Dosja e Diktaturës, zbulohet e vërteta e armëve nëpër kisha
| E Diel, 14.02.2010, 08:17 PM |

Dr. Pjetër Pepa

Mbi bazën e dokument eve të arkivit del e qartë dëshmia e sinqertë e At Çiprian Nikës: “Armët nuk i kam pas vetë. Ishin disa mbeturina të lëna nga gjermanët kohë më parë, që kur ishin strehuar dhe kishin banuar në seminarin tonë”. I shkreti At Çipriani, mendonte se bëhej fjalë për 3-4 mbeturina rrangallë të mbetura si trofe pas ikjes së gjermanëve, dhe me sinqeritet e thoshte edhe atë, pa e ditur se do të dilte në fotografi pranë një mori pushkësh fare të reja, që ishin futur një mëngjes në atë kuvend e në atë kishë. “Njeriu e ka për detyrë të thotë gjithmonë të vërtetën, por jo të thotë gjithë të vërtetat”, – porosit Aristoteli, por ishte koha e Lilo Zenelëve, dhe jo e Aristotelëve. “Gjithë arkivin me vlerë historike e futëm në dy koshunj të mëdhenj, - dëshmon at Zef Pllumi. - Ishte një pasuri e pamasë dokumentesh të Rilindjes Kombëtare, si dhe shkrimet, letrat, kujtimet e dorëshkrimet e Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, imzot Doçit, imzot Bumçit etj. Ishin dhe dokumentet e Gjeçovit, fondi i Fishtës etj. Dorëshkrimet përgjithësisht i sistemuam në valixhe metalike, që kishin qenë dikur arka municioni dhe ishin lënë bosh nga gjermanët, sepse ishin të përshtatshme kundër lagështirës. E ironia e dhimbshme konsistonte në faktin se në libra, revista dhe ekspozita nxirrnin fotografitë tona para atyre arkave të shoqëruar me nënshkrimin: ‘Ja municioni i fshehur në kishë, në ato arka që me shkrimet e tyre gjermanisht kishin diçka të tillë lidhur me municionin...’ Natyrisht, ishte kjo një djallëzi ‘e vogël’ e Sigurimit, e vështirë për ta kuptuar cilido”. 
“Ka qenë një vepër e shëmtuar, që na ka kushtuar shumë, - dëshmon at Leon Kabashi. - Më duket, urdhri kishte ardhur nga Tirana. Punonjësit e Sigurimit të Shkodrës u futën nga oborri i gjimnazit të françeskanëve, u lidhën me një student (Xhakua) dhe me ndihmëskuzhinierin, të cilëve me sa duket i kishin thënë që më parë se kleri ka mbaruar, ndërsa ju do të shpërbleheni. At Aleks Baçli, që kishte parë lëvizjet e dyshimta, ndenji gjithë natën nën mbikëqyrje (në sakristi) dhe mundi të shohë hyrjet e daljet e asaj nate në kishë, por ngaqë ishte mjaft larg dhe errësirë, nuk mundi të dallojë saktësisht se çfarë po bëhej aty”. 
“Në të dalë të dritës, - tregon at Zef Pllumi, - forcat e Sigurimit shpërthyen brutalisht kuvendin, mblodhën gjithë fretërit, organizuan atë ‘kontrollin e imët’ deri ndër altare, dhe në njërin prej tyre gjetën me shumicë armë...” 
I nxorën gjithë fretërit në oborr, shumica përfunduan në pranga, shuplakë e pështymë, shkelma e sharje, çka s’ishte parë asnjëherë në asnjë vend të botës. Kuvendi ishte shkelë në atë mënyrë, sa banorët përreth s’e harrojnë ende sot. S’vonuan shumë dhe ia behën të ftuarit dhe autoritetet. U gjendën menjëherë prezent telekamerat jugosllave për të dokumentuar këtë ngjarje, zjarri i së cilës sapo ishte vënë. E përballë kësaj të vërtete, ja se si bëhej propaganda: “Armët e shumta dhe të llojeve të ndryshme që u gjetën të fshehura në seminar, kuvend e institucione të tjera, - pohon provinciali françeskan Mati Prendushi, - ne i ruanim me shumë kujdes. Depot me armë, një pjesë të pushkëve, të mitralozëve, të bombave dhe mortajave e municionin përkatës, ne i patëm marrë nga ushtria italiane”. (Rakip Beqja, f. 72). 
Në altarin e zemrës së Krishtit, në ish-kishën françeskane Shkodër, sipër dhe në fund të tij janë fshehur armë lufte (fishekë, mitraloza e bomba ), për t’u përdorur kundër pushtetit popullor. (Idem. f.80). 
“Në altarin e Shën Ndout, në kishën françeskane u gjetën armë brezi. Disa ditë më vonë, edhe në kishën e madhe në Shkodër u gjetën armë lufte të markës gjermane dhe arka me municion”, - thuhet në një vend tjetër. 
“Më 16 dhjetor 1946, seksioni i Sigurimit të Shtetit zbuloi në abacinë e Mirditës, brenda në kishë e në qelë, armë e materiale të tjera komprometuese”, - njofton përgjegjësi i Sigurimit të Mirditës, togeri Bardhok Biba. “Më 1946 u zbuluan me shumicë armë lufte, pushkë, bomba e mitraloza të fshehura nga klerikët në arqipeshkvinë e Shkodrës... Prifti Donat Kurti, mbasi ka prishur murin e dhomës së tij, tregon vendin ku gjendej depoja e armëve të fshehura, që kleri katolik kishte marrë nga gjermanët”, - thuhej në një vend tjetër. 
E përballë kësaj propagande që bëhej në opinionin kombëtar dhe 
ndërkombëtar, si mund të zbulohej e vërteta, kur dëshmitar i vetëm ishte Zoti e frat (vëlla) Ndou, portieri i kishës? Ai nuk pranoi të dorëzojë çelësat e të hapë portën për të futur armët e reja e pa pluhur, pushkët e gjata e mauzeret e llustrosura, rreth orës 4.30 të mëngjesit të asaj dite të zezë. Për këtë veprim, e masakruan si mos më keq! 
“Ishim te burgu i Ulqinakut, - kujton Terezina Zorba. - Natën erdhën e morën At Mati Prendushin. Të nesërmen na tregoi se bashkë me At Pal Dodën, Donat Kurtin e Çiprian Nikën, ata i çuan në kishën e françeskanëve, hapën elterin e Shna Ndout, u vunë pushkë e mitraloza në krahë dhe i fotografuan disa herë”. 

Gjithçka, pra, ishte organizuar e përgatitur si s’ka më mirë. Regjisorët kishin qëlluar specialistë të përkryer... Ishin nga ata që pyesnin: “Kako si ti Pope...”, e që drejtonin këtë lojë të dhimbshme. Por, tani le të kthehemi për disa çaste tek përgjigjja që i kishte ardhur lutjes së imzot Gjinit: 
Ja shkresa e fundit: 
Ju njoftojmë se të dënuarit me vdekje: 1. Mons. Frano Gjini 2. P. Mati Prendushi 3. D. Nikollë Deda, të gjithë nga Shkodra u ekzekutuan më datën 11.3.1948, në orën 5 paradite dhe fjala e fundit ka qenë: 
- Rroftë Krishti mbret, Feja katolike dhe katolikët në botë. Rroftë Papa! Gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra është te Papa! Rroftë Shqipnia! 
Mons. Frano Gjini 
- Jam i pafajshëm; po vdes në krye të detyrës t’eme. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Papa! Rroftë Kisha Katolike! Rroftë Shqipnia! Ja baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtinë mbi trupat tonë të pafajshëm. 
P. Mati Prendushi. 
- Rroftë Shqipnia! Po vritem në punën time! Rroftë Krishti mbret! Rroftë populli shqiptar! 
Mons. Nikollë Deda. 
P/ Kryetarin e Gjykatës Kapiten I, 
Misto Bllaci 
(Arkivi i Ministrisë së Rendit). 
11 mars 1948, ora 5 e mëngjesit... Burgu i fretërve ka lëvizje e zhurmë më shumë se asnjëherë tjetër... Hekura duarsh e shula dyersh, zhurmë makinash e trokitje çizmesh përbëjnë sfondin e atij mëngjesi të vrenjtur... Te vendi tashmë tradicional i pushkatimeve janë rreshtuar 16 vetë, ndër ta 4 janë klerikët më në zë, imzot Gjini e Deda, at Prendushi e Nikaj... 12 të tjerët janë qytetarë që nga gjyqet e mëparshme, janë dënuar për kryengritjen e Postribës: Abdulla Kazazi e Guljelm Suma, Xhelal Hardolli e Bilbil Hajni, Fahri Rusi e Caf Dragusha, Cin Sereqi e Dulo Kali, Kol Prela e Pjetër Pali, Paulin Pali e Murat Haxhia. Pra, drejtësia e historia i është borxh edhe atyre për të provuar përfundimisht të vërtetën e për të zbuluar pafajësinë e tyre. Ata janë intelektualë e inxhinierë, avokatë e deputetë, por mbi të gjitha, janë patriotë e martirë të demokracisë shqiptare. 
Një shi i imët i shtohej atij sfondi vajtues në orët e para të mëngjesit... Ashtu flokëthinjur, të lidhur pranë njëri-tjetrit, klerikë, myslimanë e të krishterë qëndrojnë para një grope të madhe që ngjason me një gojë të hapur e gatshme për t’i përpirë. Një heshtje si vetë vendi në të cilin ndodheshin, varret ...... 
-AKTI I DYTË- 
ZBULOHET E VËRTETA 
Të vërtetën e dinte vetëm Zoti e frat Ndou, portieri, të cilit i kishin kërkuar çelësat... por tashti edhe ai nuk mund të fliste, sepse e kishin çuar edhe atë tek Zoti... Çfarë mund t’i ketë mbetur pa thënë kësaj drame të përgjakshme? Nuk kanë kaluar as katër muaj nga pushkatimi, dhe një valë e re arrestimesh shpërthen sërish në Shkodër, e bujshme dhe tepër e veçantë për llojin e saj. E veçanta konsistonte te të arrestuarit. Është një grup tashmë të rinjsh, 20-25 vjeçarë, tre nga të cilët janë jo vetëm anëtarë partie, por edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit. Më 28 korrik 1948 do të arrestohen: 
1. Pjerin Kçira - 25 vjeç, anëtar partie, aspirant në seksionin e sigurimit Shkodër, korrespondent i “Zërit të popullit”. 
2. Gjovalin Mazreku - 20 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër. 
3. Lin Çollaku- 23 vjeç, anëtar partie, kapter në seksionin e sigurimit, Shkodër. 
4. Zef Bardhoku - 24 vjeç, anëtar partie, nëpunës. 
5. Nush Simoni - 22 vjeç, nëpunës banke. 
Edhe për ta - rituali i zakonshëm. Po cila ishte akuza? Natyrisht, do të bëhej shpejt e shpejt edhe për ta një... 
Procesverbal 
Prokuroria ushtarake e Tiranës me funksion në Shkodër, me Aktakuzën e saj datë 26.5.1949 i sjell për gjykim kësaj gjykate çështjen penale për të pandehurit Pjerin Kçira... me shokë se: 
- Kanë qenë anëtarë të një grupi të organizuar në mbledhje të fshehta. 
- Kanë bërë agjitacion e propagande me gojë e me shtyp. 
- Kanë marrë vendime që të kryejnë atentate kundër funksionarëve të partisë e të pushtetit dhe kanë kërkuar të bëjnë atentat kundër një anëtari të sigurimit, por që nuk e kanë kryer nga frika se mos diktoheshin... etj. 
Kur u formua dhe çfarë ishte ky grup? 
Mbi bazën e dokumenteve rezulton që grupi u krijua më 18 korrik 1948, dhe se në një mbledhje të rregullt me votime kanë zgjedhur kryetar Pjerin Kçirën. 
“Koçi Xoxe nuk ka dominuar mbi sekretarin e parë të partisë, E. Hoxhën, prandaj ky i fundit është fajtor e përgjegjës për gjithçka që po ndodhte në Shqipëri”. Ishte ky mendimi i anëtarëve të këtij grupi në atë periudhë të turbullt, kur një “tradhti” zbulohej në Shqipëri e që me vonë (3 mars 1949) u hiqej mandati edhe vetë Koçi Xoxes e Pandi Kristos (Arkivi i Kuvendit Popullor). Pra, veprimtaria e grupit rezulton të jetë zbuluar në krye të dhjetë ditëve... Të ishte një armiqësi apo truk që organizonte Sigurimi, i cili nuk kursente as edhe shërbëtorët e vet kur duheshin zhdukur gjurmët?... Dhe, hetimet do të zgjasin njëmbëdhjetë muaj, e natyrisht edhe torturat me devocion të posaçëm po i realizonin Ali Xhunga, Kasem Troshani e shumë të tjerë, që deri dje kishin qenë shokë të tyre... Madje, gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit akuzojnë për këto tortura dhe të mësipërmit detyrohen të vijnë dhe të dëshmojnë në gjyq siç e ka kërkuar mbrojtja. Por natyrisht, as që mund të ndodhte ndryshe. U provua “katërcipërisht” se deklaratat e të pandehurve ishin marrë “pa asnjë detyrim e presion”... Akuzohen gjithashtu për atentate që kishin dashur të bënin kundër Abaz Lazes, Lilo Zenelit, Ali Begut etj. 
Dhe... një procesverbal tjetër: 
“Sot, më datën 28.5.1949 trupi gjykues, i përbërë nga kapiten i parë, Vangjel Kocani, kryetar, dhe toger Haxhi Beqiri e kapter Ali Tirana, anëtarë, me prokuror, kapiten i parë, Harito Nashin, hapin gjyqin kundër të pandehurve...” 
...për të arritur kështu në pretencën e prokurorit që dënon Pjerin Kçirën e Nush Simonin me 20 vjet, Zef Bardhokun me 15 vjet, Gjovalin Mazrekun me 13 vjet e Lin Çollakun me 8 vjet. Të nesërmen, më 11.6.1949, pas mbrojtjes formale, gjykata vendos për Pjerin Kçirën dënim me vdekje, me pushkatim e gjithçka merr fund. Kjo, së paku zyrtarisht në bazë të dokumenteve të arkivuara. 
Pjerin Kçira dërgohet tek Zalli i Kirit e pushkatohet, siç ishin pushkatuar shumë të tjerë para tij e siç do të pushkatoheshin edhe shumë të tjerë pas tij. 
Ku qëndron e veçanta? Fatkeqësisht, dokumentet e arkivit nuk na 
ndihmojnë... Ato ose janë zhdukur, ose me qëllim janë ndryshuar që të mos përmendet fare ai sekret që lidh bashkë këto dy akte të kësaj drame të përgjakshme. 
Ndoshta e veçanta kishte filluar që më herët... Ajo kishte filluar që atëherë kur Pjerin Kçira, nga A-P kthehej në a-p po me një ndryshim tepër të madh... Pra, nga anëtar partie, në armik i popullit. Dikur, anëtar partie me privilegje e favore. Dikur, aspirant i sigurimit të shtetit e përgjegjës i burgut të kishës. Dikur, hetues i At Mark Harapit, dom Anton Muzajt e sa e sa të tjerëve. Dikur, i njohur e i fuqishëm me miq e shokë, oficerë e hetues të sigurimit. E tashti, përsëri a-p, por me vulën e zezë si armik i popullit. Pra, antipod i asaj çka kishte qenë dikur; nga persekutor, në i persekutuar e kaq menjëherë e papritmas... 
Për hir të së vërtetës duhet pohuar që të rinjtë kishin qëlluar trima dhe realizuan një gjyq që do të kujtohej për shumë kohë për llojin e vet. Të 16 seancat do të vazhdonin njëra pas tjetrës, për të arritur në pikën kulmore, kur kryetari i gjykatës do t’i mbyllë gojën Pjerin Kçirës. Ai, për të pastruar ndërgjegjen, nxjerr një sekret që e digjte prej kohësh, por që do të binte si bombë mbi trupin gjykues e mbi të gjithë sallën: 
“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë, duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret... Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E. Hoxhës, ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!”. 
Natyrisht, kjo shokoi plotësisht kryetarin e trupit gjykues, që deri atëherë me zor po e mbante veten e po zotëronte situatën. Nuk kishte rrugë tjetër. Seanca duhej të mbyllej. 
- Neve që kishim radhën të gjykoheshim mbas Pjerinit, - dëshmon Ernest Përdoda, - gjyqi do të na bëhej me dyer të mbyllura... Deklarata e tij për futjen e armëve në kishë i kishte futur frikën... 
- Pjerini ka qenë nxënësi im, - dëshmon at Leon Kabashi. - Në vitin 1947, ndërsa torturohesha nga Anesti Kopali për të vërtetuar akuzat e paqena mbi armët, isha i lidhur për shtyllë pa hangër, pa pirë e pa fjetë. E pranë meje kalon Pjerini, të cilit iu drejtova me fjalët: “A ky është komunizmi i vërtetë, me zhdukë të pafajshmit”? Ai më hodhi një vështrim dhe iku pa folë asnjë fjalë. Mbas pak erdhi roja me pak ujë e ushqim dhe më zgjidhi... Munda të kuptoj që ai diçka ishte rrezikuar. Me fjalën e fundit ai nxori në dritë të vërtetën e madhe se, armët i kishte futur vetë sigurimi dhe për këtë u pushkatua duke u bërë martir i së vërtetës...” Ndërsa bashkëvuajtësi i qelisë, zoti Ahmet Bushati kujton çastet e fundit: 
-Erdhën duke kënduar himnin kombëtar e menjëherë sapo e futën në birucë, me sinjalin që kishim filloi menjëherë të më tregojë për qëndrimin e tij dhe vendimin e gjyqit... U përpoqa t’i mbush mendjen se nuk mund ta pushkatojnë, por ai fare i qetë m’u përgjigj: - Jo, jo! Që do të më pushkatojnë atë e di mirë, jam i sigurt, sepse i kam dekonspiruar aty ku atyre u djeg më fort, por unë e bana timen. 
- Të nesërmen ne u ndamë se Pjerinin e çuan në Burgun e Gestapos. - Ishte viti 1949, - kujton ish-i burgosuri Gjon Ljarja. Gjendesha i arrestuar në burgun e sigurimit, të quajtur Burgu i Gestapos. Tek një birucë-nevojtore, ku zakonisht ndrynin të dënuarit me vdekje, ato ditë kishin futur të dënuarin me pushkatim Pjerin Kçira...Një paradite dëgjova që u hapën hekurat e dyert dhe dikush u fut tek ai e sapo u largua, Pjerini filloi të këndojë me zë të lartë: “Por si fleta e ejllit të Zotit” e këngë të tjera patriotike... Nga darka mundi të më tregojë se i kishin komunikuar pushkatimin e se në drekë ishte takuar edhe me nënën dhe të fejuarën për të fundit herë para pushkatimit. 
-Deshëm t’i japin shpresë, - vazhdon një tjetër dëshmitar, - duke i thënë se kemi ndërhyrë te Tuk Jakova e se do t’i falej jeta, por përsëri jo! 
- Gjithçka ka marrë fund! - ishte përgjigjja e Pjerinit, - veç ju lutem më sillni një prift që të rrëfehem për të fundit herë. E nëse nuk do ta lejojnë si prift, le të maskohet e të veshet si fshatar e të vijë tek unë, se e pres patjetër për rrëfimin e fundit”. Më tej zoti Gjon Ljarja vazhdon: -Rreth orës 22 dëgjuam sërish zhurmë çelësash e dyersh, na e mori mendja. Pjerini filloi të thërrasë me zë të lartë: “Lamtumirë, ma bani hallall shokë!” E kështu, doli në oborr ndërsa zhurma e motorit të një makine që u nis përfshiu gjithçka. Pastaj, prapë heshtje varri... 

Shënim: Pjesa e mësipërme është përzgjedhur nga botimi i ri i dr.Pjetër Pepës, “Dosja e diktaturës” 

Gazeta Shqiptare, 10/02/2010 - Për ZSH: Gjergj Kabashi

(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: