Ekstremistët Islamikë sulmojnë humoristin e njohur Rasim Thaçi - Cima
| E Hene, 19.04.2010, 09:59 PM |

Ekstremistë Islamikë marrin përsipër sulmin ndaj Cimës

 

Persona të panjohur përmes një e-maili anonim kanë marrë përgjegjësinë për tentativë vrasjen e humoristit kosovar Rasim Thaçit - Cima.

Policia është duke e hetuar edhe këtë mundësi, ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës kërkon që të mos fyhen ndjenjat e myslimanëve, ngase mund të ndodhin edhe raste, siç është sulmi ndaj Cimës

 

Prishtinë, 14 Prill - Një e-mail i panënshkruar, dërguar Policisë dhe mjeteve të informacionit, kumton se humoristi Rasim Thaçi-Cima është sulmuar, për shkak të humorit të tij me fenë islame.

Autorët anonimë të e-mailit të dërguar të enjtën thonë se u "tërheqin vëmendjen të gjithë atyre që tallën me fenë islame".

Policia ka konfirmuar të enjtën se e ka marrë këtë e-mail. Bashkësia Islame, ndërkaq, ka tërhequr vërejtjen që të kihet kujdes kur përmendet islami. ngase dikush mund të ndihet i fyer.

Humoristi kosovar Rasim Thaçi, i njohur me nofkën Cima, është sulmuar disa ditë më parë, afër banesës së tij, dhe është qëlluar katër herë me thikë. Ai ka qenë në rrezik për jetën.

"Të nderuara media, me anë të këtij e-maili duam t'ju informojmë rreth së vërtetës së rastit Rasim Thaçi, 'CIMA'. Nuk është e vërtetë se ka qenë tentim vjedhje, po aq e pavërtetë marrja e kartelës së bankës, sepse nuk është e vërtetë t'i merret kartela dhe t'i lihen të hollat", thuhet në e-mailin anonim që u është dërguar mediave.

"Arsyeja e vetme e rastit 'CIMA' është humori i tij i pamoralshëm dhe marrja nëpër këmbë e Fesë Islame dhe Dijetarëve të saj".

Rasti i sulmit ndaj humoristit Thaçi, sipas Policisë, kishte ndodhur me qëllim plaçkitjeje, pasi viktima ishte sulmuar afër banesës së tij, pas shpine, pak minuta pasi kishte nxjerrë para nga bankomati. Ende nuk dihet nëse sulmuesit nuk kanë dashur t'ia marrin paratë apo nuk kanë mundur, ndërsa kartela e bankës që Cima kishte mungon që nga momenti kur është sulmuar.

Bashkëshortja e Cimës i ka thënë gazetës të enjtën përmes telefonit se bashkëshorti i saj ende nuk është në gjendje t'i kujtojë në detaje nga sulmi, pasi që ende nuk e ka marrë veten. "E kemi sjellë në shtëpi, i ka dy therje në shpinë, një në këmbë dhe një gërvishtje me thikë nën sqetull. Nuk është në gjendje të tregojë në detaje se çka ka ndodhur. E kanë sulmuar pas shpine dhe mungon kartela e bankës", ka thënë bashkëshortja e Cimës.

Ajo ka deklaruar se nuk di të thotë asgjë, nëse sulmi është bërë me motivin për humor ndaj fesë islame në skeçe humoristike, megjithëse ka thënë se Cima nuk ka ndonjë skeç që e ofendon fenë. "Atij nuk i kujtohet nëse ka marrë ndonjë porosi, përveç dhunës, dhe i mungon kartela e bankës. Ai ka luftuar për jetën dhe ne kemi vrapuar t'ia shpëtonim jetën, e kemi gjetur në gjendje shumë të rëndë, ndërsa për ato e-maila që kanë ardhur ne nuk dimë asgjë", ka deklaruar ajo.

E-maili që u është derguar mediave të enjtën ka arritur edhe në Policinë e Kosovës, e cila ka nisur ta shikojë si mundësi për kapjen e të dyshuarve. Sipas Policisë, e-maili anonim që është shpërndarë ditën e enjte tashmë përbën një prej pistave të Policisë për hetim të rastit, ndërsa edhe pas pothuajse një javë hetimesh nuk kanë ndonjë të dyshuar për sulmin.

"Edhe kjo është një prej pistave të hetimeve të hetuesisë, mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore viktima ende nuk ka dhënë deklaratë", ka njoftuar Zyra për media e policisë.

Bashkësia Islame e Kosovës, duke e dënuar sulmin, njëherësh ka shfrytëzuar rastin të theksojë që të kihet kujdes kur përmendet islami, ngase dikush mund të ndihet i fyer.

"Nuk kam ndëgjuar për këtë punë, por me siguri edhe ne e dënojmë një akt, nëse është me motive të tilla, edhe pse liri e shprehjes, sipas neve, nuk nënkupton të fyesh ndjenjat e të tjerëve, por përndryshe ne e dënojmë çdo rast apo akt vandal", ka deklaruar Ahmet Sadriu, udhëheqës i sektorit për shtyp në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Megjithëse nuk ka folur për ndonjë rast specifik ku Cima ka bërë humor me fenë islame, ai ka kërkuar të kihet kujdes nga gjithsecili që të mos kalojë kufijtë e lirisë së shprehjes.

"Është e vërtetë se ka fyerje të ndjenjave dhe kisha bërë apel që të jenë të kujdesshëm, sepse kjo mund të reflektohet negativisht dhe mund të këtë edhe raste të tilla që mendojnë se kanë të drejtë të reagojnë në atë formë", është shprehur ai, duke theksuar se e dënon aktin e sulmit, që për pak sa ia ka marrë jetën aktorit kosovarë.

Por pikërisht për këto arsye, për të cilat është ankuar Sadriu, edhe personat anonim thonë ta kenë sulmuar Cimën.

"Me anë të kësaj letre u tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që luajnë dhe tallen me Fe Islame. Kjo e cila ka ndodhur me Cimën nuk është asgjë në krahasim me atë çfarë mund t'u ndodh atyre, të cilët tallen dhe luajnë me Fe Islame, pra le të jetë kjo një mësim për të gjithë", thuhet në e-mailin anonim.

Në letrën anonime nuk tregohet se për cilin skeç apo humor të Cimës bëhët fjalë.

 


Koha

(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: