Sabile Keçmezi-Basha: Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”
| E Premte, 02.04.2010, 09:00 PM |

Formimi dhe veprimtaria e Organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”

 

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

 

Megjithëse dokumentin e procesit gjyqësor të Bacës Metush e kisha sigurua shumë më herët nëpër mes të familjarëve të tij, megjithatë me kërkesën e një personi që ta shfrytëzonte atë material, kurrë më nuk më ra në dorë. E ndjeja veten keç sahelë që shkruaja për të burgosurit politik, e për Bacën Metush më mungonin të dhënat. Nga ai moment që e kuptova se materiali nuk do të më kthehet, nuk rreshta së kërkuari dosjen e atdhetarit të madh të Anamoravës dhe të gjithë shqiptarisë. Në fund hulumtimi u kurorëzua me gjetjen e materialit.

            Ishin kohë të vështira kur veproi atdhetari Metush Krasniqi me shok. Kohë kur shpërnguljet e shqiptarëve për Turqi po intensifikoheshin dhe dhuna e terrori ndaj shqiptarëve nuk kishte të ndalur. Metush Krasniqi si intelektual që ishte nuk e ndjente veten mirë, andaj qëndrimi duarkryq i dukej i papranueshëm dhe vendosi për dashurin e madhe që kishte ndaj vendit dhe ndaj lirisë, të ndërmerrte diçka, të organizonte në një mënyrë rezistencën ndaj okupuesit. Ishte i vetëdijshëm se vetëm ai nuk ishte i pakënaqur në këtë shtet të krijuar artificialisht, dhe ndaj një okupimi e kolonizimi klasik, duhet të reagonte. Për të formuar një organizëm që do të reagonte ndaj padrejtësive të shumta që iu bënin shqiptarëve ai mori shumë iniciativa. Së pari i njoftoi disa koleg-mësues, që po ashtu mendonte se kanë mendim të njëjtë si të atij. Së pari u takua me Sejdi Kryeziun, me të cilin zhvillonte biseda që zakonisht përfundonin se si populli shqiptarë po vuan shumë nën okupimin serb, dhe e vetmja zgjidhje e kësaj situate të nderë ekziston në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ngase edhe ashtu me tradhti iu është marr asaj. Pasi se ishte i bindur në aspirata e Sejdi Kryeziut dhe pasi se pajtohen se duhet formuar një organizatë e cila do ti koordinonte punët në teren dhe do të angazhohej për kryengritje të armatosur për të rrënuar sistemin komunist, ata bashkërisht angazhohen që të bisedojnë edhe me bashkëmendimtarë të tjerë. Duke e ditur se Metë Dërmaku edhe më herët ishte shquar për veprimtari anti-jugosllave, vendosin që të takoheshin me te dhe të bisedonin për formimin e organizatës. Metë Dërmaku edhe pse më herët kishte qenë i dënuar si armik i popullit më 1947 dhe ishte dënuar me 5 vite burg të rëndë, ai përsëri pranon që të punojë me ta dhe iu jep përkrahjen e plot në të gjitha qëndrimet e tyre. Poashtu Metush Krasniqi, në ndërkohë kishte krijuar lidhje edhe me referentin e arsimit në PPRr dhe se me të kishte zhvilluar biseda lidhur me organizatën ilegale dhe se nuk kishte pasur shumë nevojë për ta bindur atë për padrejtësitë e shumta që iu bëheshin shqiptarëve, se për Marko Gashin këto të dhëna nuk ishin të panjohura, e aq më tepër kur të flitet për trajtimin e popullit shqiptar në Preshevë dhe në rrethin. Njoftimin për formimin e një organizate ilegale që do të punonte kundër Jugosllavisë dhe sistemit okupues të saj në Kosovë, Marko e kishte pritë me entuziazëm.

           

Formimi i organizatës “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”

 

            Pas të gjitha këtyre takimeve e bisedave që kishte pasur me njerëzit që kishte besim tek këta, fillimisht ai takohet me Sejdi Kryeziun, Metë Dërmakun-Nuredinin dhe Marko Gashin. Sipas të dhënave që i kemi marr nga pjesëmarrësit, po ashtu edhe nga  aktgjykimi i anëtarëve të këtij grupi, vijmë deri të të dhënat me interes për formimin e organizatës ilegale të quajtur me një emër shumë simbolik “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”. Sipas këtyre të dhënave dhe dokumentit del, se organizatën në fjalë e kanë themeluar në muajin qershor, të vitit 1957, në fshatin Roganë (Rogaqicë). Takimi është mbajtur në shtëpinë e Sejdi Kryeziut dhe në të kanë marrë pjesë: Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Metë Dërmaku-Nuredini, Marko Gashi dhe Qemajl Kallaba. Për këtë takim ishin bërë përgatitjet e mëdha, ishin marrë masat e duhura për të mos rënë në sy nga të tjerët. Për mbledhjen e shumë pritur ishte caktuar rendi i ditës me këto pika: 1. Leximi i referatit , të cilin e kishte përgatitur Metush Krasniqi, 2. Leximi i disa poezive që i kishte shkrua vet Metush Krasniqi, por edhe poezi të tjera , që kryesisht kishin përmbajtje patriotike dhe nën 3. Sqarimi i një strukture organizative  të një formacioni ushtarak.

           

Referati politik që përmbante qëndrime për grupin

 

            Në referat, që kishte përfshir periudhën që nga përfundimi i LDB e deri më 1958, Metush Krasniqi kishte marrë qëndrime porse edhe kishte bërë propozime për grupin. Njëherë, ai edhe para trupës gjykuese kishte pranua se ato që i kishte thënë në referat ishin edhe arsyet kryesore që e detyruan atë që të marri një hap të tillë për formimin e kësaj organizate. Në mes tjerash ai thoshte dhe konsideronte se shqiptarëve në Kosovë po iu shkeleshin të drejtat dhe se ata nuk janë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Kishte shkruar për persekutimet, arrestimet, torturat dhe pushkatimet që ishin kryer dhe po kryheshin ndaj popullit shqiptar nga ana e “partizanëve” të Jugosllavisë, që nga lufta e deri më sot. Në organet përfaqësuese në pushtetin popullor dhe në organizatat tjera shoqërore e politike shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar në përpjesëtim  me numrin e popullatës. Pushtetarët shqiptar që janë në funksione të ndryshme nuk janë përfaqësuesit e denjë të popullit dhe se ata nuk i mbronin interesat e tyre, por shikojnë vetëm leverditë e tyre personale. Ndërsa, për shpërnguljen e shqiptarëve ai thoshte se vet pushteti jugosllav ka organizua shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me të vetmin qëllim  që shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi të mbetën pakicë në raport me popujt tjerë të Jugosllavisë. Qëllimi i tërë kësaj kuptohej ngase në këtë mënyrë, me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, pakësohej dhe pamundësohej që në të ardhmen, kur do të hapet çështja e Kosovës për  t’iu bashkëngjit Shqipërisë, do të jetë e pamundur. Në të njëjtin referat, ai njëherë parasheh se shqiptarët do të jenë të lirë dhe të barabartë, do të kenë flamurin e tyre, do të mësojnë në gjuhën e tyre, do të kenë pushtetin në duar të veta, do të mund ta kenë administratën në duar të veta, do të kenë ushtrinë e tyre dhe do të gëzojnë lirin e plotë, vetëm atëherë kur Kosova do të jetë pjesë e pandashme e Shqipërisë. Nëpër mes të referatit, ai njëkohësisht bënte edhe thirrje popullit shqiptar që të luftojë kundër pushtetit aktual e okupues jugosllavë, duke i porositur se ka ardhur koha që ata, vazhdimisht duke menduar në anëtarët e organizatës, duhet të japin gjithçka nga vetvetja për çlirimin e popullit shqiptar nën Jugosllavi dhe bashkimin e tokave të tyre me Shqipërinë ku pa droje do të valojë flamuri kuq e zi, me shkabën dykrenore.

            Veç kësaj Metush Krasniqi, në referat kishte përfshi dhe kishte trajtua prridhën e aksionit të mbledhjes së armëve në Kosovë, dhe kryesisht që ishte aplikuar vetëm tek populli shqiptar. Dhe me bindje të plotë thoshte se Aksioni ishte iniciuar, organizuar dhe ekzekutuar nga një qendër e vetme në Beograd dhe se kryesisht ishte drejtua vetëm kundër popullit shqiptar. Pohonte se, aksioni i armëve ishte edhe një shkasë më tepër për të torturuar, malltretuar dhe frikësuar shqiptarë, që sa më shumë të ikin nga tokat e veta dhe nga vetë Kosova.

 

Propozimi për formimin e Formacionit ushtarak

 

            Rëndësi të veçantë i kishte kushtua para të pranishmëve formimit dhe aktivizimit të formacionit ushtarak, duke iu tregua skemën organizative dhe se si në të ardhmen ata do ta formonin dhe në momentin e duhur do të vepronte me qëllim të realizimit të qëllimeve të këtij grupi. Më vije keq, edhe pse isha angazhua tepër shumë për të gjetur skemën organizative të formacionit, megjithatë nuk munda ta gjeja, ngase dosja e Metë Dërmakut, nuk ndodhej askund, ngase në një dokument kam lexuar, se pas takimit Metush Krasniqi e tërë materialin e organizatës ia kishte besuar atij, por kur organet e hetuesisë e kishin zbuluar organizatën, në arkën e gruas së Metës kishin konfiskuar e tërë materialin të përbërë nga 2 referate, 6 poezi, skemën e formacionit ushtarak të Anamoravës Lindore dhe një “Proklamatë” që e kishin shkruar për t’iu drejtuar popullit të Kosovës. Meta të gjitha këto i kishte ruajtur me një kujdes të madh deri në ditë kur e arrestuan (3 nëntor 1958).

            Po ashtu, në këtë mbledhje të pranishmëve iu kishte lexuar disa poezi, por që kryesisht ia kishte kushtuar Shqipërisë nënë. Dhe më vonë, pas leximit të tyre të pranishmit i kishin komentuar ato duke shtuar tek-tuk ndonjë fjalë, për ti bërë sa më të fuqishme dhe sa më transparente. Anëtarët e grupit, veç Metë Dërmakut, të tjerët ishin që të gjithë intelektual andaj edhe nuk iu mungonin njohurit për poezitë e rilindësve tanë të shquar. Andaj në këtë mbledhje nuk munguan as poezitë e Naimit e Çajupit e të tjerëve.

            Në fund pas një debati të gjatë të pranishmit e kishin miratuar referatin me disa ndryshime të vogla, porse pas kësaj të pranishmit kishin nxjerr konkluzionet se duhej të thellohej edhe më tej puna e organizatës së tyre ilegale, të funksiononin edhe më me sukses grupet që vepronin në terren dhe edhe më tej të zgjerohej Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë me anëtarë të rinj dhe përkrahës të saj.    

Para gjykatësit, kishte pranua se me ëndje kishte dëgjuar Radio-Tiranën që katërçipërisht ishte pajtuar me qëndrimet e shtetit shqiptar.

           

Takimi i Dytë i grupit në Preshevë

 

             Pas mbajtjes së takimit të parë, anëtarët e grupit ishin edhe më aktivë. Takoheshin më shpesh dhe propagandonin idenë e bashkimit me Shqipërinë dhe masave të gjëra në mënyrë indirekte iu tregonin se kjo jetë nën okupim është e padurueshme. Kur populli pyeste se çfarë të bëjnë, Metush Krasniqi iu përgjigjët, Duhet të organizohemi për të mbrojtur të drejtat tona dhe lirin ton. Avash-avash, numri i anëtarëve shtohej ndërsa simpatizantët ishin të panumërt si në Anamoravë, në fshatrat e Preshevës dhe në Shkup. Si atdhetar i njohur që ishte Metush Krasniqi nuk u kënaq me aq, por nëpër mes lidhjeve që kishte filloi të depërtoi dhe të vejë kontakte edhe me atdhetar të tjerë që vepronin anë e këndë Kosovës.

            Pas një viti pune të frytshme konspirative, ftuan mbledhjen e dytë ( korrik 1958), duke e mbajtur në shtëpinë e anëtarit të organizatës- Marko Gashit në Preshevë. Në mes tjerash, aty u diskutua për aktivitetin e organizatës dhe për angazhimin e personave të rinj që kishin aderua në të. U bë fjalë për angazhimin sa më të madh të anëtarëve në propagandimin e rezistencës, për sigurimin e mjeteve për aktivitet propagandues, për hartimin, shtypjen dhe shpërndarjen e afisheve dhe të proklamatave , për krijimin e lidhjeve  me ndonjë përfaqësi dhe përfaqësues të diplomacive të huaja që ndodheshin në Shkup, me qëllim të përkrahjes dhe të ndihmës materiale, po ashtu edhe  të përkrahjes morale për punë dhe organizim në kushte tejet të vështira.

           

Ndarja e detyrave në organizatë

 

            Në këtë mbledhje u bë edhe ndarja e detyrave në mes të anëtarëve, si: Metush Krasniqi mori për sipër  që të mbulonte sektorin e propagandës dhe ai përgjigjej për këtë. U mor qëndrimi që Metush Krasniqi të shkruante sa më shumë parulla e trakte, ti shumëzonte ato dhe ti shpërndante në fshatrat e Kamenicës, si në Hogosht e Muçivëec, pastaj në fshatrat e Preshevës dhe në Bujanocë. Pas mbledhjes secili prej anëtarëve punët e veta i mori që ti kryente me përkushtimin më të madh. Nga mbledhja doli propozimi edhe si domosdoshmëri se, anëtarët e grupit duhet të armatosën së paku të kenë nga një revole për çdo eventualitet.

Sejdi Kryeziout ia caktua detyra për grumbullimin  e ndihmave vullnetare në të holla, me qëllim të blerjes së një shaptilografi, të makinave të shkrimit etj. Duke u nisur nga obligimet e marra në mbledhje, ai në një takim me shokët Qemajl Kallaba dhe Memet Ajetin në qytetin e Vrajës, atyre iu kishte kërkuar nga 3.500 dinarë si ndihm vullnetare për organizatën, që ishte paraqitur si nevojë urgjente blerja e një shaptilografi.

            Mark Gashi u obligua të vendoste kontakte  me përfaqësi të huaja diplomatike, të studionte metodën e punës së këtij grupi dhe strukturën organizative, pastaj krijimin dhe lidhjen e grupeve më të vogla me qendrën. Posa u caktua në këtë detyrë, Marko Gashi filloi aktivitetin e dendur politik e diplomatik. Menjëherë kishte udhëtuar për Shkup dhe për Prizren, me të vetmin qëllim që atje nëpër mes personave që i njihte, dhe në bisedat e mëhershme i kishin premtuar për të vu kontakte me përfaqësi diplomatike në Shkup e Beograd. Njëherë kishin planifikuar për qëllime pune  të takoheshin edhe me Legatën e Shqipërisë që ishte e vendosur në Beograd. Për takimin me personelin e Legatës ishte caktuar që të shkonte Metë Dërmaku-Nuredini, porse ai nuk kishte pranuar me arsyen se ishte i moshuar dhe i pa arsimuar.   

           

“Proklamata” e grupit ilegal

 

            Pas përfundimit të mbledhjes, Metush Krasniqi mori përsipër që të hartonte tekstin e një “Proklamate” që do ta shpërndanin anëtarët e grupit në vende të ndryshme të Kosovës. Nëpër mes “Proklamatës”, ata i bënin thirrje popullit shqiptar që të ngritët në kryengritje kundër rendit okupues në Jugosllavi, dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas të dhënave thuhej se “Proklamata” ishte shkruar dhe ishte planifikuar që të mbahej edhe një mbledhje par 28 nëntorit 1958, me anëtarët e grupit, t’iu lexohej atyre dhe pasi të merret mendimi i tyre të shpërndahej gjithë andej ku jetojnë shqiptarët.

           

Referati mbi emigracionin shqiptar në Perëndim

 

            Metush Krasniqi, veç këtyre dokumenteve kishte hartuar edhe një referat politik mbi emigracionin shqiptar në Perëndim. Në të kishte përfshirë politikën e jashtme të emigracionit dhe aktivitetin e tyre në luftën kundër pushtetit jugosllavë. Kishte shkruar se populli shqiptar që qe i detyruar të marr botën në sy nga terrori e dhuna që u përdor ndaj tyre, edhe ata ishin dhe e përkrahnin organizatën dhe qëllimet e saja për liri e bashkim kombëtar.

           

Vizatimi i shqiponjës si flamur kombëtar

 

            Metush Krasniqi, në mungesë të flamurit kombëtar kuqë e zi, ai me dorën e vet kishte vizatuar shqiponjën dykrenore dhe e kishte prerë duke e vënë si flamur gjatë mbledhjeve që i mbante në ilegalitet. Para k[tij flamuri të improvizuar mbaheshin mbledhjet, jepej betimi i anëtarëve të organizatës dhe anëtarët e saj merrnin pseudonimet në veprimtarin ilegale.

            Në mbledhjen që u mbajt në Preshevë u mor edhe qëndrimi që të gjithë anëtarët të kenë shifrën në letërkëmbimin e ndërsjellë. U mor qëndrimi që të formoheshin grupe të vogla veprimi në teren dhe ato të kenë lidhje në mes veti, për ndërlidhjen e këtyre grupeve me qendrën, për njerëzit që  do të angazhohen në ilegale, ata duhet të jenë katërçipërisht të pakënaqur me pushtetin dhe me gjendjen okupuese  që mbretëronte tek populli shqiptar. Duhet të ishin njerëz të besueshëm dhe atdhetar të devotshëm. Në mbledhje ishte biseduar edhe për maskimin e anëtarëve të grupit, me qëllim që gjatë veprimtarisë të jenë më të lirë dhe të panjohur për rrethin ku kryenin veprimtari ilegale, po ashtu ata do të ishin edhe më të sigurt në shpërndarjen e trakteve, të bartjes së materialeve  ose të ndonjë detyre tjetër të ngjashme. U morë qëndrimi që për anëtarët e grupit të siguroheshin edhe letërnjoftime false në rast të ndonjë zbulimi nga ana e organeve të ndjekjes.

           

Masat Torturuese që u aplikuan ndaj të burgosurve në hetuesi

 

            Janë të njohura masat torturuese që i aplikonin hetuesit ndaj të burgosurve politik shqiptar. Por, masat që u përdorën ndaj Metush Krasniqit dhe grupit të tij ishin të veçanta. Në bazë të të dhënave vijm në përfundim se qëndresa e Metush Krasniqit ndaj torturave që i bënin udbashët ishte shumë e fortë dhe asnjëherë nuk i kiishte dhënë shokët pa marr parasysh se çfarë masash merreshin ndaj tij. Andaj edhe është e pritur se në këtë organizat u zbuluan vetëm 6 veta, edhe pse dihej se ajo kishte një numër të konsideruar antarësh. Në hetuesi, qëndronte Metush Krasniqi me shpirt në dhëmbë, por çka ishte e vërteta qëndronin edhe shokët e tij.

            Masat ndëshkuese nuk u aplikuan vetëm ndaj Metushit, ata nuk kursyen as të tjerët. Duke e llogaritur mirë del se Metush Krasniqi në hetuesi i kishte kaluar gjithësejt 18 muaj e 6 ditë në burgun e Gjilanit, ngase Baca Metush edhe tri herë tjera kishte qenë i dënuar me burg. Andaj torturat ndaj tij ishin shtazarake dhe të tmerrshme. Ndaj tij dhe të gjith atyre u përdor, dajaku, shkelmi, fyerja, thyerja e dhëmbve, thyerja e brinjëve. U aplikua dhe u përdorën masat e dhunës psikologjike, lëshimi i mijëve në qeli, reflektimi i dritave për të mos i lejua që të flenin. Qëndrimi me orë të tëra në këmbë por edhe duke mos iu dhënë ujë të pijshëm. Me rastin e arrestimit të tretë, rrëfen bac Metushi se : “Në burgun e Kamenicës më morën në pyetje tri ditë e tri netë rresht. Pastaj më sollën në burgun Hetues në Gjilan dhe më futën në një birucë të pistë e të errët.Katër muaj nuk më nxorën në drit. Në të ftohti ishte i padurueshëm e lagshtija më kishte bllokuar kraharorin. Natën më merrnin në pyetje dhe përdornin dajakun ndaj meje, më sillnin me kërbaç, me shqelma dhe me shufra hekuri. Më rrihnin dhe më pyetnin për veprimtarin ilegale të timen dhe të shokëve, unë nuk folja, qile gur gojën, e guri gojë nuk kishte. Pas dërmimit e rraskapitjes, ata më hidhnin në birucë. Posa hysha aty më zinte gjumi, porse ata nuk do të ishin udbash po të më linin që të flija. Mbi qeli kishin rregulluar një sistem të çuditshëm të pikjes së ujit të ftohët akull në çdo dy-tre sekonda. Posa mbyllja sytë, uji fillonte të mi lagte gjymtyrët e trupin dhe më gjumë nuk mund të kisha.

            Ndërsa me rastin e katërt të arrestimit, në burgun e Gjilanit, të burgosurit i kishin shkallmuar kërbaç. Familjarët kur i merrnin rrobat e tyre u tmerronin duke i par ato të mbuluara me gjak. Atyre iu hyri frika se mos ndoshta to ti mbysin aty, ngase nuk ishte befasuese ngase shumë të burgosur shqiptar nuk dilnin të gjallë nga qelit e tyre.

            Kur në Procesin gjyqësor, para trupit gjykues, Metush Krasniqi mohoi disa të dhëna që i kishte dhënën në hetuesi, gjykatësi iu kundërvu duke i thënë, pse atëherë ke thënë kështu e tani po e mohon. Ai siç ishte i patrembur, ngreu këmb[n e pantallonave, dhe të pranishmit panë një skenë të llahtarshme, këmba iu ishte bërë gjak e kelbë dhe kishte ngelur vetëm ashtë e lëkur, pas kësaj qoi edhe kmishën dhe nga të pranishmit u dëgjua një ofshamë e madhe. Trupi i Bacës, ishte i larë në gjak. Gjykatsi heshti, ndërsa më vigjilentët ishin policët serbë të cilët reaguan ndaj të pranishmëve diuke iu thënë se poqese edhe njëherë reagojn në këtë mënyrë do të zbrazin sallën.

            Udbashët ndaj këtij grupi përdorën edhe masa tjera duke mos iu dhënë shujta të mjaftueshme ushqimi, duke i fyer me fjalët që rrall ndodhën në ndonjë fjalor rrugaçërie.

            Hetuesit duke e parë se qëndresa e tyre ishte një me qëllimet e tyre, një ditë thirrin një farkëtar rom dhe në qeli i vunë prangat e hekurta të rënda 25 kilogram. Ato jo vetëm që ishin të rënda por nga pesha e madhe filluan ti lëndonin edhe këmbët dhe dal ngadalë u futën në mish, që me këtë rast i shkaktonin dhimbje të padurueshme.

            Ata iu bënë ballë të gjithave duke duruar të gjitha llojet e torturave vetëm e vetëm për të ruajtur dhe mbrojtur shokët. E shokët që ishin ende në liri vazhduan pa frikë rrugën e tyre.

 

Organizimi i Procesit gjyqësor

 

            Pas marrjeve të gjata në pyetje, pas torturave të mëdha që iu bënin të arrestuarve në hetuesi, shëndeti dhe jeta e tyre aty ishte në rrezik. Të gjithë anëtarët e organizatës që i kishin zbuluar edhe pse vepronin e punonin në qendra të ndryshme jashtë Kosove, ata i grumbulluan dhe i sollën në Burgun hetues të Gjilanit. Sipas të dhënave thuhej se për Metush Krasniqin familja më tepër se dy muaj nuk e kishte ditë se a është i gjallë a i vdekur. Vëllai i tij Osman Krasniqi nëpër mes të ca lidhjeve që kishte krijuar enkas për këtë rast, e kishte zbuluar se Metush Krasniqi ndodhej në burgun e Gjilanit. Pas këtij lajmi të gëzueshëm, të gëzueshëm i thënçin, familjarët fillojn ta vizitonin dhe ti dërgonin ushqime e rroba të pastërta. Në një rast kur gruaja e Metushit kishte marrë për ti pastruar rrobat e Metushit, Havisha që i kishin sjell nga burgu, kishte ngel e shtangur, ngase rrobat e tij ishin krejtësisht të mbuluara me gjak. E shqetësuar tej mase për jetën e burrit, I kishte treguar kunatit-Osman. Me rrobat në duar Osmani shkon në Gjilan dhe kërkon që të takohet me Prokurorin publik të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan. Prokurori Tahir Ibrani e pranon, por kur dëgjon rrëfimin e vëllait të Metushit dhe kur shef se rrobat e tij ishin të lara në gjak, atij i shkojnë lotët dhe i premton të vëllait se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar nga këto tortura të mëdha ishte që ta shpejtoj procesin gjyqësor ndaj tyre, ngase aty ku janë ai nuk kishte kurrëfar mundësie që ta ndihmonte. Osman Krasniqi i ishte shumë mirënjohës për këtë gjest të prokurorit. Dhe, nuk vonoi shumë u organizua procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin amë”.

            Gjykata e Qarkut në Gjilan, kolegjin gjyqësor e kishte caktuar nga këta persona: Kryetar  ishte caktuar Ratomir Patërnogiq, ndërsa gjyqtarët -Mustafë Hoxha dhe gjyqtarët porotë ishin Vehbi Memeti, Sefë Sherifi dhe Tuna Tomiq, si anëtar të kolegjit, dhe procesmbajtës i procesit ishte Slobodan Jeftiq. Aktakuzën nga Prokuroria Publike e Qarkut të Gjilanit e paraqitëse prokurori Tahir Ibrani. Ai e kishte mbajtur fjalën dhe e kishte përshpejtuar procesin. Procesi gjyqësor filloi me 1-7 mars të vitit 1959.

            Para trupës gjykuese dolën atdhetarët e njohur të Anamoravës por edhe më gjerë si: Metush Krasniqi, mësues nga Shkupi, Marko Gashi, nëpunës i PPRr në Preshevë, Sejdi Kryeziu, mësues nga Topanica e Kamenicës; Metë Dërmaku-Nuredini, bujk nga Shipashnica e Epërme; Qemal Kallaba, mësues nga Strezovci; dhe Memet Ajeti, mësues nga Konçuli. Të gjithë këta atdhetar akuzoheshin se kishin kryer vepër penale politike nga neni 117, paragrafi 1 dhe 2, të LP ( bashkim kundër popullit dhe shtetit), dhe të veprës penale mosparaqitja e veprës penale ose e kryesit të veprës penale nga neni 280, paragrafi 1, i LP.

            Të akuzuarit kishin angazhuar mbrojtës për të treguar pafajin e tyre, por ndodhi e kundërta, se pushtetarët i frikoheshin Metush Krasniqit dhe organizatës së tij, andaj kishin marr masa paraprake për të bindur opinionin e gjerë se të gjithë ata ishin tradhtar të popullit, separatist, irredentist, dhe kundër sistemit të “mrekullueshëm” që po lulëzonte në Jugosllavi. Mjetet e informimit me një urdhër nga lart kishin filluar një fushat të paparë ndaj tyre. Shtypi i Kosovës, Beogradit, Novi Sadit e i Malit të Zi shkruante zi e ma zi për ta. Qëllimi ishte që në një mënyrë të bindin edhe xhaketën, që të akuzuarve tiu shqiptohen vite të shumta burgu.

            Metush Krasniqi për avokat kishte paguar Milan Stojanoviqin, avokat nga Beogradi, dhe Gjorgje Giliqin avokat nga Vraja;Marko Gashi, kishte marr avokat Blagoje Dimitrijeviqin avokat nga Vraja; Sejdi Kryeziu, si avokat kishte Aleksandër Popoviqin, avokat nga Gjilani; Ndërsa Metë Dërmaku-Nuredini, Qemal Kallaba dhe Memet Ajeti kishin angazhuar për mbrojtje Momir Neshiqin, poashtu avokat nga Vraja.

            Ditën e procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve, Kadrush Sylejmani i përshkruan kështu : “Në orët e hershme të 1 marsit të vitit 1959, forca të mëdha policore e rrethuan ndërtesën e Gjykatës së Qarkut, ku duhej të fillonte procesi gjyqësor kundër Metush Krasniqit dhe shokëve të tij. Dera e sallës ku do të mbahej gjykimi u hap në orën e caktuar. Anëtarët e  familjeve të të akuzuarve , pas kontrollit rigoroz, hynë në sallën e gjyqit. Pas pak hynë avokatët-mbrojtësit e të akuzuarve, e mandej i sollën duarlidhur të akuzuarit :Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun, Mark Gashin, Mehmet Dërmakun-Nuredinin, Qemal Kallabën e Mehmet Ajetin, të shoqëruar me një dyzinë policësh të armatosur me automatik e revole”[1] Pasi kishin zënë vend të pranishmit, erdhën gjykatësit dhe prokurori. Dhe pasi u krye procedura zyrtare, prokurori lexoi aktakuzën dhe kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit të dënohen “për veprimtari të inkriminuar të bashkimit kundër popullit e shtetit sipas nenit 117, pika 1 e 2 të Ligjit Penal dhe për moskallëzimin e veprës së kryer dhe të kryesit të veprës sipas nenit 280, pika 1 e Ligjit Penal të Jugosllavisë...”

           

Kush ishin të akuzuarit e procesit

 

            Organizata “Partia Revolucionare për bashkimin e tokave shqiptare me shtetin amë”, për sa kohë që veproi kishte arritur që rreth vetes të grumbullojë shumë anëtar por edhe përkrahës të saj. Duhet shtuar se ajo kishte arritur të formonte shumë grupe të vogla në fshatra e qytete duke u mbështetur në miq e shokë besnikë, duke u lidhur mik pas miku e shokë pas shoku, dhe ato grupe lidheshin me qendrën. Bile në mbledhjen që ishte mbajtur në Preshevë ishte vendosur që anëtarët e grupeve nuk duhet të din për qendrën as për selinë e saj. Ishte marrë qëndrim që grupet duhet të formohen në të gjitha trojet etnike shqiptare në Jugosllavi. Ishte menduar që të punohet me njerëzit dhe të formonin qendrat si në : Prishtinë, në Gjilan, në Prizren, në Gjakovë, në Pejë, në Shkup, në Tetovë, në Ferizaj, mundësisht ishte shumë e dëshirueshme që të depërtohej edhe në Mal të Zi.

            Pas marrjes së detyrave, anëtarët e organizatës ishin aktivizua edhe më tepër, por koha ishte ajo që nuk iu dha mundësi që të realizonin qëndrimet e marra.

            1. Metush Krasniqi, ishte i lindur në fshatin Dajkoc, (komuna e Kamenicës), me 19 gusht, më 1926, nga babai Asllan dhe nëna.... Me profesion ishte mësues, dhe për hir të përcjellës së udbashëve kishte qenë i detyruar që të shpërngulej nga fshati i lindje dhe të shkonte në Shkup. Atje punonte si mësues në periferi të qytetit të Maqedonisë. Ishte i martuar dhe babai pesë fëmijëve. Të mbaruar kishte shkollën Normale, kishte mbaruar edhe shërbimin ushtarak. Disa herë kishte qenë i arrestuar. E tani në burgun hetues ndodhej nga 3 nëntori i vitit 1958.

            Në procesin gjyqësor të mbajtur nga 1-7 marsi 1959, Metush Krasniqi akuzohej për vepër penale  gjëja se kishte veprua dhe ishte organizua kundër popullit dhe shtetit të Jugosllavisë. Akuza e ngarkonte në bazë të nenit 117, paragrafi 1, lidhur me nenin 100 dhe 101, paragrafi 1, të LP të Jugosllavisë, me dënimin me burg në kohë zgjatje prej 18 vitesh burg të rëndë, ky ishte dënimi kryesor. Ndërsa në aspektin e kufizimit e të drejtave qytetare nga neni 31, paragrafi 1, i Ligjit Penal, edhe atë: e drejta e votës, e drejta në realizimin dhe në kryerjen e funksioneve zgjedhore në organizatat dhe në shoqatat shoqërore, si dhe e drejta e paraqitjes publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh, si dënim plotësues, që do të fillojë menjiher nga  dita të bëhet i plotë fuqishëm aktgjykimi.

            2. Marko Gashi, ishte i akuzuari i dytë i grupit të Metush Krasniqit, pseudonimi i tij ishte “Iljaz”. Ishte i lindur në fshatin Zhegër të Gjilanit më 23 mars, 1912. ndërsa jetonte dhe punonte në Preshevë. Kishte të mbaruar shkollën Normale dhe me profesion ishte mësues. U arrestua me 1 nëntor, 1958.

            Po ashtu edhe Marko Gashi, nga Gjykata e Qarkut në Gjilan iu shqiptua një dënim i rëndë prej 10 viteve burg të rëndë. Akuzohej se kishte kryer vepra penale që binin në kundërshti me Ligjin Penal të Jugosllavisë . Akuzohej në bazë të nenit 117, paragrafi 2, lidhur me nenet 100 dhe 101, paragrafi 1, të LP. Në procesin gjyqësor, më 7 mars 1959, iu shqiptua dënimi prej 10 vitesh burg të rëndë, njëkohësisht duke humbur edhe të drejta e votës, të drejtën  e realizimit dhe të kryerjes  së funksioneve  zgjedhore në organizata dhe në shoqata shoqërore për 2 vite.

            3. Sejdi Kryesiu, Ishte nga fshati Rogaqicë (Roganë), nga komuna e Kamenicës. I lindur me 15 mars 1927. Edhe ky kishte të mbaruar katër vite të gjimnazit dhe punonte si mësues në fshatin Toponicë të Kamenicës. U arrestua më 2 nëntor 1958.

            Në procesin gjyqësor që u mbajt me 1-7 mars 1959, Sejdi Kryeziut, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut i shqiptoi dënimin me 10 vjet burg të rëndë, duke e akuzuar sipas nenit 117, paragrafi 2, lidhur me nenin 100 dhe 101, paragrafi 1, të Ligjit Penal të Jugosllavisë, të përshkruar në dispozitivin e këtij aktgjykimi. Veç viteve të burgut, Sejdi Kryeziut gjykata i shqiptoi edhe dënimin shtesë për  humbjen e të drejtës së votës, të drejtës për realizimin dhe kryerjen e funksioneve zgjedhore në organizata dhe në shoqatat shoqërore, si dhe e drejta e paraqitjes  publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

            4. Metë Dërmaku- Nuredini, ishte i lindur në fshatin  Shipashnicë e Epërme ku edhe jetonte, por edhe këtu u arrestua me 29 janari i vitit 1959. Me profesion ishte bujk, autodidakt. Metë Dërmaku duhet përmendur se edhe më herët ishte i dënuar politik, ngase më 1947, Gjykata Ushtarake e Divizionit të Prishtinë, nr 131/47, të datës 31 maj 1947 e kishte dënuar për veprën penale kundër popullit dhe shtetit nga neni 3, pika 14 i Ligjit për Vepra Penale të Jugosllavisë, me dënimin prej 5 vitesh burg.

            Metë Dërmaku-Nuredini, gjykatësi Ratomirë Patërnogiq i shqiptoi dënimin me burg të rëndë në kohë zgjatje prej 2 vitesh, duke e arsyetuar se edhe ky kishte kryer vepër penale të bashkimit kundër popullit dhe shtetit, nga neni 117, paragrafi 2, lidhur me nenin 100 dhe 101, paragrafi 1, të LPJ.

            5. Qemal Kallaba, ishte i akuzuari i pestë në këtë grup, dhe vinte nga fshati Roganë (Rogaqicë), komuna e Kamenicës dhe ishte i lindur me 12 maj 1926, dhe për hir të profesionit kishte qenë i detyruar që të shkonte në fshatin Strezocë për të punuar si mësues. Atje ai edhe jetonte. Kishte të mbaruar katër klasë gjimnaz dhe punonte si mësues. Edhe ku ishte një recidivë në burg, ngase me aktgjykimin e Gjykatës Ushtarake të Divizionit në Prishtinë, nr. 126/7, të 8 majit 1947, për vepër penale nga neni 3, pika 8, i Ligjit për Vepra Penale kundër popullit dhe shtetit dhe shtetit , ishte dënuar me 3 vite burg. Ndërsa prej datës 21 nëntor të vitit 1958 ndodhej në burgun hetues në Gjilan.

            Qemal Kallaba u dënua për vepër penale të mosparaqitjes  ose të kryesve të veprës penale, nga neni 280, paragrafi 1, i LPJ. E dënuan me 1, 6 muaj burg të rëndë. Dënim ky që do ti llogaritet nga 21 nëntori i vitit 1958, nga dita që u arrestua.

            6. I fundit që u zbulua nga organet e ndjekjes ishte mësuesi Memet Ajeti, i lindur në fshatin Zarbincë, komuna e Bujanocit më 21 dhjetor të vitit 1921. Kishte të mbaruar shkollën Normale dhe punonte e jetonte në Konçul. U arrestua me 19 nëntor 1958.

            Edhe Memet Ajeti u dënua sikurse edhe Qemal Kallaba, për mos paraqitjen e veprimtarisë anti shtetërore dhe kryesve të tyre. U dënua në bazë të nenit 280, paragrafi 1, LPJ me 1,6 muaj burg të rëndë.

           

Solidariteti i shokëve

 

            Mu duk e padrejtë që të mos shkruaja për një detaj që për mendimin tim mu duk shumë human dhe shumë solidar. Pasi iu shqiptuan dënimet anëtarëve të organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, të burgosurit i shpërndan nëpër burgje të ndryshme të Serbisë e Jugosllavisë. Shumicën e të dënuarve të këtij grupi i kishin dërgua në burgun e Nishit. Ky burg, njihej me gardianët më të rreptë dhe me kushtet më të vështira që kishte.

            Tani Metush Krasniqi pati rastin të takohej edhe me shokët e vet të organizatës si me Mark Gashin dhe Sejdi Kryeziun. Ai kishte miqësi dhe aty krijoi edhe miqësi të reja si me ....

            Të gjithë të burgosurit shqiptar që ishin në Nish ishin të dënuar me shumë vite burgu dhe në mes veti kishin krijuar një harmoni dhe bashkëpunim që shumë të burgosur të tjerë politik iu kishin zili. Metush Krasniqi edhe në burg nuk mundte të qëndronte indiferent ndaj padrejtësive të shumta. Ata hetuesit edhe në burgun e Nishit filluan atij ti silleshin vërdallë duke bërë presion të vazhdueshëm, që të bashkëpunonte me ta. Ai nuk kishte pranua as më herët por edhe këtu. Ata shtuan presionin ndaj ti. Vazhduan ta malltretonin dhe në fund e hidheshin në qeli të vetmuar. Vazhdimisht e rrihnin dhe nuk i jepnin ushqim për të ngrënë.

            Shëmbëlltyra e Metushit te të burgosurit shqiptar ( e që nuk ishin të pakt) kishte krijuar një shembull të papërsëritshëm të qëndresës. Andaj i burgosuri ... kur i kishte ardhur dita me dal nga burgu, dhe duke e ditur se Metush Krasniqi kishte ende shumë për të qëndruar në burg. Ai nga respekti që kishte për të kishte shkuar te drejtori i burgut dhe e kishte lutur, se a mund të ndaj vitet e burgut përgjysmë të Metush Krasniqit që ti mbaj ai.

            Drejtori serb i burgut kishte ngel i habitur dhe i kishte thënë,më trego të lutem çfarë populli jeni ju që i merrnin përsipër edhe vitet e burgut të shokëve tuaj. Normal nuk e kishte lejua.        



[1] Kadrush Sylejmani, Metush Krasniqi, symbol I qëndresës shqiptare, Prishtinë 1999,107



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: