Skënder Buçpapaj: U festua Dita e Martin Luther King
| E Merkure, 20.01.2010, 06:59 PM |

SHBA: Në gjithë vendin u festua Dita e Martin Luther King-ut
U festua Dita e Martin Luther King si dhe Fjalimi i tij i famshëm: I have a dream 

Nga Skënder Buçpapaj 
prien@sunrise.ch

Presidenti Barak Obama dhe familja e tij e kremtuan ditën e Martin Luter Kingut, udhëheqësit të vrarë të të drejtave të civile, duke shërbyer drekën për një organizatë ndihmash, e cila ndan ushqime për njerëzit në nevojë, bën të ditur Zëri i Amerikës.
Presidenti, gruaja e tij Mishel, dy vajzat dhe gjyshja e tyre u përshëndetën me stafin e organizatës si dhe me rreth 150 banorë që kishin ardhur për të ngrënë. 
Më pas në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama u takua me një grup të vogël afrikano-amerikanësh të moshuar dhe nipërit e mbesat e tyre për të folur mbi lëvizjen për të drejtat civile. 
Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe familja e tij, njofton Evropa e Lirë, i kanë shërbyer vakte të ngrohta të pastrehëve në Uashington. Presidenti, bashkëshortja e tij Mishelë, nëna e saj dhe dy vajzat i kanë shërbyer 150 personave në një kuzhinë popullore të kryeqytetit amerikan.

Aktiviteti u zhvillua në Ditën e Martin Luter King, udhëheqësit të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA.

Martin Luter Kingu ishte predikues në Montgomery të Alabamës. Ai luftoi kundër diskriminimit racial në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 dhe u shqua pasi udhëhoqi një protestë të suksesshme kundër ndarjes racore në sistemin e autobusëve të qytetit Montgomeri në shtetin Alabama.
 
Marthin Luther Kingu i Riu kujtohet si pioneri i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, si njeri i angazhuar për të drejta të barabarta. Po të ishte gjallë dhe po të mos ta kishin vrarë, Marthin Luther Kingu do të festonte 81 vjetorin  më 15 Janar të këtij viti. Në mbarë Shtetet e Bashkuara, shumë amerikanë marrin pjesë në shërbime publike dhe bëjnë punë vullnetare në komunitetet e tyre për të nderuar  udhëheqësin e të drejtave civile.
Marthin Luther King lindi më 15 janar, 1929 në Atlanta të shtetit Georgia. Biri i një prifti baptist, ai më pas mori emrin Martin, për nder të drejtuesit fetar që themeloi kishën luterane. Babai i Martinit, një prift i njohur, shprehej shpesh kundër politikave të ndarjes racore që zbatoheshin në Shtetet e Bashkuara gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të. Pikëpamjet e të atit patën një ndikim të thellë tek Martini i vogël, djali më i madh në familje.
Gjatë studimeve të doktoratës në teologji, në Universitetin e Bostonit, Dr. Kingu u njoh dhe më pas u martua me zonjushën Coretta Scott, me të cilën pati katër fëmijë.  Dr. Kingu, një njeri shumë fetar, ishte edhe një mbrojtës i flaktë i të drejtave civile.
Në dhjetor 1955, Roza Parks, një afrikano-amerikane në Montgomery të Alabamës u arrestua se nuk kishte pranuar t’i lironte vendin në autobus një të bardhi. Arrestimi i saj nxiti një reaksion zinxhir, që vuri në qendër të lëvizjes Dr. Marthin Luther Kingun.
 Ai kryesoi lëvizjen për të bojkotuar autobusët e qytetit, një demonstratë paqësore që zgjati 382 ditë. Megjithëse u bë subjekt i keqtrajtimeve të shumta, Dr. Kingu arriti të siguronte fitoren e lëvizjes, kur Gjykata e Lartë mori vendimin se ndarja racore në autobus ishte jokushtetuese.
 Nga viti 1957 deri në 1968, Dr. Kingu përshkoi afro 10 milionë kilometra gjatë udhëtimeve të tij për të folur kundër padrejtësisë sociale. Ai organizoi greva dhe forma të tjera protestash paqësore, bazuar në filozofinë e krishterë me të cilën ishte rritur si dhe taktikat e Mahatma Gandit, udhëheqësi indian që popullarizoi qëndresën paqësore.
Protestat masive në Birmingam të Alabamës në fillim të viteve ’60 tërhoqën vëmendjen e mbarë botës dhe frymëzuan Dr. Kingun të shkruante dokumentin “Letër nga burgu i Birmingamit” e cila mund të konsiderohet si manifesti i luftës së afrikano-amerikanëve për barazi.
 Në gusht të vitit 1963, kur po udhëhiqte një demonstratë paqësore në Uashington, ai mbajti fjalimin “Unë kam një ëndërr” në shkallët e Përmendores së Linkolnit.
"Unë kam një ëndërr, se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të përmbushë realisht kredon e tij. Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të mirëqëna, se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë".
 Fjalimi dhe demonstrata ishin ndër pikat kulmore të punës së Dr. Kingut për barazi racore. Po atë vit Dr. Kingu fitoi Çmimin Nobel të Paqes. Ai ishte 35-vjeç, laureati më i ri i këtij çmimi.  Në vitin 1965, në përpjekje për t’iu garantuar afrikano-amerikanëve të drejtën e votës në jug të vendit, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Ligjin e të Drejtës së Votës.
 Por Dr. Kingu e pagoi shtrenjtë për të gjitha fitoret, si politike edhe personale. Megjithëse ai organizoi protesta paqësore, ndërmjet forcave të rendit dhe protestuesve shpesh shpërthenin përleshje.  Më në fund edhe vetë Dr. Kingu ra pre e dhunës, kur po udhëhiqte një demonstratë në Memphis të shtetit Tennessee, ku u qëllua për vdekje në prill 1968.  Vrasja e tij u pasua nga demonstrata në mbarë Shtetet e Bashkuara, që shkaktuan plagosjen dhe arrestimin e mijërave vetëve. 60 deri në 70 mijë vetë morën pjesë në ceremonitë funebre në ditën e varrimit të Marthin Luther Kingut në Atlanta.
 Në vitin 1986, ditëlindja e Dr. Kingut u shpall ditë federale pushimi nga Presidenti George H.W.Bush, e cila festohet në të hënën e tretë të çdo janari, që do të thotë se këtë vit i bie të jetë 19 janari.  Gjatë jetës së tij Dr. Kingu ishte një figurë shumë e debatueshme. Disa i shihnin me dyshim dhe frikë pikëpamjet dhe angazhimin e tij për ndryshime, ndërsa të tjerët admironin pikëpamjet e tij paqësore.
 Sot, Dita e Martin Luther Kingut në Shtetet e Bashkuara shërben për të kujtuar padrejtësitë ndaj të cilave luftoi Dr. Kingu, si dhe për të kujtuar ëndrrën e tij që ka frymëzuar shumë të tjerë. Më poshtë po iu sjellim të plotë fjalimin e tij “Unë kam një ëndërr”, që tashmë ka hyrë jo vetëm si një kulminacion i oratorisë, por edhe si një vepër artistike, si një poemë e vërtetë.
 
Me rastin e 81 Vjetorit të Lindjes të Martin Luther King Jr. (1929-1968)
 
I have a dream - Unë kam një ëndërr

Mbajtur më 28 gusht, 1963

Nga Martin Luther King Jr.

“Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër negër, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit. 
Por një qind vite më vonë, negrit ende nuk janë të lirë. Një qind vite më vonë, jeta e një zezaku është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Një qind vite më vonë, negrit jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Një qind vite më vonë, negrit ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm. 
Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz të zinj dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit zezak një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”. 
Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë. 
Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë. 
Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore. 
Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar prova dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. 
Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. 
Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë. 
Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oas lirie dhe drejtësie.
Kam një ëndërr se katër fëmijët e mi një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga përmbajtja e karakterit. Sot kam një ëndërr!
Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr!
Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.
Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pelegrinëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.

Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit.

Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut.

Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë.

Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados.

Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë.

Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë.

Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.

Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë!
Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të negërve “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”.


www.voal-online.ch - Për ZSH: Kadri Mani

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: