Teuta Shala: Këndvështrimi i Milan Shuflajt për historinë e Shqipërisë dhe bregdetin e saj
| E Diel, 21.02.2010, 09:59 PM |

KËNDVESHTRIMI I MILAN SHUFLAJT PËR HISTORINË E SHQIPËRISË DHE BREGDETIN E SAJ

Nga Teuta SHALA (Asistente ne Institutin e Historisë-Prishtinë)

Interesimin për njohjen dhe studimin e historisë shqiptare studiuesi Milan Shuflaj e shfaqi që në fillim të karrierës së tij shkencore. Që nga koha kur ishte duke e përgatitur studimin “Akte private dalmatine”, hasi në burime lidhur me të kaluarën e shqiptarëve në kohën e mesme. Në historiografinë e atëhershme kjo periudhë e historisë ishte trajtuar dhe ndriçuar shumë pak prandaj ishte temë që zgjoi interesimin e madh te gjeneratës së re të shkencëtarëve, nder ta ishte edhe Shuflaj.[1]

Duke qenë i pasionuar për historinë e popullit tonë ai arriti që për një periudhë relativisht të shkurtër  të botoi dhe të lë në dorëshkrim punime dhe  monografi të shumta shkencore,  në të cilat me fakte dhe analiza argumenton prejardhjen ilire të shqiptarëve si dhe mbron bindshëm se ata janë autokton në viset ku edhe sot banojnë.

Kontributi i Milan Shuflajt për mesjetën shqiptare

Në vargun e studiuesve të huaj që u morën me historinë e popullit tonë, padyshim se  Milan Shuflaj përbën një hallkë të rëndësishme për kontributin e tij prej një studiuesi dhe shkencëtari të mirëfilltë dhënë  në trajtimin dhe ndriçimin e saktë dhe korrekt të problemeve të shumta nga lëmi i historisë mesjetare shqiptare. Në kuadër të historisë mesjetare shqiptare  Milan Shuflaj ka treguar interesim të madh edhe për bregdetin e Shqipërisë.

Duke hulumtuar historinë e popullit kroat në mënyrë të veçantë periudhën historike të bregut lindor të Adriatikut ndërmjet shekullit XI dhe XII, Milan Shuflaj në të njëjtën kohë arriti që të hulumtoi edhe   historinë e Shqipërisë dhe të bregdetit të saj. [2] 

Në opusin e tij të gjerë shkencor, Shuflaj na ofron të dhëna  të bollshme për historinë e bregdetit të Shqipërisë konkretisht të qyteteve bregdetare si: Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Drishtit, Vlorës, Tivarit dhe Ulqinit, duke na pasqyruar një tablo të plot mbi to si në rrafshin politikë, ashtu edhe në atë ekonomik, juridik, fetar, kulturor etj, të dhëna të cilat për nga vlera dhe rëndësia janë të veçanta ngase janë  të bazuara në fakte dhe të argumentuara me dokumente të shumta arkivore të grumbulluara nga arkivat e atyre vendeve me të cilat në njëfarë mënyre është e lidhur një pjesë e historisë së qyteteve në fjalë.

Duke marr parasysh faktin se qytetet bregdetare shqiptare për shkak të rëndësisë  që kishin,  gjatë mesjetës shpesh here ishin cak i sulmeve të njëpasnjëshme të pushtuesve të ndryshëm, andaj edhe  Shuflaj në veprat e tij i kushton kujdes dhe vëmendje  sfidave me të cilat u përballën këto qytete si pasoj e këtyre sulmeve, duke filluar që nga dyndjet e popujve[3], e deri të rënia nën sundimin turk. 

Shuflaj vë në dukje se si pasojë e dyndjeve të popujve shumë qytete u zvogëluan apo edhe u shkatërruan, por në ndërkohë linden dhe u zhvilluan edhe qytete të reja mesjetare në mesin e të cilave ai  përmendë edhe Drivastiumin(Drishtin) dhe Antivarin(Tivarin).[4] Për më tepër, veprat e Shuflajt, në mënyrë të veçantë na japin të dhëna të bollshme për synimet dhe përpjekjet sidomos të Republikës së Venedikut për të futur nën sundimin e vetë bregdetin shqiptar[5]. Nga vetë përmbajtja e dokumenteve të botuara në kuadër të këtyre veprave shohim se Republika e Venedikut, e cila që prej kohesh kishte si synim pushtimin e bregdetit shqiptar, duke filluar që nga fundi i shekullit XIV, filloi që të fus nënë sundimin e saj njërin pas tjetrit qytetet si: Durrësin(1392)[6], Lezhën(1393)[7], Shkodrën dhe Drishtin(1396)[8],  ndërsa më 1405 në duart e tyre kalojnë Ulqini dhe Tivari.[9]  Të dhënat që na ofron Shuflaj tregojnë se gjatë kohës sa këto qytete ishin nën sundimin e Republikës së Venedikut, kjo e fundit nuk  kishte një sundim të qetë në to. Krahas turqve të cilët që nga fundi i shekullit të XIV, si destinacion të tyre kishin Shqipërinë, Venediku u ndesh edhe më përpjekjet e feudalëve vendas për çlirimin e  qyteteve bregdetare shqiptare, më këtë rast Shuflaj veçon feudalët Balshaj. Sipas tij i fundit nga Balshajt, Balsha III, deri në vitin 1421 bëri luftë kryesisht kundër venedikasve.[10]  Edhe përkundër faktit se nuk patën një sundim të qetë, venedikasit i mbajtën këto qytete për një kohë të gjatë.

            Në rrafshin ekonomik siç shihet edhe nga vetë përmbajtja e veprave të tij, një pjesë e mirë e tyre ngërthejnë në vete të dhëna mjaft të rëndësishme sidomos mbi marrëdhëniet tregtare që qytete si: Durrësi, Lezha, Shkodra, Drishti,Tivari dhe Ulqini  zhvilluan me disa vende e më theks të veçantë flasin për tregtinë me tregtarët raguzan si dhe me ata venedikas. 

Në trajtimin e çështjes së tregtisë e cila u zhvillua në qytetet e lartpërmendura, Milan Shuflajt i takon merita për trajtimin korrekt dhe objektiv që i bënë kësaj veprimtarie që u zhvillua në qytetet bregdetare shqiptare gjatë mesjetës. Po  ashtu ai flet edhe për karakterin e kësaj tregtie, duke potencuar se këto qytete krijonin vatra të tregtisë ndërkombëtare, sidomos rol të rëndësishëm në këtë aspekt luanin tregjet, nga i cili në mesjetë më i njohuri ka qenë ai i Shirgjit në Bunë[11] thekson ai.

Është e njohur se qytetet e bregdetit shqiptar me një pozitë gjeografike shumë të favorshme, gjatë mesjetës ishin  qendra mjaft  të rëndësishme ekonomike, duke kontribuar si në eksportin ashtu edhe në importin e artikujve të cilët kishin rendësi të veçantë për kohën.

Nga të dhënat e veprave të tij e veçanërisht nga dokumentet e botuara në kuadër të veprës Akte dhe diploma nder artikujt  që më se shumti u tregtuan në atë kohë përmenden kripa dhe drithërat.

Kripa si pjesë e domosdoshme e ushqimit ishte nder artikujt me të rëndësishmit dhe më të kërkuarit, prandaj si e tillë luajti  rol të rëndësishëm jo vetëm në eksportin por në tregtinë  e bregdetit shqiptar në përgjithësi. Nga dokumentet në fjalë vërehet se nder qytetet bregdetare në të cilat më së shumti është bërë shitja e këtij artikulli ishin Durrësi dhe Vlora.[12]

Sa i përket tregtisë së drithërave gjithnjë duke iu referuar këtyre dokumenteve dëshmohet qartë se në mesjetë, Shqipëria  kultivonte drithëra të ndryshme si: grurë, elb, thekër, mel, tërshërë etj. Në mesin e artikujve të shumtë që u eksportuan nga qytetet bregdetare shqiptare përmendet edhe mishi, kështu tregtarët venedikas më 1394 e eksportonin këtë artikull nga  Durrësi për në Venedik.[13]

Përveç artikujve të lartpërmendur, në qytetet bregdetare shqiptare tregtoheshin edhe artikuj te tjerë, si p .sh. vaj dhe peshku. Në disa dokumente përmendet se gjatë vitit 1372 qyteti i Tivarit shet vaj[14], ndërsa në një dokument të vitit 1397 përmendet se kryeipeshkvi i Tivarit dërgon peshk për në Romë.[15]

Në vazhdën e të dhënave për qytetet bregdetare shqiptare vlen të theksohet se shkrimet e Shuflajt ngërthejnë në vete të dhëna me rëndësi edhe për parimet, rregullat si dhe normat me anë të të cilave zhvillohej dhe rregullohej jeta e qyteteve bregdetare shqiptare. Ai na ofron një pasqyrim të plotë për statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit, më  të cilat  rregullohej dhe organizohej jeta e brendshme e këtij qyteti.[16]

Nga vetë përmbajtja e këtij statuti vihet në pah se me anë të tij rregulloheshin aspekte të ndryshme nga jeta e brendshme e qytetit të Drishtit, duke filluar që nga rregullimi i titujve dhe gradave brenda kishës, pastaj raportet me kishën. Po ashtu, në këtë statut kujdes dhe vëmendje e veçantë iu kushtohet edhe ndëshkimeve që bëheshin  me rastin e shkeljeve të ndryshme e në veçanti me përhapjen e sekreteve, pastaj jepen të dhëna edhe për dënimet për të gjithë ata që dalin vjedhës dhe mashtrues, ne raport  me ligjet a rregullat e vendosura nga kisha[17]. Ky statut ka vlerë dhe rëndësi të veçantë jo vetëm për rregullimin e mënyrës së qeverisjes së kishës por edhe për të njohur dhe studiuar të  drejtën zakonore në Shqipëri konkretisht në qytetin e Drishtit  në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të XV, pra në periudhën për të cilën bënë fjalë ky statut.

Shikuar realisht, nga sa u tha më lartë rezulton se botimi i këtij statuti nën përkujdesjen e Shuflajt, paraqet një kontribut të rëndësishëm dhe është mjaftë domethënës ngase e begaton historinë e këtij qyteti mesjetar. 

Shkrimet e Shuflajt për historiografinë mesjetare shqiptare kanë rëndësi të veçantë, ngase e pasurojnë fondin e literaturës nga periudha në fjalë. Veprat e tij kushtuar problemeve të rëndësishme që e karakterizojnë mesjetën shqiptare, me plot të drejt mund ti konsiderojmë si vepra kapitale dhe unikale për historinë dhe historianët.

Këndvështrimi i tij për  Shqipërinë dhe historinë e shqiptarëve dhe së fundi shkuarja e tij në Shqipëri  nuk u pan me sy të mirë nga Beogradi, andaj në shkurtin e vitit 1931,   pak kohë pas kthimit nga Shqipëria, organizohet edhe vrasja e tij.

Qëndrimi i Milan Shuflajt në Shqipëri

 Me ftesë të shtetit shqiptar gjatë janarit të vitit 1931,  për disa ditë Milan Shuflaj qëndroi në Shqipëri. Shkuarja e tij në Shqipëri u prit me një entuziazëm të madh, vizita që ai i bëri Shqipërisë u cilësua si një ngjarje e veçantë e cila  mjerisht nuk  gëzohej  shpesh. Për vizitën e Shuflajt në Shqipëri shkruan shtypi si dhe nuk munguan shkrimet as nga intelektualët e njohur të asaj kohe.

Rreth vizitës së tij në një artikull të gazetës “Arbënia” me datën 16 janar 1931, në rubrikën “Lajme të Shkurtra” thuhej: “Gjendet në kryeqytet Z. Profesor Shuflaj, i Zagrebit. Zotëria e ti ka botuar tre volume dokumente, historike të Shqipërisë dhe ka për të botuar të katërtin volum. Këtu ka ardhur për t’u marr veshë me Qeverinë mbi mënyrën e mbledhjes së dokumenteve e të botimit të volumit.  Bisedimi që pati me Z-in Hil Mosi, ministër i arsimit, u përfundua me një dakord mbi të gjitha pikat”[18].

Ndërsa në gazetën “Vullneti i Popullit” me datën 25 Janar 1931 në artikullin “Profesori Milan Sufflay dhe histori e Shqipëris”, Lumo Skendo vizitën e Shuflajt në Shqipëri e komenton në këtë mënyrë: ”Në kryeqytet të vogël tënë patëm fatin të shohim pesë ditë fytyrën interesante të profesorit Shuflaj dhe të dëgjojmë fjalët e tij simpatike. Kjo qe për neve një zijafet intelektual që mjerisht nuk e gëzojmë shpesh.”[19]

Më tej ai flet për punën shkencore të Milan Shuflajt rreth historisë së Shqipërisë, duke vënë  në dukje se në këta dymbdhjet vjet të fundit miku ynë veç “Qytetet dhe katundet në mesjetë në Shqipëri“, ka shkruar e botuar disa broshura dhe artikuj gjithë mbi Shqipërinë. Cilësia më e çmueshme e këtij historiani është specializimi i tij në ngjarjet e Shqipërisë, prandaj do të ishte një dëm i madh që kjo dituri dhe ajo prieri  aq e madhe të mbeteshin pa fitime për neve,[20] thekson ai. Duke folur për veprat e Shuflajt,  Lumo Skendo në mënyrë të veçantë ndalet tek vepra: “Acta et diplomata res Albaniae mediae Aetalis ilustratia”, duke potencuar se përveç volumit të parë dhe të dytë të cilat përfshinin periudhën kohore 344-1406, Shuflaj mendon se dokumentet duhet të formojnë gjashtë volume duke vajtur gjer në vitin 1536. Volumi i gjashtë do të mbarohet me zaptimin e Shqipërisë prej turqve.     

Lumo Skendo vë në dukje se mbledhja e dokumenteve ose me një fjalë studimet mbi historinë e Shqipërisë duhet të jenë një punë me vazhdim e të mos pritet dhe të pushoi. Më tej ai shton  se këtë mendim dhe këto ide i kishte dhe i sugjeronte profesori Shuflaj. Por edhe përkundër këtyre mendimeve dhe përpjekjeve,  Milan Shuflaj nuk arriti që të përfundonte punën e nisur për botimin e  Akta Albania, madje koha nuk i premtoi që ai të botonte as vëllimin e tretë të cilin pothuajse e kishte gati për botim, ngase me 19 shkurt të vitit 1931,  pikërisht 79 vjet më parë  në mënyrë shumë të egër e të pamëshirshme  Milan Shuflaj vritet.



[1] Zekaria Cana, Millan Shuflaj-lavrues i historisë shqiptare, në Rilindja 18.IV.1968, Prishtinë 1968, f.11.

[2] Mag.Jur. Darko Sagrak, Roli i Dr. Milan Shuflajt në lidhshmërinë e historisë kroate dhe shqiptare, (Kumtesë e paraqitur në Simpoziumin për Milan Shuflajn organizuar nga Instituti i Historisë-Prishtinë, më 9.11.2009, Prishtinë), f.1.

[3] Milan Shuflaj, Histori e shqiptarëve të veriut, Nositi, Prishtinë 2009, f.19.

[4] Po aty.

[5] L. Tholloczy- C. Jericek- E. Sufflay, Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, vol. II,Vindobonae  1913-1918, ribotim në Prishtinë nga  Ekskluzive 2002, në më shumë vende. (Më tej: Acta  Alb.).

[6] Acta Alb., II/480.

[7] Acta Alb., II/501.

[8] Acta Alb., II/555.

[9] Millan Shuflaj, Histori...,f. 55.

[10] Po aty.

[11] Millan Shuflaj, Histori...,f.46.

[12] Acta Alb., I-II, në me shumë vende.

[13] Acta Alb. II/521.

[14] Acta Alb. II/302.

[15] Acta Alb. II/580.

[16] Viktor Novak - Emilian Shuflaj, Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit, :

    Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike, nr.1 1971.

[17] Po aty, f.74.

[18] Arbënia, 16.01.1931,Tiranë.

[19] Lumo Skendo, Profesori Milan Sufflay dhe histori e Shqipëris,në Vullneti i Popullit, 25.01.1931, Tiranë.

[20] Po aty.


Për ZSH: Sabile Keçmezi- Basha

(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: