Sejdi Berisha: Zejtarët e Pejës (II)
| E Marte, 01.06.2010, 08:56 PM |

Fragmente nga monografia “Zejtarët e Pejës”(2)

 

Sejdi BERISHA:

ZEJTARËT E PEJËS

-M O N O G R A F I-

Botimi i Dytë

 

Zejtaria e ka zemrën dhe shpirtin e popullit. Pra, pse të mos shtrohet kjo sofër në këtë libër, ashtu siç është, e pasur dhe e ngrohtë.

Atë e kanë madhështuar dhe e madhështojnë me dëshmitë e tyre njerëzit që tani nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që mburren e gjallërojnë sot, të cilët kanë përjetuar shumëçka duke u përplasur nëpër periudha e etapa dhe duke u përballur me ngjarjet që ua kanë sjellë motet...

A u t o r i  

 

INDUSTRIA E DRURIT PARA LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

 

Përpunimi i drurit, merr pjesë ndër zejet më të zhvilluara dhe më të preferuara në komunën e Pejës, pothuaj se në të gjitha periudhat dhe kohërat. Ndoshta, këtë e ka bërë edhe begatia e pyjeve me lloje të shumta të drunjve. Mirëpo, për zhvillimin e industrisë të të gjitha degëve, në atë kohë as që mund të flitej. Kështu, duke pasur për bazë lëndën e parë drusore, begatitë pyjore të kësaj ane, pothuaj se shumë para Luftës së Dytë Botërore, këtu zë fill industria e drurit.

Në atë kohë, kuptohet, buzë maleve janë ngritur sharra dhe atë mbi fshatin Kuqishtë, buzë rrugës, e cila edhe atëherë lidhte Pejën me Malin e Zi, e, edhe me Shkodrën, buzë rrugës, duke shfrytëzuar ujin dhe rënien e tij për lëvizjen e “motorëve” të sharrave.

Në sharrat e atëhershme, pos të tjerëve, kanë punuar, Sylë Zhuka, Açif Grezda dhe Vujadin Zonjiqi. Në fillim, sharrat kanë qenë vetëm me një ose dy teh. Më vonë, Toda Markoviq, ndërton sharrën e vet. Kurse, duke pasur parasysh furnizimin e mirë me lëndë të parë, këtu më pastaj vijnë industrialistë nga Bosnja dhe nga Gjermania, të cilët e hulumtojnë dhe e shfrytëzojnë lëndën e parë drusore me çmime të lira. Më vonë, rreth vitit 1936 ndërtohet Sharra “Ozren”.

Në kohën e sundimit turk (Shek. XVIII-të), në Pejë kanë punuar edhe shumë kateteri, çajtore, kuzhina dhe dyqane zejesh të tjera, të cilat më vonë u bënë bazë për zhvillimin shembullor të hotelerisë dhe turizmit në Pejë me rrethinë.

Por përmendim kafenenë, atëherë të Ramë Brojës, e cila njihej si “Kafeneja e dyzetë beqarëve”. Kjo kafene, përveç tjerash, në atë kohë e kishte rëndësinë e vet edhe për organizimin e rinisë shqiptare...

 

Çfarë janë Tajfat?

 

Kjo metodë e organizimit (Shek. i XVII-të), kishte rëndësi të madhe. Tajfat ishin organ që kanë luftuar për interesat e punëtorëve që ishin të punësuar tek zejtarët e ndryshëm. Andaj, kjo formë, sadokudo i mbronte ata dhe i vente në pozitë të shëndosh drejtë klasës punëtore, e cila, në atë kohë, jo vetëm se nuk dinte t’i mbronte interesat e veta, por punëtorët as nuk kishin guxim që të merren me gjëra të tilla.

 

Kur, në fund të bisedës sonë e patëm pyetur, prof. Salih Likën, se në këtë kohë ku jemi, a jemi në rrugë të mbarë, apo, po “kthehemi” prapa. Ai, me keqardhje na u përgjigj: “Mendoj se deri me tash kemi pasur një zhvillim intensiv, të sigurt dhe të shëndosh. Tash,... tash jemi në retrogradë. Mendoj se përkundër të gjithave, nuk bën që të gjithë të merremi me tregti: profesori, mjeku, inxhinieri, tekniku e të tjerë. Tregtia e zejtaria nuk janë, një! Tregtia është diçka tjetër. Kjo mund të çorientojë jetën dhe kombin. Tregtia stërkeq profesionet,... të të gjitha fushave. E, ato janë, siç e dini, kurrizi dhe themeli i jetës dhe i perspektivës së çdo kombi, së çdo populli”!    

Shkrimi i dr. Skënder Rizajt si apel për mbrojtjen e monumenteve të Pejës së lashtë.

 

CILAT ZEJE U ZHVILLUAN NË PEJË

 

Lashtësia, qytetërimi dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i Pejës, japin pasqyrë faktografike, se qysh herët, në këtë pjesë të Kosovës dhe të tokave shqiptare, janë ushtruar dhe janë zhvilluar zeje të ndryshme, por edhe të atilla, që në qendra të tjera nuk kanë pasur fatin të kenë privilegj si këtu.

 

T’i numërojmë disa më karakteristike, të cilat atëherë janë zhvilluar dhe si të tilla kanë lënë edhe gjurmë të rëndësishme:

 

Zeja e tabakëve

Zhgunaxhinjve

Terzinjve

Plisaxhinjve

Kallajxhinjve

Llastraxhinjve

Saraçëve

Furrxhinjve

Kasapëve

Samarxhinjve

Mbathtarëve

Knataxhinjve

Berberëve(Rrojtarëve)

Briskaxhinjve

Armëpunuesve

Zdrukthëtarëve etj.

 

Ndërkaq, më vonë, krahas zhvillimit të gjithëmbarshëm, lindin e zhvillohen edhe shumë zeje, e që deri në ditën e sotme mund të numërohen në mbi gjashtëdhjetë sosh.

 

FAZAT E KUALIFIKIMIT NË ZEJTARI

 

Për të siguruar cilësi e profesionalizëm sa më të lartë në të gjitha degët e zejtarisë, në atë kohë kanë qenë rregullat strikte se si duhet të arrihen shkallët e aftësimit dhe të kualifikimit të zejtarëve që nga mosha rinore.

Organizimi për të qenë zejtar-mjeshtër, i kishte katër faza. Faza e parë fillon me çirakllëkun, ose “fiqarin” – djalin. Pas kësaj faze pason “grada” shegërt. Kurse, pasi që e japë “provimin” në këtë pjesë të aftësimit, atëherë, kandidati avancohet në kallf, dhe më pastaj, me angazhimin profesional arrihet titulli ose kualifikimi i ustahut, respektivisht, i mjeshtrit.

 

Këto janë ato fazat dhe kriteret përmes së cilave duhet të kalojë çdo zejtar për të qenë i kualifikuar dhe i thirrur për ta ushtruar zejen adekuate.

Dyqan saraçësh (Hysen Belegu me të birin, Nexhdetin para dyqanit të tij(1959)

 

Por, me çfarë kritere mund të arrihen këto tri faza të rëndësishme të aftësimit? Pasi që kalon faza e çirakllëkut, faza tjetër, faza e shegertit mund të arrihet pasi që kalojnë tri vite pune në dyqan duke ushtruar zejen përkatëse, dhe pastaj kandidati i nënshtrohet provimit për ta dëshmuar diturinë për këtë rang të kualifikimit. Nëse kandidati tregon njohuri të duhur, atëherë, ai fiton titullin e kallfit. Ndërsa, punët e kallfit, respektivisht, tani perfeksionimi i plotë i zejes zgjatë së paku katër vjet. Kjo metodë, edhe atëherë ka dëshmuar si i ngjanë formave të shkollimit dhe të punës praktike.

 

Pas kësaj kohe apo periudhe, individi sërish i nënshtrohet provimit, dhe, nëse tregon njohuri të plotë në përsosjen e zejes, atëherë, ai e arrin titullin, respektivisht, merr thirrjen: Usta-Mjeshtër.

Kur kemi të bëjmë me kualifikimet në zejtari, në kohërat e përparshme, zejtarët, në përvetësimin e zejeve, kryesisht i kanë angazhuar fëmijët e tyre dhe të familjeve e të afërmve të tyre. Andaj, normalisht, në këtë aspekt, pothuaj se suksesi asnjëherë nuk ka munguar.

 

Të themi se pothuaj të gjitha zejet, mbi shtatëdhjetë përqind i kanë përvetësuar fëmijët e zejtarëve, kurse një përqindje e vogël ka qenë e familjeve të tjera. Për këtë arsye, në këtë aspekt mund të flitet edhe për krijimin e traditave qindvjeçare.

 

Mirëpo, edhe përkundër asaj se ata që kanë mësuar zejet kanë qenë të familjeve zejtare, kriteret kanë qenë shumë rrepta, dhe se çdo gjë ka kaluar përmes Esnafit, organ ky i lartë i zejtarëve. Më vonë, e tash po se po, kriterët kanë ndryshuar plotësisht, kështu që këto katër fazat e kualifikimit për zeje nuk vlejnë më. Tani, respektivisht, në vitet e shtatëdhjeta, ndoshta edhe më vonë por gjithnjë e më rrallë, pasi që është konstatuar se kandidati ka arritur dhe ka krijuar njohuri të mjaftueshme për zejen e caktuar, atëherë, ai i është nënshtruar provimit kualifikues pranë një komisioni, i cili ka qenë i përbërë nga zejtarë-mjeshtër. Po që se konstatohej se kandidati ka treguar njohuri, atëherë, atij i është komunikuar rezultati pozitiv dhe i është lëshuar (i është dhënë leja) certifikata për ushtrimin e zejes përkatëse.

 

Qendra e qytetit Pejës para viteve të pesëdhjeta të shek. XX-të:

      Hoteli “Korzo” dhe më poshtë vërehen shumë ndërtesa

                                 e dyqane zejtarësh.

 

PIRI I ESNAFËVE

 

ÇFARË ËSHTË PIRI?

 

Çfarë do të thotë, PIR, ose çfarë kuptimi ka kjo fjalë? Pir, do të thotë: koha, data dhe prejardhja e zejes. Prandaj, të gjitha zejet e kanë, respektivisht, e kanë pasur Pirin e vet, datën e tyre, e cila datë, atëbotë  kremtohej në mënyrë madhështore, si ndonjë datë apo festë kombëtare dhe fetare. Pra, me këtë është shënuar data se kush është marrë i pari me zejen përkatëse.

 

Në zejtari, kishte shumë Pir-e, pra, shumë data se kur janë themeluar zejet e ndryshme, të cilat prej viti në vit kanë shënuar rezultate dhe janë bërë të rëndësishme për nismën e filleve të themeleve për degët e ndryshme të ekonomisë, për të cilat do të flasim më vonë në këtë libër.

Ja, disa nga PIR-et e zejeve në komunën e Pejës, të cilat i takojnë periudhës së sundimit otoman:

-Hazreti Idrizi (Pir-i i terzinjve dhe i qyrkaxhinjëve)

-Vesel Kuranija (Pir-i i saraçëve)

-Hazreti Shiiti (Pir-i i leshpunuesve dhe i punuesve të 

 pajës së nusërisë)

-Hazreti Nuhi (Pir-i i zdrukthëtarëve dhe i lundërtarëve)

-Hazreti Isufi (Pir-i i ortarëve-orëndreqësve)

-Hazreti Dhylqythi (Pir-i i furrxhinjve-bukëpjekësve)

-Hazreti Llukmani (Pir-i i berberëve-rrojtarëve dhe i

 xharrahëve) dhe,

-Hazreti Evremi (Pir-i i tabakëve dhe i kopshtarëve).

 

PLANI URBANISTIK DHE KOMPLEKSET ZEJTARE SIPAS PERIUDHAVE

 

Kuptimi themelor i fenomenit qytet dhe i urbanizmit është i lidhur ngushtë me njohjen e problemeve të ndërlidhura, respektivisht, të ndërthurura me hapësirën dhe kohën. Prej kësaj rezultojnë kategoritë fondamentale urbanistike, prej të cilave mund të kuptohen edhe kushtet e zhvillimit të qytetit si dhe kërkesat për zhvillimin dhe shtrirjen e tij. Pra, nga analiza e strukturës, sistemit dhe të organizimit urbanistik, mund të mësojmë edhe për kushtet e lindjes-themelimit të zejtarisë, në këtë rast, të zejtarisë në Pejë. Në këtë mënyrë, zhvillimi i një veprimtarie, apo filli i saj është i lidhur ngushtë me lindjen, me zhvillimin e vendbanimit dhe me transformimin e tij në qytet.

Ndër këto veprimtari është edhe zejtaria, e cila në të njëjtën kohë zhvillohet me vendbanimin. Mirëpo, në fillim, respektivisht, në fillet e saj, ajo nuk është e definuar si veprimtari me zonë homogjene të veprimit. Por, zakonisht ajo zhvillohet në zonën e banimit dhe u shërben nevojave të një rrethi të caktuar banorësh. Zejtaria është lindur shumë herët si nevojë për kryerjen e shërbimeve, e cila është siguruese për ekzistencë të familjes. Dmth., varësisht prej kërkesave jetësore, lindin edhe zejet me të cilat merren banorët e vendbanimeve të caktuara.

Me zhvillimin e kësaj forme të jetës dhe me zgjerimin e vendbanimeve deri në suazat e qytetit, është arritur deri tek definimi i zonave të caktuara të veprimit. Formimi apo lindja e zonave është e lidhur ngushtë dhe e kushtëzuar nga lëvizjet ditore të popullsisë dhe nga përmbushja e kërkesave të saj.

Kështu, objektet në të cilat janë zhvilluar veprimtaritë zejtare, kryesisht kanë qenë të vendosura në ato pozita me gravitim më të madh ditor të popullsisë, e ato janë: në hyrje-dalje të qytetit, zonat me shtrirje pranë lumit, në zonat qendrore të qytetit etj.

 

Nuk ekziston ndonjë rregull, sipas të cilës këto zona formohen, por fitohet përshtypja e një shpërndarjeje të rastësishme të tyre. Mirëpo, sado që japin përshtypje të shpërndarjes dhe të dekompozicionit, prapë vërehet një kronologji e shtrirjes që rezulton nga kategoritë fondamentale urbanistike.

 

Kështu, zona qendrore e veprimit definohet dhe shfaqet në nivelin më të lartë të qarkullimit ditor, dhe është ngushtë e lidhur me zonat periferike (në të cilat, në të shumtën e rasteve, veprimtaria dhe përmbajtja janë homogjene) si qendër koordinuese e zhvillimit të veprimtarisë së zejtarisë.

 

Këto zona zhvillohen në të gjitha ato vende ku vjen në shprehje gravitimi dhe qarkullimi ditor i banorëve dhe i qytetarëve të komunës së Pejës. Kështu, vijmë tek përfundimi pse veprimtaria e zejtarisë zakonisht vendoset në hapësirat dhe vendet pranë xhamive, objekteve hoteliere shërbyese dhe të shesheve, ku në të shumtën e rasteve ndodhë që vet pozita dhe begatia arkitektonike e kësaj veprimtarie e definon edhe trajtën e këtyre shesheve.

Në këtë mënyrë konstatohet se sheshet ngritën kështu-me ndërtimin e objekteve të ndryshme, me plotësimin dhe pasurimin e kësaj përmbajtjeje me tregti lëvizëse, objekte hoteliere-shërbyese dhe me prezencë të ndonjë objekti sakral (xhami).

 

Këto janë edhe sheshe, të cilat transformohen në struktura komplekse polivalente (për domen të zonës) e më vonë edhe për kah strategjia, e reprezentojnë epiqendrën e frekuencës dhe të lëvizjeve të përditshme. Ky kompleks, apo kjo qendër, me kohë zhvillohet dhe transformohet deri në atë masë, sa që kjo zonë të identifikohet me qendrën e qytetit, e cila sot e kësaj dite njihet me termin-emrin, Çarshi. Mirëpo, me kaq nuk përfundon formimi dhe zgjerimi i çarshisë. Kohë pas kohe, ajo plotësohet me objekte të reja, dhe në këtë mënyrë vjen deri tek forma e zgjatur e saj, e cila kushtëzohet me rrjedhjen e lumit të qytetit.

Pra, çarshia definohet si qendër e shtrirë përbri lumit në mes të zonave paralele të banimit.

Zejtaria në çarshi nuk zhvillohet si veprimtari e veçantë në një pjesë të caktuar, por gjithnjë është e lidhur me një përmbajtje apo me veprimtari të tjera, dhe kështu, varësisht prej kërkesave, zhvillohet zeja adekuate, prej së cilës varet edhe pozita e veprimtarisë së caktuar në zonën përkatëse. E kjo, do të shërbejë që më lehtë ta analizojmë arkitekturën e objekteve zejtare.

Ura e Zallit (2010), e cila i lidhë dy pjesët e qytetit dhe e cila ka
rëndësi historike të shumëfishtë në zhvillimin e qytetit dhe të zejtarisë.

 

Nëse, sipas të dhënave, Çarshia e Pejës për herë të parë përmendet kah fundi i shek. XV-të, atëherë vijmë në përfundim se zejtaria në atë periudhë përjeton lulëzimin e vërtetë. Çështja, se cila është zona (pjesa) më e vjetër në qytet, në të cilën zhvillohet zejtaria, është e lidhur ngushtë edhe me vendosjen funksionale të veprimtarive të tjera zejtare. Kjo, rrjedhë nga ajo se zeja përkatëse zhvillohet në zonën po ashtu përkatëse në varësi nga përmbajtjet dhe kërkesat e të tjera. Si shembull marrim njërin ndër lokalet më të vjetra, ku zejtaria është zhvilluar. Fjala është për pjesën qendrore të qytetit që shtrihet në mes të dy (kufijve)-Ura e Zallit dhe Ura e Gurit.

Ura e Zallit (2010), e cila i lidhë dy pjesët e qytetit dhe e cila ka rëndësi historike të shumëfishtë në zhvillimin e qytetit dhe të zejtarisë.

 

Kjo zonë në mes të dy urave, përshkohet me një rrugë të lakuar. Në këtë pjesë kemi shembullin tipik të zonimit funksional të një veprimtarie. Në pjesën më perëndimore të kësaj zone të qytetit, dikur kanë qenë të vendosura objektet-dyqanet e marangozëve-zdrukthëtarëve. Arsyeja e pozitës është e qartë: marrja e lëndës së parë nga bjeshkët, me ç’rast, supozohet se ajo është siguruar përmes lumit Lumbardhi. Më tutje, duke zbritur kah lindja, në pjesën e mesme po të kësaj zone, hasim në një numër të konsiderueshëm të dyqaneve të mbathtarëve.

Kjo është e logjikshme, ngase, siç dihet, në këtë pjesë (sot korzoja-shëtitorja) ka ekzistuar numër i madh i objekteve hoteliere-shërbyese dhe një numër dyqanesh tregtarësh.

Duke zbritur kah lindja, ndodhet pjesa qendrore e kësaj zone, e cila paraqet pjesën më atraktive dhe frekuentuese-qarkulluese. Në këtë pjesë, ka qenë e vendosur Xhamia, kurse përreth sheshit kanë qenë shumë objekte. Me ndërtimin e xhamisë (sot Shatërvani tek Qendra tregtare “Metë Bajraktari”, ndërtohet edhe një numër i madh i objekteve, ku si veprimtari dominon zejtaria e aty-këtu edhe tregtia.

 

Andaj, edhe dikur shumë përpara, por edhe në të kaluarën jo të largët, kjo pjesë e qytetit të Pejës ishte, por edhe tash mbetët pjesa më frekuentuese e qytetit.

 

Kjo pjesë, e ruan epitetin e qendrës tregtare dhe të qytetit aspektin fizik deri në vitin 1943, kur të gjitha dyqanet dhe xhamia, bëhen shkrumb e hi nga dora e armikut. Edhe sot, kjo pjesë e qytetit trajtohet si qendër karakteristike dhe shumë e vizituar jo vetëm e nivelit komunal.

Edhe tek Bajrakli Xhamia, përpara, por edhe sot ka rrënjë të thella të ekzistimit të zhvillimit të zejtarisë dhe të civilizimit. Në këtë rajon, para afro njëzetë vitesh u ndërtua edhe objekti i administratës së Shoqatës të zejtarëve, “Iliriana”. Po ashtu, kjo pjesë e qytetit është një lokacion i vjetër, në të cilin zhvillohej, por edhe tash zhvillohet veprimtaria zejtare, respektivisht, tash më shumë ajo tregtare, dhe atë në pjesën përbri jazit që përshkon këtë rajon, pastaj me rrugën që lidhë rrugën “Ramiz Sadiku” si dhe një numër dyqanesh i ndërtuar kohëve të fundit në zonën lindore të xhamisë, si objekte që ndërtohen që është pronë e Vakufit.

 

Këto zona u përmenden, ngase kjo ndikoi që pas djegies së xhamisë dhe të dyqaneve në Shatërvan në vitet e 40-ta të shek. XX-të, çarshia të zhvendoset e bashkë me te edhe Qendra Zejtare, pra tek Bajrakli Xhamia, ku edhe sot e kësaj dite ekziston një shesh i bukur. Pra, edhe objektet zejtare në një mënyrë bartën kah lindja. Kjo pjesë e çarshisë kishte, por edhe tani ka një trajtë pak më të rregullt. Vija rregullative dhe e ndërtimit të objekteve është rruga, si kusht i vetëm i rregullimit të kompozicionit.

Tani, në këtë zonë, më tepër vjen në shprehje ndërtimi i objekteve në dy nivele (etazhe), ku pjesa përdhese shërben për kryerjen e veprimtarisë së caktuar zejtare, ndërsa, niveli i sipërm ka dedikime të ndryshme, por në lidhje të ngushtë me veprimtarinë e zhvilluar si përmbajtje përcjellëse.

 

Përgjatë shtrirjes së kësaj pjese të çarshisë, lidhen rrugica me përmbajtje zejtare, të cilat po ashtu shërbejnë për lidhjen e çarshisë me rrugët tjera. Këto rrugica, në Pejë janë të njohura si “okole”-rrugë harkore. Në këtë mënyrë, me ndërtim gradual, ngritët një zonë e re në të cilën zhvillohen veprimtarit zejtare të cilat do të reprezentojnë identitetin e këtij populloi dhe ndjenjën për kultivimin e traditës dhe të vlerave shpirtërore.

 

Të gjitha këto, japin një përshtypje përfundimtare, apo edhe një seri sekuencash të cilat janë autentike për këtë zonë apo pjesë të qytetit. Pra, duke u nisur nga përqendrimi kah lindja, dhe atë, prej Urës së Zallit, vërejmë rrugën e cila definohet me “kufijtë” e vet anësorë me objekte të ndërtuara-zakonisht zejtare dhe tregtare. Dhe, duke e përcjellë një parregullsi të kushtëzuar me rrjedhën e lumit, krijohen sekuenca të cilat, gjatë zgjerimit kah qendra, kanë rritje graduale dhe sjellin vizitorin në “klimaks” të perceptimit në të arritur në shesh. Kështu, arrihet përjetimi total i ambientit, hapësirës dhe ngjarjes. Minarja e xhamisë, si në shumë vende të botës (obelisku) prezanton reperin vertikal dhe, përveç rrugës së zgjatur, edhe ky tregon për drejtimin kah qendra dhe afërsia e fokusit të ngjarjes kryesore.

Arritja në qendër (në shesh) është përjetim në vete, edhe nëse përsëritet disa herë në ditë, sepse, ai është krejtësisht i ri dhe autentik.

Tendencat për zgjerimin e zonës zejtare kanë ekzistuar gjithnjë, por ato ekzistojnë edhe sot, edhe pse në mënyra dhe forma tani krejt tjera. Dëshmia më e mirë për këtë është ndërtimi i Qendrës zejtare-tregtare. Drejtimi i zgjerimit të kompleksit zejtar është ai në mes të Bajrakli Xhamisë dhe Qendrës së (atëherë) porsandërtuar. Qendra zejtare-tregtare, si koncept është menduar mirë dhe ka mishëruar frymën e arkitekturës autoktone. Mirëpo, si objekt i ndërtuar nuk tregon ndonjë nivel të lartë profesional të ndërtimit. Aq më parë, është kontradiktor vet emërimi i qendrës, për arsye se momentalisht në atë objekt (atëbotë) nuk zhvillohej asnjë prej veprimtarive zejtare, bile edhe prej atyre që datojnë më vonë.

 

Shtrohet pyetja se ç’po ndodh me zejtarinë pejane?! Sa ka ndikuar koha e industrializimit dhe e post industrializimit në zhvillimin e saj, për arsye se kjo veprimtari, tani më së shumti është reprezentuar në domenin e art-zejeve dhe të një numri të vogël të zejeve, të cilat janë ngushtë të lidhura me lindjen e vendbanimit të parë të Pejës. E nesërmja do të tregojë se objektet e ruajtura janë dëshmi e një kohe, kur zejtaria si veprimtari ishte në zenitin e saj.

 

Ndërsa, dyshimi imponohet se një numër i konsiderueshëm i objekteve tashmë vonë të ndërtuara reflektojnë dekadencë në arkitekturë dhe trajtim urbanistik, gjë e cila, padyshim se ia zë frymën veprimtarisë së zejtarisë dhe rritës së tërë qytetit.

 


(Vijon)

(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: