Pëllumb Gorica: E para mikpritja por mbi të bujaria
| E Marte, 06.07.2010, 08:58 PM |

E para mikpritja por mbi të bujaria

 

“Njeriu që është i uruar, mikun e pret krahapur dhe e përcjellë të gëzuar”

                                                                                          Naim Frashëri

Nga Pëllumb Gorica

 

 Një pjesë e traditave të popullit tonë, duke mos mundur t’u qëndrojnë rrjedhave historike dhe ndryshimeve në shekuj janë zhdukur. Luftërat, pushtuesit disa i zëvendësuan me të tjera. Në 50 vitet e fundit një pjesë të tyre janë zëvendësuar. Por është akoma fatkeqësi, që përparimi i kohëve të sotme ka çuar në zhdukjen e shumë të tjerave. Do të ishte pak të shkruanim për traditat dhe të mos përmendnim mikpritjen dhe bujarinë si më themeloret mes zakoneve të familjes dhe karakteristikë fisnike tek shqiptarët.

Do të flasim në këto rreshta për mikpritjen dhe bujarinë në krahinën e Sulovës.  Siç thamë më lart, kohët kanë ndryshuar, traditat janë zbehur, por mikëpritja dhe bujaria kanë lëshuar rrënjë në shpirtin e sulovarëve dhe nuk shkulen lehtë. Sidoqoftë nuk mund të mohohet, që prej shumë kohëve krahasuar me banorë të trojeve të tjera të Shqipërisë, sulovarëve u ka dalë nami si njerëz mikpritës dhe përmes mençurisë, në konakët e tyre kanë yshqyer brezat me mikpritje e bujari. Është e lehtë të thuhet, por kjo traditë e bukur e përcjellë brez pas brezi ka ardhur e trashëguar brez pas brezi në konakët e sulovarëve. Konaku, si simbol i pritjes dhe përcilljes së mikut, i muhabeteve, gostive në raste gëzimesh, ku festohej e ku kumbonte kënga e hidheshin valle, ku thureshin fjalë e shprehje të bukura e ku shfaqej urtësia dhe mençuria e sulovarëve siç e donte zakoni, apo niste gjëma në raste fatkeqësish është i shenjtë në Sulovë.

Jo vetëm miku i vërtet, por edhe rrugëtari i panjohur që e zinte nata në rrugë, hallexhinj edhe pse mos me thënë edhe miku i rremë, pritej e përcillej me bujari, dashuri e respekt siç e kërkonte zakoni. ‘‘Miku është i këndshëm dhe i mirëpritur në çdo kohë kur vjen si dashamirës dhe që e nderon miqësinë”, të thonë në Sulovë. Fjalët e mirëseardhjes dhe buzëqeshja e të zotëve të shtëpisë janë mikpritja më bujare. Të ftojnë ashtu thjesht e pastër që është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Edhe kur e urojnë mirëseardhjen “Mirë se erdhe”, e thonë kumbueshëm si vargun e një poezie. “Bukë e kripë e zemër” thoshin të parët,  se “miku ha një copë bukë po namin ta çon larg”, të pret e përcjell.

Si gjithë shqiptarët konaku sulovar ka pasur zakonet e veta, miku i vjetër, muhabetçiu kishin vendin e vet. I jepnin rëndësi të madhe nderit, respektit, emrit. Po kështu ndryshonin edhe konakët, diku kishte bujari, diku ishte dorështrënguar.  Për atë që nuk pret e përcjellë në Sulovë thuhet: “Të kamur vërtet por ç`e do porta s’u troket kurrë”, apo edhe “asaj familje nuk i hahet buka’’. Përkundrazi namit të rasteve të veçuara porta e konakëve të sulovarëve e hapur përherë ‘‘Mirë se erdhët”. Njiheshin shtëpitë mikpritëse e bujare, dyer me emër. Gojdhënat tregojnë bujarinë edhe në kohë të vështira. “Bëheshin copë të mëdhenj e të vegjël”. Shkundej shtëpia nga të gjitha llojet e zahireve. Viteve të socializmit s’ia lejonin vetes një mikpritje të gjerë e të bujshme, se në këto vite dihet se nuk e kishin takatin e pritjes së miqve, prapë ishin në gjendje të bënin diçka. Miku para së gjithash pritet me përzemërsi, ajo që qëllon në shtëpi. Sulovari pa bujari nuk mund të kuptohej dhe gjithmonë ka pasur një merak të madh si ta presin mirë e më mirë mikun. Kjo është aq e vërtetë sa kur e pyetën njëherë një sulovar se kur e ke ndjerë veten keq. ‘‘ Kur më ka ardhur miku në shtëpi e s`kam me ç`farë ta pres’’.

Në kohëra fukarallëku ka shëtit edhe derë më derë fshatrave të Sulovës, por mikpritja e bujaria s`ka munguar asnjëherë. Edhe në varfëri të tejskajshme sulovarët kanë pritë e përcjellë miqtë me dinjitet. I bëjnë nderet mikut, duke e vënë në qoshen tjetër të oxhakut, përballë të zotit të shtëpisë. Dhe rreth e qark në konak krijohej një rreth burrash i madh ose i vogël sipas ardhjes, të ulur këmbëkryq. Kjo mënyrë e të ndenjuri ka vazhduar deri në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar. Por që ka mbetur si kujtim i qartë tek të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë. Këmbëkryq mbi shiltet e bukura shkëmbeheshin përshëndetjet e përzemërta. Kutitë e duhanit dora-dorës ose hidheshin kryq e tërthorë. Për të nderuar mikun ftonin vëllazëri, kushërinj, komshinjtë për muhabet. Duke ardhur kështu ata ishin prezent në të gjitha rastet e gëzimeve dhe hidhërimeve të njëri-tjetrit.  Respektonin, por edhe e zgjerojnë njohjen kur nuk njihej

Të ulur rreth oxhakut  mikun e mbajnë me muhabet se u duket sikur s`ka lezet që të rrish me mikun e ta shikosh në sy pa folur. ‘‘Miku duhet mbajtur me muhabet, përndryshe nuk je treguar mikpritës’’ të thonë në Sulovë. Biseda të gjalla, rrëfenja të bukura. Bashkëbisedim  me shumë përzemërsi. “Lëre mikun të flasë dhe dëgjoje me vëmendje’’ të thonë në Sulovë. Miku mëson prej mikut, kultura, traditat, përvoja ndaj njëri tjetrit. E veç kësaj një arsye tjetër e mikpritjes është se miku ishte ndërlidhës me botën e jashtme, se sulovari si gjithë shqiptarët vërtetë s`ka dashur të jetojë i veçuar nga të tjerët. Në Sulovë dinë ta ruajnë miqësinë. Është një virtyt i veçantë mos harrimi i miqve të vjetër. Për atë ka tregime të bukura. ‘‘Shko ku të shkosh por miqtë e babës të mos i harrosh’’ thonë sulovarët. I zoti i shtëpisë ulet, çohet kur duhet për të mos mërzitur miqtë pa rënë në sy teksa shkon në kuzhinë, jep porositë e nevojshme për darkën a drekën. Dhe kështu miqtë bisedonin gjatë derisa gratë t’u bënin të njohur burrave se sofra ishte gati. Fillonte dollia, një nga traditat e vjetra sulovare. I pari që e merrte gotën e rakisë, i zoti i shtëpisë uronte mirëseardhjen mikut e pas tij radhën e kishte miku. Duke kuvenduar me gotat e rakisë përpara tek pinë rakinë e fortë e të kulluar, që pak ta shkundësh krijon zinxhir rruazash në kupë e shishe, dëshmitare të cilësisë më të mirë të pijes karakteristike. Edhe kur vinte një mik bëhej dolli. Në dolli pinë për shëndetin e çdo të pranishmi, kujtojnë, respektojnë, urime plot. Pas çdo dollie këngë këndohet. Këngën e parë të muhabetit e merr i zoti i shtëpisë pastaj radha shkon te miku.

           O konaku me tavan,

           Lumja ti ç’farë mban.

           Shokë e miq  mbledhur.

           Sofrat plot shtrur...

           Pijmë e bëjmë muhabet.

           Se kështu na ka lezet.

           Muhabetin të shtruar.

           Miqtë i paçim të gëzuar.

Emri i mirë i një shtëpie mikpritëse e kërkon që sofra të shtrohet plot. Për të gjykuar se sa e nderojnë mikun, mjafton të shohësh përmasat e hajës që i venë përpara. Nuk ka rëndësi nëse i hanë të gjitha apo jo. Ky rit ishte ca i tepruar për gjendjen ekonomike të banorëve në periudha të caktuara kohe, por për hir të traditës kushtonte shtrenjtë respekti i këtij zakoni. Sa më tepër meze të shtroheshin, aq më i madh nderimi për mikun. Shenjat kryesore: koka, bishti, shpatulla. I kushtohej rëndësi e veçantë këtij riti. Gjithashtu miku ishte i detyruar të nderojë të zotin e shtëpisë dhe të hajë e të pijë çdo gjë që serviret.

Për dy gjëra nuk pyetej miku në Sulovë: përse ke ardhur dhe kur do të ikësh. Dhe kuptimplotë urimi i përcjelljes : ‘‘ardhshi për të mirë, i keni dyert e hapura”,  “për mikun e mirë oxhaku gjithnjë rri ndezur’’. Përcillej miku me ushqime me vete se merrte rrugë. ‘‘Se udhëtari po u nis pa bukë është njësoj sikur niset pa gjak në zemër’’, sipas  asaj porosie të të moçmëve: “Kurrë mos udhëto pa bukë me vete, mikes që gjendet në nevojë.” Miqtë përcilleshin me dashuri nga fshati, zakon i lashtë që dëshmonte për respektin dhe kujdesin për mikun.

 Mikpritja e bujaria e trashëguar brez pas brezi aq origjinale e përherë fisnike i mbush me krenari vet sulovarët që e mbartin këtë traditë.



(Vota: 13 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: