Ndue Ukaj: Amerika dhe shqiptarët
| E Hene, 05.07.2010, 09:00 PM |

Amerika dhe shqiptarët

 

Nga Ndue Ukaj

 

Flamujt Amerikan, diskursi patetik i politikës, medias, kudo hapësirave shqiptare, festimi madhështor i ditëve të shënuara amerikane, siç është 4 korriku,  janë imazhe të mjaftueshme që të krijojnë një përshtypje të plotë,  se shqiptarët e admirojnë Amerikën, se shqiptarët e kanë model popullin e shtetin amerikan, dhe se, shqiptarët ndajnë në përgjithësi sistemin e vlerave të përbashkëta me amerikanët. Shtoja gjithë kësaj, pasionin e fuqishëm të rinisë shqiptare, për vlerat dhe kulturën amerikane, me një theks të veçantë për muzikën, filmin, sferat e edukimit, etj., mund të themi se afërsia amerikano-shqiptare në sipërfaqe duket të jetë e mrekullueshme. Në realitet, kjo afërsi në masat e gjëra ne popull, është reale, mirëpo, gjendja e përgjithshme shqiptare, sidomos ajo politike, mbase ka edhe një faqe tjetër, të cilën për shkak të një mentaliteti fodull dhe heretik, s’guxojmë ta prekim.

 

Është një dialektikë e jetës që njeriu kur do dhe admiron dikë, dëshiron t’i ngjasoj atij/asaj, apo në variante tjera, dëshiron t’i shkrij dallimet dhe cenet e tij dhe të përfitoj nga vlerat që admiron, për të ruajtur dashurinë, për ta thelluar atë dhe mbi të gjitha për t’i shëmbëllyer të admiruarit. A bëjmë ne si komb një gjë të këtillë? Mendoj që jo-ja është e madhe. 

 

Një njeri me mendje të shëndoshë, kur sheh gjendjen politike shqiptare, kundron mentalitetin e politikës shqiptare, përçarjet banale, mos aftësinë për t’u bashkuar në drejtim të mirave të përbashkëta, plaçkitjen e shtetit në përmasa ekstreme, një mentalitet primitiv të tipit anadollëko-oriental në qeverisje, ndërsa në anën tjetër sheh dashurinë e furishme pro Amerikës, s’ka sesi të mos dyshoj dhe shtroj pyetjen: A e duam vërtetë Amerikën? Kjo pyetje sinjifikon dilemën tjetër, a dimë vërtetë ta duam dhe a është kjo dashuri e sinqertë?! Si shpjegohen këto marrëdhënie, a janë vetëm pjesë e evokimeve që vinë nga e kaluara, ngase ky shtet ka shpëtuar qenien tonë kombëtare dhe ka krijuar dy shtete shqiptare, janë rrjedhojë e natyrshme, apo rezultat i një “frike” që fshihet nën petkun e interesave politike? Gjitha këto pyetje e dilema, shpjegimin më të mirë e gjejnë në realiteti shqiptar, i cili është një tregues tejet i keq- një realitet që shumë pak përkon me modelin amerikan për kulturën, shtetin, kombin, qytetarin, etj. Të gjitha dilemat e lartcekura, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, i shpjegon më së miri politika jonë, e cila vepron pikërisht jashtë kornizave të ideve dhe idealeve që promovon Amerika, për shtetin, për demokracinë, për lirinë, për qytetarin. Dhe sidomos, këto shqetësime i shpjegon mënyra si sillet elita dhe inteligjencia jonë e vobektë, e dehur nga vetëkënaqësia dhe mburravecëria, që s’ka guximin të del në mbrojte të parimit të lirisë thelbësore, të demokracisë shëndoshë, të shtetit funksional, por bëhet surrogat i deformuar i tyre. Duke i sintetizuar këto segmente dhe sidomos duke i njohur predikimet e atykëtushme që bëhen jo rrallë brenda kombit tonë, njeriu s’gjen vend për t’u ngazëllyer dhe për më tepër, e ka të vështirë të pohoj me plotë gojën se kombi ynë e do vërtetë Amerikën.

 

Miqësia amerikanëve dhe shqiptarëve nuk i dedikohet sinqeritetit e as kontinuitetit të politikës sonë, as në Shqipëri, as Kosovë e gjetiu hapësirave shqiptare, por madhështisë së kombit amerikan, asaj madhështi që ky shtet me vlera sublime, e ka manifestuar dhe manifeston çdo herë, duke mbrojtur parimet e lirës, të drejtës dhe demokracisë.

 

Prandaj, mënyra më e mirë për t’iu falënderuar Amerikës është t’i gërshetojmë ato të mira universale që promovon ky vend dhe t’i bëjmë pjesë të jetës sonë kombëtare, pjesë e konsolidimit të kombit tonë dhe shteteve tona, që të bëjmë ne për shtetin e jo shteti për ne, siç na mëson filozofia e jashtëzakonshme amerikane.

 

Nëse e kthejmë shikimin prapa në shekullin e kaluar, lehtësisht mund të konstatojmë se përveç pak lëvizjeve puro-amerikanë (kujtoj këto lëvizjen madhështore të Ibrahim Rugovës), lëvizjet tona kombëtare në shekullin e kaluar, kanë qenë kryesisht në kundërshti me parimet dhe vlerat që ka promovuar dhe mbrojtur Amerika.

 

Sot, kombi shqiptar shquhet për një admirim të madhe pro civilizimit që përfaqëson Amerika. Mirëpo, e gjithë kjo energji dhe ky admirim është si uji që s’rrjedh dhe nuk shfrytëzohet, sepse e pengon diga e politikës, që me mbrapshtitë e saj s’lejon të zhvillohet shëndetshëm. Pikërisht për këtë, ne mbetemi kombi më i varfër në Europë, pa mirëqeni, pa sport të zhvilluar, pa kulturë universale, me mentalitet fisnor, bajraktarizëm krahinor, ekstreme religjioze, në gjitha poret e jetës. Empiria na thotë se një raport i shëndetshëm, jo formalë, por esencial me Amerikën s’do të na lejonte katandisjen në këtë gjendje?!

 

Ky admirim i natyrshëm dhe pse jo i detyrueshëm që kemi pro këtij vendi të mrekullueshëm, duhet shërbejë si moment i fundit për reflektim, të funksionalizohet në drejtim të së mirës kombëtare. Kjo pikësëpari, duke  bërë transformime të shumëfishta brenda jetës sonë kombëtare, një emancipim të shumanshëm e të domosdoshëm, që do të mundësonte  jetësimin në praktikë, të atyre parimeve dhe vlerave bazike perëndimore, të cilat sot, zaten, janë të kërcënuara më shumë se kurrë nga segmente të errëta në Shqipëri, Kosovë, e gjetiu ku jetojnë shqiptarët, etj. Ndaj, për shqiptarët, alarmi është i ndezur dhe kumbon fuqishëm:  është koha për vetëdijesim më shumë se kurrë, që këto retorikë shterpe dhe fjalimet popoze pro-Amerikës, t’i shndërrojmë në veprime konkrete në të mirë të demokracisë, të lirisë  e përparimit kombëtar. Ndryshe, këto fjalime, të cilat shkumojnë sidomos në raste festash, do të jenë të paefektshme, ndërsa rrugëtimi ynë do të jetë i zbehtë, ashtu siç ka qenë gjerë më sot. Rrugëtimi krah Amerikës dhe duke jetësuar e mishëruar në jetën tonë kombëtare vlerat e mëdha që sublimon ky vend, është rrugëtim i vetëm i sigurt dhe një garanci për të tashmen tonë,  e  sidomos një investim për një të ardhme të ndritshme.

 

Marrëdhëniet e shkëlqyera dhe solidariteti i jashtëzakonshëm amerikan ndaj kombit tonë, deri me sot s’i kemi shfrytëzuar  për të mirën e kombit tonë (siq kanë bërë Izraeli, Koreja e Jogut, etj), që të këndellemi dhe t’i akumulojmë potencialet tona, për ta sforcuar substancën kombëtare. Sidomos këto marrëdhënie, nuk i ka shfrytëzuar politika shqiptare. Ajo nuk ka mësuar si duhet bërë shteti, të mësoj si kontribuohet për shtetin, mbi të gjitha, të mësoj si formësohen idealet e përbashkëta kombëtare, në të cilat, të gjithë kontribuojnë dhe nga të cilat gjithë përfitojnë. Prandaj, është momenti i reflektimit dhe vetëdijesimit, që nga pasioni i zjarrtë për Amerikën, me flamuj, koncerte, e forma tjera, të kalojmë në instancën tjetër, te përvetësimi i modelit amerikan, për t’u edukuar dhe mësuar si bëhet shteti në frymën amerikane, si duhet shteti dhe si përparon shteti, në frymën amerikane. Realiteti i tashëm shqiptar është larg këtyre idealeve.

 

 Amerika është një shtet mrekullueshëm, ndërsa populli amerikan është Ai të cilit duhet thurur Lavde të përhershme. Mirëpo, jo lavde që përfundojnë me lagje të buzëve. Është  në të mirë të mirën tonë kombëtare dhe sidomos falënderimi më i madh për këtë vend që ka bërë dhe bënë shumë për ne, do të ishte: të mësojmë filozofinë e tyre për shtetin, për kulturën, për qytetarin dhe lirinë. Kështu do t’i shporrim të këqijat që na sillen në ne dhe mbi ne, ato që na pengojnë në jetën tonë kombëtare të ecim drejt përparimit.

 

Forcimi i marrëdhënieve me Amerikën është investimi më i sigurt për një të ardhme të ndritshme. Në këtë aspekt, është dashur të marrim shembull nga izraelitët, të cilët për pak vite, me ndihmën amerikane, bëhen fuqi botërore sepse admirimi i tyre për Amerikën ishte nga zemra dhe jo nga shtysat instiktive.

 

Që të përfitojmë nga të mirat e këtij vendi duhet të jemi të gatshëm t’i heqim të këqijat nga vetja jonë, të përqafojmë frymën amerikane në gjitha aspektet, ndërsa politika jonë s’ duhet të bërtas e gulçojë pro-Amerikës, e në anën tjetër të stimuloj, ose, të mos pengojë zhvillimet dhe predikimet, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt. Në fund të fundit,  mos zhvillimi i demokracisë, forcimi i ekstremizmit fetar islamik, korrupsioni, mosaftësia për të bërë kompromis për vendin, madje për asnjë çështje jetike shqiptare, janë vlera absolutisht të cilat s’ i përfaqëson Amerika. Përkundrazi, i lufton.

 

Mendësia e konsoliduar për shtetin, vlerësohet të jetë një nga tiparet karakteristike amerikane. Nëse analizojmë dhe krahasojmë botëkuptimet që kanë për shtetin shqiptarët dhe amerikanët, shohim se ne dhe ky popull fisnik s’kemi asgjë të përbashkët. Ne duam të plaçkitim shtetin tonë, ne duam ta grabisim shtetin, ne duam që për të na shkuar kungulli mbi ujë të rrënojmë çdo gjë dhe çdo njeri, qeveritë shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e gjetiu, nuk qeverisin, por sundojnë një popull skajshmërisht të varfër, të manipuluar dhe instrumentalizuar. Qeveritë tona shqiptare, në Tiranë e Prishtinë, jo që ndajnë vlera të përbashkëta me ato amerikanë, mirëpo përkundrazi, qëndrojnë vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, në taborre të kundërta, duke qenë kampione të korrupsionit, të abuzimit me pushtetin, të nepotizmit, të personalizimit të pushteti, etj.

 

“The American dream” duhet bërë realitet kombëtar.



(Vota: 20 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: