Avzi Mustafa: Mësimi i gjuhës maqedonse nga klasa e parë është problem politik
| E Diel, 31.01.2010, 10:00 PM |

MËSIMI I GJUHËS MAQEDONASE NGA KLASA E PARE ËSHTË PROBLEM POLITIK

“Nëse arsimi është e drejtë demokratike, më lejoni ta mësoj atë që dua unë”.
Shkruan: Dr. Avzi Mustafa
Në periudhën e shtetit të centralizuar të ish-Jugosllavisë motivet nxitëse të mësimit të maqedonishtes ishin të tilla që e kërkonin ta vendosnin gjuhën shtetërore ne nivelet e gjuhës “së lartë”. Dhe, vitet e 80-ta të shekullit që shkoi me këto motive u sollën tronditje shkollave dhe fëmijëve shqiptarë në Maqedoni. Bashkë me to edhe tronditje të raporteve e marrëdhënieve të vendosura midis maqedonishtes si gjuhë zyrtare dhe shqipes si gjuhë amtare.
Tani përsëri, pas më shumë se 20 viteve, vjen përsëri aktualizimi i kësaj çështje – që ky proces të lidhet përsëri me politikën arsimore, por pa studime dhe analiza që do ta studionin si në aspektin sociolinguistik, ashtu edhe në aspektin pedagogjik dhe psikologjik. Ky shtet asnjëherë nuk e vuri në rend të ditës këtë problem për të bëre analiza shkencore në terren arsimor, por e nxori në shesh nga zyrat, si shumë vendime që merren te ne. Me këtë duket sheshazi se shteti dëshiron t’i prekë marrëdhëniet ndërnacionale dhe kjo ndodhë sa herë që gjendet në krizë ekonomike dhe politike. Me këtë dëshiron të krijojë alibi se në këtë shtet derisa ka shqiptarë nuk ka përparim. Edhe pse dihet se shqiptarët në territorin e Maqedonisë jetojnë të shtrirë në një territor kompakt në rrethe homogjene dhe hetorogjene. 
Të prirë nga motivi që këtë çështje ta shtrojmë në rrafsh më profesional, këtu do të orvatemi që mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë ta analizojmë në disa aspekte për të nxjerrë kështu disa përfundime.
Gjuha maqedonase për shqiptarët, ashtu si gjuha shqipe për maqedonasit, nuk është as gjuhë e huaj e as gjuhe amtare, por gjuhë e mjedisit shoqëror

Kur synohet të krijohet një situatë bilinguale në kontekst të një bashkësie që e përdor gjerësisht gjuhën amtare dhe e mëson atë në shkolla, kjo kërkon që të studiohet statusi i gjuhëve dhe të shihet se a është me vend qëndrim zyrtar i tyre. Kjo do të thotë se duhet të shikohet dokumentacioni ligjor dhe pastaj të jepet një tablo e përgjithshme mbi karakteristikat e dygjuhësisë maqedonaso-shqiptare në zonën ku jetojnë shqiptarët. Por, në situatën tonë këtë nuk e kemi. Ne nuk e dimë kush e flet, sa e flasin, ku e flasin, si e kanë mësuar shqiptarët maqedonishten etj. Prandaj duhet te thuhet se gjuha maqedonase nuk është as gjuhe amtare e as gjuhë e huaj, por ajo është gjuhë mjedisit shoqëror ashtu siç mund të jetë edhe gjuha shqipe për maqedonasit. Fëmijët shqiptarë duan a s’duan janë në kontakt me ketë gjuhë, ashtu siç janë edhe maqedonasi në vendet me shumicë shqiptare në kontakt me gjuhën shqipe. 
Ta shohim tash përqindjen e gjuhëve që fliten në Maqedoni. Sipas vjetarit statistikor nëpër komuna, përqindja etnike e popullsisë në Maqedoni është siç është përshkruar më poshtë. Shqiptaret janë të koncentruar në veriperëndim të Maqedonisë. Sipas komunave, gjendja e popullatës shqiptare në bazë të regjistrimit të fundit është kjo: në Komunën e Haraçinës - 90.72 %, në Bërvenicë - 61,62%, në Vrapçishtë - 83,08 %, në Gostivar - 66,69 %, në Dibër - 44,77%, në Sandevë - 22.88%, në Zhelinë - 99.20%, në Zajaz - 97,44%, në Jegunovcë - 43, 02%, në Kamjan - 95,23%, në Kërçove - 30,53%, në Osllomej - 98,39%, në Strugë - 56,85%, në Studeniçan - 68,88%, në Sopishtë - 20,67%, në Saraj - 91,53%, në Çair - 56,43%, në Butel - 23,30%, në Gazi Babë - 17.37%, në Shuto Orizarë - 26,52% dhe në Dollneni - 26, 65%. Më pak se 20% shqiptaret janë në komunat: Mavrovë - 17,77%, Mogillë - 0,51%, Negotinë - 0,16, Resnjë - 9,13%, Manastir - 4, 37% ,Veles - 4,17%, Deberce - 2,78%, Demir Hisar - 2,44%, Drugovë -  4,77%, si dhe ne disa komuna ku përqindja e shqiptareve është prej 0,5% deri në 1%. Dhe, duke u mbështetur në tipologjinë e studiuesit gjerman Kloss, del Maqedonia nuk është shtet endoglos, pra është një shtet multietnik, sepse maqedonasit nuk e formojnë trungun e popullsisë së vendit. Kjo vjen nga fakti se brenda kufijve politikë të Maqedonisë jetojnë edhe shumë bashkësi të tjera etnike, siç trajtohen në kushtetutën e re, pra ka: shqiptarë, turq, serbë, vllahë, boshnjakë, romë etj. Këto të dhëna vetvetiu tregojnë se ketë shtet e përbëjnë dy etni më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptaret. Prandaj del edhe pyetja: vallë a duhet ta mësojnë edhe maqedonasit gjuhën shqipe? Sepse, edhe gjuha shqipe në ketë shtet është gjuhë mjedisi. Prandaj kërkesa e pushtetit që vetëm shqiptaret ta mësojnë gjuhen maqedonase nuk qëndron, sepse gjuhë e mjedisit shoqëror është edhe gjuha shqipe. Mos vallë kështu kërkohet bashkëjetesë pa barazi?! Këso bashkëjetese nuk më në sistemet demokratike. Moti kohë ka vdekur njëmendësia që në letër shkruhen të drejta që asnjëherë nuk realizohen. Këtë situatë shqiptarët e përjetuan, bile edhe shumë më keq, kur Serbia eksperimentonte me nxënësit shqiptarë në ketë republikë. Ende janë të freska kujtimet dhe vuajtjet kur shqiptarëve iu ndalua të komunikojnë në gjuhën shqipe, kur administrata dhe evidenca duhej të shkruhej në gjuhën maqedonase, kur kërkonin që gjuha amtare shqipe të mësohej vetëm si lëndë mësimore, atëherë kur kërkoheshin paralelet të përziera dhe kur mësimi zhvillohej vetëm në gjuhen maqedonase. 
Mësimi i gjuhës maqedonase duhet të shikohet në tri aspekte: në aspektin pedagogjik, psikologjik dhe linguistik.

Aspekti pedagogjik

 Ne nuk kemi një studim serioz që i zhbiron veçoritë e problemeve që i ka shkolla. Prandaj duhet të shihet tëre dokumentacioni shkollor (tekstet, plan-programet, kuadri, librat, mjetet didaktike, mjedisi nga vjen nxënësi si dhe shume faktorë të tjerë). Për këtë arsye është me rëndësi të tregohet, gjegjësisht të sqarohet, se si krijohen gjurmët e gjuhës joamtare dhe, në radhë të dytë, kur duhet të fillohet të mësohet gjuha maqedonase? 
Pedagogët dakordohen se mësimi i gjuhës së dytë duhet të mësohet atëherë kur mbaron formimi i mekanizmave të gjuhës amtare. Edhe pse ky mekanizëm ndonjëherë mund të krijojë vështirësi në përvetësimin ose mësimin e gjuhës së dytë, pedagogët nuk japin ndonjë qëndrim konkret se kur duhet të fillohet me mësimin e gjuhës së dytë, por mbesin në “teorinë e plasticitetit”, e cila jep mundësi të fillohet edhe nga klasa e peste dhe gjashtë ashtu sic mësohen gjuhet e bashkësive ne Zvicër.  
Mësimi i gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë nuk duhet të fillojë nga më elementarja – sepse ata janë në kontakt me gjuhën maqedonase përmes rrethit ku jetojnë, televizionit, në rrugë, në treg, në vetëshërbim e kudo, andaj e kanë fare të qartë theksin, shprehjen, format e fjalëve, strukturën e fjalisë dhe janë në gjendje ta kuptojnë se ajo gjuhë është më ndryshe nga gjuha amtare. Prandaj koha për dy vjet e gjysmë nuk do të ngjallë interes, madje kështu edhe mund të humbë motivi për mësim, sepse mësimi mund të kalojë në averzion e banalitet dhe në humbjen e interesit, sepse fjalët që duhet t’i mësojnë në shkollë shumica e nxënësve i dinë, kurse të tjerat i kuptojnë se i hasin në jetën e përditshme.
Për t’u arritur rezultatet, gjegjësisht që të realizohen detyrat, më parë duhet të merret parasysh faktori mjedis. Ky faktor është ai që e përcakton plan-programin mësimor, objektivat dhe librat, që gjithsesi duhet të jenë të diferencuara, libra për nxënës të mjedisit heterogjen dhe libra për nxënës të mjedisit homogjen. 

Aspekti psikologjik

Baza psikologjike e mësimit të gjuhëve amtare dhe joamtare ka vërtetuar se gjatë procesit të përvetësimit të të mbajturit mend te fëmijët krijohet sistemi i gjurmëve të gjuhës amtare dhe asaj joamatare. 
Në procesin e përdorimit të gjuhës amtare te folësi këto gjurmë aktualizohen. Ky aktualizim i gjurmëve zhvillohet plotësisht në mënyrë natyrore, pa mund dhe pa u vërejtur. Nëse dikush dëshiron që përskaj gjuhës së vet amtare të mësojë edhe gjuhë tjetër, në koren e trurit, gjegjësisht në të mbajturit mend, bëhet procesi i njëjtë, por këtu aktualizohen gjurmët e gjuhës së dytë.  
Kjo do të thotë se ai i cili dëshiron që, përskaj gjuhës së vet amtare, të zotërojë dhe të flasë gjuhë tjetër, gjegjësisht gjuhë të dytë, disponon me dy sisteme të gjurmëve: sistem të gjurmëve të gjuhës amtare dhe sistem të gjurmëve të gjuhës së dytë ose të tretë. Secili prej këtyre dy sistemeve aktualizohet pavarësisht.
Në aktualizimin e sistemit të gjurmëve të gjuhës së dytë, mes tjerash, ndikojnë edhe momentet e situatës: kontakti mes njerëzve, nevoja që të paraqitet ose të mësohet diçka etj. Momentet e situatës janë të njëjta pa dallim se a flasim në gjuhën amtare ose në gjuhë tjetër. Këtu aktualizohet sistemi i gjurmëve të gjuhës së dytë, gjegjësisht gjuhës së mjedisit ose gjuhës së huaj, që sjell deri në përzierjen e dy gjurmëve. Prandaj duhet të kërkohet që lidhja në mes dy sistemeve të mbahet sa më larg njëra-tjetrës, që të mos vijë kështu deri te përzierja e gjuhëve.
Problematizimi i kësaj çështje me imponimin pa dëshirë të gjuhës maqedonase, si dhe ngarkesa e madhe e nxënësve, mund të sjellë si pasojë që mos të zhvillohen të dyja gjuhët dhe kështu të mos ketë motivim në mësimin e gjuhëve, madje edhe të asaj amtare.

Aspekti linguistik

Nëse dëshirojnë të kemi sukses në përvetësimin e gjuhës maqedonase si gjuhë të dytë nga ana e pjesëtarëve të bashkësive tjera etnike, nuk është e mjaftueshme që nxënësit të njihen vetëm me sistemet e gjurmëve dhe ndikimin e tyre. Për t’u arritur sukses dhe rezultate të cilat i përmbushin nevojat nga aspekti komunikativ, së pari duhet të jepet përgjigje në pyetjen se çka duhet të ligjërohet dhe çka duhet të përmbajë mësimi i gjuhës maqedonase në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën e bashkësive etnike. 
Më parë përmendëm se mësimi i fjalëve nuk e bën mësimin e gjuhës. Linguistika bashkëkohore për këtë çështje thotë se: “... gjatë mësimit të gjuhës së huaj problemi kryesor nuk është aty që së pari të mësohen fjalët ose gramatika e gjuhës”. Mendimi i im plotësisht to të përputhet me linguistin e njohur nga Vojvodina, Ranko Bugarski, i cili thotë: “Ai i cili i di disa fjalë dhe disa rregulla gramatikore, kjo do të thotë se është si një njeri që di t’i rregulloje figurat e shahut në tabelën e shahut, por aspak nuk di të luajë”. Ose, siç potencon edhe shkencëtari francez Pol Gijom, i cili shprehet se “me njohjen e fjalëve dhe me njohjen e bazës së gramatikës nuk garantohet se dikush mund të komunikojë në gjuhë të dytë ose në gjuhë të huaj”. 
Nga kjo del se kërkesat e kompetentëve maqedonas për mësimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë dhe deklarimet e tyre se do të mësojnë fjalë dhe pak gramatikë didaktike, nënkuptojnë se kështu do të dimë për gjuhën, por jo edhe të kemi aftësi që ta përdorim atë. Gjuhësia bashkëkohore po ashtu thekson se për t’u mësuar gjuha e dytë ose e tretë, problemi kryesor nuk është në mësimin e fjalëve, sepse përvetësimi i fjalorit në masë të madhe nga aspekti metodik “e ndrydh” rendin e mësimit në klasat e mëvonshme.

Ku janë problemet

Nga krejt që u tha më sipër del se gjuha maqedonase nuk është as gjuhë amtare e as gjuhë e huaj – ajo është gjuhë e mjedisit shoqëror ashtu siç duhet të jetë edhe gjuha shqipe në Maqedoni. Pastaj, në bazë të deklaratave e konventave të OKB-së, nuk lejohet në asnjë mënyrë që nxënësit të diskriminohen. Ashtu siç e elaboruam, me mësimin e kësaj gjuhe që në klasën e parë nxënësit shqiptarë në Maqedoni ngarkohen me mësimin e katër kodeve gjuhësore: gjuhën lokale dhe gjuhën standarde shqipe, gjuhën e huaj dhe gjuhën e mjedisit shoqëror. Por, edhe sikur krejt kjo të kishte pasur mbështetje shkencore, që del sheshazi se nuk ka, për t’u mësuar maqedonishtja që në klasë të parë nuk ka tekste të diferencuara sipas mjedisit jetësor, nuk ka kuadër për mësimin e gjuhës, ngase dihet se për mësimin e gjuhës së mjedisit vlejnë rregulla të tjera didaktike që dallojnë nga ato për mësimin e gjuhës së huaj, e le që ky imponim ka krijuar averzion, ngase ka evokuar kujtime të hidhura të këtij nënqielli, që në këtë gjendje edhe sikur të jetë maqedonishtja gjuhë parajse, shqiptarët në këso rrethana asnjëherë nuk do të pranojnë ta mësojnë që në klasën e parë.
Prandaj ministri dhe shefi i tij nuk duhet të bëhen axhami dhe të marrin këso nisma joserioze për shkencën dhe të dëmshme për politikën, se ashtu vetëm e presin degën ku vetë rrinë ulur. 
Se nuk jemi në 1983, por jemi në vitin 2010.


(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: