Rudi Vata, historia e kapitenit më jetëgjatë të kombëtares së Shqipërisë
| E Marte, 29.12.2009, 06:12 PM |

Kishim disa kohë pa u takuar me Rudi Vaten, ish-kapitenin e kombëtares sonë, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar ndër vite. Nga ajo mbrëmje e 2 qershorit 2001, kur skuadra jonë linte stadiumin “Theodhoros Vardhilojanis” të Kretës, e pabindur se u mund me meritë, më ka mbetur në kujtesë Rudi Vata. Kapiteni ynë ishte bërë epiqendra e gazetarëve të huaj që ndoqën atë mbrëmje ndeshjen Greqi-Shqipëri. Rudi, me një anglishte perfekte, por edhe në gjuhë të ndryshme, sipas gazetarëve që i bënin pyetje, fliste pa ndrojtje për kushte aspak serioze ku u zhvillua ndeshja. Ai dënëncoi dhunën ndaj tifozëve shqiptarë dhe se ekipit të tij iu mohua haptas një penallti që mund ta çonte Shqipërinë drejtë një barazimi të merituar.

Më pas, me të mbërritur në Tiranë, ish-kapiteni kuqezi pranoi me shumë kënaqësi edhe ftesën e redaksisë së “Sportit shqiptar”. Sidoqoftë, pjesën më të madhe të bisedës me Rudi Vatën unë e zhvillova pikërisht në aeroportin madhështor të kryeqytetit grek, e cila natyrisht u plotësua edhe nga vizita e tij në redaksinë e gazetës më të madhe e më të vjetër sportive në Shqipëri, të cilën thotë se e lexon çdo mëngjes në internet, ku njihet me gjithçka ndodh në sportin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti me futbollin dhe kombëtaren. Ai tregon për herë të parë se si është larguar nga kombëtarja, si e kanë pritur tek Sëlltiku dhe si ka shkuar në Japoni. Rudi Vata flet edhe për jetën e tij private.

 

Shumë njerëz pyesin: Ku është tani Rudi Vata?

 

Unë banoj në Skoci, në qytetin Hamilton, i cili është reth 15 kilometra larg Gllazgout. Këtu jam përqendruar që nga viti 1992, vit kur firmosa një kontratë me skuadrën e njohur skoceze, Sëlltik i Gllazgout.

 

Vazhdimisht keni jetuar këtu?

 

Jo. Në Hamilton kam jetuar deri në vitin 1996.

 

Po pastaj?

 

Jam larguar përkohësisht, sepse kam jetur në vende të ndryshme, me skuadrat ku edhe kam luajtur.

 

Sa kohë keni qëndruar larg Skocisë?

 

Më shumë se 8 vjet dhe jam rikthyer këtu në janar të vitit 2004, pasi përfundova edhe kontraten time në Japoni.

 

A mund të bëni një retrospektivë të karrierës suaj sportive, duke kujtuar vendet ku keni qenë dhe skuadrat me të cilat keni luajtur?

 

Futbolli im ka filluar në Shkodër, në klasat sportive të shkollës “Xheladin Fishta”, me trajnerët e apasionuar të asaj kohe Selami Dani dhe Agim Medja. Këto, për mendimin tim, kanë qenë momentet më decizive, që më kanë shtyrë për t’u bërë një futbollist i mirë. Kam kaluar 4 vite këtu dhe pastaj kam vazhduar studimet në shkollën e Mjeshtrisë Sportive “Loro Boriçi” në Tiranë, ku kam punuar për 4 vjet me një trajner tjetër të pasionuar, të cilin mund ta quaj  edhe një prind të dytë, mikun tim Aurrel Verria. Ai ka punuar shumë me mua, në shumë drejtime edhe si njeri edhe si sportist dhe ia dedikoj atij shumë aspekte të mira të karrierës sime sportive. Në vitin 1987 kam mbaruar shkollën e mjeshtrisë sportive “Loro Boriçi”, prej së cilës jam shkëputur për pak kohë dhe jam aktivizuar me Vllazninë e Shkodrës, trajner i së cilës ishte profesor Astrit Hafizi. Pas fazës përgatitore në Razëm kam luajtur për herë të parë në kategorinë e parë, duke veshur për herë të parë fanelën e saj në një ndeshje me Lokomotivën e Durrësit. Kemi fituar 31. Ka qenë një stadium i mbushur plot e përplot. Ka qenë një Vllazni e shkëlqyeshme, një Vllazni me plot yje, me lojtarë shumë të talentuar. Për mua këto janë ngjarje të pashlyera, sepse ishin hapat e parë të rrugës sime si futbollist profesionist. Meqenëse unë doja të vazhdoja Institutin e Lartë të Fizkulturës dhe Shkodra nuk e kishte këtë mundësi, në tetor të atij viti u largova në Tiranë dhe u aktivizova me Dinamon. Me këtë skuadër kam luajtur për 4 vite, deri në vitin 1991.

 

Gjatë këtyre viteve që keni luajtur me Dinamon, cilat kanë qenë trofetë që keni fituar?

 

Tek Dinamo kam fituar kupën e Republikës, superkupën e parë të Shqipërisë në një ndeshje me 17 Nëntorin dhe kampionatin shqiptar. Dinamo ishte një klub me vlera, një klub me potencë, i organizuar mirë. Ishte klubi më i mirë i vendit ndoshta edhe pse ai administrohet nga Ministria e Brendshme. Kishte një godinë të bukur, fusha dhe ambjente të shkëlqyera, kishte salla të përgatitjes fizike dhe bëhej një punë shumë serioze nga shefi i klubit të asaj kohe Sokol Morina dhe trajneri Bejkush Birçe. Me punë dhe seriozitet u arritën edhe rezultatet. Ishte një eksperiencë për mua. Unë vazhdoja shkollën dhe luaja me Dinamon, ku luanin futbollistë të shquar, të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria.

Nga Dinamo keni kaluar te kombëtarja. A ju kujtohet ndeshja e parë me fanelën kuqezi?

Ardhja ime tek ekipi kombëtar ka qenë krejt i natyrshëm, saqë mendoj se nuk i ka ndodhur asnjë futbollisti tjetër. Unë kam ardhur tek kombëtarja pasi kam lujatur me radhë me të gjitha kombëtaret e moshave. Ka qenë viti 1990, kur kam luajtur ndeshjen e parë me kombëtaren në Islandë. Më duket se ka qenë 30 maj. Ishte një aventurë interesante shqiptare, që nuk përfundoi edhe aq mirë. Ne ishim pjesë e atij sistemi dhe e asaj kohe që ka kaluar. Tani shumë gjëra kanë ndryshuar dhe kombëtarja shqiptare ka kushte ideale, saqë nuk mund të krahasohen edhe me ato të pak viteve më parë.

 

Pas ndeshjes së parë, që ju përmendët, keni zhvilluar edhe 58 ndeshje të tjera me kombëtaren. Cilën do të veçonit prej tyre?

 

Mendoj se çdo ndeshje ka qenë interesante dhe emocionuese. Kombëtaren e kemi dashtë shumë. Kombëtarja për mua, por edhe për të tjerët, ka qenë vërtet një gjë e madhe, një gjë e shtrenjtë. Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist. Kush nuk don që të luaj me atë skuadër, që përfaqëson kombin e vet? Në ato vite të para të demokracisë, pra të ndërrimit të sistemeve, nuk kishte stimuj. Ne luanim për nder, luanim për nderin e Kombëtares. Ne bënim edhe një farë sakrifice.

 

Përse e thoni këtë?

 

Ishte koha kur shumë futbollistë ishin larguar nga Shqipëria dhe tek klubet ku luanin kishin kushte ideale. Shumë njerëz, kur vinim në aeroport na thonin: Përse vini, çfarë ju duhet kombëtarja, jeni shumë mirë andej, njerëzit po ikin, njerëzit po largohen nga Shqipëria, ju vini?. Por ne vinim, vinim për t’i shërbyer vendit, vinim për t’i shërbyer kombëtares. Vinim për t’i treguar botës se Shqipëria, edhe në kësi kushtesh të vështira, mund të bëjë gjëra të mira dhe një nga këto ishte futbolli.

 

Cfarë vështirësish kishte në ato vite?

 

Dua të ju them se vështirësitë jo vetëm që ishin të shumta, por edhe të mëdha. Për të mos u zgjatur shumë në këtë problem, dua t’ju tregoj këtë shembull. Mbaj mend në një ndeshje që kemi luajtur në Danimarkë, fanelat na kanë ardhur 2 orë përpara ndeshjes. Ishin disa fanela të firmës Humel dhe mbaj mend se ishin fanela ngjyrë blu. Më duket kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që kombëtarja jonë ka lujtur me fanela blu. Siç thashë, këto i veshëm nga halli, sepse nuk kishim fanela fare, nuk kishim as mbathje e as geta. Ato u porositën urgjent nga ajo firmë, që sponsorizonte kombëtaren e Danimarkës. U vumë një vulë fallco fanelave blu e bardh, që të mos dukej. Federata jonë e futbollit nuk kishte fonde, nuk kishte asgjë. Megjithatë, ne futbollistët kishim dëshirën për t’i shërbyer sa më shumë asaj.

 

Ju pyeta për ndeshjen më të bukur. Cila ka qenë ajo për një futbollist, që ka zhvilluar 59 të tilla me fanelën kuqezi?

 

Mendoj se kanë qenë ndeshjet që kemi zhvilluar kundra Gjermanisë, ajo e Hanoverit, ku trajner ishte zotni Astrit Hafizi (43) dhe ajo e Leverkursenit, ku trajner ishte zotni Medin Zhega (21). Këto kanë qenë për mua ndeshjet më interesante e më të bukura. Ishte një kënaqësi kur kishe përballë yjet e Gjermanisë së dikurshme si Hasler, Klinsman, Litbarski etj. Ishte kënaqësi të rrije përballë tyre dhe jo më të luftoje për t’i mundur në një luftë thuajse të barabartë me ta. Në këto ndeshje mendoj se tifozët e shumtë shqiptarë që na kanë ndjekur në Gjermani i kemi bërë të ndjehen vërtetë krenarë.

 

Keni luajtur një kohë të gjatë dhe ndaj futbollistëve më me emër të kohës. Ai keni ruajtur edhe tani lidhjet me to?

 

Sigurisht që po. Në Gllazgou më njohin të gjithë, sepse isha shqiptari i parë që luajta dhe fitova zemrën e zjarrtë të tifozerisë vendase. Madje këto ditë u zhvillua një ndeshje miqësore midis yjeve të Sëlltikut dhe të Gllazgou Rejnxhers. Në këtë takim më ftuan edhe mua. U takuam si shokë, si miq bëmë fotografi dhe shkëmbyem autografe e numra të telefonit. Jeta të ndan, por futbolli të bashkon.

 

Pa u shkëputur tek kjo lidhje që të jep futbolli, a mund të flasësh diçka ndoshta për të pafolurën aq shumë. E kam fjalën se si një ish-futbollist i njohur gjerman siç ishte Litbarski, ju telefonoj nga Japonia e largët në Tiranë, për të luajtur me ekipin që ai drejtonte, Jakohama?

 

Emrin e mirë njeriu e bën me punë. Po qe punëtor i mirë, gjithshkush ta ka nevojen. Me Litbarskin nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të veçantë. Jemi njohur si futbollistë. Por, një ditë ai u kujtua nga Japonia e largët dhe më telefonoi në Tiranë, kur luaja me Tiranën dhe më ftoi te skuadra e tij. Sigurisht, ai nuk kishte informacionin e duhur nga kampionati shqiptar, por ai më njihte në ndeshjet që kishim zhvilluar ndaj Gjermanisë, më njihte nga serioziteti, që kisha luajtur në kampionatin gjerman. Ai besoi tek unë dhe një ditë më telefonoi në Tiranë, duke më thënë se kishte nevojë për Rudi Vaten. Të them të drejtën e ndjeva veten shumë mirë. Vlerësimi gjithmonë të bën krenar, por kur ky vlerësim të bëhet nga një ish futbollist i madh gjerman, që si rrallëkush ka luajtur 3 herë në finalet e kupave të botës, atëherë merr vlera të tjera edhe më të mëdha.

 

Duke mos u shkëptur nga kjo temë, dua të ju pyes si e ka ndjerë veten Rudi Vata në një vend të largët si Japonia, ku deri tani të paktën nuk ka shkelur asnjë këmbë futbollisti tjetër nga Shqipëria?

 

Unë shkova në Japoni pas Kampionatit të fundit Botëror të Futbollit. Atje pashë njerëz që e donin shumë futbollin, paçka se sporti numër 1 atje ishte bejzbolli. Në këtë ambjent pra, ku ende nuk ishte hequr imazhi i shkëlqyer i ndeshjeve të botërorit, mua më duhej të punoja shumë dhe të luaja mirë, që të fitoja respektin e tifozëve, të skuadrës sime, respektinë e të gjithë atyre që e ndiqnin me një interesim të veçantë futbollin.

 

Besoni se ia keni arritur këtij qëllimi?

 

Mendoj se ia kam arritë qëllimit. Nuk është gjë e vogël për një shqiptar, për një sportist që vinte nga Shqipëria, të bënte të ngrihej flamuri shqiptar pikërisht në atë stadium madhështor, ku u zhvillua finalja e kampionit botëror. Kujtoj se krahas flamurit tonë kombëtar, disa tifozë japonezë kishin shkruar në gjuhën shqipe: Rudi Vata?zemër shqiptari, Rudi Vata zemërluani. Këto janë vlerësime që përjetohen rrallë dhe janë shpërblim i asaj pune të mirë që kam bërë edhe kur kam luajtur në këtë vend të largët.

 

Jakohama ishte stacioni i fundit i Rudi Vatës?

 

Pas Jakohamës u ktheva Skoci, ku u aktivizova me skuadrën e St Xhonson, që luante në kategorinë e dytë të divizionit të parë. Kur erdha në Skoci, kisha mundësi të rikthehesha edhe në Qipro për të luajtur në kategori të parë, në Gjermani në kategori të dytë, megjithatë, duke parë edhe të ardhmen e familjes sime, mendova të stabilizohesha në Skoci. E bëra këtë sepse një ditë do të ndahesha nga futbolli. Mund të luaja ende me St Xhonson, por u largova përfundimisht, thjesht për arsye personale.

 

Rudi, më duket se latë përgjysëm përgjigjen e pyetjes, që ju bëra më parë për skuadrat me të cilat keni luajtur. A mund ta vazhdojmë?

 

Në vitin 1987 ka filluar dhe kam luajtur me Vllazninë e Shkodrës. Që nga ky vit e deri në vitin 1991 kam luajtur me Dinamon e Tiranës. Në vitin 1991 jam larguar nga Shqipëria. Pas ndeshjes me përfaqësuesen franceze në “Park De Princ”, kam qëndruar në Francë, ku ka kam kërkuar azil politik, i cili nuk më është dhënë për arsye politike. Duke mos pasur dokumentacionin e duhur, jam aktivizuar me skuadrën franceze Lëmons, që ishte në kategorinë e dytë, me shpresë se nga federata jonë do të mi sillnin letrat që më duheshin. Federata jonë nuk pranonte të më lëshonte lejen e kalimit. Problemet e mia ishin të shumta. Nga 1991 deri më 1992 jam aktivizuar në Francë. Në vitin 1992, pas ndryshimit të sistemit u riktheva në ekipin kombëtar. Zoti Bejkush Birçe më bëri një ftesë, së cilës unë iu përgjigja pozitivisht. Ndeshjen e parë e luajtëm ndaj Spanjës. Mbaj mend se kam luajtur një për një kundër Butraguenjos, që ishte një nga lojtarët më të njohur në botë. Ne humbëm 30, megjithatë Butraguenjo nuk shënoi. Për mua ishte një gjë mjaft pozitive. Ishim në Sevilje të Spanjës dhe shtypi vendas shkruante midis të tjerave: “Butraguenjo nuk shënoi. Ai u ruajt mjaft mirë nga mbrojtësi shqiptar Rudi Vata”, etj. Siç thashë, këto ishin gjëra mjaft pozitive për ne. Pas Spanjës kemi luajtur në Irlandë. Këtë ndeshje po e ndiqte nga afër edhe ishfutbollisti i famshëm skocez, i cili është shquar edhe në kampionatin italian, por që në atë kohë ishte në stafin drejtues të të Sëlltikut. Unë luajta mjaft mirë dhe Bredi më bëri ofertë për të luajtur me Sëlltikun. Kështu u bë. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Një skuadër e madhe si Sëlltiku interesohej për një shqiptar të vogël si Rudi Vata të asaj kohe, sepse shqiptarët ishin thuajse të panjohur.

 

Sa e vështirë ishte kjo për Rudin?

 

Ishte shumë e vështirë, ishte shumë e vështirë. Në vitin 1992 një shqiptar të luante me një klub të madh si Sëlltiku për ndokend do të ishte edhe e pabesueshme. Sot ndoshta nuk përbën ndonjë gjë të veçantë, por athere ishte diçka vërtetë e jashtëzakonëshme. Ato vite ishin vite tranzicioni. Shqiptarët nuk njiheshin për nivel të lartë futbolli. Madje në atë vit shqiptarët kishin marrë edhe një emër disi të keq për shkak të largimeve të shumta nga vendi e gjërave të tjera. Të gjitha këto e vështirësonin shumë pranimin tim në një klub të tillë të madh. Megjithatë, unë arrita të thyej çdo barrierë dhe duke thyer çdo opinion arrita të luaj me Sëlltikun, duke treguar se shqiptarët janë edhe njerëz të zgjuar, por edhe sportistë të mirë. Mua m’u dha një shans dhe unë e shfrytëzova atë. Punova dhe fitova.

 

Pra, si u prit një shqiptar në mjedisin e “ftohtë” britanik?

 

Në mënyrë të shkëlqyer. Përshtypjet më të mira. Duke parë se shqiptarët nuk u trajtonin mirë në Greqi apo në Itali, në Skoci ka ndodhur e kundërta. Mua më kanë pritur mjaft mirë, më kanë trajtuar shumë mirë, më kanë respektuar, më kanë dashur, më kanë ndihmuar.

 

Sa kohë keni qëndruar tek Sëlltiku?

 

Tek Sëlltiku kam qëndruar 4 vjet. Nga viti 1992 deri në vitin 1996, ku kam fituar edhe një kupë të Skocisë. Në ato vite dominonte Gllazgou Rejxhërs dhe ne ishim gjithmonë renditeshim të dytët.

 

Pas Sëlltikut ku keni shkuar?

 

Pas Sëlltikut kisha një mundësi të shkoja për të luajtur në Francë me Olimpik të Marsejës. Oferta më ishte bërë dhe isha gati për të nënshkruar, por menaxheri im më tha se oferta, që më bënte AEK i Athinës ishte më e mirë.

 

Megjithatë ju nuk shkuat në Athinë. Përse?

 

Unë do të veja tek AEK-u, sepse nga kjo skuadër do të largohej një nga futbollistët legjendarë të saj, Manolas. Besova tek ky menaxher, madje edhe firmosa, shkova në Athinë, por Manolas ndryshoi mendim. Ai e shtyu edhe një vit qëndrimin e tij tek AEK-u dhe në momentet e fundit unë shkova në Qipro për të luajtur me Apollon të Limasolit. Këtu luajta për dy sezone 19961998. Ishte një ishull fantastik, një vend i qetë. Ishte një eksperiencë e bukur.

 

Pas Qipros?

 

Pas Qipros kam shkuar në Gjermani tek Energjik Kotbus, ku kam kaluar 4 sezone, nga viti 1998 deri në vitin 2002. Në këtë vit jam larguar për një periudhe 6mujore tek një skuadër e kategorisë së dytë në Gjermani, Ahlen. Pastaj nga Ahlen jam kthyer në shtator të vitit 2002 te Tirana. Tek Tirana kam ndenjur deri në janar të vitit 2003. Në vitin 2003 kam shkuar tek Jakohama dhe në 2004 kam përfunduar në Skoci tek St Xhonson.

 

Të kthehemi tek kombëtarja?

 

Me shumë dëshirë.

 

Keni qenë ndoshta ndër kapitenët më jetgjatë në krye të kombëtares sonë. Është kështu apo jo?

 

E kam vënë shiritin e kapiteni në një ndeshje miqësore që kemi bërë në Athinë, ku trajner i skuadrës ishte Neptun Bajko dhe kam vazhduar pastaj me të gjitha ndeshjet, kur kombëtaren tonë e kanë drejtuar Hafizi dhe Zhega. Mund të përjashto një ose dy ndeshje, kur kam qenë i dëmtuar. Për mendimin tim ka qenë një periudhë shumë e gjatë, shumë interesante, me trajnerët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria. Ndonëse nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, gjatë kësaj kohe u ndërtua një kombëtare e mirë, ku mendoj se trajnerët sakrifiuan shumë. Mendoj se prezantimi i mirë i futbollistëve tanë në kombëtare bëri që ata të shiheshin me sy të mirë edhe nga klubet e tyre.

 

Sa e vështirë është për të qenë kapiten i një kombëtareje?

 

Nuk është shumë e vështirë. Në radhë të parë duhet ta fitosh besimin e të tjerëve. Por ky besim nuk fitohet kollaj. Nuk fitohet pa qenë vetë shembull i një ekipi, nuk fitohet pa qenë lider i tij. Mbaj mend se Litbarski më thoshte këto fjalë: Rudi, ti ke diçka të mirë, ndoshta ndryshe edhe nga të tjerët, je një lider. Të tjerët mund të kenë edhe inat. Mund edhe të të bëjnë gjëra për të të larguar, por të qenurit lider nuk mund ta heqë askush.

 

Cili ishte shkaku i divorcit tuaj me kombëtaren?

 

Unë nuk jam ndarë nga kombëtarja as tani që po bisedojmë, por për atë që ju pyesni dhe që ndoshta shumë njerëz nuk e dinë të saktë historinë, po jua tregoj ju dhe nepërmjet jush gjithë lexuesve tanë. Ishte viti 2003 më duket, kur sapo skuadrën kombëtare e kishte marrë Demollari, një eksshok i imi i skuadrës së Dinamos. Ishte një kohë që unë nuk e kisha marrë veten ende nga një dëmtim, por Demollari insistonte që unë të shkoja në grumbullim të kombëtares për dy ndeshjet me Anglinë dhe Finlandën. Më tha: “Ti Rudi duhet të vish, sepse je i nevojshëm për kombëtaren”. Sakrifikova dhe shkova, madje u prisha edhe me trajnerin e klubit tim, sepse isha në periudhen e ariftësimit. E bëra këtë sakrificë për hir të kombëtares. Këtu Demollari përfitoi nga sinqeriteti im. Ai më preu në besë, sepse unë i kisha thënë që nëse më thërret, të paktën duhet të luaja 20 apo 30 minuta, të më njihet kjo sakrificë për kombëtaren, për të cilën unë kurrë nuk kam kursyer asgjë, pasi kam luajtur edhe me 32 gjilpëra të bëra në trup. Më premtoi se do të luaja, por nuk ndodhi kështu. Unë u ndieva i fyer, i prerë në besë dhe dhashë dorëheqjen nga kombëtarja.

 

Vetëm ky ishte shkaku i largimit?

 

Unë në Britani isha i njohur si futbollist, ndaj i kisha kërkuar Demollarit të mos më thirrte, nëse nuk do të më aktivizonte. Më premtoi që do të luaja. Unë i thashë që do të jap shpirtin në fushë dhe kur të mos mundem, do të ngre duart. Ai më tha se kështu do ta bëjmë, por në fakt nuk ndodhi kështu. U ndjeva vërtetë i fyer. Por, dua të dal edhe tek pyetja juaj e fundit. Mendoj se shkak për këtë mund të jenë bërë edhe drejtuesit e federatës. Unë gjithnjë e kam ngritur zërin për të mirë të kombëtares, për të mirë të futbollistëve. Këto kërkesa të drejta të miat më duket se janë parë ndryshe nga drejtuesit e federatës. Kam vërejtur se shumë njerëz të ndryshëm atëhere i kanë shërbyer grupeve të ndryshme, çka e ka dëmtuar shumë punën. Unë kurrë nuk kam bërë pjesë ndonjë grup, nuk i kam shërbyer asnjë grupi, por i kam shërbyer vendit tim, futbollit, vetvetes dhe familjes sime. Nga ana tjetër puna më ka shpërblyer mua dhe zoti më ka bërë vlerësimin.

 

Pas largimit të Demollarit erdhën dy trajnerë të huaj, Dosena dhe Briegel. Cilët kanë qenë marrëdhëniet e Rudi Vatës me to?

 

Ju më thoni që u largua Demollari, por unë po ju them që e larguan njerëzit që kishin influencë të madhe në federatë, ata që unë i kisha kritikuar me shumë të drejtë. Me Dosenën nuk kam pasur asnjë kontakt. Për sa i takon Brigelit, në fillim kam qenë dakord, që në krye të kombëtares të vinte një gjerman, pasi kisha jetuar në Gjermani dhe dija çfarë i karakterizon gjermanët. Në fillim vetë Brigeli më bëri propozimin për t’iu rikthyer kombëtares. Para se të shkoja në Japoni jam takuar në Rogner me Brigelin, por kësaj here pashë një Brigel tjetër, më shumë shqiptar sesa gjerman. Brigeli fliste me mua jo mend të veta por të të tjerëve, që fatkeqësisht ishin ende në federatë. Megjithatë, kur u largova, i thashë Brigelit se, nëse kishte nevojë, unë do të vija edhe nga Japonia. Litbarski është trajner i imi dhe si gjermanë që jeni të dy mund ta pyesësh për formën time. Por Brigeli nuk u bë më i gjallë.

 

Ju thoni që kombëtaren tonë më mirë është ta drejtojë një trajner i huaj apo një trajner shqiptar?

 

Unë nuk do të përgjigjem direkt, por dua të them se futbollistët shqiptarë duan një trajner serioz, fjalëpak e punëshumë. Po qe i tillë, shqiptarët të vlerësojnë, në të kundërt ato të zhvlerësojnë. Mendoj se kështu ka ngjarë edhe me Brigelin. Në fillim ata e kanë vlerësuar, por tani besoj se jo. Për Brigelin qarkullojnë shumë fjalë dhe në Shqipëri ruhet e shtrenjtë një fjalë e urtë “ku ka zë, nuk është pa gjë”

 

Jeni larg Shqipërisë, por a e ndiqni futbollin shqiptar?

 

Sigurisht që e ndjek. Unë vetë kam luajtur për pak kohë me Tiranën. Mendoj se kampionati ynë është i një niveli shumë të dobët. Futbollistët shqiptarë nuk trajtohen mirë dhe si profesionistë, mungon baza materiale dhe infrastruktura e nevojshme. Kjo bën që edhe ana psikologjike e futbollistëve të jetë e dobët.

 

Shumë futbollistë të brezit tuaj janë vënë në krye të kombëtareve të vendeve të tyre. Dua të përmend Klinsmanin, i cili po drejton Gjermainë. A ëndërron Rudi Vata të drejtojë ndonjëherë kombëtaren e Shqipërisë?

 

Edhe unë kam planet e mia, idetë e mia. Mendoj se një ditë do të kandidoj për trajner të ekipit tonë në kombëtar. E ndjej këtë si obligim, si detyrë. Mendoj se në momentin e duhur do të kandidoj për trajner të ekipit kombëtar. Unë kam një përvojë të madhe si futbollist. Kam një eksperincë të gjatë nga koha që kam luajtur me skuadra të ndryshme, kam idetë e mia që dua t’ua injektoj futbollistëve të mi. Për këtë më ndihmon edhe njohja dhe folja e 5 gjuhëve të huaja dhe angazhimi së shpejti në rolin e një trajneri të specializuar pas licensës që do të marr në një nga shkollat e njohura të futbollit britanik. Mua më interesojnë njerëzit e punës, njerëzit e sakrificës. Vetëm me këta njerëz dhe me një punë të specializuar kombëtarja jonë mund të arrijë atje, ku e kemi dëshiruar prej vitesh dhe që e presim të gjithë.

 

Tek disa futbollistë, duke përfshirë edhe ju, vërehet një realitet: Të gjithë jeni martuar me vajza jo nga Shqipëria. Pra e kam fjalën për Rudi Vatën, Bledar Kolën, Igli Tarem, Arian Beqajn etj. Përse ndodh kjo?

 

Unë nuk e di pse ndodh, por unë kam bërë zgjedhjen e duhur. Gjithkush ka guston e vet, shijen e vet. çdo gjë është me fat.

 

Arratia nga regjimi komunist i Rudi Vatës

 

Kjo është një pjesë nga historia e vërtetë e Rudi Vatës, futbollistit profesionist, i cili e la Shqipërinë nën regjimin e urryer dhe despotik të Enver Hoxhës, dhe pastaj u rikthye në vendlidje 11 vjet më vonë për të luajtur futboll, pesë muaj me Tiranën, i shoqëruar nga gruaja e tij tërheqëse skoceze, Ana frensis, për t’u adhuruar si Bekam dhe Viktoria. Historia e tij e udhëtimeve rreth Botës, nga njëri klub te tjetri, që e ka zanafillën në qytetin e tij verior të lindjes, Shkodër. Flet rrjedhshëm italisht, frengjisht, gjermanisht dhe anglisht, të gjitha të mësuara vetë, duke parë televizor gjatë aventurave të tij rreth botës. Vata e bëri ndarjen e tij me atdheun për të qenë i lirë nga tirania e stilit komunist shqiptar, në marsin e vitit 1991, kur ai udhëtoi për në Paris, për një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Francës në “Parc des Princes”. Shqipëria humbi 50, gjë e cila, po ta shohësh në retrospektivë, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe, duke parë se shtatë nga shokët e ekipit të tyre kishin bërë tashmë plane sekrete për t’u “arratisur”. “Nuk kishte më shpresë për mua”, thotë Vata mbi vendimin e tij deçiziv. “Nuk kishte liri. Nuk kishte liri për të luajtur, s’kishte liri për të folur, nuk kishte liri për të zgjedhur se kë libër duhet të lexoje, se cilën muzikë të dëgjoje. Nuk kishte liri për të menduar për veten. Madje, edhe si një sportist i Kombëtares i lejuar të udhëtojë jashtë, unë ndiqesha ngado prej agjentëve të Ministrisë së Brendshme. Ishin ata, të cilët vendosnin, se kur dhe si të stërvitesha, se sa të gjata duhet t’i mbaja flokët, se sa shpesh duhet të rruhesha, se çfarë të haja, se çfarë të pija. Më në fund, unë vendosa të ndahem përfundimisht me këto gjëra. Tre vetë nga ekipi “u zhdukën” 24 orë para planit të planifikuar. Kur aeroplani ynë u ul në Gjenevë, ata thjesht dolën nga aeroporti dhe thirrën një taksi. “E gjitha kjo ndodhi, kur tri të dërguarit e qeverisë, që mbanin syze të zeza, kapela dhe kapota u harruan duke u marrë me dutyfree shopping. Ishte mëse e lehtë për mua”, thotë Vata. “Në momentin e fundit, unë i thashë lamtumirë kolegëve të mi të ekipit dhe trajnerit dhe vrapova jashtë, drejt një makine që më priste, siç ishte planifikuar më parë nga një grup disidentësh shqiptarë. Pak orë më vonë, po pija birrë në një shtëpi të sigurtë, rreth 25 milje nga Nanta me 250 dollarë amerikanë në kesh, dhe kisha veshur një Tshirt, tuta sportive, atlete dhe po mbaja një çantë të vogël, që kishte brenda këpucët e mia të futbollit, akoma të përbaltura”. Brenda disa muajve, regjimi i Hoxhës ra, dhe Vata nisi të luante për Sëlltikun. Shumë shpejt, ai u njoh dhe me gruan e tij të ardhshme, Ann Fransies, në një klub nate. Pas kësaj, karriera e tij e shpuri atë në Qipro, Gjermani dhe Japoni, plus një periudhë disamujore të kaluar në Shqipëri, ku zonja Vata zbuloi se ajo ishte martuar me një ikonë kombëtare. Si lojtari më i pëlqyer i Shqipërisë dhe ishkapiten i Kombëtares, rikthimi i Vatës në atdhe fitoi vëmendjen e publikut në një stil të vërtetë “Bekhamesk”. çifti gjurmohej kudo nga gazetarët, Ann Fransis ftohej të prezantonte ekuivalentët e idhujve të Popit në Shqipëri. Derisa “Mbretëresha e Rudit”, njëherë e një kohë stiliste, e gjeti veten në kapakun e çdo reviste. Tashmë 36 vjeç dhe baba i dy djemve, Ruanit dhe Rokut, Vata është i kënaqur që është kthyer sërish në Skoci, ku moti është i ftohtë, por njerëzit të ngrohtë.

 

Kthimi te Tirana, një hap i gabuar

 

Para se të kthehej, Rudi e dinte se në vendin e lindjes mungonin shpesh dritat e uji, por ishte betuar se gruaja dhe djali i tij nuk do t’i ndienin të gjitha këto, për sa kohë do të rrinin në Shqipëri. Gruaja e tij, An Frensis, kishte sallonin e vet të bukurisë në Skoci, madje më parë kishte bërë edhe modelen. Pra ishte mësuar me një jetë të pasurish. Ndaj edhe Rudi i ishte betuar vetes, se ajo do të vazhdonte të bënte këtë lloj jete, edhe kur ai ta sillte si nuse në Shqipëri. Pasi luajti disa muaj me fanellën e skuadrës “Tirana” në trup, futbollisti shkodran u nis kushedi për të satën herë larg vendit të tij të lindjes. Nuk është as i pari dhe nuk pritet të jetë as rasti i fundit. Edhe pse mbrapa ka lënë shumë pengje dhe keqardhje, Rudi Vata nuk mund të qëndronte më në këtë tokë. “Këtu ka shumë shefa e pak punëtorë, kështu nuk bëhen punët”,  pohon futbollisti bjond, duke iu rikthyer eksperiencës te Tirana. Kishte adhur në Shqipëri mes zagushisë së gushtit të vitit 2003. Nuk ishte vetëm, e as vetëm me atë që dashuronte, me An Frensis, skocezen bjonde. Këtë herë ishin tre. Një muaj më parë se të mbërrinin, më 25 korrik, u kish ardhur në jetë një djalë me sy blu, si të nënës. Emri i tij, Ruan, nuk ishte veçse një bashkim rrokjesh, të parat e dy emrave të prindërve.

 

Ditët e qëndrimit në Tiranë

 

Kur i zbritën avionit, ata e mbajtën frymën drejt e tek “Tirana Iternational Hotel”, një nga më luksozët e kryeqytetit. “Ndenjtëm 34 javë aty, deri sa gjetën një apartament të përshtatshëm te Blloku. “Unë s’mund të pranoja që gruaja dhe djali im të qëndronin në një shtëpi me qera 200300 mijë lekë në muaj,”  kujton Vata. Në atë apartament të rehatshëm e të madh, në njërën nga rrugicat e Bllokut, futbollisti ia doli të mos e ndiente thuajse fare as ikjen e ujit e as atë të dritave, aq të zakonshme për të tjerët në Tiranë. Të tre e kaluan vjeshtën e vitit 2003 po ashtu do ta kalonin edhe një pjesë të dimrit. Nuk patën munguar as vizitat në qytetin e lindjes, në Shkodër. An Frensis e dashuron këtë qytet, të paktën kështu pohon teksa flet për të. I kanë pëlqyer sidomos shkodranët, të cilët i janë dukur shumë të sjellshëm dhe të thjeshtë.

 

Histori dashurie, njohja me Ana Frensis

 

Ata të dy janë njohur disa vite më parë, në një lokal nate, të ngjashëm me pubet shqiptare. “Ishte një natë e zakonshme, si gjithë të tjerat, por për mua qëlloi me shumë fat”, thotë Rudi, teksa kujton takimin e parë me gruan e tij. Kur e kishte parë për herë të parë, ai kishte mbetur pa gojë nga flokët dhe zëri i saj, por kur ishin njohur më shumë, kishte mbetur po aq i mrekulluar nga thjeshtësia e saj. Ishte kjo e fundit që ia mori mendjen fare dhe që e bëri t’i kërkonte të martohej me të. An Frensis kishte sallonin e vet të bukurisë në Skoci, madje më parë kishte bërë edhe modelen. Pra ishte mësuar me një jetë të pasurish. Ndaj edhe Rudi i ishte betuar vetes, se ajo do të vazhdonte të bënte këtë lloj jete, edhe kur ai ta sillte si nuse në Shqipëri.

 

Largimi nga Tirana, për mosvlerësim

 

I pyetur se në vitin 2003 erdhi në Shqipëri, ndenji pesë muaj te Tirana dhe më pas iku, Rudi Vata përgjigjet: “Unë e dua Shqipërinë dhe e di se kudo që të shkoj, luaj dhe fitoj si shqiptar. Por ishte e pamundur që të qëndroja akoma. Pashë që futbolli ynë ishte dhe është akoma amator, nuk ka profesionalizëm. Unë isha futbollist profesionist dhe nuk mund të luaja me amatorë. Këtu nuk gjeta asnjë lloj motivimi për të qëndruar. Kuptova se në Shqipëri nuk të njiheshin vlerat dhe për këtë kam ngelur shumë i zhgënjyer. Ika sepse nuk e gjeta veten këtu. Veç terreneve mizerabël, stadiumet tona këtu ishin bosh, kurse unë isha mësuar të luaja në stadiume të mbushura plot njerëz. Unë kam dëgjuar 5060 mijë të huaj të bërtasin emrin tim dhe ky ishte një trill i vërtetë që më jepte zemër të luaja. Ditaditës mu krijua bindja se në Shqipëri askush nuk ta thotë një fjalë të mirë, nuk kujtohej asnjeri për ty, prandaj edhe ika.”

 

Rudi Vata, baba i dy djemve

 

Rudi Vata është martuar me një skoceze, Ana Frensis (Vata), me të cilën ka edhe dy djem. Njëri quhet Ruan dhe tashmë është 4 vjeç, ndërsa tjetri, Roko, ka lindur para 3 javësh. “Ata të kenë shëndetin,  thotë Vata për dy djemtë.  Dëshira ime është që të merren me sport. Nëse do ta kenë talentin do të bëhen futbollistë. Ata shansin e kanë. Babai i tyre e kërkoj këtë shans nepërmjet sakrificave të mëdha. Babai do t’i ndihmojë shumë për këtë”. Me gruan e tij, Rudi Vata është njohur në një lokal në kryeqytetin skocez, një natë krishtlindjesh dhe prej asaj kohe s’i janë ndarë njëritjetrit, kudo ku ka luajtur ishkapiteni kuqezi, deri në Japoninë e largët. Si familje jetojnë në Hamilton, 10 milje larg Gllasgout. Aty është vendosur që në vitin 1992, kur luante për ngjyrat e Sëlltikut.

Skocinë e konsideron shtëpinë e tij të dytë, ndërsa skocezët një popull tepër të dashur dhe të ngrohtë. Në planet e Rudi Vatës është ndërtimi i një resoranti dhe një salloni të madh bukurie në qytetin skocez ku jeton, të cilin ta administrojë gruaja e tij, Ana Frensis, e cila e ushtron dhe e njeh mjaft mirë këtë profesion.

Po si e kalon kohën Rudi Vata? Edhe pse i ka varë “këpucët në gozhdë”, Vata thotë se nuk i është larguar futbollit. Veç të marrurit me menaxhim lojtarësh, ishkapiteni i kombëtares stërvitet individualisht pesë herë në javë në një qendër stërvitore në Hamilton. Kjo duket qartë edhe në fizikun e tij, që s’i lë asgjë mangut një futbollisti profesionist në aktivitet. Madje kur e pyet për këtë, ai thotë se është aq i freskët dhe në formë, sa po t’i nevojitet, në kampionatin shqiptar luan edhe 34 vjet pa problem, duke bërë diferencën me këdo.

 

 

 

Futbolli shqiptar, në kufij të amatorizmit

 

Futbollit shqiptar, sipas Rudi Vatës, i mungojnë njerëzit e duhur për ta çuar përpara. “Shqipërisë i mungojnë njerëzit me mentalitet profesionuist të punëve. Shumë thonë mungon infrastruktura, por kjo është në dorë të federatës dhe ajo duhet të marrë përgjegjësitë mbi vete. Dikush tjetër thotë se po zihen fushat e futbollit dhe po bëhen pallate, po shteti dhe federata çfarë bëjnë? Ato duhet të gjejnë hapësira të tjera jashtë qyteteve, në periferi të tyre, siç ndodh në të gjithë botën, për të bërë fusha futbolli. Unë jam i mendimit se po nuk iu dha dorë futbollit të moshave, nuk ka për të pasur kurrë kombëtare’”  gjykon ishkapiteni kuqezi.

 

Pse janë stadiumet bosh në Shqipëri?

 

Edhe për këtë pyetje, Rudi Vata e ka një përgjigje. “Shqiptarët kanë shumë halle, prandaj së pari nuk kanë edhe mundësi financiare të vijnë në stadium. Pastaj, duke e pasur mendjen te buka e gojës, as që bëhet fjalë për të vajtur në një ndeshje futbolli. Veç kësaj, futbolli që luhet në nivel kampionati në Shqipëri nuk të krijon ndonjë përjetim të veçantë që të bën shkosh në stadium. Këtu, me punën që bëjnë futbollistët në stërvitje dhe me regjimin sportiv që mbajnë, ky zanat është në kufijtë e amatorizmit,”  thotë Vata.

 

Me Gjermaninë, ndeshjet më mbresëlënëse

 

Dy ndeshjet me Gjermaninë, ajo e Hanoverit (43), kur trajner i kuqezinjve ishte Astrit Hafizi dhe ajo e Leverkursenit (21), kur trajner ishte Medin Zhega kanë qenë më mbresëlënëset për Rudi Vatën. Duke folur për këtë pikë, ishkapiteni kuqezi thotë: “Mendoj se çdo ndeshje ka qenë interesante dhe emocionuese. Kombëtaren e kemi dashtë shumë. Kombëtarja për mua, por edhe për të tjerët, ka qenë vërtet një gjë e madhe, një gjë e shtrenjtë. Kombëtarja është ëndërr për çdo futbollist. Më emocionueset për mua mendoj se kanë qenë ndeshjet që kemi zhvilluar kundra Gjermanisë, ajo e Hanoverit, (43) dhe ajo e Leverkursenit (21). Ishte një kënaqësi kur kishe përballë yjet e Gjermanisë së dikurshme si Hasler, Klinsman, Litbarski etj. Ishte kënaqësi të rrije përballë tyre dhe jo më të luftoje për t’i mundur në një luftë thuajse të barabartë me ta. Në këto ndeshje mendoj se tifozët e shumtë shqiptarë që na kanë ndjekur në Gjermani i kemi bërë të ndjehen vërtetë krenarë.”

 

 

 

“Pasaporta”

Emri: Rudi

Mbiemri : Vata

Vendlindja: Shkodër

Vendbanimi: Skoci

Datëlindja: 13 shkurt 1969

Gjatësia:180 cm

Pesha: 82 kg

Debutimi me kombëtaren: 30.05.1990, ndaj Islandës (0-2)

Ndeshja e fundit me kombëtaren: 01.09.2001, ndaj Finlandës (0-2)

5 gola me kombëtaren

07.06.1995    Moldavi-Shqipëri 3-2

11.10.1997    Gjermani-Shqipëri 4-3

10.02.1999    Shqipëri-Maqedoni 2-0

06.02.2000    Shqipëri-Andorra 3-0

15.11.2000    Maltë-Shqipëri 3-0

 

Ndeshjet e Rudi Vatës

Bilanci: 59 ndeshje gjithsej

12 fitore, 12 barazime, 35 humbje

Golaverazhi 53-96, 36 pikë, 30.51 përqindja

5 ndeshje miqësore

28 ndeshje kualifikuese për Botëror

20 ndeshje kualifikuese për Europian

6 ndeshje turnesh të tjerë

Numri që ka mbajtur në fanelë: 5

Arsyeja: Krahasimi me numrin 5 të holandezit Rudi Krol

Skuadrat me të cilat ka luajtur: Vllaznia e Shkodrës, Dinamo e Tiranës, Le Mons, Sëlltik i Gllazgout, Apollon i Limasolit, Energi Kotbus, Ahlen, Tirana, Jakohama, St Xhonson

 


Sporti Shqiptar

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: