Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”
| E Hene, 17.05.2010, 08:59 PM |

Me rastin e 50 - vjetorit të botimit të parë të romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”, Prishtinë 1958

 

Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

 

            Edhe pse pushtetarët jugosllav u munduan që ta izolonin më shumë se tri dekada, nga zhvillimet letrare bashkëkohore veprën artistike të Adem Demaçit, megjithatë ajo ishte bërë pjesë e vlerave letrare, edhe pse ishte e ndaluar që të lexohej dhe të trajtohej ashtu siç duhej.  Madje, mund të them edhe këtë, se lexuesi  duke e pas para sysh figurën atdhetare të Bacës, të ngritur në simbol nacional të rezistencës, depërtonte dhe gjente rrugë që të siguronte librin e ndaluar, që në një mënyrë shprehte gjakimin e tyre për  çlirim dhe bashkim kombëtar.

            Ç’është e vërteta, romani “Gjarpinjët e gjakut”, lindi në një periudhë të egër të robërisë së Kosovës, por edhe në një kohë kur zgjimi kombëtar kishte marr hov të madh në të gjitha aspektet e aq më tepër në kohën kur me të madhe filluan të formoheshin organizatat atdhetare ilegale, që në një mënyrë apo tjetër e përgatitën popullin shqiptar për të shpërthyer si në vitin 1968, 1981, 1989, e deri te viti 1999.

            Proza e Adem Demaçit, si kjo e viteve të fundit, po kështu edhe ajo e mëhershmja, e që temë trajtimi kemi romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, imponohet me ide, ofron mesazhe historike e aktuale dhe, mund të themi se së pari është një dokument artistik i kohës ku sublimohet fryma e situatave ekzistenciale, dhe, së dyti, ky roman  ka sublimuar  një substrat, që do ta quaja historik, dhe që vazhdimisht përsëritet në jetën e brezave. Si i tillë, ky roman del se është zë i ndërgjegjes së një kohe, i cili arriti të identifikohej me kolektivitetin e vet nacional, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Mirëpo, s’është vetëm refleksi etik ai që e përvetëson lexuesin. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, dhe thekset e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve.

            Romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, e kisha lexuar në një kohë të pa kohë, ndoshta si nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën fillore, kur ky roman pati edhe fatin e autorit dhe u burgos bashkë me të, por shpesh ndodhte, e më vonë si studiuese e ilegales shqiptare në Kosovë, në shumë dosje të të burgosurve politik , e hasa shumë shpesh si material inkriminues të tyre. Në atë kohë e kisha lexuar me një frymë, edhe pse romani më vonë u përcoll dorë më dorë deri sa e lexoi e tërë klasa.

            Për herë të dytë e lexova pas viteve të nëntëdhjeta, kur u ribotua, e atëherë e lexova më me ngadalë dhe më me kujdes.

            Dhe për herë të tretë e lexova tani, por thënë sinqerisht, disi më ndryshe reflektoi tek unë. Duke lexuar dhe analizuar çdo fjalë, mu dukë se vërtet tani për herë të parë po përballesha me një realitet të hidhur, me një kohë mynxyre, e cila në asnjë periudhë nuk na ka përkëdhelur.

            Romani “Gjarpinjtë e gjakut”, do të thosha se është një dokument tronditës mbi zezonat tona që sillte gjakmarrja që në roman drejtpërdrejt pasqyrohen e aq më tepër lënë vraga në psiken e njeriut të rëndomtë. Dhe me të drejtë autori e pagëzon romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, dhe ishin vërtet gjarpinj që na vinin rrotull nga çdo anë, dhe me dëshirën më të madhe për tu mbrojtur nga ata, megjithatë, shakullinat e jetës ishin të pashmangshëm. Kështu ishte fati i jonë, fati i shqiptarëve në përgjithësi dhe fati i fshatarëve në veçanti.

            Romani në fjalë, ka karakter shumëdimensional. Duke e analizuar nga këndi historik, autori hedhë dritë mbi ngjarjet tmerrësisht tragjike që ka përjetuar populli shqiptar me dekada të tëra nën okupatorët e ndryshëm që e mbanin këtë vend. Por plaga e gjakmarrjes, e kurbetit, e shpërnguljeve të mëdha janë tema të cilat autori i trajton në mënyrë më të drejtpërdrejt.

Romani “Gjarpinjtë e gjakut” është libër, që na prezanton dhembjen e popullit në forma e mënyra të ndryshme.

Rrezaton histori, se na jep të gjalla zhvillimet e ngjarjeve në formë letrare dhe na mëson se si mundë të shkruhet historia edhe në formë romani.

Ka dimension etikë, ngase na jep parimet e shëndosha morale , mbi të cilat duhet të mbështetet shkrimtari.

Ka parime estetike, se autori në mënyrën më të mirë bënë përshkrimet e një niveli të lartë artistik të fshatarëve në të cilat ndodhë ngjarja, si fushën, malin, gjethet e zverdhura që bien për tokë, mbrëmjen e qet e plotë ankth, muhabetet në odë, bisedat në mes të babait e të birit, lojërat kaherë të harruara të fshatarëve, skamjen, kurbetin, grushtin e dheut të mbështjellë në një çevre (fasulet), mallin, lotët, kthimin, rënkimin, dëshpërimin, ngatërresat në mes fshatarëve, të cilat në fillim duken të vockla e pa dëm, por me kohë vijnë e rriten e bëhen ortek. Orteku në romanin e Demaçit ka një konotacion krejt tjetër nga ajo që është në të vërtet. Orteku i shkrimtarit është antologjik, dhe deri më tani akoma nuk kam hasur të shkruar, më bukur dhe më mirë se që e bënë Demaçi në romanin e tij.

Shpifësi, në romanin e Demaçit, të asoconë në spiunët të kohës së Rankoviqit, kur në mënyrë të organizuar dilnin dhe shpifnin për vëllamin, gruan, burrin, komshin, të afërmin, bashkëkombësin e kënd jo tjetër.

Por, megjithatë do të shtoja se me të gjitha këto ndjesi të mrekullueshme që rrezaton tek lexuesit, kur të përfundosh së lexuari, nuk mund të mos mbetet në shpirt  edhe një ndjesi e urrejtjes  së thellë për ato kohë dhe ata njerëz që bënë këtë histori të dhembshme të popullit tonë.

Duhet cekur se shkrimtari Adem Demaçi, atëherë djalë, dhe me një pasion prej shkrimtari të ri, me një përkushtim, ndjesi, lëndim shpirtëror dhe ndershmëri të pashoqe krijuese, mundohet të heq pluhurin e hedhur me dekada mbi popullin shqiptar. Tregimi i rrëfyer se shqiptarin e kishte ngrënë gjarpri në gisht dhe për çdo gjë shërbehet me plumbin, është një “dhunti” e shpifur nga të huajt. Edhe pse djali i mërguar kthehet në shtëpi, dhe mundohet që ti qetësojë gjakrat e të afërmeve të tij, megjithatë, shpifësi e bënë punën e vet. Gjarpinjtë e gjakut, megjithatë arrijnë që të kollofisin më shumë se tetë veta. 

Duke u nisur nga fakti se autori i librit, Adem Demaçi, ishte dhe është një atdhetar i madh, në kohën kur shkroi me të drejt do të konstatoja se ishte njëri ndër të parët që me guxim prej krijuesi shkroi romanin e parë ndër shqiptarët e Kosovës. Por, siç e dimë, rrethanat historike ndikuan që romani ta shohë dritën pak më vonë se ishte dashur, ngase konjukturat e pushtetit kishin llogaritur ndryshe, dhe nuk iu shkonte përshtati që një person si Adem Demaçi të ishte i pari në Kosovë që shkruante roman.

Duhet cekur se në të dhënat biografike, që gjendën në botimin e parë të romanit, shkruhet edhe kjo e dhënë “ Mbas botimit të tregimit të parë në revistën letrare “Jeta e Re”, hyni shumë shpejt në radhën e prozaistëve ma të talentuem të brezit të ri të punëtorëve letrar. Shquhet me tematikën dhe me koloritin popullor të tregimeve  të tij. Përpos tregimeve merret edhe me eseistikë”. Dhe ishte krejt e natyrshme  dhe që shkonte krahas me absurdin, që një talent të tillë të mos ta lejonin që të ecte, që të shkruante dhe që mos të vente në spikamë të gjitha ato padrejtësi, që në mënyrën më të ashpër të griste atë maskë që ishte mbuluar dhe shtjelluar nga pushteti dhe pushtetarët antishqiptar.

Demaçi si i ri, padiktueshëm u futë sigurt në elitën letrare të atyre viteve, dhe në saje të intelektit, atdhetarisë dhe vet sakrificës kishte arritur që të njohë realitetin e hidhur të shqiptarëve, në pjesën e okupuar të vendit.

E ç’të thuash pastaj, kur, jo, gjithkush nuk do të mundet të na jap me një forcë aq të madhe  artistike të gjitha ato ndeshtrasha që ka mundur ti imagjinojë mendja e retarduar  e një okupuesi dhe të shkatërrojë dora e gjakpirësit.

I tërë romani në përgjithësi  është prekës dhe mbresëlënës, në të gjitha pjesët e tij. Por takimi i  Selim Guxhufit  me të birin Mustafën, të kujton ato takimet biblike të shqiptarëve, në do kohë jo të largëta si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Por, të kujton gjithashtu edhe ritakimet me të dashurit, porse në brazdat e fytyrave të tyre me kohë ishte skalitur një qeshje e ngrirë dhe kishte përendur gëzimi i shumë kërkuar i njerëzve që ritakoheshin.

Autori në këtë libër na prezanton  dhe na zbulon në mënyrë artistike  disa anë të personaliteti të malësorit të urtë e bujar, që shumë kush i ka të njohura. Me një gjuhë të rrjedhshme, na pasqyron humanizmin dhe fisnikërinë e shpirtit të njeriut të rëndomtë dhe bujar. Autori në roman paraqet kohën e errët, njerëzit e e robëruar dhe problemet e okupimit, duke kërkuar me ngulm të drejtën që na takonte e jo të jepet pas vlerave efemere, kërkesave të interesave të ditës etj.

Romani veç tjerash trajton edhe në mënyrë të tërthortë, ndikimin e madh të dokumenti historik të Kanunit, i cili ndërlidhet padiktueshëm në jetën e njerëzve,   duke hyrë thellë në rrethanat kohore të situatave që trajton, duke e marr dhe duke e vendosur në jetën e fshatarëve të varfër si “rregull” i legjitimuar për ta.

 Autori merr dhe trajton paanësisht një kapitull aq shumë të përfolur që ka të bëjë me gjakmarrjen, dhe armiqtë e shumtë që këtë e përdornin dhe e keqpërdornin sa herë që kishin nevojë, por edhe pa të.

Të nderuar të pranishëm,

Do të shtoja, edhe pse romani, këtë vit (2008), ka mbushur 50 vite jetë të bujshme, do të thosha historike, përsëri ma thotë mendja se do iu sugjeroja lexuesve,  por edhe do të propozoja që do kishte qenë shumë e mirë por edhe e domosdoshme, që ndonjë shtëpi botuese, ti hynte punës së përkthimit në gjuhë të huaja se do ishte me mjaft interes.

Libri ka vlera të jashtëzakonshme historike, nga e dhëna se kur është shkruar , si është parë e trajtuar nga kritika letrare dhe se në mënyrën më sublime prek një plagë aq të madhe të popullit tonë që edhe tani në shumë pjesë të vendit ka filluar të ngre kokë.

Në fund, autorit të romanit, Bacës Adem Demaçit do i dëshiroja shëndet dhe s’bashku me romanin të kenë  jetë të gjatë dhe shumë vepra letrare, të na lindin nga penda e frytshme e autorit.

Urime Bacë



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: