Naser Mrasori: Gama e gjerë e personazheve në veprën e Franc Kafkës
| E Merkure, 07.07.2010, 09:26 PM |

GAMA E GJERË E PERSONAZHEVE NË VEPRËN E FRANC KAFKËS

 

Nga Prof. as. Dr. NASER MRASORI

 

Sot lexuesi shqiptar i njeh mjaft mirë personazhet e veprës së Franc Kafkës. Jozef K.-ja, në romanin “Procesi”, arrestohet një mëngjes ende pa u ngritur nga shtrati dhe nuk e di pse po e arrestojnë: sipas një akuze të paqartë dhe për një faj që s’e ka bërë, mbase në bazë të shpifjeve të ndokujt. Gregor Samsa, në tregimin “Metamorfoza”, zgjohet në agim nga një ëndërr e keqe dhe e sheh veten të shndërruar në kandërr. Gjeodezisti, në romanin “Kështjella”, nuk heq dorë nga përpjekjet për të qenë banor i kështjellës dhe vdes prej stërmundimit. Romanet e Kafka janë sa të gjithmbarshme aq edhe enigmatike, kurse personazhet e tyre janë mjaft komplekse, ato karakterizohen nga lidhje të shumta dhe nga një mori marrëdhëniesh të brendshme.

 

Në disa romane moderne, personazhi rrëfimtar zotëron po ato njohuri që zotëron edhe autori, çka na jep dorë të futemi në atë rrjetin e dendur e të ngatërruar të ngjarjeve. Personazhi rrëfimtar i Kafkës nuk na orienton asnjëherë, ai di vetëm atë që shikon, nuk di  asgjë për ndodhitë në vende të tjera, nuk di se ç’mendojnë e ç’pëlqejnë personazhet rreth tij, i lë në hije disa fakte thelbësore, ndalet më tepër te disa fakte të vockla, pa marrë vesh se çfarë ndodh në mjedisin ku jeton. Ne lexuesit, duke i shkuar pas një prijësi kaq të pasigurt e kaq të padenjë për t’i zënë besë, habitemi dhe kuptojmë gjithnjë e më pak. Kjo ndërthurje e koklavitur faktesh, sajuar nga perënditë e nga njerëzit, mishërohet tek enigma që s’arrijmë dot ta ndriçojmë përderisa s’jemi në gjendje të njohim natyrën komplekse të veprës. Mjafton të sjellim ndër mend tërë ngjarjet dhe personazhet e tri romaneve të Kafkës: “I zhdukuri”, “Kështjella” e “Procesi”, që të vendosim midis tyre një lidhje të gjallë, që t’i kombinojmë shterueshëm të gjitha fjalët që autori ka hedhur në letër. Për këtë punë nevojitet vetëm një gjë: arti i durimit. E vërteta e tri romaneve të mësipërme ka të bëjë me një botë shumë më të gjerë nga ç’është bota e Karlit, e K.-së, e Jozef K.-së dhe e Kafkës. Këto tri romane kritika i quan si një “trilogji të vetmisë”, ndërsa izolimin dhe tëhuajtjen i quan si tema themelore të këtyre romaneve. Edhe pse midis romaneve në fjalë ka pika takimi, secili syresh është i mëvetësishëm në aspektin e imazheve artistike.

 

Bota që përshkruan Kafka nuk është një botë reale, nuk është një botë e dukshme dhe e sendërtueshme, megjithëse në përshkrimin e saj jepen të dhëna të shumta e të  hollësishme. Çdo gjë ngjan si e njëmendtë në veprën e tij, çdo gjë ka njëherazi kuptim figurativ dhe mishëron një pjesë të botës jotokësore e joreale. Në më të shumtën e herës, personazhet e Kafkës e kanë zanafillën te jeta e autorit ose te fantazia krijuese e tij. Megjithatë, ato sillen e veprojnë si të ishin nëpunës të një institucioni të panjohur e abstrakt. Në më të shumtën e rasteve, këto personazhe janë nëpunës të  rangut të ulët dhe kanë nëpunës e funksionarë të tjerë si eprorë ose si persekutues të tyre. Megjithëse pozita që kanë u siguron punë e vetëbesim, prapëseprapë e ndiejnë pareshtur nevojën për ta treguar veten e për ta ruajtur atë pozitë, qoftë me përpjekje e me mundime të pareshtura, qoftë edhe me dinakëri e me marifete të ndryshme. Këto personazhe nuk e kuptojnë dot se fuqitë e errëta që vënë në lëvizje ingranazhet, që vënë në lëvizje mekanizmin e sistemit, i kalojnë caqet e synimeve të tyre dhe caqet e normave njerëzore. Mirëpo sistemi i tyre shoqëror ose juridik, edhe pse misterioz e i pashpjegueshëm, funksionon me saktësi të madhe dhe vepron pa pikë mëshire ndaj atyre që nuk i përshtaten.

 

Personazhet e Kafkës sillen nganjëherë si kukulla ose si marioneta; lëvizjet, mimika, reagimet, sjelljet dhe veprimet e tyre shprehin njëfarë pasigurie, amullie e ngurtësie. Ndërkaq, situata ku reagon personazhi kryesor duket si abstrakte dhe e panatyrshme, kurse vetë personazhi duket i arsyeshëm e me mendje të kthjellët; meqë bota rreth tij është irracionale dhe e shfytyruar, personazhi ngjan si tejet qesharak e i hutuar në atë mjedis: për shembull, sjellja e K.-së në romanin “Kështjella”, reagimet e shpeshta të K.-së gjatë arrestimit në romanin “Procesi” ose zgjimi i Gregor Samsës në romanin “Metamorfoza”. Kjo sjellje “e mbrapshtë” ose “açike” haset jo vetëm në tregimet e Kafkës, por edhe në tri romanet e tij. Kështu, në një tregim të këtij autori makina sillet si të ishte njeri, ndaj edhe njeriu i përngjan makinës. Në një tregim tjetër, majmuni shndërrohet në njeri, kurse në romanin “Kështjella” fshati e quan si prej lavireje sjelljen e Amalisë, e vetmja vajzë në kështjellë që refuzon me përbuzje kërkesat banale e fyese të një nëpunësi të lartë. Edhe Jozef K.-ja në romanin “Procesi” ankohet për sjelljen arrogante të rojtarëve të vet. Një ditë, ndërsa hyn  rastësisht në një zyrë pritjeje të bankës ku punonte, ai gjen atje dy rojtarët e vet duke u fshikulluar me kamxhik nga një rrahës. Tmerrohet kur sheh këtë skenë dhe përpiqet ta ndalojë rrahësin. Pra, në bankë punonin edhe rrahës, si pjesëtarë të sistemit juridik imagjinar. Kur e marrin në pyetje njërin syresh, ai përgjigjet: “Jam emëruar këtu si rrahës, detyra ime është të rrah.” Para shtatëdhjetë vjetësh, disa e morën si trillim prej sadisti këtë personazh të Kafkës, mirëpo sot rrahësit në burgjet e ndryshme të botës quhen profesionistë, ashtu siç quheshin edhe në kampet naziste të përqendrimit ose në kampet gjatë periudhës së luftërave të fundit në Ballkan për spastrime etnike. Është interesant fakti që shumica e personazheve të Kafkës s’janë në gjendje të mbrohen, jepen me gjithë shpirt pas punës dhe ndiejnë keqardhje për çdo njeri. Madje mirëkuptojnë  deri edhe torturuesit e xhelatët e tyre. S’janë në gjendje as të urrejnë e as të dashurojnë. Në më të shumtën e rasteve nuk arrijnë të kenë marrëdhënie të ndërsjella e normale me të tjerët. Ndodh nganjëherë që personazhet e Kafkës të mos kenë as prirje për t’i harmonizuar e për t’i normalizuar marrëdhëniet e tyre shoqërore e dashurore. Dashuria mes mashkullit e femrës, si diçka plotësuese për besimin e humbur ndaj botës së qytetëruar, në disa vepra të Kafkës paraqitet si një veprim i gabuar, si mëkat, si gjë e ndaluar e banale. Kësisoj, skenat erotike në romanet e Kafkës fillojnë e mbarojnë rrëmbimthi, me ndonjë puthje ose nganjëherë edhe me akt seksual. Zakonisht, skena të tilla janë të rastësishme, të shpejta e të dhunshme, por edhe të pashmangshme. Lexuesit i krijohet përshtypja se në skenat erotike të veprave të Kafkës ka njëfarë shqetësimi e brutaliteti. Në to as që mund të bëhet fjalë për dashuri të mirëfilltë. Me sa dihet, në jetën e Kafkës ka pasur fare rrallë dashuri të vërtetë e neoplatonike, në jetën e tij ka pasur vetëm disa kontakte intime, fejesa e prishje fejesash, të cilat dëshmojnë se ai kishte frikë të hynte thellë në marrëdhënie dashurore me femra.

 

Në të njëjtën kohë, nga shënimet në ditarët e tij del qartë se jetën bashkëshortore Kafka e quante si një detyrë shumë të rëndësishme, madje edhe ideale, mirëpo vetë ai nuk qe i gatshëm e i sigurt për jetën bashkëshortore. Një nga personazhet e tij, Karl Rosmani, kur e ndien veten ngushtë e pa rrugëdalje, kridhet në marrëdhënie intime me prostituta. Ndërkaq, Jozef K.-ja, kur shkoi njëherë tek avokati i vet për të kërkuar ndihmë, ndeshi, para se të hynte në zyrën e tij, shërbëtoren Leni, e cila e joshi duke e shpurë në një skutë të fshehtë dhe bëri seks me të. Ai shkoi me shpresë se lidhja me Lenin do ta ndihmonte që të kishte sukses tek avokati. Kurse në romanin “Kështjella” gjeodezisti K. bën dashuri me Fridën poshtë banakut të bufesë, sepse shpreson që nëpërmjet saj të sigurojë përkrahjen e Klamit, nëpunësit të lartë të Kështjellës.

 

Në veprat e Kafkës hasen shpesh mungesa e shpresës, pasiguria dhe mëdyshja. Rasti i Barnabasit në romanin “Kështjella” dëshmon se sa i pasigurt ishte ai përfaqësues i pushtetit. As vetë kasneci i kështjellës nuk është i sigurt me vetveten nëse e kryen mirëfilli detyrën që i kanë ngarkuar, apo vetëm i duket sikur e bën një gjë të tillë. Kur flitet për mëdyshje e për reagim të vonuar të pushtetit, thuhet se ndoshta kjo apo ajo çështje po shqyrtohet ose shqyrtimi s’ka nisur akoma.

 

Rruga për në kështjellë shndërrohet në simbol të jetës njerëzore. Nga fshati fillonte një rrugë e gjerë në drejtim të saj, por bënte si me qëllim një kthesë në afërsi të kështjellës dhe as nuk i largohej e as nuk i afrohej, çka do të thotë se mund t’i afrohesh mjaft së vërtetës, por në një rast të tillë para teje do të dalin shumë çështje të paqarta dhe enigmatike. Kështu, edhe në romanin “Procesi” qytetari i pafajshëm paditet për diçka që s’e ka bërë kurrë. Tekefundit, ai nuk akuzohet në bazë të ligjit, por detyrohet të dalë para gjyqit dhe më pas vritet si një “qen”, pa e ditur as akuzën e as fajin e mirëfilltë, bash ashtu siç pushkatohen qytetarët e çdo vendi ku sundojnë ideologji totalitare e diktatoriale. Në këtë roman të Kafkës, K.-ja përfshihet në një proces të çuditshëm dhe nuk e di as vetë se ç’faj ka bërë; pas gjithë gjasave, ai dënohet për arsye se mund të ketë shkelur ligjin.  Në suazën e administratës burokratike të Perandorisë austro-hungareze, çdo qytetar mund të ishte shkelës i ligjit ose fajtor për ndonjë arsye çfarëdo.

 

Shumë studiues të veprës së Kafkës janë të mendimit se në të kemi të bëjmë me një alegori në përmasa të mëdha, meqë mjaft prej personazheve, që kanë një lidhje organike mes tyre, autori i kishte huazuar jo vetëm nga shtresat e ndryshme shoqërore, por edhe nga mitet. Lexuesi i veprës së Kafkës mund ta vërë re fare lehtë se në të ekzistojnë organizma e institucione shoqërore të ndërlikuara, që funksionojnë nëpër kabina, kthina, dhoma, salla, skuta të fshehta, korridore, shkallë, bodrume e tavane. Një gjë e tillë ndodh në romanet “I zhdukuri”, “Kështjella” dhe “Procesi”. Ekziston e funksionon njëherazi edhe një burokraci e jetës së përditshme, një burokraci që ka kompetenca të shumta e pushtet të madh sundues, qeverisës, kontrollues, mbikëqyrës dhe gjykues e ndëshkues ndaj gjithçkaje, me qëllim që të sigurojë funksionimin e ingranazheve të aparatit administrativ e shtetëror. Ndërkaq, K.-ja, si njeri shumë i qetë e me një durim të papërfytyrueshëm, mishëron tërë vuajtjet e padukshme njerëzore. Ky sistem është pothuaj krejt i pakuptueshëm për njeriun e rëndomtë e të ndershëm, për njeriun e botës kafkiane. Duhet shtuar këtu se mjedisi i personazhit kryesor të Kafkës i ngjan një bote që mbështetet në parimet e rrepta të patriarkatit: atë e ndjekin këmba-këmbës njëherazi etërit, ungjërit, dajllarët, si edhe drejtorët, shefat, komandantët e nëpunësit, të cilët janë moshatarë me etërit e këtyre personazheve, që gjejnë mirëkuptim vetëm te nënat, te hallat, te motrat, te dashnoret, te bashkëshortet, ndonjëherë edhe tek ungjërit. Një interes të veçantë paraqesin, sikurse theksuam më sipër, edhe huazimet nga mitet e ndryshme. Le të marrim këtu si shembull romanin “Kështjella”. Fillimi i këtij romani mishëron diçka simbolike: ishte mbrëmje e vonë kur K.-ja arriti në fshatin e mbuluar nga bora. Në kodrën ku ndodhej kështjella nuk dallohej asgjë, ajo qe kredhur mes mjegullës, mes errësirës, dhe në atë kështjellë të madhe nuk dukej asnjë rreze drite. K.-ja ndenji gjatë mbi urën e drunjtë të rrugës që shpinte në fshat, ngriti sytë dhe soditi tërë atë hapësirë që shtrihej gjer lart në horizont. Me këtë rast autori përshkruan jo vetëm vendndodhjen e personazhit, errësirën përqark, vetminë e tij dhe përvijimet e kështjellës misterioze, por edhe gjendjen mendore e shpirtërore të K.-së. Këto përshkrime të sjellin ndër mend njëherazi simbole mitike që ndeshen shpesh si në letërsinë popullore, ashtu edhe në letërsinë antike, ku personazhi merr rrugën për të kërkuar diçka të pakapshme, diçka të paarritshme, për shembull, në letërsinë egjiptiane te “Libri i të vdekurve”, pastaj tek “Odiseja” e Homerit, më vonë tek “Eneida” e Virgjilit e te “Komedia hyjnore” e Dantes, dhe, akoma më vonë, në letërsinë e mesjetës, gjer te romani “Në anën tjetër”, i Alfred Kurbinit.

 

Në suazën e një simbolike të këtillë, “mbrëmja”, “mbrëmja e vonë” ose “errësira” janë të ngjashme me jetën, me mbrëmjen e jetës, kurse dimri ose bora mishërojnë fundin e saj. “Fshati” është vendi ku enden shpirtrat e të vdekurve, ndërsa “qyteti”, shtegu ose rruga janë vetë jeta, ecuria e saj. Kështu, në arkitekturën egjiptiane shtegu midis sfinksave shpie drejt varrit, “ura e drunjtë” është lidhja e dobët midis dy brigjeve, ndërsa “kodra” dhe “kështjella” mishërojnë shpëtimin ose shëlbimin, por edhe hyjninë, meqë perëndia hebraike e kishte ndejën në Sinaj, kurse hyjnitë antike greke jetonin në Olimp. Përveç këtyre, dimri i gjatë ose i përhershëm ndodhet në Veriun e largët, i cili, sipas mitologjisë gjermane, mishëron viset e vdekjes. Në roman përmendet edhe “konti”, që ka pushtet të fortë e të pakufizuar, mirëpo nuk e ka parë askush. Nëpunësit e lartë e të rrezikshëm, sekretarët e shërbëtorët e tyre kanë dashnore, dashuria që ndiejnë vajzat ndaj tyre është diçka e çuditshme, me sajesa që të habisin, shpeshherë vulgare e të dhunshme. Në romanet e në ditarët e vet, Kafka na jep portrete vajzash ose grash që i sheh ose i takon fare rastësisht dhe që as e tërheqin e as i sjellin kënaqësi. Të tilla janë zonjusha Byrstner, Leni etj. Metoda që përdor Kafka në këto tri romane mbase mund të ketë lidhje me mitologjinë hebraike e të krishterë, ku bëhet fjalë për lindjen, vdekjen, sprovën, tundimin, shtegtimin, mëkatin, shpëtimin e ndëshkimin, si edhe për profetët, për jetën e për vuajtjet e Krishtit, për apostujt, engjëjt, perëndinë, tokën, ferrin e parajsën. Madje autori përmend edhe ngjashmëritë mes këtyre miteve dhe disa ideve të tij. Ndërsa përpiqet të shpjegojë gjendjen e njeriut në çastin kur ky nuk arrin të kuptojë me logjikën e vet, miti ekziston brenda njeriut e jo jashtë tij, prandaj bëhet shpeshherë mishërim i halleve, i brengave dhe i problemeve të tij. Rrjedhimisht, një gjë e tillë s’duhet të na çudisë, sepse tërë këto imazhe, që u përngjajnë alegorive mitike, në të vërtetë janë shprehje e vetë jetës, janë orvatje simbolike për të shpjeguar situata dhe motive më domethënëse të jetës së njeriut.

 

Ndërkaq, të gjitha këto simbole kanë të bëjnë, në një mënyrë a në një tjetër, me personazhin kryesor të veprës së Kafkës. Ç’është e vërteta, si mitet ashtu edhe simbolet e alegoritë janë pjesë përbërëse e tekstit të shkrimtarit dhe pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të personazhit, baticat e zbaticat e ndjenjave, të mendimeve e të veprimeve të tij. Këtu kemi të bëjmë me një botë krejt të veçuar e të izoluar, pa dialogje të gjata, pa pikëmbështetje të jashtme dhe pa shpjegime, kemi të bëjmë me një botë të krijuar prej figurash e vegimesh të një ëndrre. Madje, shpeshherë këto figura e vegime e kanë zanafillën tek ëndrrat. Në ditarin e në letrat e veta, Kafka përpiqet rëndom edhe t’i shpjegojë ëndrrat, duke përvijuar kësisoj një tregim të tërë. Mirëpo këto janë ëndrra surrealiste, sepse me to autori nuk krijon një botë fantastike e absurde, një vend imagjinar arratie, përkundrazi, këto ëndrra të personazheve të Kafkës nxisin dhe forcojnë besimin. Këto ëndrra kanë një domethënie të çuditshme, së cilës lexuesi nuk i shmanget dot: kjo botë e paqenë e ëndrrave s’është ndonjë strehë poetike, ajo është vegim i përçudnuar i realitetit jetësor. Kjo botë përshkruhet me kthjelltësinë dhe saktësinë e një artisti ekspresionist. Pra, edhe kjo botë është pjesë përbërëse e një drame të brendshme. Gjendja psikike e personazhit në këtë botë ndihet në çdo fjalë, në emrat e personazheve, në sjelljen e në pamjen e tyre të jashtme, në bisedat e në vendet ku zhvillohen ngjarjet që kanë të bëjnë me këto personazhe.

 

Ka raste kur lexuesit i duket sikur metoda artistike e Franc Kafkës ngërthen në vetvete edhe groteskun. Ndër të gjitha mjetet artistike të stilit të Kafkës, toni i ftohtë e i shkujdesur, shëmbëlltyrat dhe vegimet ironike, fantastike e natyraliste përputhen thuajse plotësisht me stilin e groteskut. Duhet thënë se grotesku, si kategori artistike, zbulon nganjëherë kuptimin thelbësor ose edhe pakuptimësinë e gjithësisë, ku, sikurse besohet, ka shpresë e vend për të tërë, “por jo edhe për ne”. Në suazën e kësaj kundërshtie, çdo gjë që personazhi kryesor përpiqet ta arrijë vetvetiu has në keqkuptime, sepse bota ku jeton ai është e shthurur ose e sëmurë, pa mendje të shëndoshë, ajo është një botë ku s’mund të gjesh përgjigje për çështjet më të rëndësishme jetësore; në këtë botë mendimi i njeriut varet nga çasti e nga vendi ku ai do të ndalet rastësisht e pa ndonjë arsye, sepse, sikurse mendon personazhi i Kafkës, arsyeja mund të hedhë poshtë çdo gjë, por më së fundi del se nuk ka hedhur poshtë asgjë.

 

Lidhur me këtë realitet të rremë e të koklavitur, lexuesi ka përfytyrimin iluzor se edhe atij i ka rastisur ta njohë atë botë e të mendojë për të. Ndërkaq, personazhet e kësaj bote duken si të zakonshme, por në të vërtetë veprojnë mekanikisht, si marioneta, kalojnë peripeci dhe bien në kurthe situatash delikate, pa pyetur për shkaqe dhe motive. Duke bërë fjalë për këtë çështje, kritika e vë theksin edhe te natyra paradoksale e personazheve të Kafkës. Një ndër karakteristikat më të spikatura të prozës kafkiane është struktura paradoksale e saj. Shembull tipik i kësaj karakteristike është tregimi ku bëhet fjalë për njeriun që po rrinte te porta e gjykatës e që roja i fliste per shtyerjen e gjykimit; ai njeri pret me ankth e me durim, vitet rrjedhin, dhe në pleqëri, kur e lënë fuqitë, e pyet rojën se për ç’arsye gjatë tërë asaj kohe s’kishte ardhur askush tjetër te porta e gjykatës, dhe pse tërë njerëzia e ka mendjen te ligji. Roja i përgjigjet se porta ishte e hapur vetëm për të dhe se mbyllet me vdekjen e tij. Marrëdhëniet absurde, të pashpjegueshme e të pamotivuara paraqiten pothuaj si të ishin plotësisht të kuptueshme e të zakonshme.

 

Disa prej veprave të Kafkës janë edhe parabola. Është interesant fakti se tregimet e veta me elemente të alegorisë Kafka i quan parabola. Në të vërtetë, dallimi midis alegorisë dhe parabolës është thelbësor: alegoria tregon diçka që nuk e ngërthen kuptimin e mirëfilltë, meqë domethënia e saj duhet kërkuar tek idetë që shpreh, kurse parabola tregon diçka të drejtpërdrejtë dhe ekziston si tregim më vete, por mund të shërbejë njëherazi edhe si shembull tipik për tregimet e tjera ose për mundësitë e jetës njerëzore.

 

Më anë tjetër, duket sikur në romanet e Kafkës ekziston nganjëherë një lloj rendi, një lloj sistemi e konsekuence. Kështu, për shembull, personazhi kryesor ballafaqohet me një fuqi të pashpjegueshme dhe të paqartë për të. Personazhi e vë re praninë e pushtetit, ndërkaq ky nuk vepron drejtpërsëdrejti, por në mënyrë tinëzare e misterioze. Kësisoj, tërë pleksja e ndodhive i përngjan përshkrimit të një ecurie përpjekjesh e gabimesh. Si rrjedhojë, mendimet e veprimet e personazhit kryesor vërtiten rrotull tij. Ai ballafaqohet gjithmonë me dukuri, ngjarje e figura që s’i kupton dot dhe kridhet në përsiatje e sqarime që nuk mund ta kënaqin. Prandaj zor se mund të gjesh në romanet e Kafkës fillim ose mbarim, ngjarje të vërteta, domethënie e realitet, sjellje normale e deklarata të ndonjë personazhi.

 

E megjithatë, personazhet e Kafkës përleshen e rezistojnë përballë vështirësive, duke u përpjekur t’i sqarojnë e t’i hetojnë punët. Lidhur me këtë, personazhet në fjalë bëjnë pareshtur një vetanalizë të sjelljes, të gjesteve, të fjalëve e të veprimeve të tyre, bëjnë çmos që të zbulojnë se ku kanë gabuar e si mund t’i ndreqin gabimet, mirëpo ndodh njëherazi që ta pranojnë ose ta refuzojnë situatën e ndërlikuar me të cilën ballafaqohen.

 

Megjithëse sfera narrative e Kafkës është relativisht hermetike dhe enigmatike, personazhet e prozës së tij janë të pajisur me cilësi morale, shpirtërore e mendore, por zor se mund të njëjtësohen me atë që bëjnë. Këto personazhe e shpalosin veten, shpesh e gjer në njëfarë mase, me atë që thonë e që mendojnë. Si bartës, në radhë të parë, i ideve, i mendimeve e i mëdyshjeve të shumta, absurde e groteske, personazhi statik, por edhe dinamik, komik, por edhe tragjik, në më të shumtën e rasteve sillet si ndonjë somnambul. Një personazh i tillë jo vetëm që e huton lexuesin me sjelljen e me veprimet e veta, por, duke u përzier shpeshherë në marrëdhëniet absurde e të pamotivuara, sillet si i pazakontë në një realitet të caktuar.

 

Krahas kësaj, personazhet e Kafkës bien në situata të vështira, marrin vendime të gabuara, futen në qorrsokak, mirëpo, në raste të tilla, përpiqen sërish, e shqyrtojnë prapë gabimin që kanë bërë ose vendimin e gabuar që kanë marrë dhe, në të njëjtën kohë, ose pajtohen me fatin ose nuk e pranojnë situatën e vështirë ku kanë rënë. Në raste të tjera, personazhi i tij i tjetërsuar akuzohet nga pushteti pa e ditur se ç’faj ka bërë, ose e ndjekin penalisht, por ai nuk e ka të qartë se çfarë krimi ka kryer. Ky personazh jo vetëm që nuk e kupton se si vepron mekanizmi i aparatit administrativ e burokratik, por nuk është as i zoti të mbrohet nga rreziku që i kanoset, sepse bota rreth tij është një botë e shfytyruar, irracionale dhe absurde.

 

Për më tepër, personazhet e çuditshme të Kafkës, që mund ta kenë zanafillën edhe te biografia e autorit, te fantazia e tij krijuese dhe te shëmbëlltyrat e personazheve që hasen ndër shkrimtarë të tjerë, shndërrohen fare lehtë në personazhe të rreme, të mëvetësishme e paradoksale, sepse jetojnë e veprojnë në një mjedis ku fantastikja quhet realitet, kurse realiteti quhet si botë fantastike dhe irracionale. Një botë e tillë, e mbyllur brenda mureve të fantazisë e të logjikës, e detyron personazhin të jetojë e të veprojë herë me pasiguri, me mëdyshje, me shqetësime e me telashe, herë i izoluar e i tjetërsuar dhe herë i angazhuar me gjëra që të tjerëve u duken si të rëndomta. Kësisoj ndodh që ky personazh të bëhet viktimë e ingranazheve të shtetit burokratik ose të një hierarkie të përbindshme, e cila ia cenon të gjitha të drejtat, madje edhe të drejtën për të jetuar e për të ruajtur dinjitetin e vet si njeri. Pra, këtu bëhet fjalë për një personazh jo të zakontë, me tipare të tilla që s’i kanë pasur personazhet e shkrimtarëve të mëparshëm. Duke mos gjetur mirëkuptim e ngushëllim, një personazh i tillë mbyllet në botën e vet shpirtërore, meqë përvoja, synimet, shpresat, ndjenjat, mendimet dhe ambiciet e tij shkelen me këmbë. Për pasojë, ai sillet si ndonjë marionetë e pasigurt, si njeri qesharak, budalla e hutaq, si njeri për të cilin thuhet se e humbet udhën edhe në oborr.

 

Duke hedhur një vështrim përmbledhës, mund të themi se këto personazhe jo të zakonshme, me tipare kafkiane, u shëmbëllejnë qytetarëve në shumë shtete bashkëkohore, ku njerëzit s’janë gjë tjetër veçse shifra dhe emra nëpër lista, ku njerëzit jetojnë në një shoqëri të tjetërsuar e mizore, ku njeriu e shpërfill njeriun. Sado që historia e letërsisë dhe kritika letrare nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit për veprën e për personazhet e Kafkës, pasi jemi njohur me disa personazhe të tij na duket sikur vetë autori flet nëpërmjet tyre lidhur me arsyet e zvarritjeve të pasosura, lidhur me këmbënguljen e me luftën e palodhur për të arritur atë që kërkon e që i takon, lidhur me vetminë, me zhgënjimet, me ankthet e me shqetësimet e një epoke jo fort të largët. Ndërkaq, zëri e fati tragjik i këtyre personazheve na përcjellin katrahurat e shekullit të kaluar e na paralajmërojnë për katrahurat e mijëvjeçarit të ri. Dhe, më së fundi, na duhet të pajtohemi plotësisht me Alber Kamynë, i cili, duke folur për veprën e Kafkës, thotë se i gjithë arti i Franc Kafkës ka të bëjë me faktin që njerëzit “detyrohen t’i rilexojnë” librat e këtij autori.

 


Për ZSH: Pilo Zyba

(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: