Sabile Keçmezi- Basha: Anëtarët e lëvizjes atdhetare në shënjestër të UDB-së gjatë viteve 1945-1952
| E Marte, 19.01.2010, 09:59 PM |

ANËTARËT E LËVIZJES ATDHETARE  NË SHËNJESTËR TË UDB-SË GJATË VITEVE 1945-1952

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha

sabile_basha@hotmail.com

            Pas Marrëveshjes së Mukjes (1943), kundër Ballit Kombëtar si forcë politike kombëtare zhvillohet një fushatë komprometuese, duke e akuzuar drejtpërdrejt si bashkëpunëtore të fashizmit dhe pas kësaj do të lindë nevoja që krerët e saj të mblidhen dhe me ndihmën e misionarëve diplomatikë të shërbimeve informative angleze, në nëntor të vitit 1943, në Gjakovë të iniciohet formimi i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare[1]. Kjo lëvizje, sikurse edhe Balli Kombëtar, veprimtarinë e vet e ndërlidhte me persona që ishin të orientuar nga ideologjia perëndimore, si ajo e Anglisë, SHBA-ve, Francës, Turqisë etj. Dhe gjatë tërë kohës që vepruan në ilegalitet patën përkrahjen e tyre morale.

            Gjendja e rëndë që u krijua në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pas tradhtisë dhe gjenocidit të paparë që bënë dhe po bënin ndaj popullit shqiptar forcat e instaluara të sistemit të ri jugosllav,  bëri që të marrë hov rezistenca e popullit shqiptar kundër shtypjes dhe okupuesit të ri.

Arrestimet e anëtarëve të LNDSH-së

Organizata Nacional Demokratike Shqiptare edhe pasi përfundoi lufta do ta vazhdojë aktivitetin e vet. Në fillim të vitit 1945 formohet ilegalisht ONDSH-ja. Kjo organizatë hap një kaptinë të re në lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Mirëpo, pas vitit 1945 rrethanat dhe kushtet kishin ndryshuar, andaj imponohej një strategji e re veprimi. Themelues të kësaj organizate ilegale ishin prof. Ymer Berisha, ideolog i Lëvizjes për ruajtjen e tërësisë etnike shqiptare dhe iniciues për formimin e organizatave ilegale në Kosovë e Maqedoni, pastaj profesorët e gjimnazit “Sami Frashëri“ në Prishtinë Luan Gashi, Hajdar Maloku-Pllaneja, Gjon Serreqi, agronomi Adem Gllavica, gjykatësi Limon Staneci, që të dy kryeshefa të rretheve, njëri për Ferizaj e tjetri për Gjilan, gjykatësi Ibrahim Lutfiu, Ukë Sadiku, kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, me profesion mësues, Ajet Gërguri 26, teknik i bujqësisë dhe shumë të tjerë.

            ONDSH-ja ishte një organizatë me program të qartë dhe me aspirata po ashtu të qarta politike kombëtare që bazoheshin në traditën e besëlidhjeve të moçme shqiptare.27 Pas një aktiviteti të dendur të atdhetarëve, më vonë, në janar të vitit 1945 arrihet që në Prizren të formohet Komiteti Qendror i NDSH-së me të cilin fillon organizimi i ri politik e ushtarak i shqiptarëve.

            Veprimtaria dhe jeta e Komitetit Qendror të ONDSH-së në Prizren ishte e shkurtër. Nga regjimi i atëhershëm zbulohen dhe në qershor të vitit 1945 arrestohen anëtarët e Komitetit  Halim Spahia, Kajtaz Ramadani, Ahmet Dërguti, Kadri Minushi, Ibrahim Fehmiu, Sheh Muhedini, Vahid Berisha, Xhemil Fluki, Rifat Krasniqi, Kadri Topalli, Zeki Ahmeti, Qamil Jemini, Ismail Gashi, Mulla Maliq Dauti, Tahir Deda, Rexhep Kabashi.28 Me atë rast u burgosën të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror dhe anëtarë të tjerë të NDSH-së, gjithsej 27. Më 30 shtator 1945 regjimi i nxori para gjyqit dhe u shqiptoi dënime drastike burgimi. Halim Spahia, Kajtaz Ramadani, Tahir Deda, Rexhep Kabashi, Rifat Krasniqi dhe Sabedin Ahmeti u dënuan me pushkatim,29 Ndërsa të tjerët nga 1-20 vjet burgim.      

            Më 1946 po ashtu  u organizuan  arrestime  kundër grupeve e anëtarëve të NDSH-së. Shumë veta u dënuan me pushkatim, si Marie Shllaku, Atë Bernard Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini.30 Më 1947 u dënuan me pushkatim  Hamit Sh. Emini, Isuf B. Rexhepi, Rrahman M. Hoxha, Rrahman U. Neziri,31 Azem Idriz Morana, Hysen Muharrem Rudi dhe Mehmet Nezir Bushi.32 Në procesin e Gjilanit me 1-6 shkurt 1947 u dënuan me pushkatim: Hamdi Berisha dhe Rexhep Bunjaku.33 Më 30 prill 1947 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u dënua grupi i Gjon Serreqit,34 në të cilin me pushkatim u dënuan Ukë Sadiku, Ajet Gërguri, Gjon Serreqi, Hilmi Zariqi, Osman Bunjaku35 e shumë të tjerë. Po ashtu në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 1 janar 1947 u dënua grupi prej 12 vetave. Abdyrrahman Gërguri e Jusuf Visoka u dënuan me pushkatim,36 ndërsa të tjerët prej 6 – 20 vjet burgim të rëndë.

 Shqiptarët dhe Byroja informative

Të burgosurit politikë të dënuar me vite burgimi 1945-1990
Të burgosurit politikë të dënuar me vite burgimi 1945-1990
Menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, në vitin 1948, fillon realizimi i elaboratit të Çubriloviqit dhe i elaborateve të tjera serbe që ishin punuar me një përkushtim të madh gjatë historisë. Në emër të politikës së gabuar të IB-së, në burg ranë intelektualët më të mirë të popullit shqiptar, duke u akuzuar se po mbanin anën e politikës së shtetit shqiptar dhe të politikës ruse. Kjo nuk ishte asgjë tjetër pos një shkas që sa më shumë shqiptarë intelektualë të futeshin në burgjet jugosllave dhe të akuzoheshin si elementë armiqësorë. Për shkak të rezolutës së IB-së, në Kosovë u dënuan 436 shqiptarë, shumica intelektualë dhe të rinj.37 Karakteristikë e kësaj periudhe ishin vrasjet dhe likuidimet në fshehtësi jashtë vendbanimeve. Deklaratat e personave të cilët iknin nga Kosova për në Shqipëri dëshmojnë për ngjarje të tmerrshme që ndodhnin në fshatrat e Kosovës. Në mars të vitit 1949 pjesëtarët e UDB-së në Gjakovë arrestuan Cenë Shyqyrin. Për t’ia humbur çdo gjurmë atë e dërguan në Beograd. Një dëshmitar rrëfen se në qershor të vitit 1950 në fshatin Gradec oficerët e UDB-së arrestuan vëllezërit Halil e Adem Sylejmani, të cilët u zhdukën në mënyrë misterioze dhe për fatin e tyre kurrë nuk u mësua gjë. Po kështu ndodhi edhe me Nexhat Agollin, N/ kryeministër i Maqedonisë, i cili u zhduk pa asnjë gjurmë.38 Këto që u thanë më lart nuk janë raste të vetme të zhdukjeve të shqiptarëve. Dëshmitaret e shumtë rrëfejnë për qindra raste të tilla.

                          Marrëdhëniet jugosllave-sovjetike filluan të keqësohen nga fundi i vitit 1947, kur mendohej se midis këtyre dy vendeve marrëdhëniet e mira kishin arritur kulmin. Jugosllavia ishte anëtare e Byrosë Informative të themeluar me iniciativën e Stalinit. Pas vitit 1948 aneksimi i paramenduar jugosllav i Shqipërisë ishte bërë i pamundur.

             Deri më 1948 lidhjet ideologjike ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë e kishin lënë çështjen e Kosovës jashtë rendit të ditës. Mirëpo, pas prishjes së marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, me përkrahjen e Stalinit shtypi shqiptar do t’i kushtojë një vëmendje më të shtuar persekutimit dhe padrejtësive të shumta që u bëheshin shqiptarëve në Jugosllavinë titiste.39 Në këtë kthesë të madhe politike në Jugosllavi shqiptarët menduan se ishte momenti i përshtatshëm që edhe një herë të ngrinin zërin për padrejtësitë që iu bënë më 1945 (në Kuvendin e Prizrenit). Filluan dhe shtuan intensitetin e formimit të grupeve e organizatave ilegale në Kosovë që kishin për qëllim demaskimin e politikës okupuese jugosllave dhe shkëputjen e trojeve shqiptare për t’iu bashkuar Shqipërisë. Grupet dhe organizatat që u formuan gjatë asaj periudhe mbi të gjitha kishin karakter  kombëtar, por për qëllime të tjera ishin pro-komuniste. Dhe, mu për këtë arsye gjatë proceseve gjyqësore të organizuara pas zbulimit të tyre u quajtën “grupe informbyroistë”. Disa nga grupet e tilla të organizuara pas vitit 1948 u zbuluan. Sipas shënimeve statistikore të ish- gjykatave të qarqeve,  në vitin 1948 në bazë të Ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit do të dënohen 305 persona (për krime lufte 55, për tradhti, terrorizëm, diversione e arratisje 42, për strehim 153, për spiunazh 6 dhe për propagandë armiqësore 49 veta).40 Është i njohur grupi ilegal atdhetar si Grupi i Enver Dugagjinit.41

            Po, në vitin 1949 (vetëm për 10 muaj) ekzistojnë të dhënat se sipas të njëjtit ligj për vepra penale kundër popullit dhe shtetit kanë qenë të akuzuar 90 persona Për krime lufte janë dënuar 12, për tradhti, terrorizëm , diversion e arratisje 32, për strehime 13, për spiunazh 2, për spiunazh e agjitacion 27 dhe për sabotim 4 veta.42

            Pa ngurrim mund të thuhet se në të gjitha periudhat kohore historike ky popull ka ditur të luftojë për kauzën e shenjtë, për lirinë e vendit. Njëri ndër atdhetarët e dalluar të asaj kohe, i cili tërë jetën ia kushtoi luftës për bashkimin e trojeve shqiptare dhe pavarësinë e tyre ishte edhe Rifat Berisha,43 i cili asnjëherë nuk u pajtua me faktin se Kosova ishte e okupuar dhe kishte mbetur e aneksuar nga Serbia e Jugosllavia. Për ketë arsye viti 1949 ishte viti i konflikteve të drejtpërdrejta dhe i rezistencës aktive .

             Viti 1949 po shënonte edhe fillimin e luftës guerile dhe të organizuar në Kosovë. Ndaj saj Beogradi ndërmori masat më ekstreme, drakoniane. Bilanci i tyre vetëm në Gajrak shënonte 4 veta, të plagosur në rrethim e jashtë tij 3 të tjerë, të arratisur në mal pesë burra, të arrestuar e nëpër duar të policisë e procese hetimore e gjyqësore kaluan 280 veta, ndër të cilët ishte edhe plaku 82-vjeçar Tahir Berisha.44 Në këtë përleshje heroike ranë  trimat Rifat Berisha, Mustafë Berisha, Islam Berisha dhe Brahim Berisha (vëllezër të Rifat Berishës).

            Në procesin gjyqësor të mbajtur më 1949 me vdekje-pushkatim u dënuan pesë veta: Ibrahim Gashi i Llapushnikut, Dervish Berisha e Muharrem Lusha të Kamaranit, Ukë Blakaj e Reshit Plakiqi të Nekocit.45 Nga proceset gjyqësore dhe burgjet nuk u kursyen as gratë. Ato u dënuan me vite të shumta burgimi që i mbajtën me krenari e dinjitet në shumë burgje të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Ndër to ishin: Hasime ( Gega ) Berisha, nëna e Rifatit, Mirije Berisha ( gruaja e Rifatit ), Hidë (Hazir) Berisha, Elfije (Hoti) Berisha, Tahire (Zogaj) Berisha, Zade (Çollaku) Berisha46 e shumë gra e bija të Berishajve që qëndruan stoikisht para torturave e barbarive serbe. Me kaq nuk merrte fund ky kalvar i familjes Berisha.

            Në emër të bojkotimit (leçitjes) tërë familjes iu mor e drejta e votës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, iu mohuan të drejtat e kontaktimeve  (përshëndetjeve) me njerëzit e tjerë që nuk ishin anëtarë të familjes Berisha  (kjo metodë e torturës është aplikuar me të madhe ndaj shumë familjeve shqiptare deri në fund të vitit 1989). Si rrjedhojë e krejt kësaj del se popullata nuk kishte guxim t’ua blinte drithin, të shiste ose të blinte nga ta, bile nuk guxonte t’u bënte shërbime të tjera siç ishin ato të farkëtarisaë dhe të nallbanëve.47

            Si masë tjetër ndëshkuese ndaj familjes Berisha u përdor edhe ndalimi i shkollimit të fëmijëve që nga klasa e parë e shkollës fillore. Kështu, ky pushtet shkoi aq larg sa që aktivizoi tërë aparatin shtetëror: gjyqësor, pronësoro-juridik, administrativ etj. për të sjellë aktgjykime, vendime dhe akte të tjera gjyqësore e administrative mbi sekuestrimin e pasurisë.

            Pushteti i atëhershëm shpiku “vishakun“ (tepricat) vetëm për ta lodhur këtë popull edhe ashtu shumë të rraskapitur. Gjatë shkrimit të kësaj monografie kam pasur shumë dilema ngase një numër i madh shqiptarësh u burgosën sepse nuk kishin çfarë të dorëzonin dhe gjyqet e përgatitura që sa më shumë shqiptarë të hidhnin në burg shpikën nën-kolonën në kuadrin e kolonës “kundër popullit e shtetit” si sabotues të shtetit dhe u shqiptonin atyre dënime marramendëse me burgim. Kisha dilemë si t’i quaja këta persona, por erdha në përfundim se e tërë kjo kishte prapavijë politike, prandaj ata ishin të burgosur politikë. Megjithatë, në regjistrat e gjykatave të qarqeve bëhen shantazhe të ndryshme ndaj këtyre të burgosurve dhe mundohen t’i ikin këtij termi. Familja Berisha e pësoi edhe nga ky aksion i organizuar, përveç  “tepricave” që i morën, pushteti i plaçkiti asaj edhe pasuri të paluajtshme. Kjo plaçkitje fillon që nga viti 1949 dhe vazhdon në mënyrë sistematike deri në vitet e 60-ta. Gjatë kësaj periudhe kohore plaçkitën dhe shpronësuan afro 150 krerë dhi, 120 krerë dele, 15 krerë lopë, 3 pela hergjele, 1 at shale e shumë e shumë gjëra jetike të familjes. Njëherësh ia prenë zabelin rrafsh me tokë48 dhe ua konfiskojnë shumë pasuri të tjera.  

            Kundër grupeve informbyroiste gjyqet e qarqeve të Kosovës gjatë vitit 1950 me ligjin për vepra penale kundër shtetit e popullit do të dënonin gjithsej 46 grupe me 92 persona. Nga ky numër 59 veta ishin bujq-fshatarë, 15 punëtorë dhe 18 nëpunës. Dymbëdhjetë (12) lëndë me 17 persona u dënuan për krime lufte, 8 lëndë me 23 persona për tradhti, terrorizëm, diversion e arratisje, 12 lëndë me 22 persona u dënuan për strehim dhe 1 me 16 persona për spiunazh.

Për propagandë e sabotazh politik ishin 13 lëndë me 16 persona. Në bazë të ligjit jugosllav në fuqi u dënuan: me burgim e punë të detyrueshme deri në 1 vit- 12 persona, prej 1- 3 vjet- 25, 3- 5 vjet – 20, prej 5- 10 vjet - 10, nga 10- 15 vjet- 3, nga 15- 20 vjet– 7, me burgim të përjetshëm  e vdekje – 4 dhe nga aktakuza u liruan  3 persona.49

            Gjatë vitit 1952 kishte një numër të konsideruar të gjykimeve të lëndëve me karakter politik. Është me interes të theksohet se ndër to ishte edhe gjykimi i grupit prej 22 vetave të akuzuar nga Rrethi i Drenicës, të cilët së bashku me të arratisurin Dervish Kopriva akuzoheshin për formimin e organizatës ilegale “Nacional Demokratike Shqiptare“.50 Sipas të dhënave që kemi, thuhej se gjykimi i këtij grupi nuk u mbajt në ndonjë sallë gjyqi, por gjykatësit kishin shkuar në qytezën nga vinin ata (të burgosurit), në Skenderaj dhe procesi gjyqësor kishte zgjatur 7 ditë me radhë. Atë që panë qytetaret e Skënderajt ishte e tmerrshme. Para trupit gjykues dolën 22 persona që ishin bërë asht e lëkurë. Nga ky grup tetë (8) veta u dënuan pse ishin anëtarë të organizatës ilegale, ndërsa 14 pse kishin strehuar të afërmit e tyre dhe Dervish Koprivën, Hazir Zhilivodën, Sherif Tërstenën, Isa Zyberin dhe një oficer të Shërbimit Informativ Shqiptar. Ata u akuzuan nga gjykata se kjo organizatë ka pasur për qëllim e për detyrë që në një moment të caktuar, në rast sulmi nga jashtë mbi Jugosllavinë, grupi do të duhej të organizonte kryengritje kundër pushtetit jugosllav.51 Personat e angazhuar për këtë qëllim ishin pajisur me armë. Pas mbarimit të procesit gjyqësor u shqiptuan dënime me shumë vite burgimi të rëndë, nga 1 deri në 15 vjet. Në një dokument thuhej se “gjykimi në vendin e ngjarjes ka pasur edhe rëndësinë e vet politike, se në procesin gjyqësor merrnin pjesë për çdo ditë 500 deri 600 qytetarë nga rrethi i Drenicës. Mirëpo, askund nuk thuhej se qytetaret dërgoheshin me dhunë në sallat e gjyqeve. Kështu rrëfejnë dëshmitarët. Ata mendonin se në këtë mënyrë do të fusnin frikën tek qytetarët dhe nuk do të merrnin guximin të formonin organizata të ngjashme kundër pushtetit të instaluar me dhunë.

 


1. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945- 1947, Shkodër 1999, 18

1.        Branisllav Bozhoviq, Millorad Vaviq, Surova vremena na Kosovi i Metohiju, Beograd, 1991,533

2.        Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941- 1945, Prishtinë, 1997, 307-310

3.       Procesi gjyqësor i grupit të Halim Spahisë, 30 shtator 1945, K. nr. 99/45

5.        Procesi gjyqësor i Marie Shllakut, 28 qershor- 13 korrik 1946, (me këtë grup u dënuan 27 veta. Nga këta katër  me pushkatim , ndërsa të tjerët nga 1-12 vjet burgim, pesë u liruan ).

6.        Procesi gjyqësor i Hamit Sh. Eminit, 12 janar 1947 u mbajt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Katër veta u dënuan me pushkatim, ndërsa të tjerët nga 2-20 vjet burgim.

7.       Procesi gjyqësor i grupit të Shkupit (Azem Idriz Moranës me 18 veta ), 27 janar-7 shkurt 1947.

10.    Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut- Prishtinë. 

12.     Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Zhvillimi historik i PKJ- LKJ-së në Kosovë ( 1945- 1966 ), Prishtinë, 1987, 233-245, AHKK, d. 2672.

13.     Masakrat e klikës Tito në Kosovë, Metohi dhe Dibër të Madhe, Tiranë , 1952, 22.

14.     Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Informbyroja në Kosovë, Rilindja, 1987, ( fejton , 20 –28 prill 1987 )

16.    Procesi i Enver Dugagjinit, P. nr. 48/ 54, Gjykata e qarkut- Pejë

            17.     Këshilli Popullor Krahinor... vepër e cituar, 565

18.     Shaban Braha, Rifat L. Berisha , Figurë e shquar kombëtare, Tiranë, 1998, 289

19.     Shoqata e të Burgosurve Politikë,  Deklaratat e familjarëve të burgosur e të përndjekur të Rifat Berishës, Prishtinë, 2005.

22.     Deklaratë e marrë nga Gazmend Berisha,  mars 2005, familjar i Rifat Berishës.

25.    Aktgjykimi i Hasan Bajraktarit, P. nr. 20/ 52, Këshilli Popullor Krahinor... vepër e cituar.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: