Qazim Namani: Serbizimi i popullatës së Ballkanit gjatë shekujve XVIII – XX
| E Shtune, 27.02.2010, 10:59 PM |

SERBIZIMI I POPULLATËS SË  BALLKANIT GJATË SHEKUJVE XVIII – XX

Nga Qazim Namani
                                                                                              
Forcimi i Rusisë në shekullin XVIII, dhe dalja e sajë në skenën politike si faktor i rëndësishëm në Evropë ndikoi dukshëm në ndryshimin etnokulturor dhe demografik në territoret e pushtuara nga Perandoria Osname.
Rusia me politikat pansllaviste dhe me koordinimin e veprimeve të përbashkëta në terren me patriarkalen e Stambollit për më shumë se dy shekuj zhvilluan propagandë për asimilimin e popullatës jo sllave në Ballkan. Këto politika ruse gjenin terren të përshtatshëm duke i shfrytëzuar për  qëllime të tyre aspiratat e popujve të Ballkanit për tu çliruar. Duke i shfrytëzuar konfliktet  dhe përçarjet e brendshme fetare dhe kulturore të popujve të pushtuar gjatë kësaj periudhe Rusia zhvilloi disa lufta me Turqinë e cila kishte filluar të dobësohet nga kryengritjet e brendshme dhe nga luftërat e shumta që zhvillonte për ruajtjen e territoreve të okupuara. 
Luftërat Austro-Turke, Ruso-Turke dhe lëvizjet e popujve të pushtuar për pavarësi dëmtuan rëndë interesat e shqiptarëve në Ballkan.
Gjatë kësaj periudhe një numër i madh i shqiptarëve u asimilua, ndërsa pjesa dërmuese në trojet etnike  e pranoi fenë myslimane. Konfliktet e brendshme të pashallëqeve shqiptare  dhe thellimi i ndarjes fetare dhe kulturore ndikoi në asimilimin e një mase të konsideruar të shqiptarëve. Nga birimet e njohura të shekullit të XVIII vëhet në dukje një masë e konsideruar e shqiptarëve  të ndikuar nga veprimet e kishës ruse dhe aktivitetet fetare të patriarkales së Stambollit  u deklaruan si serb, dhe u koncentruan në viset veriore të Ballkanit. Kësaj politike i shkoi për shtati fillimi i revolucionit borgjez  në Francë i cili përfshiu tërë Evropën Qendrore. 
Pas disfatës së Napoleon Bonapartës me 1814 dhe themelimit të aleancës së shenjtë me inicimin e Rusisë më 1815, për ti shuar dhe kontrolluar lëvizjet e popujve që kishin filluar në Evropë ju krijuan kushte të volitshme Turqisë që ti shuajë pashallëqet shqiptare. Në këto rrethana të krijuara politika ruse dhe kisha ortodokse përkrahën lëvizjet në Greqi dhe trevat veriore të Ballkanit. Emigrantët që kishin migruar në shtetet perëndimore  nga viset e Ballkanit tani më u bashkuan rreth platformës ruse me një koncept të projektuar pansllavist për të krijuar një komb të ri serb. Në këtë lëvizje u kyçen edhe një numër i shqiptarëve që në ato vite jetonin në Beograd, Austri dhe vende tjera perëndimore.
Jovan Tomiq në librin e tij mbi shqiptarët shkruan se disa shqiptar u bënë shumë të njohur në kryengritjen e vitit 1804. Madje shumë studiues pajtohen se udhëheqësi i kësaj kryengritje i pari i dinastisë së Karagjorgjeviqëve, Karagjorgje Petroviq ishte me origjinë shqiptare. Kësaj periudhe i takon edhe krijimi i letërsis serbe ku në vitin 1816 Vuk Karagjiqi e ofroi për ta shtypur fjalorin në gjuhën serbe. Me këtë vepër të Vuk Brankoviqit fillon hapi i parë në letërsinë serbe.
Pasi që Serbia e fitoi autonominë në vitin 1830, filloi me përgatitje për ta bërë regjistrimin e popullsisë. Në vitin 1834 është bërë regjistrimi i parë i popullsisë  në rajonin e Beogradit. Është interesant të vemi në dukje disa të dhënat të regjistrimeve të më hershme të popullsisë sipas së cilave në Beograd nga viti 1804 e deri në vitin 1830 numri i banorëve sillej përafërsisht si vijon: në vitin 1804 kishte 25.000 banorë, në vitin 1808 rreth 30.000 banorë, në vitin 1816 rreth 30.000 banorë, në vitin 1827 rreth 30.000 banorë, dhe në vitin 1833 rreth 18.000 banorë. Siç shihet pas kryengritjes së parë e deri me fitimin e autonomisë së Serbisë, numri i banorëve në Beograd sillej prej 25.000  deri në 30.000 banorë. Po ashtu edhe numri i shtëpive ishte i njëjtë . Gati të gjitha shtëpitë në varoshin e Beogradit në ato vite ishin të regjistruara si turke ose myslimane, përderisa numri i shtëpive të tregtarëve të krishterë ishte fare i vogël.
Nga viti 1804 numri i banorëve mysliman në varosh të Beogradit vinte duke rënë, ndoëse numri i shtëpive mbeti i pa ndryshuar. Në vitin 1833 nga gjithësejt 3000 shtëpi myslimane që kishin qenë më parë, në 1000 prej tyre filluan të banojnë të krishterët. Pas vitit 1815 e deri në vitin 1820 në Beograd ishin gjithsejtë 120 shtëpi të ndërtuara nga të krishterët, ndërsa pas vitit 1820 numri i shtëpive të krishtera arriti në 500 sosh. Sipas përkatësisë fetare popullata e Beogradit ndahej në mysliman, të krishterë dhe hebrenj.
Popullatën myslimane sipas origjinës e përbënin boshnjakët, shqiptarët dhe një numër fare i vogël turq të vërtetë. Në vitin 1830 në Beograd jetonin rreth 2000 hebrenjë disa prej të cilve më vonë u shpërngulën në Smederevë. Në vitin 1833 në Beograd jetonin 1530 hebrenj në 210 shtëpi.
Të dhëna tregojnë se popullata serbe prej vitit 1815-1830 ishte mjaftë heterogjene. Gjatë këtyre viteve në Beograd erdhën dhe u regjistruan si serb shumë emigrant nga Austria, Greqia, Rusia dhe vende tjera për rreth. Vërehet se në mesin e koloritit të popullsisë nga vendet e Ballkanit që u regjistruan si serb numri ma i madh ishte nga viset jugore nga: Leskoci, Vranja, Prizreni, Peja, Tregu i ri, Sjenica dhe vende tjera. Këta banorë regjistroheshin si serbë edhe pse përkatësia etnike e tyre ishte e dyshimtë.
Është interesantë fakti se në mesin e serbëve që u bënë bartës të zhvillimit të arsimit dhe kulturës dallohëshin ata që vinin nga shtetet perëndimore, sidomos nga Austria ku mundë të përmendim përveq kësaj Dositej Obradoviqin, Joakim Vujiqin si dhe plejadën e profesorëve të parë të shkollës së lartë dhe të gjimnazit. Një numër i popullatës që erdhi në Beograd pas vitit 1815 nga trevat e Kroacisë së sotme u regjistruan si: Hervat, Arvat, Rvat dhe Malazezë, qka do të thotë se përkatsia etnike e tyre e më hershme nuk ishte serbe. Shumë të tjerë që erdhën nga jugu ishin grupe esnafësh me përkatësi shqiptare dhe vllahe. Ata që erdhën nga viset jugore një kohë të gjatë i mbajtën edhe mbiemrat e vendeve nga kishin ardhur si: Prizrenac, Nishlija, Arnautin etj. Hebrenjtë që kishin ardhur në Beograd para kryengritjes së parë ishin nga Spanja dhe ishin bartës së kulturës së Evropës në Beograd. Pas kryengritjeve erdhën edhe hebrenj nga Manastiri, Sofja, Bukureshti dhe Rusija.
Në vitin 1814 pas burgosjes së Napoleon Bonapartës më 1814, dhe pas deklarimit të kryetarit amerikan XH. Monro, më 1823 para kongresit amerikan se duhet ndjekur principin Amerika Amerikanve, tani më u kuptua se Rusia nuk rrezikohej  nga perëndimi. Duke i parë rrethanat të volitshme J. Danillevski e krijoi idenë pansllaviste të quajtur “Lëvizja filosllave”. Pas Danillevskit programin e mirëfilltë pansllavist e krijoi A. S. Homajkovi të quajtur “Për të vjetrën dhe të renë”që u botua në vitin 1839.Danillevski në programin e tij për themelimin e një perandorie pansllaviste synonte që patriku i Moskës të shpallet personi që e zëvendësonte zotin në tokë. Nga këto ide pansllaviste dolën idet dhe projektet e Qartovskit, dhe të Franjo Zah për përqendrimin e sllavëve të jugut në një perandori. Mbi këto parime u përpilua edhe “Naçertanja” e Ilija Garashaninit më 1844, “Otoçenstvenos” bullgare dhe “Megali-ideja”  greke e Jani Kolesë. Në vitin 1868 u themelua “Lidhja gjithë sllave e Danillevskit.
Duke i shfrytëzuar raportet e mira në mes serbëve dhe turqve që u krijuan në vitet tridhjeta të shekullit të XIX, serbët i hapen dy shkolla fillore në Prizren. Me 1848 shkollat u hapën edhe në qytete tjera si në: Gjakovë, Pejë, Vushtrri dhe në Graçanicë. Këto shkolla ishin nën ndikimin e kishës ortodokse që si mision dhe platformë e kishin serbizimin e popullatës ortodokse në Kosovë. Serbët në vitin 1860 nga Pernadoria Osmane u lejuan që në Kosovë të themelojnë edhe shoqatën fetare-kulturore “Shën Bazili”. Me 1874 serbëve Perandrioa Osmane ju lejoi edhe hapjen e seminarit ortodoks. Në vitin 1857 në Prizren si mësues erdhi të punoi Nikolla Musulini i shkolluar në seminarin ortodoks serb të Sremski Karllovcit. Po ashtu në vitin 1857 shkencëtari dhe diplomati rus Aleksandar Gilferding udhëtoi në Kosovë dhe në disa vise tjera shqiptare me qëllime politike që të përhap idenë pansllaviste ruse për krijimin e një shteti të bashkuar sllav nën udhëheqjen e carit të Rusisë. Me qëllim të zhvillimit të propagandës serbe në mesin e shqiptarëve ortodoks dhe vllehve në trevat jugore të Kosovës dhe Maqedonisë, në Beograd u themelua komiteti për serbizimin e ortodoksëve i cili në atë kohë i hapi 61 shkolla në këto rajone. Në vitin 1873 Millosh Millojeviqi, anëtar i këtij komiteti e hapi një shkollë në Beograd për shkollimin e fëmijëve nga rajonet jugore. Popullata e këtyre rajoneve nuk ishte serbe, dhe një numër i madh i tyre ishin shqiptar ortodoks dhe vlleh. Këtë e vërteton edhe gjeografi serb Jovan Cvijiqi kur  shkruan se popullata e viseve të Moravës Jugore edhe pas vitit 1878 ndjenjën kombëtare e kishte të turbullt, dhe shumë vite ma vonë banorët e atyre viseve filluan ta quajnë veten serb. Serbia me programet shkollore dhe kishtare propaganduese tentoi që të asimiloi edhe maqedonasit dhe për këtë arsye ishte në konflikt me bullgarët.
Në këtë kohë në Beograd u vendosën edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve ortodoks dhe vllehve pasi në këtë qytet u krijuan kushte më të mira për ta zhvilluar kulturën dhe fenë ortodokse. Është me rëndësi të ceket se vetëm pas fitimit të autonomisë në vitin 1830 për herë të parë u themelua kisha e pavarur ortodokse serbe. Popullata që migronte nga viset jugore në Beograd sipas origjinës ishin vllahë shqiptar, vllahë maqedon, vllahë bullgar ose gogë, ndërsa ata që erdhën nga disa vise të Greqisë dhe Selaniku njiheshin si grek. Pas kryengritjes së vitit 1821 në Greqi, shumë vlleh dhe shqiptarë ortodoks erdhën për të jetuar në Beograd. 
Në fillim popullata që vinte nga jugu ballafaqohej me vështirësi për ta mësuar gjuhën serbe. Në mesin e popullatës që erdhën në Beograd kishte edhe nga qytetet shqiptare si: Janina, Elbasani, Ohri etj të cilët u vendosën për rreth lumit Sava. Në Beograd kishte edhe zanatlinjë me përkatësi kombëtare gjermane, çeke, italiane, hungareze etj. 
Nga këto rrethana të krijuara në shekullin XVIII dhe XIX, u shkrua nën mbikëqyrjen e Rusisë cariste u shkrua historia e popujve të Ballkanit. Politika ruse e aktivizoi kishën ortodokse në falsifikimin e krisobulave dhe fakteve tjera historike duke prirë me publikime të shumta që i vunë bazat e historiografisë se Ballkanit sipas konceptit pansllavist.
Në regjistrimin e vitit 1834 sipas konfesionit 40% të popullatës e përbënin të krishterët dhe hebrenjtë. Në këtë kohë popullata myslimane ishte akoma shumicë në numër. Në regjistrimin e vitit 1846 popullata e Beogradit që përbëhej nga të regjistruarit si serb, hebrenjë, romë dhe të huajë të cilët  paraqiteshin si një grup kompakt dhe rival i popullatës myslimane. Shtëpi myslimane në këtë kohë kishte rreth 35% nga numri i përgjithshëm.  Sipas këtij regjistrimi u pa se kishte pasur ndryshime të mëdha krahasuar me regjistrimin e vitit 1834 kur shtëpi serbe dhe të hebrenjve së bashku në Beograd ishin 769 ose 25% e numrit të përgjithshëm të shtëpive. Në regjistrimin e vitit 1846 numri i shtëpive serbe dhe të hebrenjve ishte shtuar në 1720 ose 45%. Shtëpi të hebrenjve në vitin 1846 ishin 4% , në vitin 1856 numri i tyre u rritë në 6%, ndërsa romët përbënin 1% nga numri i përgjithshëm i popullatës së qytetit. Të regjistruar si shtetas të huaj në Beograd  gjatë regjistrimit të vitit 1846 ishin rreth 7%. Sipas regjistrimit të vitit 1856 popullata myslimane përbënte 31%, kurse serb dhe vlleh së bashku përbënin 61% të popullsisë. 
Popullata e Beogradit në këtë kohë ishte ndarë sipas përkatësisë fetare. Numri i objekteve të kultit në këtë kohë ishte si vijon: 11 xhami, 4 teqe, 2 kisha provasllave për serb dhe vlleh dhe 1 sinagogë. Në këtë periudhë ndarja ishte bërë edhe nëpër shkolla si vijon: 10 shkolla fillore për popullatë myslimane, 1 hebreje, 1 greke, 3 shkolla fillore serbe, gjimnazi, shkolla e tregtisë, liceu dhe bogosllavija në gjuhën serbe. Në vitin 1854 u tentua që të bëhet diferencimi i popullatës në aspektin antropologjik në disa grupe (lloje), tipi Kaukaz si e quanin në atë kohë me origjine indoevropiane dhe të cilit i përkisnin të krishterët, serbët, vllahët, katolikët dhe protesanët. Hebrenjtë dhe romët u ndanë në tipe tjera të ndryshme. Tipi Kaukaz përbënte 92,4%.  
Popullata e Beogradit gjithnjë vinte duke u diferencuar në aspektin fetar, etnik dhe social. Në vitin 1867 myslimanët u detyruan ta braktisin qytetin, shtëpitë dhe pasuria e tyre ju nda qytetarëve serb. Para vitit 1867 të krishterët vllahë nga Maqedonia dhe shqiptarët ortodoks nga viset jugore e përbënin grupin ma të madh të popullatës dhe njiheshin si toskë, të cilët u bënë faktori kryesor në formimin e profilit etnik të popullatës së Beogradit. Myslimanët që konsideroheshin si turq të cilët u shpërngulën nga Beogradi ishin boshnjakët, shqiptarët, myslimanët e Nishit dhe shumë pak osmanlijë. Në vitin 1862 nga Beogradi u shpërngulën 8000 mysliman, në vitin 1867 edhe 15.000 të tjerë, kështu që pas kësaj shpërngulje në qytet mbetën vetëm 600 mysliman. Numri i hebrejve në vitin 1862 kishte arritur në 10.4% në numrin e përgjithshëm të popullsisë. Në këtë kohë popullatën e Beogradit e përbënin grupe të reja që vinin në qytet me strukturë heterogjene etnike dhe fetare. 
Pas shpërnguljes së myslimanëve në vitin 1862 në qytet erdhën popullatë e re nga viset qendrore. Beogradi në këtë kohë udhëhiqej nga popujë të ndryshëm dhe nuk kishte kurrfarë modeli të udhëheqjes, prandaj edhe thuhej se sa ka shtëpi aq ka edhe tradita (adete) dhe popullata me vështirësi e flisnin gjuhën serbe. Kështu, pas vitit 1862 serbet filluan ngadalë të marrin nën kontroll tregtinë, zanatet dhe kulturën.
Në dokumentet që ruhen në arkivin historik të qytetit të Beogradit, në literature dhe në kujtimet e regjistruara të qytetarëve të vjetër kishte mjaftë shumë emra të qytetarëve që tregonin përkatësinë e tyre të më hershme jo sllave. Njëri ndër ta ishte Arnautoviq Ilija oficer me gradën oficer, i cili e mbante këtë mbiemër sepse në Beograd kishte ardhur nga jugu, përkatësisht nga trevat shqiptare. Në këtë kohë vërehen edhe shumë emra dhe mbiemra tjerë që tregojnë se në Beograd kishin shkuar nga viset jugore edhe qytetar tjerë si: Demir Kumanova, Nikoll Kosova e tjerë që ishin shumë aktiv në luftën kundër Turqisë më përkatësisht në shpërnguljen e shqiptarëve etnik nga Sanxhaku i Nishit. Nga Maqedonia në Beograd kishin shkuar edhe vëllezërit zografi, pastaj shqiptar tjerë nga Kërçova Dibra, Ohri, Manastiri, Shkupi dhe qytete tjera që kishin profesione dhe zanate të ndryshme. 
Migrimi drejtë Beogradit i popullatës autoktone me origjinë shqiptare dhe vllahe nga jugu, si dhe ardhja e emigrantëve tjerë nga diaspora ndikuan që Beogradi të zhvillohet në hap me qytetet tjera evropiane. Procesi i asimilimit të popullatës së Beogradit u zhvillua me një dinamikë të shpejtë sa që sipas regjistrimit të vitit 1889 në Beograd u regjistruan vetëm 69 qytetar si shqiptar. Sipas këtij regjistrimi Beogradi në atë kohë numëronte gjithsejtë 55.868 banorë, prej tyre 44.855 ishin regjistruar serb ndërsa jo serb ishin regjistruar 11.013 banorë.
Në dhjetor të vitit 1900 në Beograd, filloi të botohet gazeta dyjavore “Bratimstvo”(Vëllazërimi) emërtimi i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe me shkronja cirilike. Pronar i kësaj gazete ishte Aleksa Bogosavleviq-Berisha me origjinë shqiptare. 
Të dhënat e dokumentuara më lartë tregojnë dukshëm nevojën për hulumtime dhe studime në këtë fushë në të ardhmen, të cilat mendojmë se do të jenë tema befasuese për historiografinë e Ballkanit nëse studiohet dhe përshkruhet në mënyrë objektive numri i shqiptarëve dhe vllahëve të serbizuar gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX. 

Serbi me origjinë shqiptare nga Prishtina!

Nga të dhënat e trashëguara në kujtesën e popullit për serbizimin e shqiptarëve, dhe hulumtimet në terren më shtyn që këto ditë të realizojë një bisedë me një serb nga Prishtina. Serbi i lindur  në Prishtinë dëshmoi se gjyshi i tij kishte qenë shqiptar i besimit katolik nga  një fshat i Drenicës. Në kohën e pushtimit të Kosovës nga serbët dhe bullgarët në vitin 1912 dhe pas një vrasje që kishte ndodhur, gjyshi i tij ishte larguar nga fshati dhe ishte vendosur në Mitrovicë. Një vëlla i gjyshit të tij kishte mbetur për të jetuar në fshatë dhe me të ishin shkëputur të gjitha lidhjet. 
Për ti shpëtuar vrasjes gjyshi i tij së bashku me disa shqiptarë të tjerë ishte strehuar në kishën ortodokse të Mitrovicës. Autoritetet fetare në kishën ortodokse shqiptarëve ju kishin ndërruar emrat dhe identitetin fetar dhe kombëtar. Gjyshi i tij e kishte marr mbiemrin serb dhe nga besimi katolik kishte kaluar në besimin ortodoks. Me identitet të ri kishte vazhduar të punojë si murator i gurit në ndërtimin e shtëpive në fshatrat e Kosovës. Duke punuar si murator në  një fshat në komunën e Gjilanit ishte njohur me një vajzë me të cilën ishte martuar. Familja e gruas së tij më parë kishin qenë arnaut. Pasi martohet me gruan e tij kthehet për të jetuar në Mitrovicë. Sipas dëshmisë së serbit me të cilin bisedoja edhe serbët e sotëm të disa fshatrave të komunës së Gjilanit në atë kohë kishin qenë shqiptar (arnaut). 
Gjyshi i tij i kishte pasur dy djem dhe më vonë ishte shpërngulur për të jetuar në Prishtinë. Bashkëbiseduesi kishte qenë 7 vjeçar kur gjyshi i tij kishte vdekur në vitin 1960. Ai thotë se gruaja e bashkëbiseduesit kishte lindur në fshatin Korishë komuna e Prizrenit dhe ishte arnaute e fisit të kabashëve. Babai i saj ishte serbizuar, një axhë i saj kishte shkuar për të jetuar në Shqipëri ndërsa dy axhallarët tjerë ishin shpërngulur në Maqedoni. Edhe baba i  gruas së tij i kishte shkëputur lidhjet me vëllezërit e tij. 
Gjithashtu, ai dëshmon se të gjithë serbët që kanë jetuar para vitit 1912 në Prishtinë më parë kanë qenë shqiptar e të cilët janë serbizuar në fund të shekullit XIX e sidomos pas vitit 1912. Pjesa dërmuese e serbëve në lagjen së tij deri në vitin 1968 në shtëpitë e tyre e kanë folur gjuhën shqipe. Ai mban mend se në shtëpi kanë folur shqip ndërsa në qytet kanë folur gjuhën serbe dhe turke dhe se babai dhe nëna e tij më mirë kanë folur gjuhën shqipe dhe turke se sa serbe. Ai i përmend me emra një serb Kosta dhe nënën e tij kur vinin në kishë nuk dinin serbisht ata shumë vonë e kanë mësuar gjuhen serbe. Edhe Llaziqët tregon se kanë folur shqip. I pyetur për lagjet serbe në Prishtinë ai tregon se disa herë gjatë festave në kishën ortodokse të Prishtinës e kishte dëgjuar një Lubën nga Kolovica duke pohuar se më parë të gjithë banorët e Kolovicës dhe Sofalisë kishin qenë Arnaut por me kohë ishin serbizuar. Arnaut kanë qenë edhe serbët në fshatin Grace në komunën e Vushtrrisë pohon ai.
Ai kishte informata se edhe një familje serbe që kishte jetuar deri vonë në  fshatin Koliq të komunës së Prishtinës më parë kishte qenë shqiptare. Ai pohon se serb më parë nuk kishte pasur as në Graqanicë, Lipjanë dhe shumë vende tjera të Kosovës por këto lokalitete ishin serbizuar duke sjellë serb në tokat e shqiptarëve pas vitit 1912. Bashkëbiseduesi thotë se edhe në Kragujevc dhe qytete tjera të Serbisë jetojnë shumë serb që kanë origjinë shqiptare por frikohen që ta tregojnë identitetin e vërtet të tyre. Në Kragujevc thotë ai ka takuar një serb të lindur në fshatin Kosh nga rajoni i Pejës i cili i kishte folur se kishte prejardhje  shqiptare. Prejardhje shqiptare kishin pasur edhe serbët ne fshatin Vitomiricë. Po ashtu, ai thotë se serbët e Prizrenit janë vlleh dhe e flisnin gjuhën e vjetër vllahe. 
Serbi me të cilin u zhvillua biseda thotë se nuk e ndien veten serb, por për shkaqe sigurie nuk pranon që të deklarohet hapur në mjetet e informimit publik.

Fusnotat dhe identiteti i vërtetë i serbit me origjinë shqiptare të njohura për autorin e shkrimit.


(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: