Ndue Ukaj: Deklamimi i poezisë së Nenës Terezë në një CD
| E Merkure, 14.11.2007, 07:09 PM |

Deklamimi i poezisë së Nenës Terezë në një CD

Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Pikërisht në 10-vjetorin e kthimit të së Lumes Nënë Tereza tek Ati qiellor, meshtari i zellshëm Don Marjan Marku, ka përmbledhur poezi, përsiatje, lutje dhe tekste të Nënë Terezës për t'i përmbledh në një CD me titull: "Nëna Terezë: Jeta, mendime dhe uratë", të realizuar nën producimin e Misionit Katolik Shqiptar në Zvicrën Lindore, e tekstet e së cilës i lexojnë dy aktorët nga Tirana, Rikard Ljarja dhe Roza Anagnosti. Kjo CD është e realizuar me përkushtim të madh dhe si e tillë synon të përçon filozofinë dhe dashurinë e së madhes Nënë Tereza për botën, për njeriun, sidomos për atë më të varfrin, të papërkujdesunit, të lënët pas dore, në një formë tjetër, me artin e kombinimit të tekstit dhe deklamimit, me ritmet ëmbla muzikore. Kjo formë e paraqitjes së veprimtarisë së bamirëses me famë botërore, Nënës sonë Terezë, jo vetëm që pasuron fondin e shumtë të botimeve mbi të dhe për të, porse kjo CD mbi të gjitha ndriçon edhe më tej portretin e saj të shumanshëm dhe universal, tanimë me një mënyrë të re, me një përmasë më të kompletuar semantike e artistike, duke i dhënë receptuesit një ndjesi të thellë dhe të hollë estetike për fjalët dhe mendimet e saja të çmuara. Ngase, përsiatjet e Nënës Terezë, kanë, përveç konotime të thella filozofike, jetësore, religjioze, edhe dimensione të fuqishme artistike. Ato janë të ngjeshura me figura dhe mendime të përpunuara. Ndërsa në këtë CD, poezitë, uratat, përsiatjet e Nënës Terezë shoqërohen edhe me komente sintetike nga Don Marjan Marku, formë kjo që i jep një dimension
plotësues, jo vetëm teologjik, por edhe praktikë jetësor këtij projekti dhe fjalëve të Nënës Terezë.
Shikuar në kontekstin poetik, filozofik, religjioz, fjalët e Nënës Terezë përbëjnë në vete margaritar të rrallë, unike, e të papërsëritshme të cilat i ka njerëzimi, ndërkaq ato peshojnë fuqishëm dhe gjithmonë tingëllojnë aktuale, ato janë visaret të çmuara, të cilat, po të jetësohen në vepër, shumë dukuri negative të kohës sonë do ishin ndryshe. Përmes kësaj CD, ne përjetojmë e shijojmë bukurinë e vargjeve, lutjeve, përsiatjeve të Nënës Terezë përmes artit të deklamimit dhe artit të shoqërimit me tinguj. Është kjo një formë tejet mbreslënse, që i jep një dimension të ri përjetimit të asaj që është krijimtaria e Nënë Terezës. Nëse shkojmë më tutje, edhe lindja e poezisë si zhanër artistik, është e lidhur me artin e deklamimit dhe muzikës. Prandaj, përmbledhja që ka bërë Don Marjan Marku është tejet frytdhënëse për kontekstin tonë kombëtar dhe si e tillë duhet përshëndetur.

Projekti i kësaj CD, është i konceptuar brenda teksteve dhe përsiatjeve të Nënës Terezë, të shkruara gjatë rrugëtimeve të saj jetësore, rrugëtime këto që janë shoqëruar me uratë, lutje, poezi dhe përsiatje të thella e domethënëse. Nga këto copëza mendimesh e ndjenjash, në mësojmë shumëçka nga ajo që ishte jeta dhe madhështia e Nënë Terezës. Nga fjalët e çmuara të saj, nga vargjet me përplot filozofi, njeriu frymëzohet si të ecet me dashuri, si të mposhtën të këqijat e botës me besim, lutje, dashuri e gatishmëri për flijim. Për me tepër, nga këto mësojmë si të sfidohen dukuritë e panumërta të këqija të botës dhe s'i t'u jepet kuptim shumë vuajtjeve të botës. Dhe nga fjalët e saj mësojmë për të varfëritë ndër më të varfër, për të kuptuar, ruajtur dhe sfiduar misionin e jetës qëllimmire. Në këtë mënyrë mësohet edhe prania e Krishtit në jetën e saj, modelin e së cilit e ka ndjek në çdo hap të jetës. Materia e shtruar për deklamim këtu, është e konceptuar sipas një rendi logjikë, ajo ndërlidhet me fillimet deklarimin e saj të fuqishëm, lakonik, universal e shumëdimensional, që në kontekstin shqiptar kanë një domethënie speciale: "Me gjak e gjini jam shqiptare;me nënshtetësi, indiane/Jam murgeshë katolike. Për thirrje, i përkas mbarë botës, por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit. Linda në Shkup në vitin 1910, Im atë kishte një dyqan të vogël ku shiste material ndërtimi. Kisha një motër e një vëlla. Ishim familje e lume. E shumë e bashkuar. Unë jam një lapës i vogël në dorë të Zotit. Është ai që shkruan. Ai, që mendon. Është ai që vendos. E përsëris. Unë jam veç një laps i vogël, i vogël". Poezia dhe urata e Nënës Terezë ngërthen përmasa të shumta kuptimore, prek në palcën e dhembjeve njerëzore dhe jep gjithmonë frymëzime si të kalohet nga mjerimi i kohë. Pikërisht ky aspekt është pasqyruar në këtë CD. Intenca e misionit të saj është e lidhur me ketë postulat: "Nëse i keni dhënë/ një gotë ujë të etshmit, ia keni dhënë Jezusit. Ky është një mësim i vogël". Në këtë pikë, shihet gatishmëria mbinatyrore e saj për të kontribuar për njerëzit e varfër, për ata të lanit nën mëshirën e fatit. Në ketë projekt të përgatitur nga Don Marjan Marku është përfshirë Eukaristia dhe thellësia e perceptimeve të saja teologjike, fetare dhe dashuria e pakufishme për Krijuesin. Një vëmendje të posaçme ne perceptimet fetare dhe jetësore të Nënës Terezë ka luajtur dhe Maria, Nëna e Krishtit, e cila zë një vend me rëndësi në kuadër të përsiatjeve të tyre. Në të vërtet, "Maria është për ne shkak i gëzimit", thotë ajo me përvujtërinë e pashembullt. Madje, ajo është mburoja e paqes, e jetës njerëzore dhe shembullit më sublim të lutjes për njeriun. Nëna Terezë, bija shqiptare e cila arriti të mbaj epitetin e madh Nëna nga gjitha bota, një vend me rëndësi në jetën e saj i ka dhënë përpjekjeve titanike për paqe në botë. Madje për këtë ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe me 1979. Me këtë rast, ndër të tjera ajo le në përjetësi vargjet e fuqishme dhe udhërrëfyese për çdo kohe e çdo njeri, të cilat ofrohen edhe në këtë CD: "Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i lutjes është feja. Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është shërbimi. Fryti i shërbimit është paqja. Paqja ka për qëllim për të mbjellë dashurinë dhe për të lejuar zhvillimin e rritjes për veprim. Ne jemi të lindur për të dashur dhe për të qenë të dashur". Përveç paqes, Nëna Terezë dallohet me perceptimet, angazhimet e saj për dashuri. Madje për të dhe veprimtarinë e saj dashuria është alfa e omega e çdo veprimi jetësor. Në këtë kontekst, kemi vargjet dhe mendimet antologjike, që janë tingëlluese dhe të përhershme në çdo kohë, në çdo kulturë, në çdo religjion, në çdo moshë: "Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egocentrik, s'ka rëndësi, duaje. Nëse bën mirë, të thonë se bën për qëllim egocentrike,s'ka rëndësi, bëj mirë..." E kësaj natyre tematike është edhe përsiatja e Nënë Terezës për Gëzimin, ku kërkohet tharmi i jetës së lumtur në Zotin dhe Njeriun, postulate themelore të jetës së saj. Një vend me rëndësi në jetën e Nënës Terezë, e cila është e prezantuar në këtë CD paraqet Familja, ngase siç shprehet Don Marjan Marku: "Besoj se bota është e dëshpëruar dhe vuan shumë për shkak të dashurisë së paktë në familje". Në të vërtet, Nëna Terezë thotë: "Dashuria fillon në shtëpinë familjare". Ky mendim tingëllon fuqishëm dhe gjithmonë aktual. Në këtë kontekst, nuk mund të mos përmendim edhe poezinë e pakrahasueshme, me një shprehësi të veçantë emocionale, me një intonacion dhe bukur vargjesh, ku ritmi dhe muzikaliteti i brendshëm
ec në përputhshmëri me ndjesitë e saja Hyjnore: "Jeta është dashuri, pranoje. Jeta është bukuri, admiroje. Jeta është lumturi, shijoje. Jeta është ëndërr, zbatoje. Jeta është sfidë, ballafaqoje. Jeta është detyrë, kryeje. Jeta është lojë, luaje. Jeta është e çmueshme, nderoje. Jeta është pasuri, ruaje. Jeta është dashuri, përjetoje. Jeta është fshehtësi, zbuloje. Jeta është premtim, plotësoje. Jeta është pikëllim, tejkaloje. Jeta është himn, këndoje. Jeta është tragjedi, zbute. Jeta është aventurë, zbërtheje. Jeta është kënaqësi, meritoje. Jeta është jetë, mbroje". Duke i lexuar këto rreshta, nuk mund të mos tronditemi nga intuita gjeniale e saj, nuk mund të mos tronditmi nga shprehësia dhe bukura e ideve, nga tingllueshmëria dhe bukuria estetike e vargjeve. Në të vërtet këto lënë një mbresë të madhe në zemrën e çdo njeriu dashamirës. Sa herë dëgjojmë, ato frymëzojnë dhe na nxitin për t'u përpjekur që ta bëjmë botën sa më të mirë. Këto fjalë na japin një pamje kuptimplote të jetës së saj unike në këto dymijë vitet e tona. Po e përmbyllim këtë tekst me vargjet e lakonike, me mendimet e thella dhe filozofike, ku shprehet në mënyrë sintetizuese qëllimi i jetës dhe qëllimet të saja, në disa rreshta gjenial, duke vlerësuar në të njëjtën kohë se kjo CD do të ndihmoj edhe më shumë në jetësimin dhe përjetësimin e veprës së saj gjigante në dheun e saj, në Arbërinë aq të dashur, duke besuar se ajo tamam si një Nanë lutet për ne, që të ndërtojmë sa me par qytetërimin dhe filozofinë e saj të dashurisë, të mirësisë, të paqes. "Gjej kohë për të menduar – është burimi i fuqisë. Gjej kohë për t'u lutur – është në botë më e madhja fuqi. Gjej kohë për të qeshur – është muzika e shpirtit. Gjej kohë për lojë – është fshehtësia e rinisë. Gjej kohë për të dashur – është dhurata e Hyjnisë. Gjej kohë për t'u dhuruar – është ngadhënjimi i dashurisë. Gjej kohë për të lexuar – është burimi i urtisë. Gjej kohë për t'u shoqëruar – është rruga e lumturisë. Gjej kohë për të punuar – është çmimi i ardhmërisë. Gjej kohë për të bërë mirë – është çelësi që të shpie në qiell".



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: