Bedri Blloshmi: Masakra e Tivarit 1945, masakra në Shqipëri 1990
| E Enjte, 17.06.2010, 08:37 PM |

Masakra e Tivarit 1945, masakra në Shqipëri 1990

 

Nga Bedri Blloshmi

 

Në Shqipëri, në këtë vend me plagë që vazhdojnë të rrjedhin, në këtë vend të mbytur nga lotët e nënave shami zeza mbi varret të mbetur hapur, pasojë e masakrave të panumërta, politika vazhdon show-un e saj. Lista e këtyre masakrave është e gjatë, por këtu do të përmendim disa prej tyre, ndoshta ato më të përgjakshmet. Masakra e Lushnjës, ajo e Tiranës e tetorit të vitit 1944, ku u vranë plot 36 intelektualë të cilët ishin shkolluar të gjithë jashtë atdheut. Masakra e “bombës së hedhur” në Ambasadën Ruse. Masakra e Vajmarit në Mirditë dhe më e freskëta, masakra e vitit 1990, ajo që u bë në kufi.

U bënë 20 vjet që propagandohet se u përmbys komunizmi, po si u përmbys? Cila quhet përmbysje? Të gjithë aktorët e djeshëm si komunistët ashtu edhe sigurimsat janë përsëri në efiçencë të plotë. Në qoftë se sekretarët e parë kanë vdekur ose vërdallosen me një këmbë në varr, janë zëvendësuar nga bijtë e tyre të cilët tani janë ose anëtarë të Partisë Demokratike ose janë deputetë ose janë bërë pronarë të rinj të bregdetit, hoteleve, dyqaneve e ku di unë se ç’tjetër kanë mundur të grabisin nga pasuria kombëtare falë postit ose detyrës që kanë.

Në vitin 1994, mbi kurrizin e popullit të shumëvuajtur e të uritur, me këtë popull që eci zbathur e me barkun bosh, i dërrmuar nga mjerimi 50 vjeçar, u hartua një skenar, një “marrëveshje xhentëllmenësh”. U arrestuan disa nga kriminelët e katrahurës 50 vjeçare. Të gjithë ne menduam se më në fund gjërat do zinin vendin e tyre. Hera e parë që besova dhe unë! Çfarë ndodhi? Për çfarë u akuzuan këta kriminelë të cilët kanë zhdukur mijëra shqiptarë? Këta grabitqarë morën në zotërim pasuritë e çdo familje të pasur. Pasi i arrestonin, torturonin i merrnin floririn dhe i vrisnin. Një pjesë e këtij floriri ndodhet në gojën e Ramiz Alisë. Ky flori ka veshur dhëmbët e këtij kryegrabitqari. Familja e tyre përfundonte e internuar, shtëpinë ia jepnin ose ndonjë komunisti ose ndonjë sigurimsi. Nuk kanë hezituar të marrin edhe legenin e qurrave. Pyesim përsëri: Për çfarë i akuzuan këta vrasës e hajdutë ordinerë, këta shkatërrues të kombit shqiptar? Akuza ishte “shumë e rëndë”: - kanë pirë kafe, kanë thyer edhe ndonjë filxhan kafeje! Po në burg si i kishin kushtet këta xhelatë? I kishin aq të “rënda” sa bashkëshortja e diktatorit u shkruante partive marksiste leniniste se po vuante shumë në regjimin “diktatorial” të Sali Berishës, se nuk i lejonin tharësen e flokëve, se në mëngjes e zgjonte zhurma e fortë që behej në korridor. Nga ana tjetër fëmijët e këtyre e të shumë komunistëve të tjerë shkonin për studime në perëndim me bursa të paguara nga shteti demokratik.

Këto ditë media vizive dhe ajo e shkruar po zhurmon mbi masakrën e kryer në Tivar në vitin 1945. Thuhet me forcë se e ka bërë sekretari i parë dhe zëvendësi i diktatorit.

Unë pyes: - Pse kur e arrestuan Ramiz Alinë nuk e akuzuan për këtë masakër? Çfarë fshihet pas kësaj zhurme mediatike? Po maskara e freskët e vitit 1990, pse nuk përmendet? Në kohën kur Ramizi e ktheu ligjin e arratisjes, që dënohej me vdekje (pushkatim), në kalim të paligjshëm të kufirit, që dënohej me gjobë ose me heqje lirie deri në gjashtë muaj burg. Shqiptarët, duke e besuar këtë ndërrim të ligjit e të bindur se nuk do t’i vriste më njeri nëse do të kalonin kufirin, morën arratinë për të mbushur barkun me bukë. Por ndodhi e kundërta. Pikërisht në këtë kohë në kufi u bë kutia. Të gjithë ata që përpiqeshin të kalonin kufirin vriteshin nga armët e rojeve kufitare, lidheshin me tela me gjemba pas makinave duke i tërhequr zvarrë nëpër qytet.

Pse Strazimiri kur ishte zëvendës ministër i brendshëm nuk i denoncoi këto akte barbare? Po ministrat e tjerë të brendshëm, pse nuk i zbardhën këto vrasje? Pse Strazimiri kur u bë deputet shkoi dhe zbuloi disa nga trupat e të pushkatuarve, pikërisht në kohën kur ndërkombëtarët do vinin në Shqipëri për shkak të disa mosmarrëveshjeve? Nga e dinte Strazimiri këtë vend pushkatimi? Eshtrat e të pushkatuarit ishin të futura në qese plastmasi. Kjo tregon se ata janë zbuluar më parë, janë futur në qese, janë mbuluar sërish me dhè dhe për t’u servirur më pas si “arritja” e radhës. Strazimiri me siguri e di se më poshtë këtij vendi pushkatimi është edhe një tjetër. Kur ka ndërmend t’i ekspozojë edhe këta të pushkatuar?

Më poshtë po ju tregojmë listën e Ministrisë së Brendshme me 33 emra e cila tregon: rrethin, postën kufitare, emrin, atësinë, mbiemrin, datën e vrasjes, moshën dhe adresën e të vrarëve në kufi.Brahim Hekuran Buzi i burgosur politik mbi 10 vjet burgë i vrarë në kufi në datë16-02-1990.Shefi i kufirit për jugun i asaj periudhe sot aktualisht punon në një Ambasadë prendimore në Tiranë.

 

Askush mos të mendojë se unë dua të mbroj këta vrasës. Në këtë shkrim unë përmend edhe disa masakra të tjera që dihen të gjitha nga organet përkatëse. Nëse ju erdhi keq për masakrën e Tivarit, për gjithë këto krime, përse askush nuk e ngriti zërin kur revolucioni komunist i vitit 1997 i nxori nga burgu këta kriminelë? Përse askush nuk e ngriti zërin kur ata u shpërblyen me mijëra dollarë për ato pak ditë “burg”?

Në Kushtetutën e Shqipërisë është një ligj që thotë se kur gjykata e nxjerr të pafajshëm të dënuarin, prokurori i çështjes dënohet me 5 vjet burg sepse nuk ka mbrojtur akuzën. Përse nuk u kërkua zbatimi i këtij ligji në rastin e kësaj kaste të kuqe? A nuk është krim të nxjerrësh të pafajshëm kriminelin Aranit Çela? Ky xhelat ka vrarë njerëz për 50 vite rresht! Kush e mbron folenë e grerëzave me në krye prokurorin Emri Dobjani? Po Petrit Azemajn, një nga hetuesit e torturuesit e Genc Lekës e Vilson Blloshmit? Kush e vuri zëvendës avokat të popullit? Po spiunin e hajdutin Aranit Leka cili e vuri kryetar të Partisë Demokratike dhe zëvendës prefekt në Librazhd? Përse sulmohet e persekutohet ende familja e poetit Vilson Blloshmi vrarë më 17 korrik 1977? Pse s’u emërua mësuese mbesa e Vilsonit, po Mithat Blloshmin, nipin e Vilsonit, kush e hoqi nga puna?

Ka 15 vjet që kam 3 vendime gjykate të formës së prerë për grabitjen dhe shkatërrimin e shtëpisë sonë pas internimit të Blloshmëve? Përse nuk ekzekutohen këto vendime të formës së prerë? Ku e gjeti guximin Ferdinand Pone kur më tha prerazi: - Nuk t’i jap partë! Ti nuk di t’i marrësh!

Të gjithë pushtetarët çirren nga thonë se zbatojnë ligjet. Po në rastin tonë përse ky ligj shkelet?

Duke përfunduar po ju citoj Hygo-in: “Kush mjekon krahët e skifterit, mban përgjegjësi për kthetrat e tij!”

 


Për ribotim- Kadri Mani

(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: