Sabile Keçmezi-Basha: Kujtojmë Atdhetarin e Madh - Ali Aliun
| E Hene, 26.04.2010, 09:00 PM |

KUJTOJMË ATDHETARIN E MADH- ALI ALIUN

 

(Dëshmi rrëqethëse të patriotit Ali Aliut, në librin e Skender Latifit, “Përtej ferrit, bisedë me Ali Aliun”, Prishtinë 2008)

 

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Sabile_basha@hotmail.com

 

Si e njoha bacën Ali Aliun

 

Më ka rënë që ta njihja bacën Ali Aliun, në një kohë kur dhembjet kishin filluar të qetësohen por pasojat e saja ende qëndronin pezull mbi kokat tona. Ishte viti 2001, kur nga burgjet serbe filluan të na ktheheshin djemtë tanë. Bacë Aliut iu kishte kthyer djali (Liburni) nga burgu pas 50 muajve të vuajtjes së burgut në kazamatet serbe (27 janari 1997- 27 mars 2001). Ne kishim shkuar në vizitë për ti uruar mirëseardhjen në shtëpi dhe për të përgëzuar për qëndresën dinjitoze që kishte pasur para organeve serbe. Aty, për herë të parë u takuam dhe zhvilluam një bisedë që zakonisht zhvillohet në këso rastesh. Më befasoi çiltërsia dhe sinqeriteti i njeriut të urtë, modest dhe mbi të gjitha më bëri përshtypje biseda e tij prej trimi e atdhetari të paepur. Mbeta e mahnitur nga qëndrimi i tij. Ç’është e vërteta për të kisha dëgjua shumë më herët, e më vonë pjesë- pjesë kisha lexuar edhe disa pjesë të një fejtoni, që në vazhdime e kishte botuar gazeta “Zëri”, dhe që bënte fjalë për jetën dhe ngjarjet që i kishte përjetuar Ali Aliu dhe që kishin  trandur Kosovën në një rrugëtim të gjatë historie. Kohë njerkë, kishin qenë vitet pas përfundimit të LDB-së, e deri më 1999, kur edhe u çlirua Kosova. Më vonë, kisha dëgjuar se ato pjesë të atij fejtoni qenkan grumbulluar dhe qenkan botuar që të gjitha në një libër. Edhe pse kisha kërkuar gjatë, mundi nuk më shkoi huq, dhe me ndihmën e djalit tim (Agonit), që ishte shokë me djalin e bacës Ali (Liburnin), më në fund kisha rënë në kontakt dhe e sigurova librin e shumë kërkuar “Përtej ferrit (bisedë me Ali Aliun)”, e botuar në këtë vit (2008), në Prishtinë.

            Librin e lexova me një frymë, jo që ishte më pakë voluminoze, por ngase  nuk mundesha dot që të ndalesha për ta lënë përgjysmë. Diçka e fuqishme dhe e pa justifikueshme, por në të njëjtën kohë edhe e dhembshme më nxiste që të shkoja më tej e më tej. Gjatë leximit, as nuk munda ta hetoja se një libri prej 241 faqesh i kisha dal në fund.

            Duke e lexuar librin (mua më ndodhi), se në të njëjtën koha shihja një film të tmerrit dhe të trishtimit. Për dallim nga filmi, në libër  ngjarjet e zhvilluara nuk ishin fantazi thjesht e një kineasti, porse ishin ngjarje të vërteta, të përjetuara në jetën e një atdhetari të quajtura Ali Aliu.

            Është për tu habitur, se personazhi kryesor i librit “Përtej ferrit...”, gjatë tërë bisedës së zhvilluar me autorin e librit, asnjëherë nuk flet në vetën e parë, por në këtë libër me vetëdije të lartë kombëtare, Ali Aliu përmend me ndjesi gati të gjithë të burgosurit politik me të cilët pati rast të takohet gjatë jetës së kaluar nëpër burgjet jugosllave, e ajo jetë besa nuk ishte e shkurtër.

Libri i Skender Latifit, “Përtej ferrit (bisedë me Ali Aliun), ndahet në katër kapituj.

Në kapitullin e parë, duhet përgëzuar autorin i cili në një mënyrë të mrekullueshme sistemon ngjarjet në mënyrë kronologjike, sa do ia kishin lakmi shumë kronistë të kohës, dhe kishte qenë mirë që ata që merren me këtë lloj shkrimi ti përmbahen këtij modeli.

            Autori vjen deri tek përgjigjet dhe shtjellon ngjarjet nëpër mes të pyetjeve dhe përgjigjeve që jep bacë Ali Aliu. Ngjarjet tregohen nëpër mes rrëfimit vetanak të personazhit, duke na prezantuar jetën e rëndë të fshatarëve që nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore që mbretëronte në Luginën e Preshevës e deri në ditët e sotme. Në këtë kapitull përfshihen: Shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi; Burrat e njohur preshevar; Nënë Eminen; Medresën e Madhe të Shkupit; Jetën e tij në shkollën e mesme “Sami Frashri” në Prishtinë; Jetën studentore në Beograd; Qëndresën e luftëtarëve shqiptarë në Luftën e Preshevës etj.  

            Atdhetari Ali Aliu, me profesion është ekonomist, por duke e lexuar kapitullin e parë të librit të lë përshtypjen se në të njëjtën kohë është edhe njohës i mirë i rrjedhave e ngjarjeve historike të popullit shqiptar. Të habisin të dhënat që i prezanton dhe të gjitha ato ngjarje aq mirë përputhën me të dhënat e historianëve që i kanë dëshmuar me argumente për këtë periudhë.

            Në kapitullin e dytë, autori na ofron të dhëna të bollshme për angazhimin e shqiptarëve në LANÇ. Në mënyrë të argumentuar prezanton pjesëmarrjen e shqiptarëve në Frontin e Sremit;  Masakrat në Karadakun e Preshevës; Burgosjen e parë të vetë Ali Aliut; Të dhëna të bollshme për Kadri Halimin; Për Franë Berishën etj; Peripecitë e tija në burgun e Ada Ciganlisë; Përgatitjet për Goli Otok; Përtej ferrit-vuajtjet në kampin komunist; Të dhëna rrëqethëse për jetën dhe torturat që i përjeton Omer Çerkezi, dhe mendojë se me këto dëshmi që jepen në libër, deri diku plotësohet një zbrazësi e madhe që deri më tani ka munguar për të. Një e dhënë tjetër interesante jepet edhe për jetën e Kasëm Domit; Lirimin nga burgu, punësimin e tij dhe përsëri recidivi i çështjes kombëtare nuk mund të ndalet... Është një gjë që të bije në sy gjatë leximit të librit, se gjatë zhvillimit të bisedës të Ali Aliut, atdhetari, përmend shumë patriot shqiptar por nuk lë anash në asnjë mënyrë as të tjerët që i kishin ndihmuar në rastet më të vështira. Në momentet kur luhej me jetën a me vdekjen, e ata, nuk ishin të pakt, ishin kroat, slloven, serbë, maqedonas, thënë ndryshe një mozaik i vogël i Jugosllavisë torturuese.

           

Kujtimi për Golli Otokun

 

Është e tmerrshme , është lemeritëse edhe tani, nga një distancë kohore të kujtosh rrugëtimin dhe arritjen në Golli Otok apo “Ferrin komunist” siç e kishin quajtur të burgosurit, këtë vend. Mendojë se për të folur për këtë histori të përjetuar nga vet akteri i kësaj rrëmuje torturuese, është një mallkim i vërtet psikike por edhe një kthim i pa zakontë e i frikshëm në labirintet e jetës, e jetë i thënçin që kishin pasur të burgosurit politik në Golli Otok.

Personazhi i librit-Ali Aliu, për asnjë etapë jetësore nuk fletë vetëm për vete, ai flet me krenari dhe me një dashuri e fisnikëri të madhe njerëzore për të gjithë shokët që i ndan ato momente trishtuese, në atë gurishtë përvëluese që e quanin Golli Otok. Në mënyrën më të sinqertë, përshkruan masakrat që iu bëheshin njerëzve që nuk e shihnin të udhës të pranonin “fajet” të cilat iu mëveshtinë udbashët. Ata, të cilët nuk “riedukoheshin-përmirësoheshin”, i priste një jetë-ferrë në gropat e Golli Otokut. Pa dorëza flet për rrahjet, shkelmimet, flakareshat, urinë e tepruar, etjen që të përvëlonte shpirtin, bartjen e gurëve mbi supe, fshikullimën e kamxhikut, të bërë nga gomat e kamionëve, vetëvrasjet e të burgosurve etj.

            Në faqen 117 të librit, dëshmon Ali Aliu, duke thënë se “Mirëpo, meqë nga të burgosurit , kishte dhe të tillë që nuk binin në grackë dhe përulën duke poshtëruar vetveten, gjatë pesë vjetëve të këtij terrori antinjerëzor nga dajaku nuk kishin pësuar shëmtime fizike dhe psikike, një numër i madh kishte vdekur nga tifoja dhe sëmundjet të tjera, e kështu që nga 28.000 të burgosur që kishin kaluar brenda kohës së përmendur, vetëm nëpër katrahurat e Golli Otokut  6.000 ishin zhdukur”, përfundon dëshmitari, Ali Aliu.

           

Nuk i kujtohej emri i nënës

 

Është për të qarë dhe për tu habitur, sa larg shkon çmenduria njerëzore. Do të shtoja vetëm një rast nga mesi i shumë rasteve, kur nga torturat e tepruara dhe nga tmerret që pësonin të burgosurit, vetë bacë Ali Aliut i ndodhë, se në atë burg-tmerr për gjashtë muaj të mos i kujtohej emri i nënës. Merrni me mend, emri i nënës që e kishte lindur dhe e kishte rritur me njëmijë krajata. Tani i kujtohej atdhetarit, se kur e kishte pyetur gardiani-eprori për emrin e nënës së tij, ai nuk kishte ditur t’ia tregonte emrin. Ata e kishin akuzuar se edhe nëna e tij ishte e kyçur në aktivitetin “antishtetëror”, dhe mu për këtë i kishin thënë se nuk donte t’ia tregonte emrin, që mos të zbulohej. Ishte munduar, e ishte munduar me net të tëra, që ta kujtonte nënën dhe emrin e saj, por kishte qenë e pamundur. Në skutat e errëta të trurit, gjakpirësit kishin arritur t’ia shlyenin emrin e nënës.  E jeta, ka dëshmuar se ka edhe oscilime, dhe në momentin kur i kujtohej emri i dashuri i saj- EMINE, ai vrapon si i çmendur nëpër gurishte, duke thirrur “Emine, Emine, Emine...”, të burgosurit e tjer ishin habitur, e disa nga ata kishin menduar se ishte çmendur. E vërteta ishte se Ali Aliut, iu kishte kujtuar emri i nënës, i nënës që e kishte dashur në pakufi, dhe se ajo grua fisnike ishte një grua e madhe dhe nuk kishte të bënte fare me veprimtarin ilegale të të birit, siç e kishin akuzuar ata-udbashët. Është prekës ky detaj, e  me të tilla detaje është i mbushur ky libër.

            Duhet, gjithsesi përmendur edhe një ngjarje të dhembshme ku dëshmohet solidariteti i të burgosurve të tjerë ndaj tij. Ali Aliu dëshmon se shpesh i kishte ndodhur se para grupit të të burgosurve, asnjëherë nuk kishte pranuar se në veprimtarin e vet kishte gabuar. Mu për këtë, kishte ndodhur shpesh, që gjatë “bojkotit”, që iu bënin, ai nuk kishte të drejtë të fliste me askënd, dhe kujdestaronëte në dy ndërrime e më tepër në shenjë dënimi, çka do të thotë se mbeste dy net e më tepër  pa gjumë, ndërsa ditën ishte i detyruar të vazhdonte me bartjen e gurëve në shpin. Dy koleg të burgut e kishin vërejtur gjendjen sfilitëse të tij, dhe i kishin thënë që gjatë shkuarjes në “punishte”, e që ishte mase gjysmë ore larg, të futej në mesin e tyre. Fillimisht kishte hezituar, megjithatë ishte futur, dhe duke ecur, ata dy të burgosurit, e kishin mbajtur për krahësh dhe ai kishte fjetur pa e vërejtur gardiani.

            Ali Ali, tregon se aleatin më të mirë në këtë skëterrë, të burgosurit e kishin kohën. Deshi o s’deshi dikush, koha ecte ngadalë, por megjithatë ajo ecte.

Mezi që kishim ardhur në vitin 1953. Në fshehtësi të thellë, tek te burgosurit e Golli Otokut, kishte depërtuar lajmi se kishte vdekur Stalini. Pas kësaj ngjarje edhe situata ndëshkuese kishte ndryshua në të mirë të tyre. “Bojkotimet” ishin ndërprerë, përndjekjet dhe përcjelljet e të burgosurve ishin pakësuar.

Një histori e veçantë përshkruhet në libër, me rastin e “shpërnguljes” të një grupi të dënuarve në burgun e “Sveti Gërgurit”. Edhe pse Stalini kishte vdekur, torturat për grupin e shqiptarëve si Omer Çerkezin, Kasem Domin, Ali Aliun dhe grupin e “Pastiqerive”, që e përbënin katër veta (që të gjithë ishin shqiptar), nuk kishin përfunduar.          

Të dhënat që na i ep Ali Aliu për Omer Çerkezin janë të dhembshme dhe prekëse. Në kohën kur mendohej se çdo gjë do të marr të mbarën, ndodhin tragjeditë. Me të drejtë thotë populli “se sa më afër afron mëngjesi, acari është më i madh”. Këtë gjë e kishte kuptuar Omer Çerkezi, dhe si një lloj amaneti para se të ndodhë llahtaria Ali Aliut i lë amanet duke i thënë “Në bazë të sjelljeve të tyre, kam parandjenjën se ty do të lirojnë, por kur të dalësh nga burgu shko në shtëpi, merre gruan, djalin dhe vajzën, shko në Gjakovë dhe kërko që të kalosh në Shqipëri, e kur të mbërrish në Tiranë, lajmëro dhe thuaj Enver Hoxhës që mbrapa perdes së socializmit qëndron pansllavizmi dhe Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik janë pajtuar dhe kjo paraqet rrezik për Shqipërinë”, fq. 146. Jeta e Omerit më vonë merr një kahe tjetër, dhe pak ditë se me u lirua udbashët u kujdesën që kurrë të mos dal nga aty, duke e shkallmuar së rrahuri, duke i thyer këmbë e duar, dhe në fund e hedhin në det.

Ali Aliu edhe pas daljes nga burgu (tetor 1954), ai përsëri nuk mund të pajtohej me fatin se Kosova dhe populli shqiptar të cilat edhe më tej, edhe më keç ishin katandisur nën thundrën e okupuesit. Ai me kontaktet që ka me shokët siç ishin Kadri Halimi e disa të tjerë i rrekën punës dhe formojnë organizatën ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” (1960). Shqiptimi i dënimit të dytë; Prapë me Kadri Halimin; Ilegaliteti, strehimin në Budakovë, Karadak të Preshevës, në fshatrat e Moravicës. Gjykimet në Prishtinë, Vrajë, Gjilan, Preshevë. Burgosja në prill të vitit 1962 etj, të gjitha këto janë rrëfimet e përjetuara të një kohës njerkë, të cilat përshkruhen me një sinqeritet të madh nga vet atdhetari Aliu.

Kapitulli i Katërtë i librit, trajton historinë dhe përjetimet më të freskëta të Ali Aliut, siç janë: Burgosja e djalit të tij- Liburnit; Takimi i rastësishëm i Hamëz Jasharit; Bombardimet e NATO-së; Lufta e UÇPMB-së; Lugina e Preshevës, amanet që s’guxon kush ta harrojë etj.

Në fund, duhet shtuar se, do iu sugjeroja të gjithëve, pa dallim profesioni, që donë të njohin më për së afërmi tmerrin që përjetuan shqiptarët në kazamatet serbe e aq më tepër Golli Otokun-Ferrin e vërtet, le ta lexojnë librin e Skënder Latifit: “Përtej Ferrit, bisedë me Ali Aliun” dhe le të binden vetë se çfarë kanë përjetuar dhe çka kanë përballuar të burgosurit politik shqiptar.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: