Avzi Mustafa: Gjuha shqipe në traditën e historisë së shkollave
| E Shtune, 06.03.2010, 07:58 PM |

Me rastin e 7-Marsit

GJUHA SHQIPE NË TRADITËN E HISTORISË SË SHKOLLAVE

Nga Prof. Dr. Avzi MUSTAFA

Hulumtimi dhe studimi i gjuhës, arsimit dhe shkollimit të shqiptarëve gjatë shekujve është një çështje kulturore-historike e pedagogjike më rëndësi të veçantë. Edhe pse sot disponojmë me disa botime, gjithë materiali ekzistues lidhur me ndriçimin e plotë të historikut të shkollës shqipe ende nuk është vjelë në tërësi.
Kur bëhet fjalë për dëshmitë për përdorimin e gjuhës shqipe, gjithsesi duhet të ndalemi në dëshminë e klerikut francez Gulielm Ade, që në veprën e tij të botuar më 1332, përkatësisht në librin I, pjesa e 8-të, ai shkruan: “Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja; megjithatë kanë alfabetin latin në përdorimin dhe në tërë librat e tyre”. Kjo e dhënë, si dhe shumë të tjera, flasin lidhur me qëndrueshmërinë e popullit tonë kundruall ndikimeve të huaja feudale. Mjedisi shqiptar në zonat e thella bëri përpjekje që t’i ruajë zakonet dhe traditat e kanuneve të maleve, mbi të gjitha gjuhën shqipe, gjë që flet se ndikimet e huaja nuk i pranonte me lehtësi.
Si në Evropë, ashtu edhe në Ballkan, në komunitetin shoqëror feudal arsimi zhvillohej në gjuhën latine në perëndim të Ballkanit dhe në lindje në gjuhën greke, por pa ndonjë ndikim kulturor mbi shqiptarët nga gjuha kishtare sllave
Ne shekullin e XVI i kemi përpjekjet e para që gjuha kombëtare t’ua zërë vendin gjuhëve kishtare. Edhe përkundër asaj se mësimi zhvillohej në gjuhë të huaj, gjuha shqipe mësohej si lëndë mësimore.

Gjuha shqipe në shkollën e Karadakut të Shkupit 

Në bazë të një raporti të shkruar nga Aleksandër Komulloviqi në vitin 1584, shihet se aty kërkohet hapja e një shkolleje shqipe në formën “in forma di colegio “ (në formë kolegji) në territorin e famullisë katolike të Karadakut të Shkupit (Montenegro di Skopia. Pak më vonë një shkollë në gjuhën shqipe kërkohej të hapet edhe në famullinë e Letnicës në fshatin Ceravajka në verilindje të Stubllës. Hapja e këtyre shkollave në Karadakun e Shkupit nga arsimdashësit arsyetohet nga fakti se “aty nuk banojnë dhe nuk vijnë turqit”. Edhe përkundër kushteve të vështira të mësimit të shqipes, ata kishin gjetur formën adekuate, të ashtuquajtur “modus vikendi”, që nënkuptonte mësimin e gjuhës amtare nën kulmin e tempujve fetarë, sepse pranë këtyre institucioneve qëndronte arsyetimi para pushtetit, me pretekst se këta u mësojnë fenë. Këtë e shohim nga raportet e argjipeshkvisë dhe meshtarëve dërguar Kongregacionit “De Propaganda Fide” në Romë. Këso shkollash ekzistonin edhe nëpër vendet e ndryshme shqiptare, por në mungesë të dëshmive ose të ndonjë raporti konkret, ato mbeten të harruara.

Mësimi i gjuhës shqipe në shkollën e Kurbinit (1632), Pëdhanës (1638), Troshanit (1639) dhe në Velje të Mirditës (1692)

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve nga njëra anë, kurse nga ana tjetër duke qëndruar përballë cenimit të interesave fetare të të tria feve, që e zbatonin politikën e verbër të institucioneve prej të cilave vareshin, si rezultat vijoi hapja e shkollave shqipe. Kështu në vitin 1632 në Kurbin të Krujës, gjashtë vite më vonë në Pëdhanë (1638) afër lumit Mat dhe një vit më vonë, më 1639, në Blinisht, u hapën shkollat e rangut fillor të drejtuar nga klerikë shqiptarë, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Në bazë të raporteve që i dërgoheshin Propagandës Fide në Romë, arsyetimi i këtyre priftërinjve ishte se nxënësit shqiptarë nuk mund ta mësojnë gjuhën latine ose greke, sepse ata e flasin gjuhën e tyre shqipe. “Që të mund t’i përgatisim për studime të mëtejshme, jemi të detyruar që mësimin t’ua shpjegojmë në gjuhën amtare”. Shkolla e Troshanit afër Blinishtit mbijetoi deri në vitin 1648, kur organet arsimore turke në këtë vit e mbyllën, duke e akuzuar për propagandë antifetare islame.

Mësimi i gjuhës shqipe në “gymnasium” të Blinishtit (Zadrimës) më 1639 
 
Krahas këtyre shkollave që i takonin rangut të shkollave fillore, banorët e Blinishit shtruan edhe kërkesën për hapjen e një shkolle të rangut të shkollës së mesme, të quajtur “gimnasium”, ku gjuha shqipe do të jetë në krye të lëndëve mësimore. Në këto shkolla si tekste shkollore u përdorën tekstet e autorëve shqiptarë, si gramatikat, fjalorët, si dhe veprat e Pjetër Budit, Frano Bardhit, Pjetër Mazrekut, Andrea Bogdanit etj.
Edhe himarjotët kah vitet 1630-1642 iu drejtuan mbretit të Napolit që t’u lejojë një shkollë në gjuhën e tyre amtare. Për këtë shkollë, sipas dëshmive të përfaqësuesit të Napolit, thuhet se shkolla u organizua me ndihmën e nxënësit të tij Dhimitri, i cili thotë se “se shqipen e dinte ne mënyrë elegante”. Përdorimin e gjuhës shqipe e shohim më vonë, aty kah shek. XVII, edhe në shkollat turke në “Kompleksin arsimor e kulturor të Bushatlinjve”. 

Gjuha shqipe si kërkesë e tërë sistemit arsimor 

Për hapjen e shkollave në gjuhën amtare aty kah vitet 1840 mund ta përmendim Shqipërinë e Veriut, ku u krijuan disa qendra mësimore me mësues vendas, si Gegë Kodheli, Gjon Shkrumi, Jak Kraja e Filip Shkodrani. Ky i fundit e hapi shkollën në shtëpinë e Kolë Kamsit. 
Megjithatë s’duhet harruar edhe kontributin e madh në historinë e arsimit shqip që dhanë arbëreshët e Italisë. Në vitin 1732 u hap kolegji i Shën Benedhitit, ndërsa më vonë edhe i Shën Adrianit. Në vitin 1849, me kërkesën e të madhit De Radë, u lejua mësimi i gjuhës shqipe. Ai iu drejtua me një thirrje Evropës që të ketë mirësinë e ta ruajnë popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe si një eksponat të lashtësisë evropiane. Kjo shkollë që udhëhiqej nga Jeronim De Rada u mbyll në vitin 1852 me dekret mbretëror. Gjithashtu duhet të përmendet edhe shkolla e Janjevës.
Në Gjysmën e parë të shekullit XIX edhe te arbëreshët e Greqisë pati një lëvizje kulturore-arsimore. U shquan sidomos Anastas Kullurioti dhe Panjot Kupiotari, por edhe shumë të tjerë.

Gjuha shqipe e shkollës së parë në Korçë (1887)
Ajo lindi si një shkollë me karakter popullor e përbashkët për fëmijët e të gjitha besimeve dhe shtresave shoqërore, për djem e vajza, pa dallim feje. I tërë mësimi në të zhvillohej në gjuhën shqipe, shkruhej me alfabet origjinal shqip dhe me tekste në gjuhën shqipe të përgatitura nga autorë shqiptarë, me mësues shqiptarë dhe me leje nga sulltanati. Kjo është ajo që e bën këtë shkollë të jetë mësonjëtorja e parë shqipe. Nga kjo shkollë gjuha shqipe fillon të jetë gjuhë arsimore. 

Gjuha shqipe gjatë Luftës së Parë Botërore

Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore u nda dhe u copëtua. Pjesa më e madhe ngeli jashtë kufijve politik të saj. Atëbotë gjuha shqipe mësohej vetëm në Shqipëri, kurse në tokat e pushtuara flitej vetëm në shtëpi. I tërë edukimi dhe arsimi në vendet e pushtuara ishte në drejtim të edukimit dhe arsimit fetar. Kjo shihej edhe nga mësimi i fesë, që kishte 4 orë në javë, po aq sa kishte edhe gjuha në të cilën zhvillohej mësimi (greqisht në Çamëri dhe serbisht ne Kosove, Maqedoni e Mal të Zi). Gjuhën shqipe pak e përdorin në mësim vetëm mësuesit e fesë vetëm për të dhënë shpjegime ose për të bërë krahasime 
 
Shkolla shqipe më 1941

Shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës jo pa arsye shkollën shqipe të vitit 1941 e quajtën “shkollë çliruese”, ngase për herë të parë edhe në këto troje u dëgjua gjuha shqipe që aq fort e deshën rilindashësit. Kështu për herë të parë u hapën shkolla me administratë shqipe. Në vitet e para 1941 në Prishtinë u hap shkolla për mësues dhe administratorë shqiptarë. Në këtë periudhë 200 mësues të dalë nga Normalja e Elbasanit i erdhën në ndihmë popullatës së këtyre trojeve për ta ringjallur gjuhën shqipe dhe për t’i arsimuar ato.

Shkolla shqipe pas vitit 1945 – me tri abetare 

Pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria etnike u nda në dysh. Te shqiptarët jashtë trojeve etnike, edhe pse mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, e tërë edukata ishte drejtuar në drejtim të edukimit të shqiptarëve në frymën e patriotizmit ortodoks sllav, për të qenë të dëgjueshëm dhe lojal ndaj shtetit. Sidoqoftë, shqiptarët në Serbosllavi patën batica dhe zbatica, ndërsa ato pak arritje arsimore e kulturore ishin halë në sy për sllavo-komunistët. Është ende e freskët dhuna politike e policore ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe Kosovë që ky pushtet nisi ta përdorë pas vitit 1981. Dhuna u reflektua në mbylljen edhe të atyre pak paraleleve të mesme dhe në detyrimin e shqiptarëve të mësojnë në klasë të përziera, në gjuhën e shtetit dhe me administratë sllave. Mësuesit dhe nxënësit e tyre shqiptarë detyroheshin ta flasin në gjuhën e shtetit, u ndërruan emrat e shkollave, u bë diferencimi i shqiptarëve, u kurdisën gjykime të montuara, u helmuan nxënësit etj.
Nuk e di a ka ndonjë histori të shkollave kombëtare aq të përgjakshme siç ka përjetuar shkolla shqipe. Edhe përkundër faktit se rrënjët e saj janë të vjetra më shumë se 4 shekuj. 
Ndërkaq e keqja e shkollës shqipe që vazhdon të ekzistojë edhe në këtë epokë globalizimi e integrimi është se shqiptarët akoma vazhdojnë ta mësojnë shqipe me tri abetare e tre plan-programe të ndara për mësimin e gjuhës shqipe. Pa e ditur fundin e kësaj dhe rifillimin e shkollës së njësuar shqipe. 


(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: