Kupës së Botës nuk është luajtur dy dit rrjesht. E bën Shqipëria e vitit 1942 atë mbasdite të 27 qershorit 1942, ku thuajse e gjithë Tirana ka mbushur Shallvaren si në ditët e paharrueshme të kampionateve të viteve '30 kur katër protagonistë shqiptarë të Kosovës, Riza Lushta, Naim Kryeziu, Skender Gjinali e Mazllum Xurxa (Xërxa) të Sportklub Tiranës e të Vllaznisë së Shkodrës, habisnin rininë tiranase me lojërat e tyre tërheqëse.

Kronika e ndeshjes së dytë është po aq e pasur, ndonëse ritmika e saj është doemos në varësi të lodhjes së ndeshjes së 24 orëve më parë. Tirana e kupton se prizrenasit duhen mposhtur sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe e udhëhequr nga përvoja e pashterëshme e Zyber Lisit, për 20 minuta rrjesht ajo është te porta e miqve. Dhe 2-0 për Tiranën! Golat arrihen brënda një harku 60 sekondësh. Në minutën e 17-të, Besim Fagu nis Zyber Lisin, ky Aristidh Parapanin dhe pasi e merr Akil Derani, kësaj here ky zgjedh gjuajtjen tokazi dhe 1-0! Sa vihet topi në qendër, Tirana bllokon, zotëron Ali Visha, kalon tek Mexhid Dibra, i cili gjuan. Portjeri Hadri pret, por nuk ndal. Topi rikthehet dhe aty Lisi nuk vonon e këmba e tij e pagabueshme e çon për herë të dytë topin në rrjetë.

Me kaq duket se fati i gjysmëfundores është përcaktuar tashmâ. Prizreni megjithate, nuk e pranon një gjë të tillë. Lindin kombinacionet R. Vraniqi- S. Hasani dhe futbollistët prizrenas janë pranë golit. Pas pak është S. Hasani përsëri i vetëm me Kambën, por ky është me fat tek rrok topin. Tirana ndërkaq, e ndjen se nuk ka vend për stepje dhe kërkon golin e tretë. Derani dhe Shyqyri (Tas) Bylyku gjuajnë fort, por Hadri është në pozicion. Dhe prap Akil Derani- talent i madh - i cili në të 35' lëshon bombën e tij, çka i jep mundësi Hadrit të korrë duartrokitjet e publikut të pamatë. Pas Luftës, Derani, si dhe shumë të tjerë, do të braktisë Atdheun për t'i shpëtuar sundimit komunist dhe futbolli shqiptar, siç më thoshte i paharrueshmi Myslym Alla, do të kishte patur në Akil Deranin një yll futbolli më tepër.

Kështu ecën kjo ndeshje, deri 1 minutë para mbarimit kur Tiranën e ndjek fati i takimit të parë me lojtarët e vet. Michele Carone nxjerr nga fusha Besim Fagun dhe në pjesën e dytë përsëri Prizreni ka epërsinë e 11 vetëve përballë 10 të Tiranës. S. Gjinali, Vraniqi dhe Gota janë pranë golit para portjerit shtatshkurtër Petrit Kamba, tejet i shkathët megjithate. Në të 58' Gota tund shtyllën e portës së Kambës dhe goli duket i projektuar tashmâ. E arrin i zakonshmi Skender Gjinali në të 76', i cili gjuan dy herë rrjesht. Herën e parë kthen Kamba, por të dytën gjuajtja e Gjinalit është e pamshirëshme! Tirana fiton 2-1 këte ndeshje të tipit "play- off" të sotëm dhe është në finalen (fundoren) e Kampionatit të 10-të. Prizreni e lë me kryet lart Shallvaren dhe vetë Tiranën për të mos e mbërritur më, në mos gaboj deri sot e kësaj dite për një ndeshje në Shqipërinë e Vjetër!

Tiranës i duhej të priste kësisoj, kundërshtaren e herëshme, skuadrën e Shkodrës - kampione në fuqi - me të cilën do të kryqëzojë shpatat edhe një herë tjetër për një fund të madh. Do ta mposhtë dhe do t’i rrëmbejë titullin e kampionit në të vetmin kampionat ku kishte marrë pjesë edhe Kosova përmes skuadrave të qyteteve të saj Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Kosova, kishte bërë një hap drejt shkrirjes me futbollin mbarëshqiptar. Dhe kishte vërtetuar forcën e futbollit të saj.

Por… duhet bërë diçka tjetër, thotë mendja e ndritur e Ekrem bej Vlorës, Ministrit të Tokave të Lirueme, ky universal i madh i kulturës kombëtare po aq sa dhe i politikës, i cili qysh në rininë e tij të parë, ishte përshkuar në një jetë e kulturore e sportive në shkollat e Perandorisë austro-hungareze, dhe i cili e dinte mirë se ç’duhej bërë më tej. Kishte bashkuar Shqipërinë me Kosovën edhe në futboll. I kishte sjellë Kampionatit Kombëtar edhe tri skuadra të Kosovës mu në vitin jubilar të 30-vjetorit të Pavarësisë.

XXX

Kësisoji, Shqipëria e pushtuar përjetonte ditë të një kulture. Eshtë një situatë tejet e gjallë dhe ende pra luhet futboll, ndërkohë që rezistenca antifashiste ende nuk njeh ngjarje madhore. Rrethi "Skenderbej" përuronte në ato dit, lokalet e reja në Tiranë, ku vjen Mëkëmbësi Jacomoni i pritur nga Kryetari i Studimeve Shqiptare, Shkëlqesa Ernest Koliqi, në praninë thuajse të krejt qeverisë e personaliteteve italiane dhe të Trupit Konsullor. Orkestra e Fuqive të Armatosura ekzekuton hymnet e Italisë e të Shqipërisë. Në Tiranë, nën drejtimin artistik të Amedeo Castellazzi-t punohet për prodhimin e filmit "Naltësia 731" prodhim i Shoqërisë "Bassoli-Film" dhe asaj "Tomori-Film", një film "që ekzalton gjestet heroike të Ushtrisë Perandorake në fushatën e Greqisë dhe përkujton mbrojtësit kreshnikë të Naltësisë 731".

Shqipëria për çudi paraqitet në një gjallëri të paparë jete, në këte 1942. Gjallëri kulture, sporti, arti, politike e sociale. Ndonëse lufta tashmâ ndjehej gjithkund e më pranë. Dekorohen ndërkaq me Urdhërin "Skenderbej" pari e Tiranës: Jusuf Elezi, Shaqir Preza, Musa Maçi, Alqi Hobdari, Rexhep Kondi, Njazi Alltuni, Ali Veliu. Shoqata "Dante Alighieri" në Gjirokastër me në krye Prof. Thoma Papapano e Prof. Sokrat Kurti, përuron formimin e saj falë interesimit të kryetarit Dom Lazër Shantoja dhe të nëndrejtorit të përgjithshëm Carlo Petrocchi. Shkolla fillore "At Shtjefën Gjeçovi" e Prizrenit lidhet me shkollën "Luigj Gurakuqi" të Durrësit duke shprehur "gëzimin e patregueshëm të bashkimit me Shqipninë- Mamë", siç shkruhet fjalë për fjalë. Në Durrës përurohet ndërkaq, Kinema Verore "Savoia" - në kopshtin e familjes Koka- pronë e Vëllazënve Koka - me filmin "I promessi spossi", ekranizim i romanit të njohur të Manzoni-t.

Programi i Radio Tiranës tash shoqërohet edhe me programin e Radio Korçës. Tirana ka plot pesë kinema, "Savioa", "Rex", Tomori", "Imperiale", "Rozafa" ku filmat e Amedeo Nazzari-t, Maria Denis e Gino Cervi-t bëjnë ligjin.

Kjo është Shqipëria e vitit 1942, e cila ka meritën se organizon edhe kampionat kombëtar të futbollit, me pjesëmarrjen e skuadrave të qyteteve të Kosovës.

Eshtë një qershor historik i ndërkombëtarizimit befasues të talenteve të futbollit shqiptar. Mu në këte qershor 1942, dy djem të shquar të Kosovës, më parë futbollistë të Sportklub Tiranës, Riza Lushta dhe Naim Kryeziu, mbasi ishin bërë Kampoionë të Shqipërisë edhe në Kampionatin e parë të Luftës, atë të vitit 1939, tash ngjiten në majën e futbollit të Serie A të Italisë– Kampione e Botës në fuqi. Më 14 qershor 1942 Naim Kryeziu bëhet Kampion i Italisë me klubin Roma, duke qenë titullar i palëvizshëm i 11-shit të saj. Më 28 qershor 1942 Riza Lushta me 3 golat e tij të pandalshëm i jep fundoren dhe Kupën e Italisë Juventusit përballë Milanit në 4-1-shin famëmadh që ishte i tani vepër e tij.

Ndërkaq, në Shqipërinë e Vërtetë, Kosova kishte përuruar futbollin e saj.

Nuk do të ndalte këtu. “Duhet diçka më tepër se kaq”, thotë mendja e ndritur e Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora.

Ishte viti i 30-vjetorit të Pavarësisë. 28 Nëntori 1942 thuajse po mbërrinte…



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: