Sejdi Berisha: Teatri i Pejës - Vatër e artistëve të Kosovës
| E Shtune, 27.02.2010, 09:56 PM |

Fragment nga Monografia “Teatri i Pejës”

Sejdi BERISHA:

TEATRI I PEJËS - VATËR E ARTISTËVE TË KOSOVËS

Qysh në fillim të shekullit të XX-të, në Pejë vërehen gjurmët e para, për tu hetuar më vonë fillet e njëmendta të artit skenik, të cilat deri në atë kohë, por edhe më vonë, kryesisht janë zhvilluar nëpër oda dhe shtëpi me rastin e ndonjë feste, por të cilat ishin pa ndonjë frymë teatrore të mirëfilltë.
_______________

Peja është ndër qendrat e njohura dhe me influencë, e cila njihet me lashtësinë e begatë, por edhe me zhvillimin e gjithëmbarshëm kulturor, historik, arsimor dhe ekonomik. Si e tillë, padyshim se ndikoi në zhvillimin e hovshëm dhe cilësor të vlerave kulturore dhe shpirtërore jo vetëm të kësaj pjese të Rrafshit të Dukagjinit, por edhe të tërë Kosovës. Një prej kontributeve më të mëdha dhe më karakteristike ishte ai i lëmit të jetës teatrore, gjurmët e të cilët, këtu datojnë qysh para vitit 1940. 
Më vonë, Peja me teatrin e saj ishte vatra kryesore prej nga dolën kuadrot më të shquara të artit skenik të Kosovës, prej nga u kompletua me aktorë dhe me regjisorë teatri Popullor i Prishtinës, por edhe mjediset e tjera. Pra, nga këtu, ose këtu, talentin e aktorit e filluan dhe e përforcuan shuamë aktorë në zë, si: Abdurrahman Shala, Melihate Shabani-Qena, Malo Gami, Kristë Berisha, Ragip Loxha, Nuradin Loxha, Istref Begolli, Faruk Begolli, pastaj, Ahmet Jakupi (tani punon në Shkup), Igballe Qena, Asllan Hasaj, Ekrem Taraku, Selami Taraku, Ahmet Spahiui, Afrim Kasapolli, Ekrem Kryeziu e shumë e shumë të tjerë, të cilët, jetës skenike, teatrit, filmit, TV-së dhe përgjithësisht kulturës i dhanë shpirt, për të ecur më pastaj drejtë të arriturave kulturore edhe jashtë kufijve të Kosovës.
Këto, dhe shënime të tjera që do të pasojnë do të dëshmojnë për gjenezën-rrënjët e hershme të artit skenik në qytetin e Pejës, i cili qytet, sipas gjetjeve arkeologjike dhe enciklopedive historike, është si vazhdim i qytetit antik Siparantum të Dardanisë, e që në shek. III-IV-të, bëhet një nga qytetet më të rëndësishme të Dardanisë, pas Ulpianës.

Ndërtesa e vjetër e Teatrit të Qytetit të Pejës (1970). Në po të njëjtin vend, tani është ngritur objekti i ri dhe bashkëkohor i teatrit
Ndërtesa e vjetër e Teatrit të Qytetit të Pejës (1970). Në po të njëjtin vend, tani është ngritur objekti i ri dhe bashkëkohor i teatrit
Arti skenik- pjesë e pandarë e jetës

Qysh në fillim të shekullit të XX-të, në Pejë vërehen gjurmët e para, për tu hetuar më vonë fillet e njëmendta të artit skenik, të cilat, deri në atë kohë, por edhe më vonë, kryesisht janë zhvilluar dhe organizuar nëpër oda dhe shtëpi private me rastin e ndonjë feste, por të cilat ishin pa ndonjë cilësi apo frymë teatrore të mirëfilltë. 
Në Pejë, përveç nëpër shtëpia dhe oda, atëbotë, arti skenik jep shkëndijat e para edhe përmes aktivitetit të kishës shqiptare dhe të shoqërisë antoniane “Shën Katarina”, ku të rinjtë tuboheshin dhe përgatisnin skeçe e dialogje. Në kuadër të këtij aktiviteti, supozohet se pjesa e parë teatrore është përgatitur dhe shfaqur në vitin 1916 me emrin “Zefi i Vogël”, në të cilën aktruan: Mark Gashi (dikur argjendar i njohur i Pejës) dhe Zef Marku. Kështu, një aktivitet i tillë teatror intensifikohej prej viti në vit, ndërsa, në grupe të 

dramës tuboheshin, në fillim kryesisht zejtarët dhe fëmijët e tyre. Në vitin 1939-1940, arti skenik fillon të bëhet pjesë e pandarë e jetës dhe e aktivitetit të gjithëmbarshëm kulturor në Pejë, dhe prej këtu fillon edhe të zë fill kjo fushë e kulturës.
Në këtë kohë, respektivisht, në vitin 1939, me rastin e festës së Pashkëve, u organizuan “Karnavalet e Pashkëve”, me ç’rast u shfaq edhe pjesa teatrore “Skënderbeu”, në të cilën rolin kryesor e luajti Fran Çiflaku. Kjo pjesë, e cila është vetëm një fragment i shkurtër, siç rrëfen Viktor Gashi, kishte përfunduar me vargjet tejet aktuale të Naim Frashërit: “Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë...”. Ndërsa, në vitin 1943, fillon masivizimi i jetës teatrore, dhe prej atëherë dalin në sipërfaqe aktorët dhe regjisorët e ardhshëm të mirënjohur jo vetëm të rangut rajonal, siç është, Kristë Berisha. Po këtë vit, ai prezantohet edhe si aktor edhe si regjisor, i cili edhe përgatiti komedinë e Lazër Lumezit “Makaronat e Shejtanit”. 
Me angazhimin e Kristë Berishës, arti skenik në Pejë merr hov, sidomos kur ai i prezantohet publikut edhe si dramaturg. K. Berisha mbeti i njohur veçmas me shfaqjen “Kryet e Hudrës”.

Seksioni i Parë i dramës

Në vitin 1945, edhe pse Peja ishte e dërmuar dhe rrënuar nga Lufta e Dytë Botërore, rinia, punëtorët e arsimit dhe zejtarët e këtushëm nuk pushojnë së vepruari në shoqëritë e ndryshme kulturore (Peja e kishte Orkestrën e Mandolinave dhe Orkestrën Frymore, suksesi i të cilave kishte kaluar caqet e Kosovës), pra, edhe me forcimin e themeleve të artit skenik. Në këtë vit, me formimin e seksionit të parë të dramës pranë Shoqërisë Kulturor-Artistike “Përparimi”, thuaja se ky seksion plotësisht merr formën e teatrit amator të qytetit, edhe pse për këtë, zyrtarisht merret vendimi disa vite më vonë. 
Në vitin 1945, formohet Seksioni i Dramës në krye me Kristë Berishën, regjisor dhe me Shahin Kryeziun, skenograf, me Beqir Kastratin e të tjerë. Pas këtij akti të rëndësishëm, pason edhe përgatitja e komedisë së Molierit “Dredhitë e Shapktukut”, pastaj të dramës së Sami Frashërit, “Besa” dhe atë të Josip Relës, “Nita”.

Me “Dredhitë e Shaptukut”, pejanët shkëlqejnë në Festivalin e Parë të Teatrove Amatore në Beograd

Në vitin 1949, Kuvendi Komunal i Pejës merr vendim për themelimin e Teatrit të qytetit. Prej këtij viti, merr edhe më shumë hov arti skenik, dhe në teatrin e këtij qyteti mblidhen talent, të cilët kulturën e këtushme e bën të njohur anë e këndë Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe më gjerë. Dy vjet më vonë, respektivisht, në vitin 1951, Teatri i Pejës kualifikohet për në Festivalin e Parë të Teatrove Amatore të Serbisë. Në këtë festival, pejanët prezantohen me “Dredhitë e Shaptukut” të Molierit e në regji të K. Berishës. Rolet i interpretuan: Malo Gami, Pjetër Nita, Ragip Loxha, Mejreme Gjikolli, Ferasete Belegu, Kristë Berisha, Zek Ukshini, Resmije Bërlajolli dhe Kadrush Bala.
Kështu, që nga vitet e pesëdhjeta të shek. XX-të, Teatri i Pejës vihet në krye të të gjitha aktiviteteve kulturore. Përgatiten dhe me sukses shfaqen afro njëzetë premiera dhe gjashtëdhjetë repriza të pjesëve të ndryshme teatrore, në mesin e të cilave edhe: “Akuza e rrejshme” e J. Karaxhllës, “Dredhitë e Shaptukut” në pesë versione, “Makaronat e Shejtanit”, “Te Kulla e Hasim Bajraktarit”, “Kryet e Hudrës” dhe “Familja e Pikëlluar”, të gjitha këto në regji të Kristë Berishës.

Ndërkaq, në vitin 1955, Teatri i Pejës merr pjesë në festivalin e Dytë të Teatrove Amatore të Serbisë në Beograd. Në këtë festival, pejanët u prezantuan me “Nitën” e Josip Relës, dhe atyre u takoi vendi i dytë në këtë manifestim. Rolet i interpretuan: Ramiz Loxha, Emine Shabi, Xhevat Gjikolli, Hamzë Begolli, Ahmet Spahiu, Abdullah Shala, Jusuf Kelmendi, Lejtore Krajku, Gjejlane Matoshi, Muharrem Nita, Nuredin Loxha, Viktor Gashi, Kristë Berisha dhe Beqir Agusholli. Regjisor i kësaj pjese ishte Kristë Berisha, kurse skenograf, Shahin Kryeziu.

Pejanët, në Festivalin Jugosllav në Hvar

Në vitin 1959, Teatri i Pejës, arrin, deri atëherë, piedestalin e sukseseve. Drama shqiptare e këtij teatri kualifikohet për në Festivalin Federativ të Teatrove Amatore të Jugosllavisë, i cili, tradicionalisht organizohej në Hvar. Në këtë festival, ku merrnin pjesë teatrot amatore më të suksesshme nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Kosova, Vojvodina, Maqedonia dhe nga Serbia, pejanët u prezantuan me dramën “Te Kulla e Hasim Bajraktarit” në regji të Kristë Berishës. Këtë pjesë, e cila ishte dramatizim i romanit “Rrustemi” të C. Vukoviqit, rolet i interpretuan: Ramiz Loxha, Ilijaz Nushi, Nuredin Loxha, Nazmije Thaqi, Mharrem Dina, Gëzim Begolli, Xhevat Gjikolli, Viktor Gashi, Abdullah Shala, Marjan Ukshini, Agush Beqiri, Nafije Kuçi dhe Fadil Berisha. 
Nga emrat e atyre të cilët i kanë interpretuar rolet, vërehet se thelbin e teatrit e përbënin nxënës, profesorë dhe zejtarë. Shumë prej tyre, më vonë janë dëshmuar si aktorë profesionistë, shkrimtarë, dramaturgë, gazetarë, mjekë, shkencëtarë, inxhinierë e regjisorë. 
Prej vitit 1960, entuziastëve dhe aktorëve të teatrit i bashkohen edhe dhjetëra e dhjetëra aktorë të rinj. Kështu, deri në vitin 1980, në teatrin e këtushëm kanë defiluar afro pesëqind të rinj e të reja.

Objekti i ri i Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës (2010)
Objekti i ri i Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës (2010)
Drama origjinale gjithnjë e më prezentë

Derisa në vitet 1970 mungonin tekste të shkruara në gjuhën shqipe, tani bëhet përpjekje që edhe ky problem të zbutet dukshëm. Kështu, përpos dramës “Hakmarrja” të Jusuf Kelmendit dhe “Dila” e “Nita” të Josip Relës, tani këtu u prezantuan edhe drama “Shtatë shaljanët” e Ndrekë Lucajt, “Toka jon” e Kolë Jakovës, “Nora” e Andrea Skanjetit, “Halit Gashi” e Xhevdet Dodës, “Nuk Martohem me para” e Myrteza pezës,, “Shtëpia në bulevard” e Fadil Paçramit, “Njerëzit me shpresa të thyera” dhe “Memoaret” të Shaip Grabovcit, “Vlasi i kuq” i Sejdi Berishës etj.
Tekstet origjinale shtuan cilësinë por edhe interesimin për zhvillimin më të hovshëm të jetës kulturore dhe të artit skenik. Viheshin në skenë edhe dramat e autorëve botëror, si ato të Molierit, Shekspirit, Mylerit etj. Këto, dhe rezultatet tjera, janë të arritura, të cilat nxorën në shesh punën e suksesshme edhe të regjisorëve: Kristë Berisha, Ilijaz Nushi, Ruzhdi Spahiu, Muharrem Qena, Skënder Nimani, Halil Gashi, Atdhe Gashi, Selami Taraku, Ekrem Kryeziu, Mentor Zymberaj, Muharrem Kajtazi me grupin dramatik të gjimnazit, Sali Qilerxhiu, po ashtu me grupin e gjimnazit etj. 
Krahas këtyre, u afirmuan edhe skenografët: Nuredin Loxha, Shahin Kryeziu, Hamdi Zeka, Agush Beqiri, Muhamet Shala, Valdet Kuqi, Gëzim Vokshi, Afrim Gora e të tjerë.

Seksionet e dramës u themeluan edhe në shkolla e fabrika

Në afirmimin e artit skenik, kjo degë e kulturës me të shpejtë u përhap edhe në të gjitha shkollat e mesme dhe në mjediset e mëdha punuese të Pejës, por edhe në shkolla fillore. Në këto mjedise, e veçmas në gjimnaz dhe, atëherë edhe në shkollën normale, u themeluan seksionet e dramës sikurse edhe në Kombinatin e lëkurë-këpucëve dhe në Fabrikën e pjesëve të automobilave “Ramiz Sadiku”. 
Në vitin 1964, në regji të Ilijaz Nushit përgatitet komedia e J. Gjorgjeviqit “Studentët e përjetshëm”. Kjo pjesë përgatitet komplet nga një paralele maturantësh të gjimnazit të Pejës: Hasret Latifi, Zija Bala, Sefedin Hasani, Florim Gega, Dukagjin Begolli, Osman Kollçaku, Nazmi Morina etj. 
Në vitin 1966, pejanët kualifikohen për në Festivalin e Parë Federativ “Mbrëmjet e vëllazërimit” në Prizren, me dramën e Jusuf Kelmendit, “Hakmarrja”. Një ndër realizimet më të suksesshme ishte edhe drama e Ndrekë Lucajt, “Shtatë Shaljanët” në regji të Ilijaz Nushit, e cila në vitin 1967/1968 u shfaq më se njëzetë herë para publikut pejanë, atij në Gjakovë, Prishtinë, Prizren, Podujevë, Deçan, Klinë, Ulqin etj.  Rolet i interpretuan me një përkushtim të veçantë afro tridhjetë aktorë, në mesin e të cilëve edhe: Ymer Osaj, Sejdi Berisha, Shaip Grabovci, Nuredin Sadiku, Skënder Mulla, Sali Kelmendi, Rexhë Neziri, Nexhat Zeka, Myrteza Turjaka etj.

Teatro e seksione të reja

Si shprehje e begatshmërisë dhe e masivizimit të kulturës së arti skenik, pos teatrit të qytetit të Pejës, pas vitit 1980 u themeluan edhe seksione apo edhe teatro të reja, si Teatri      
Amator “Aleksandër Mojsiu”, Teatri Amator “Ndrekë Lucaj” dhe Seksioni i Dramës pranë Shoqërisë kulturo-artistike “Gurra”.
Këto asociacione të reja të artit skenik dhanë kontribut të pamohueshëm në afirmimin e vlerave kulturore dhe të artit skenik. Përgatiten dhe shfaqen ato, dhjetëra pjesë teatrore, të cilat u prezantuan edhe para publikut të qyteteve të shumta të Kosovës. 

Femrat aktore

Është karakteristike të theksohet se roli i femrës shqiptare ishte vendimtar për punën e suksesshme të Teatrit të Pejës. Sepse, si gjetiu, edhe në këtë sferë të kulturës ndihej mungesa e femrave. Andaj, kontributi i femrës për sukseset dhe punën e teatrit dhe të seksioneve të dramës, ishte i madh. Për këtë, meritojnë të përmenden disa nga aktoret të cilët shndriten skenën dhe madhështuan lojën skenike, si: Melihate Shabani-Qena, Emine Shabi-Loxha, Lejtore Krajku, Nezaqete Belegu, Sytkije Turjaka, Nafije Kuçi, Atifete Kryeziu, Xhemile Arapi, Akile Karahoda, Nesrije Mahmuti, Fatmire Gjafa, Nazmije Thaçi, Mejremi Begolli, Sofije Gashi, Jollduze Bukleta, Shpresa Rama, Jollduze Tabaku, Shahindere Bërlajolli, Shefkije Hebibi, Zojë Bacaj, Mevlyde Valla, Nazlije Gorani, Sabahte Sadiku, Lirije Broçi, Ferdije Shabi, Sanije Lokaj, Emine Leshani, Xhejlane Bojku, Zekije Popovci, Zekije Gjakova etj. 

Pjesëmarrës i të gjitha festivaleve teatrore në Kosovë

Teatri i Pejës, me shfaqjet e veta teatrore ishte përherë pjesëmarrës i festivaleve të teatrove amatore të Kosovës, të cilat, në fillim mbaheshin në Ferizaj e pastaj në Gjilan. Pastaj, edhe në festivale të tjera, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, “Mbrëmjet e vëllazërimit” në Prizren, Festivali Republikan i Teatrove në Kullë të Vojvodinës dhe Festivali Federativ i Teatrove Amatore të ish Jugosllavisë në Trebinje.
Një periudhë, edhe në Pejë mbahej Festivali Rajonal i Teatrove Amatore (1966-1970) të Dukagjinit.
Gjatë dhe pas luftës në Kosovë, arti skenik por edhe Teatri i Pejës pushoi së vepruari. Por, menjëherë pas luftës u bën përpjekjet e para për rikthimin e namit të punës së këtij institucioni, të cilin, fillimisht e udhëhoqi, Dr. Hivzi Muharremi e më vonë, Afrim Gora në cilësinë e ushtruesit të drejtorit dhe së fundi, Reshat Nurboja. Gjatë kësaj periudhe u përgatiten dhe u shfaqen disa pjesë teatrore dhe u tentua të fillohet puna në baza profesionale, gjë kjo e cila edhe sot e kësaj dite ka vështirësi të realizohet me sukses për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Në kuadër të tërë kësaj, e me qëllim të afirmimit të vlerave të artit skenik, u organizua edhe 100-vjetori i nismave të para të aktrimit dhe të lojës skenike në Pejë. Janë të gjitha këto lëvizje që provokojnë për një punë më serioze të, tani, Teatrit Profesionist “Istref Begolli” në Pejë.


(Vota: 28 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: