Sejdi Berisha: Refleksioni dhe kallëzimi epik i jetës në pikturë
| E Marte, 22.06.2010, 09:58 PM |

Tridhjetë vjet profile dardane të piktorit, Isa Alimusaj

 

REFLEKSIONI DHE KALLËZIMI EPIK I JETËS NË PIKTURË

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Piktura është si kënga e cila këndohet me zjarrin e shpirtit, e cila, pastaj kuptohet në mënyrën vetanake duke kurajuar guximin për rrëfimin e historisë, për shpjegimin e madhështisë së shpirtit dhe të mendjes së njeriut. Po ashtu, në këtë aspekt, hasim edhe rrugëtimin për ta komentuar dhe për t’i përjetësuar periudhat kohore dhe historike, por edhe duke shprehur begatinë e mendimit, e cila shpesh i ngjanë rrëfimeve për imponimin e universit të kallëzimit shpirtëror. Kështu është edhe në pikturë, në fushën e artit figurativ, ku tablotë shprehin dhe reflektojnë sekuenca dhe ambiente, të cilat janë sintezë e imagjinatës së artistit, i cili, motivimin, ngjyrat dhe pëlhurën i shndërron në simbolikën më karakteristike dhe më të ngrohtë të mundshme, që ka mesazh por është edhe metaforë shumëkuptimëshe.

Tërë këtë fragment historie e hasim veç e veç tek krijimtaria artistike të piktorit të mirënjohur, Isa Alimusaj, i cili për tridhjetë vjet krijimtarie ia ka përcjellë dhe prezantuar opinionit me begatinë shprehëse dhe me peshën e zërit të gjuhës së pikturës, që çdo motiv e shndërron në ecje, në rrugëtim jo vetëm sa për të thënë diçka, por, për t’i dhënë vulë kohës dhe jetës, të cilat e shoqërojnë njëra-tjetrën me karakteristikat më kuptimplote të peshës së pikturës dhe të vet pikturimit.

 

Arti si simbol i qëndresës dhe figurat që begatojnë filozofinë e jetës...

 

Isa Alimusaj, i cili begatinë dhe krijimtarinë e vet artistike e ka prezantuar tash e më shumë se tri dekada në mbi dhjetë ekspozita individuale dhe në afro 90 ekspozita kolektive në Kosovë dhe në shumë vende të tjera të Ballkanit dhe të Evropës, është i njohur për kah stili, forma dhe prezantimi i temave duke pikatur motivin e rrjedhave historike kombëtare, të rrjedhave të jetës së kolektivitetit dhe të vet individit. Këtë angazhim artistik, meditativ dhe krijues, i cili, edhe pse në cikle, ai i ngjanë një biografie, apo një antologjie gjeo-historike në të cilën shprehen pothuaj të gjitha vlerat shpirtërore, duke përfshirë këtu dhembjen, lumturinë, krenarinë, por edhe mallin, nostalgjinë, vlerat dhe begatitë tjera shpirtërore. Ato, janë të shtresuara por edhe mirë të kombinuara me vetëdijesimin, rrëfimin e brendshëm si shpërthim shpirtëror, duke i prezantuar edhe vlerat natyrore dhe, kuptohet edhe madhështinë e tyre.

Kjo, sikur është edhe një emblemë e tërë asaj që kompozicionet i bën provokuese me lartësitë e bjeshkëve dhe me siluetat, të cilat, piktori i shndërron në një detyrim të çuditshëm për ta komentuar rrugëtimin historik të njeriut, të kombit dhe të atdheut mbase edhe të njerëzimit. Por, e tërë kjo madhështohet me shumëllojshmërinë e figurave-siluetave, të cilat shpjegojnë por edhe rrinë në pritje për të rrëfyer për të bëmat dhe për tërë atë që ndonjëherë mbetet përgjithmonë enigmë apo edhe gjë kurrë e pathënë.

Pikturat e tilla, në asnjë moment nuk e njohin rënien as përuljen, por, përkundrazi, janë simbol i qëndresës dhe i përjetësisë, janë tërësi që begatojnë filozofinë e jetës dhe të vdekjes. Janë forma të cilat reflektojnë për një amshim apo përjetësi tejet kurajuese, por që pasqyrojnë etjen dhe kërshërinë e rrugëtimit, thuaja si të njeriut i cili tërë jetën dhe tërë kohën bën pelegrinazh për ta zbuluar dhe për ta gjetur dritën e dritës, për ta prekur të vërtetën dhe për ta braktisur errësirën, e cila, edhe në pikturë nganjëherë di të tradhtojë dhe të bëjë devijime, sa që as shekujt nuk mund t’i drejtojnë dot.

Në këtë parim të madhështisë artistike, fuqia e ngjyrave shëmbëllen si metaforë, e cila përfshin të gjitha etapat kohore. Po ashtu, kjo dëshmon edhe për efektin e shumëngjyrësisë, i cili është domosdo dhe karakteristikë e shprehjes figurative, por edhe e asaj estetike të “lojës” me ngjyra, e në këtë rast edhe të “manipulimit” mjeshtëror me brushë, duke pasur parasysh se brusha është simboli dhe mjeti më i fuqishëm me të cilën ndërtohet piktura dhe realizohet pikturimi, e pastaj sendërtohet edhe prezantimi meditativ i trajtave krijuese dhe përbëjnë kompaktësinë kompozicionale.

 

Veçoritë aplikative dhe format e shprehjes së mendimit artistik

 

Nëse analizohet dhe studiohet me kujdes krijimtaria e Isa Alimusajt, ajo i është dedikuar jetës si në grafikon. Ajo reflekton dhe aludon në pasqyrimin e të së kaluarës kombëtare, të atdheut dhe të vendlindjes përmes dhuntisë artistike dhe figurative, përmes efekteve dhe gjuhës së ngjyrave, që pikturës i japin shpirt dhe plotësisht atë e shndërrojnë në frymëmarrje, në jetë, dhe e tërë kjo, shpeshherë edhe i tejkalon edhe këta kufij. Në shumë piktura, figurat, herë e kanë pamjen e njeriut stoik, herë të njeriut të përvuajtur, e herë të njeriut me gojë e të pagojë, që është formë e implikimit të mendimit të veçorive e të vetive strikte dhe unikate të reflektimit të mendimit, të komentimit dhe të përvetësimit e të përqafimit të përjetimit piktural.

Gjërat e tilla, rrallë se mund t’i prezantojë çdokush me kaq fuqi e me mesazh për detyrimin e analizimit të vlerave jo vetëm artistike, të cilat, historinë e bëjnë temë të gjithëdijshme. Sepse, në jetë, shumë gjëra ngelin të pasqaruara duke mos pasur mundësi edhe për t’i shijuar lirshëm vlerat shpirtërore, por edhe të artit përgjithësisht, e në këtë rast të artit figurativ. Po ashtu, nëpër shumë ekspozita, qoftë vetanake qoftë kolektive, është komentuar pesha e vlerave të prezantimit karakteristik të pikturimit të këtij artisti, i cili, asnjëherë nuk e ka “tradhtuar” stilin e vet krijues, por as edhe fuqinë refleksive. Në pikturat e tij, gjithnjë kombinohen në mënyrë të “çuditshme” natyra, fuqia dhe madhështia e saj, fuqia e maleve dhe e fushave, e qiellit dhe bashkërisht e rrugëtimit kompozicional i figurave reale dhe areale të njeriut, të njerëzve, të cilët, në pikturë lënë përshtypjen se janë bashkuar për të rrëfyer e për të dëshmuar për të njëjtat gjëra, për të njëjtat probleme, edhe pse, ata duken dhe janë të formave e të karaktereve krejtësisht të ndryshme.

Këto figura, nganjëherë reale, e ndonjëherë mitike, pranë vetes apo në mesin e tyre, kanë të vendosura edhe objekte të tjera, të cilat e plotësojnë kuptimin e pikturës dhe e begatojnë vlerën artistike. Gjithashtu, dëshmojnë edhe për hapësirën imagjinatave të piktorit, i cili, figurat di t’i rreshtojë edhe si provokim intelektual e njerëzor. Ndërsa, edhe pse në tablo, punimet, respektivisht, pikturat duken si pamje e natyrës së vdekur apo si relikte të së kaluarës, ato me kompozicionin e ngjeshur dhe me ngjyrat ndonjëherë të pa kompozuara (ashtu na duket) dhe kontraverze, krijimtarinë e Isa Alimusajt e bëjnë shumë atraktive dhe të çmuar, profesionale e me konotacione të shprehjes së mendimit të thellë e human.

Në disa prej pikturave, përkushtimin për të pasqyruar peshën e vlerave mbase edhe arkeologjike, hasim në figurat guri-njeri, që, qoftë në platformën me ngjyrë të gjelbër e cila simbolizon fushën dhe gjallërinë, çoftë në atë përbri maleve dhe bjeshkëve të thepisura, autori sikur na imponon mendimin se, “çdo pëllëmbë toke është e mbuluar me eshtra”! Që do të thotë se për rrjedhat e kohës dhe të historisë, dot asgjë nuk mund të fshihet dhe as të fshehët, ngase, për te rrëfen e tregon toka, bari, shkëmbi, trungu, rrënjët,... flasin eshtrat. Por, ndonjëherë në këto performansa kompozicionesh mund të hasim edhe figura me pamje njeriu, të cilat, përbrenda e kanë të “ngujuar” pritjen, hidhërimin, pendimin, zhgënjimin, por edhe mllefin për t’i rrëfyer së paku dikujt për të gjitha këto, e përmes këtyre edhe për mëkatet dhe për rrjedhat rrëqethëse që i sjell jeta por edhe vet njeriu.

Si duket, kështu, piktori Alimusaj e ndërton dhe e ngritë një tempull interesant, ku, ndoshta secili mund ta gjejë vetveten aty, apo aty ku edhe mund të rrëfehet për gjërat që quhen-jetë! Por, në të njëjtën kohë mund edhe të ushqehet me vlerat kulturore dhe artistike, me ç’rast, jo rrallë, pikturat sikur i ngjajnë datave dhe periudhave historike ndër më interesantet.

 

Ngjyrat- horizont meditimi dhe vlerë dashurie

 

Mirëpo, për ta vlerësuar dhe për ta përjetuar pikturën si të tillë, piktori gjithnjë ka qenë dhe është i kujdesshëm që në krijimet e veta, ngjyrat t’i shndërrojë në dashuri dhe në horizont meditimi, ku kujtimin dhe mendjen i shtrinë dhe i shkrinë në begatinë e shpirtit. Kjo formë apo ky veprim, na bëhet se ndonjëherë është i zorshëm për tu kuptuar, apo edhe na sjellë në botën e abstraktes. Mirëpo, është e kundërta. Duke u bazuar në origjinalitetin vetanak krijues, ky piktor, gjithnjë këmbëngulë në vazhdimin e sforcimit të mesazhit dhe të metaforës mu si në poezi.

Figurat, që herë i ngjajnë e herë nuk përkojnë me figurën e njeriut, gjatë rrugëtimit të tyre në kolonë, ngacmojnë mendimin se ato figura prezantojnë kalvarin e kërkimit të së drejtës e cila nuk duket në horizont, sepse, gjatë kësaj “maratone” ka sfida e pengesa qofshin ato edhe në formë zjarri dhe vullkani. Ose, ndonjëherë, figurat tjera të grumbulluara, sikur kërkojnë shpëtimin nga njëra-tjetra, apo, sikur krijojnë siguri për t’i shpëtuar më të keqes, për të mbijetuar. E tërë kjo krijimtari të shpie tek mendimi se bota është vetëm një shtegtim, është pritje dhe ecje deri tek mbarimi për të filluar sërish ciklin e “riinkarnimit”, për ta kompletuar rrëfimin për jetën dhe historinë deri në saktësinë dhe në të vërtetën e fundit, nëse ka fund!

Për këtë arsye, në këtë “biografi” apo në këtë afro gjysmë shekull jete, piktori na “imponon” edhe tablo apo piktura që, edhe pse shprehin “ngjarjet kozmike”, apo të “trillit”, ato bëhen pjesë e kompletimit të rrjedhave imagjinatave, që nganjëherë, edhe kur s’ta merr mendja, ato të bëjnë për vete, dhe kështu artisti e kompleton “studimin” për ta dashur e kuptuar mendimin e shprehur në pikturë, mu sikurse atëherë kur kënaqësh me një ëndërr të realitetit jetësor.

Figurat e prezantuara në disa nga tablotë, piktori, në formë të “çrregulluar” na servon mendimin e dinamikës së jetës, në të cilin, shpesh por edhe gjithnjë, ngutja shpreh mllefin e pakënaqësisë, apo edhe etjen për rrëfimin e detyrueshëm për të vërtetën dhe për të pavërtetën. Këto far krijimesh, autori i shpreh edhe si mësim nga pësimi. Kur është kështu, atëherë, edhe në pikturë, motivet e tilla trishtojnë dhe të detyrojnë për ta vënë gishtin në tëmth, sepse, jeta duket si lojë, e në fakt është e kundërta! Andaj, me të drejtë mund të thuhet se krijimtaria 30-vjeçare e piktorit Isa Alimusajt, është si një almanak i periudhave kohore dhe i historisë jo vetëm të njeriut, por edhe i shprehjes dhe i mendimit estetik, artistik dhe poetik i pikturës si univers i përfilljes të të arriturave dhe të vlerave shpirtërore.

Nganjëherë, në art, pra edhe në pikturë mund të reflektojë një etapë e tërë e madhështuar me gjuhën dhe dëlirësinë e forcës së ngjyrave, të cilat, edhe ato vetë shndërrohen në prizëm jete, e cila, nëse shikimin e bëjmë në rrotullim të saj, shohim ngjarje e rrjedha të ndryshme; herë si në humnerë, herë si në llahtari, e herë si në kopsht me lule, në të cilat rrafshe, kuptimin e japë njeriu dhe veprimi i tij. Tërë këtë, piktori edhe ia ka arritur të na prezantojë dhe të na dhurojë, duke na shtyrë të mendojmë në mënyrë të pavarur dhe të pa imponuar.

Ballafaqimi i figurave, pastaj, refleksioni i pozicioneve meditative na bëjnë të shoqërohemi me tërë atë bagazhin e dhembjes por edhe të mospërkuljes, e gjithë kjo si qëndresë dhe si kallëzim epik i jetës së njeriut të tokës Dardane dhe jo vetëm të saj. Kurse, burrëria, shpresa por edhe shumëkuptimësia e shumë prej figurave, të cilat simbolizojnë njeriun e kësaj toke, krijimtarinë artistike dhe figurative e bëjnë artistikisht të qëndrueshme dhe me vlera të rralla edhe në mjediset më të avancuara të botës që kanë vlera të dëshmuara artistike. Andaj, Isa Alimusaj, me veprat e veta është bërë një lloj ambasadori, i cili jo vetëm që i afirmon të arriturat e veta në këtë fushë, por ai i bën të njohura edhe vlerat kombëtare, të cilat ende nuk janë sa e si duhet të prezantuara dhe as të afirmuara në qarqet ndërkombëtare.

Andaj, kujtoj se me pikturat dhe me veprat e tij me përmasa kombëtare, ai, me dinjitet dhe me sukses mund të prezantohet dhe të komunikojë me vlera edhe jashtë kufijve kombëtar. Sepse, tema që trajton ai, historia që është e mbërthyer në dramat tronditëse të pikturimit, dhembja dhe krenaria, janë interesante për tu përjetuar edhe në mjedise të shumta të botës. Gjithashtu, kujtoj se krijimtaria e këtij piktori është një rrumbullakim jo vetëm i vlerave artistike dhe i atyre shpirtërore, por edhe i vlerave historike të një populli, i cili gjithnjë u qëndroi dhe u bëri ballë torturave, shtypjeve dhe gjenocideve, të cilat atë e bënë të njohur me qëndresën por edhe me urtinë, njerëzinë dhe me madhështinë që ka ndaj popujve të tjerë të botës, ndaj paqes dhe lirisë së njeriut, këto, si themele parësore të të drejtave të njerëzimit. Dhe se, populli të cilit i takon ky piktor, duke i respektuar pikërisht këto virtyte, shpesh ka ngelur si “plagë në pikturë”, siç e kam titulluar kështu një prej librave të mi me poezi.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: