Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar i Lëvizjes Ilegale Shqiptare në Kosovë (1945-1990)
| E Merkure, 12.05.2010, 09:59 PM |

KARAKTERI KOMBËTAR I LËVIZJES ILEGALE SHQIPTARE NË KOSOVË (1945-1990)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare në vijim. Ky qëllim programor i Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt tjerë.

            Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), problemi i Kosovës dhe i viseve të tjera të banuara nga shqiptarët në ish-Jugosllavi, jo vetëm që nuk u zgjidh, por përkundrazi, atyre iu mohua çdo e drejt për të vetëvendosur, si rrugën e vetme për zgjidhjen përfundimtare të problemit kombëtar[1].

            Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale më 1945, shënon manovrimin sllavo-nacionalist dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe përkundër sakrificave të mëdha në luftën antifashiste nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndërrues së tyre të çlirimit kombëtar dhe të bashkimit me Shqipërinë. Ata pas legalizimit të ri okupimit në Kuvendin e Prizrenit u detyruan të ndiqnin një politikë më të zakonshme dhe të pranuar përgjithësisht, por lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk pushoi, natyrisht me forma të reja e me emra tjerë të imponuar nga situata e krijuar. Populli i Kosovës kur hetoi tradhtinë, filloi të shpreh pakënaqësinë e vet në forma të ndryshme të veprimit. Ato forca dhe ata  patriot që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Shi për këtë, ishte e natyrshme që të bëhej një organizim i atillë, sepse ku ka okupim dhe robëri, lind edhe rezistenca e qëndresa e popullatës.

Gati një shekull të plotë, rezistenca e lëvizjes ilegale në territorin etnik shqiptar e mbajti të ndezur flakën e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Në të gjitha periudhat e këtij okupimi lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar i është kundërvë kësaj politike antishqiptare. Këtë rezistencë, të avancuar deri në luftë të suksesshme çlirimtare, e bënë dhe e udhëhoqën personalitete të shquara kombëtare, të përparuara politikisht, luftëtarët më të guximshëm të popullit shqiptar në territoret e pushtuara etnike. Ata bënë një luftë dhe një rezistencë me forca dhe mundësi shumë më të vogla se sa armiku. Dhe ky armik e ndoqi pamëshirshëm këtë lëvizje ilegale patriotike. Anëtarët e saj i burgosi, i torturoi dhe i dënoi me burgje të gjata e të rënda, i likuidoi, herë hapur, herë tinëzisht dhe herë-herë edhe i pushkatoi. Pavarësisht nga përdorimi i të gjitha mjeteve, Beogradi kurrë nuk arriti ta shuaj dhe ta asgjësoi këtë lëvizje. Lëvizja ilegale patriotike, me largpamësin e vet, me qëndrueshmërinë e vet po sidomos me vetëdijen e paluhatshme për nevojën e vetëflijimit për çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, arriti të triumfojë ndaj shtetit dhe politikës jugosllave.[2]

            Përvoja historike 95 vjeçare na mëson se padrejtësitë ndërkombëtare janë rishfaqur shpesh dhe ajo i ka kushtuar shumë popullit tonë. Ndoshta edhe kjo ishte njëri ndër ata faktor që e detyroi këtë popull të jetonte në një klimë ndërkombëtare armiqësore, ku gjatë historisë nuk munguan mashtrimet, dredhitë, komplotet, intervenimet e armatosura e deri tek agresioni ushtarak i fqinjëve.

            Veprimtaria politike-kombëtare ilegale e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, që nga viti 1945-1990, mund të ndahet në disa etapa të zhvillimit:

            Etapa e parë, përfshinë periudhën 1944-1950 dhe përkufizohet kryesisht me veprimtarinë e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë. Si e tillë kjo lëvizje kishte karakter politiko- ushtarak, ajo ishte e përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta, kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza e shumë të tjerë.

            Duhet cekur se LNDSH-ja, kishte dy komitete Qendrore, njëri ishte me seli në Prizren e tjetri me seli në Shkup. Kjo ndarje në këtë organizatë ishte bërë për hir të funksionimit më të sigurt. Të dyja KQ kishin të njëjtin Betim dhe të njëjtin program, që i jepnin të gjithë anëtarët para se të aderonin në të, dhe i përmbaheshin të njëjtit program.

            Betimi i anëtarëve të NDSH-së fillonte kështu: “Betohem në librin e shenjtë, në gjakun shqiptar, në flamur, se do të qëndroj dhe do të bëhem besnik, në organizatën nacionale për çlirimin e atdheut. Jetën do ta sakrifikojë nëse bie në duar të armikut. Për pjesëmarrësit e organizatës nuk do të deklarojë asgjë. Do të mbështetem në të gjitha ligjet, që i mbështet organizata. Me çmim të jetës do ta kryej çdo detyrë që ma parashtron organizata”[3] Veç betimit që ishte akt solemn për të gjithë anëtarët e saj, po ashtu anëtarët i përmbaheshin edhe programit të LNDSH-së. Programi i kishte njëmbëdhjetë pika, që përfshinin qëllimet dhe qëndrimet e saja. Si pikë e parë e programit ishte se : 1. Për Shqipërinë Etnike dhe kufijtë e saj, për ekonominë dhe politikën demokratike”[4], Mendojë se pikat tjera që paraqitën në program janë të dala nga kjo, ngase qëllim parësor ishte formimi i shtetit shqiptar në të gjitha trojet e veta, dhe kjo ishte qëllimi suprem i i organizatës.

            Etapa e dytë, përfshinte vitet 1950-1958. Brenda këtyre viteve organizimet ilegale ishin të llojllojshme duke filluar nga vazhdimësia e LNDSH-së,  e deri  me formimin e organizatave  të ndryshme ilegale që gjithashtu kishin karakter çlirimtar por me koncepte të reja politike e kombëtare. Mbas krijimit të rrethanave të reja në Kosovë, mbas një stabilizimi kushtimisht relativ të pushtuesit të ri në Kosovë, mbas përshtatjes së një pjese të shqiptarëve me këto rrethana të reja, këto grupe ilegale e kishin orientuar një pjesë të madhe të veprimit në bindjen e popullit se lufta kundër pushtetit jugosllav, megjithatë, ishte i vetmi mjet dhe e vetmja rrugë e lirisë.

Në këtë periudhë edhe pse ishte konsoliduar deri diku LNDSH-ja, më 1957 u formua dhe veproi Organizata ilegale e atdhetarit Metush Krasniqit me emrin simbolik “Partia revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin amë”. Në qershor të të njëjtit vit, Metush Krasniqi para anëtarëve të vet në fshatin Rogan, paraqiti Programin e punës dhe projektin (skicën) e statutit të Partisë, ku pos angazhimeve të tjera, ai si kusht themelor e parimor kishte paraqitur rendësin e lirisë, por mbi të gjitha atë të bashkimit kombëtar me shtetin amë[5], duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat. Në këtë drejtim kishte hartuar planin për propagandimin e idesë për bashkimin me Shqipërinë[6]. Ndërsa, më 1963 formohet një organizatë tjetër me emrin “Lëvizja revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e udhëhequr nga Adem Demaqi. I cili më vonë në bashkëpunim me inteligjencën kosovare hartuan Statutin dhe Programin e saj. Statuti i saj kishte përmbledhur në dhjetë nene e tërë objektivin dhe qëllimin e organizatës. Në nenin e parë të saj theksohej se: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për Vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuese në shumicë prej shqiptarëve që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethënë qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht- Çlirimi i krahinave, të aneksueme  prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nanën e vet- Shqipërisë”[7]. Edhe pse më 1945, thuhej se kishte përfunduar lufta, megjithë atë, me anën e këtyre neneve organizata e lartpërmendur iu bënte me dije se për shqiptarët e okupuar ende nuk kishte përfunduar lufta deri sa të realizohen qëllimet supreme të shqiptarëve, të përcjell amanet gjeneratë pas gjenerate deri sa të realizohen qëllimet e tyre.

Veç këtyre në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi do të formohen dhe do të vepronin edhe disa grupime më të vogla ilegale-politike që për qëllim parësorë do të kenë bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

            Nga viti 1958-1968, fillon faza e tretë e organizimeve ilegale, të cilat do të artikulojnë koncepte të reja politike e kombëtare.

            Ndërsa vitet 1969-1981, është veprimtaria e fazës së katërt ilegale në Kosovë, dhe mund të thuhet se ishte njëra nga fazat më të bujshme kur do të formohen grupe e organizata ilegale, me ngjyrime të ndryshme ideologjike, të cilat i kishte ofruar koha. Ndërsa sa i përket vlerësimit se të gjitha organizatat dhe grupet ilegale që vepronin në Kosovë në këtë periudhë kanë pasur orientime marksiste-leniniste, duhet të kihet parasysh rrethanat konkrete të kohës si dhe fakti se në Shqipëri sundonte një regjim i tillë. Andaj, këtyre organizatave në Kosovë u nevojitej një mbështetje e natyrshme në një aleat të qëndrueshëm e të pranueshëm. Sigurisht që po të mos kishin orientim majtist ato do të rrezikonin për të mbetur pa përkrahjen  e Shqipërisë së asaj kohe.[8] Karakteristik e kësaj etape është se në këtë fazë fillohet me botimin e revistave dhe librave të veçanta të ilegales. Në këtë kohë “Grupi Revolucionar” në krye me Kadri Osmanin, Mehmet Hajrizin, Hydajet Hysenin botojnë gazetën “Zëri i Kosovës” (në katër numra), gazetën “Liria” në shtatë numra, si dhe në diasporë fillojnë të dalin edhe gazetat : Bashkimi, Lajmëtari i lirisë, Fronti i Kuqë  e disa të tjera më pak të njohura.

            Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët që kishin shkuar në perëndim për të punuar për një kothere bukë, edhe atje nuk qëndruan duarkryq, në këtë kohë u formuan shumë parti që mbanin lidhje me ilegalen që vepronte në Kosovë. Vlen të thuhej se në këtë periudhë u formua organizata e parë shqiptare PKMLSHJ, që theu shabllonet e më hershme të ilegales duke kërkuar republikën shqiptare në kuadër të Jugosllavisë. Po ashtu, gjatë kësaj faze do të shtrohej si imperativ i kohës një çështje shumë e rëndësishme për ilegalen shqiptare, siç ishte ai i unifikimit të organizatave  e grupeve ilegale në një lëvizje unike a në një front gjithë popullor.

            Deri në vitin 1968, ndonëse të gjitha grupimet politike ilegale kishin si synim çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, pa hequr dorë nga ky qëllim, do të angazhohen edhe për jetësimin e opsionit të Republikës, të përfshirë këtu në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi dhe kjo do të jetë shkalla e parë për realizimin e bashkimit kombëtar.[9]

Mbas demonstratave të vitit 1968, shumë atdhetar e intelektual rënë në burg. Por, gjatë viteve të 70-80, ilegalja e Kosovës përsëri u këndell dhe mori veten. Gjatë kësaj periudhe u formuan organizata të reja që po ashtu u angazhonin dhe luftonin për lirimin e tokave shqiptare nën ish- Jugosllavi. Në këtë kohë u organizua dhe veproi organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës” që më vonë u shndërrua në “Organizatë Marksiste- Leniniste të Kosovës”. Fillimisht Programi politik i GRK ishte ai i Lëvizjes tradicionale Kombëtare. Duke pasur parasysh ndarjen e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga trungu i Shqipërisë, gjendjen e rëndë dhe të padurueshme të popullit shqiptar nën sundimin e huaj dhe të drejtën e ligjshme të vetëvendosjes e të bashkimit kombëtar, GRK programin e tij e ndërtonte mbi këtë bazë, që do të thoshte program politik i çlirimit kombëtar dhe i bashkimit të atdheut të copëtuar padrejtësisht. Ky përkufizim i programit përjashtonte çdo mundësi cilësimi të tij si ekstremist,  majtist a reaksionar[10].

Më 1968, në Kosovë nga ilegalja shqiptare u organizuan edhe demonstratat studentore  që kërkuan forma të reja të organizimit ilegal, kërkuan unifikimin e organizatave dhe grupeve ilegale për të ndërtuar një platformë politike të veprimit, duke shtruar nevojën që programet politike të ilegales ti përshtatën kohës dhe proceseve politike që u zhvillonin në rajon e më gjerë.

Në shtetet evropiane ilegalja shqiptare në diasporë luajti një rol të madh dhe të rëndësishëm për përhapjen e idesë së çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. Gjatë asaj kohe ajo kishte organizuar demonstratat dhe demarshe para ambasadave jugosllave, duke ushtruar presion lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Një punë të madhe drejt ndërkombëtarizimit të problemit të shqiptarëve nën Jugosllavi ushtronte edhe emigracioni politik shqiptar me prejardhje nga Kosova[11], të cilët në vazhdimësi intensifikuan dhe sensibilizuan veprimtarin patriotike drejt realizimit të kërkesave gjithë popullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi dhe vetëvendosje

            Ndërsa faza e katërt e lëvizjes ilegale në Kosovë fillon në vitet e kthesës më të madhe historike me 1981 dhe përfundon në fillim të viteve të ’90, në kohën kur zë fill formimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo edhe është faza më e rëndësishme e saj: është përmbyllje kulminante e një lëvizjeje të gjatë ilegale në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare të ish- Jugosllavisë. Demonstratat e vitit 1981 ishin një kushtrim i madh për popullin shqiptar dhe opinionin ndërkombëtar.

            Është karakteristik e kësaj etape se në këtë kohë organizimi i ilegales kishte pësuar ndryshime të mëdha. Grupe të vogla që vepronin ilegalisht pas demonstratave studentore të ’81 filluan të bashkohen dhe të formonin organizata më të mëdha po që kryesisht vepronin në interes të të zhvillimit të Kosovës dhe të krijimit të kushteve të reja, qoftë në ngritjen e pozitës kushtetuese të saj, qoftë për përmbushjen e idealit të ilegales-bashkim kombëtar. Duhet përmendur me këtë rast grupet siç ishin :Fronti Popullor për Republikën e Kosovës, Lëvizja studentore e vitit’81, Grupi i intelektualëve të Kosovës, Fronti i Çlirimit Kombëtar, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi etj.

             Organizatat ilegale që vepruan në këtë periudhë, që të gjitha mund të thuhet se punonin në bazë të Programeve politike dhe kishin Statutet e tyre. Programet, platformat dhe synimet e tyre ishin thjesht të karakterit kombëtar dhe qëllimi suprem i të gjitha atyre ishte mëvetësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë.

Dhe krejt në fund, mund të themi se të gjitha organizatat ilegale atdhetare angazhoheshin për një Shqipëri të bashkuar në hapësirën e saj historike e etnike, të një shteti sovran, të lirë e  demokratike, të përcaktuar sipas vullnetit të qytetarëve, në të cilin do të jetonin të lirë, të barabartë e në mirëqenie gjithë qytetarët, pa dallim feje, kombësie, gjuhe, krahine apo çfarëdo përkatësie tjetër.

           


[1] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945-1947), Prishtinë 1998, 11

[2] Mr. Ethem Çeku, Shekulli i ilegales, Prishtinë 2004, 23

[3] Nga dosja e Hamdi Berishës, Gjykata e Qarkut, Gjilan, 1947

[4] Marr nga Programi i NDSH-së.

[5] Kadrush Sylejmani, Metush Krasniqi, simbol i qëndresës shqiptare, Prishtinë, 1999, 84.

[6] Hetem Çeku, Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë, 2003, 143

[7] Statuti i Organizatës “Lëvizja revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, Arkivi i Kosovës. Fondi: Gjyqi i Qarkut, Prishtinë P. Nr. 14/59; Hakif Bajrami, Dosja Demaqi  1958-19

[8] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë 2005, 297

[9] Sheradin Berisha, Veprimtaria politike e organizatave ilegale në Kosovë , 1945-1999, 20

[10] Mehmet Hajrizi, punim në dorëshkrim, nëntor 2007.

[11] Dokumenti i Sekretariatit Krahinor i Punëve të Brendshme (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror), (tepër rezerve), Analiza mbi shkaqet dhe burimet e ripërtëritjes së irredentës, me theks të posaçëm në çështjet e diferencimit politik, evitimit të indoktrinimit dhe pozicionet e mundshme irredentiste në lëmin e arsimit, kulturës dhe në disa veprimtari të tjera, nr. 4000/1 (Material i përmendur, thuhej se I kishte vetëm 3 ekzemplarë), Prishtinë, tetor 1986.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: