Xhevahir Gradica: Si i dogjën e i vranë Allamanët e Matit
| E Marte, 29.12.2009, 06:09 PM |

Si i dogjën e i vranë Allamanët e Matit

Historia e dhimbshme e 2 brezave të këtij fisi. Personazhet e asaj kohe që i çuan drejt shuarjes

Nga Xhevahir Gradica

Dy breza Allamanë në fshatin Kurdari të Burrelit në krahinën e madhe të Matit janë pushkatuar, dënuar me dhjetëra vite burg, djegur e persekutuar në 45 vite vetëm pse krerë të fisit të fshatit nuk pranuan të bashkëpunonin me forcat komuniste në mbrojtjen e trojeve nga gjermanët. Në sarajet e Allamanëve kishin strehë forcat e Abaz Kupit me urdhër të të cilit qëndruan për disa ditë edhe misioni anglez në dimrin e ashpër të vitit 1944. Isuf Allamani e Dyl Allamani do të vendoseshin para togave të zeza njëri fill pas çlirimit, kurse i dyti pa u mbushur viti. Pas tyre Man Allamani, Selman Alamani, Sherif Allmani, Petrit Allamani dhe Asllan Allamani do të dënoheshin për agjitacioni e propagandë dhe tentativë arratisje duke vuajtur birucave të sigurimit të shtetit shqiptar dhe në qelitë e burgut të Spaçit e Burrelit.

Një familje e shuar

Gjashtëdhjetë vite burg, pesë kulla të larta të djegura, 2 burrat më të dëgjuar të fisit Allamani të pushkatuar dhe dhjetëra bagëti të sekuestruara së bashku me të gjithë pasurinë e shtëpive. Eduart Allamani djali i Petrit Allamanit të dënuar me 20 vit burg, tregon se fisi i tij është vrarë, burgosur dhe është djegur vetëm pse ishin nacionalistë. Eshtrat e Isuf Allamanit të vrarë tek Ura e Beshirit kanë qëndruar të groposura për 48 vite duke qëndruar larg familjes deri në vitin 1992. Të njëjtin fat, por më të hidhur e pati Dyl Allamani i pushkatuar në vitin 1945, në pranverën e parë pas çlirimit dhe që atëherë eshtrat e patriotit nuk janë gjetur më. Nga të gjithë të dënuarit që kanë hequr në burgjet e diktaturës ka mbetur vetëm Asllan Allamani, i cili jeton me të bijën në Tiranë, kurse kullat në fshatin e dëgjuar për atdhetarizëm, Kurdari të Burrelit, janë rindërtuar pas përmbysjes së sistemit komunist. Për qëndresën e matjanëve dhe veçanërisht për rezistencën e burrave të kullës së Isuf e Dyl Allamani janë shkruar shumë rrëfime një pjesë e të cilave kanë jetuar deri në ditët e sotme pasi janë përcjellë gojë më gojë. Në to përcillet vendosmëria e burrave për të mbrojtur me jetën e tyre deri në vdekje krahinën e Matit. Të tjera rrëfime dhe episode dëshmojnë pushtetin e fjalës së Isuf, Dyl e Selman Allamani, të cilët sakrifikuan gjithçka për nderin e vendit të tyre kundër pushtuesit gjerman. Në luftën e Matit e njohur si luftë e nacionalistëve shqiptarë kundër gjermanëve është plagosur Man Allmani, ndërsa forcat nacionaliste detyruan pushtuesin të tërhiqet. Ka të tjera materiale të mbërritura deri më sot që dëshmojnë se janë paguar napolona floriri për të “hequr” qafe Dyl Allamanin për shkak të pushtetit që ai kishte në Kudari, Patin. Lis e në Dibrën e Madhe e të Vogël. Allamanët të nisur nga shprehja matjane “Matin e çlirojnë vet matjanët pa nevojën e të huajve” nuk përkrahën as Haxhi Lleshin e as Shefqet Peçin, të cilët nuk mundën të shtronin vëllezërit e Kurdarit në Burrel. Dy herë u provokua djegia e kullave për t’u shkrumbuar vetëm në vitin 1945 pas një marshimi të një batalioni të tërë të kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili vrau 18 burra të fshatit dhe dogji të gjitha kullat e Allamanëve në shenjë hakmarrjeje, duke lënë gratë, fëmijët dhe pleqtë e fisit në të ftohtë, në ngricë e në dëborë pa asnjë mbështetje. Dyl Allamani duke parë egërsinë e Mehmet Shehut vendosi të dorëzohet për të shpëtuar nga plumbi burrat e nipërit e fisit të tij. 50-vjeçari Dyl Allamani është ekzekutuar natën në Breg Lum të Tiranës, por pa mundur të mbyllë hasmërinë me regjimin komunist. Miqësia e vëllazërimi me Myslim Pezën nuk e shpëton burrin e Allamanëve për të përfunduar në plumb edhe pse komandanti i çetës së Pezës mundi të bindte Enver Hoxhën për t’i falur jetën Dyl Allamanit. Mëritë e vjetra të Haxhi Lleshit me Allamanët ishin më të forta sesa lutjet e Myslim Pezës. “Nëse nuk do të pushkatosh Dyl Allamanin më vra mua”, mësohet t’i këtë thënë Haxhi Lleshi diktatorit Enver Hoxha, ndikimi i të cilit ka qenë vendimtarë për fatin e jetës së 50-vjeçarit. Regjimi kishte lënë mënjanë atdhetarin Suljeman Allmani, babai Dyl, Isuf, Selman dhe Shahin Allaman, i cili është vrarë në Shkodër teksa luftonte kundër dyndjeve serbe. Regjimi komunist e mbuloi me harresë emrin e këtij patrioti të madh për t’u ribërë edhe një herë në vitet e pasrënies së diktaturës. Sulejman Allmani është dekoruar me titullin Dëshmor i Kombit duke rikthyer lavdinë dhe nderin në kullat e Kurdarit të Burrelit.

Pushkatimi

Vëllezërit Dyl, Isuf, Selman dhe Shahin Allamani gjatë rezistencës shqiptare kundër pushtuesit të huaj përkrahën forcat e Abaz Kupit. Allamanët kishin ndikim të madh në Kurdari të Burrelit dhe miqësi me fise shumë të njohura e të forta në pushkë e në penë. Ata ishin lidhur me fisin Deliallisi në Shijak të Durrësit për shkak të frymës nacionaliste, lidhje që do u kushtojë jetën dy prej burrave të fisit matjan. Isuf Allamani kishte përfunduar studimet e larta në Firence të Italisë për mjekësi veterinere. Në vendin fqinj ishte njohur me italianen Leonela me të cilën pati vetëm një djalë pasi Isufi do të pushkatohet në moshën 37-vjeçare. Gjatë viteve 1936-1944 Isufi qe drejtor në Xhafzotaj dhe mbarështoi racat më të mira të gjedhit. Pikërisht në këtë periudhë nisi njohja me familjen e Deliallisëve, të cilët kishin bërë figurë të keqe tek komunistët e Durrësit. I shkolluari në Firence ka lënë një sërë dorëshkrimesh, të cilat pritet të botohen shumë shpejt dhe që mund të jenë të vlefshme për auditorin e studentëve të zooveterinarisë. Vëllezërit e tij shiheshin me dyshim pasi u organizua rezistencë komunistëve duke mos i lënë të futen në fshatin Kurdari, ndërsa për disa ditë, me porosi të Abaz Kupit mbajtën misionin anglez në kullat e tyre. Dy-tre ditë pas çlirimit, aty nga data 30 nëntor 1994, në shtëpinë e Isuf Allamanit në Xhafzotaj shkojnë për darkë miqtë e fisit të tij, Jakup e Kapllan Deliallisi. Disa orë pasi burrat kishin nisur bisedën, shtëpia e Allamanit rrethohet nga forcat e ndjekjes së sigurimit të shtetit dhe rrëmbejnë forcërisht dy burrat e Delillisëve. Por Isuf Allmani nuk mundi ta përballonte tundimin e marrjes me forcë të miqve të shtëpisë nga konaku. Kështu ai vendos të shkojë me Deliallisët të futurë në mes të disa personave të armatosur. Sali Verdha, njëri nga anëtarët e skuadrës së pushkatimit, u ka treguar Allamanëve pas rënies së komunizmit se Isuf Allmani dhe Jakup e Kapllan Deliallisi janë vrarë tek Ura e Beshirit dhe janë futur në një gropë të tre për t’u rivarrosur 48 vite më vonë, në vitin 1992. 37-vjeçari i shkolluar në Itali u ka dalë përpara pushkatarëve për të mbrojtur miqtë që ia rrëmbyen në shtëpi dhe është qëlluar i pari nga skuadra e pushkatimit. Gruaja italiane dhe djali i tij Allaman Allmani lanë Shqipërinë një vit më pas, në vitin 1945 për të mos ardhur më kurrë deri në vitet e demokracisë. Leonela deri në vdekje nuk e ka besuar se burri i saj Isuf Allmani ishte pushkatuar dhe gjithnjë i thoshte të birit, Allmanit “Si nuk erdhi një herë babi yt të na shohë e të na takojë?!”. Pas tij radhën do e kishte Dyli vëllai i madh i Allamanëve. Të pesë kullat nën të njëjtin mur të lartë shpëtuan nga zjarri në vitin 1994, pasi Shefqet Peçi nuk mundi t’i vinte flakën. Pas tij dështoi edhe Haxhi Lleshi. Dyli kishte pasur probleme edhe vite më parë, me Zogun pasi kishte gisht në heqjen e Beqir Valterit. Për të shpëtuar nga xhandarmëria Dyl Allamani ikën në Dibër të Madhe dhe njihet me Myslym Pezën me të cilin pinë gjak e vëllazërohen. Por armiqësia me Haxhi Lleshin do i kushtojë shumë. Allamanët ishin nip e dajë me fisin e fortë të Çelës, ndërsa kullat e palëve u futën në hasmëri dhe kjo u shfrytëzua nga Haxhi Lleshi, i cili nuk u la të hynte në Mat gjatë luftës nga Dyl Allmani e nacionalistë të tjerë matjanë. Pas tij në Kurdari, në Burrel e në Mat shkon Mehmet Shehu. Ai vendos të vrasë të gjithë pleqtë, gratë e fëmijët e Allamanëve në pamundësi për të kapur kokat e fisit që kishin dalë në mal. Pasi u vë zjarrin shtëpive bën gati skuadrën e pushkatimit, por pengjet shpëtojnë pasi një vendin nga Tiranë detyron Mehmet Shehun të tërhiqet duke lënë fshatin të përfshirë në britma e në tymin e kullave që digjeshin. Allamanët kishin mundur të bindin Çelët për pajtim dhe u kishin falur nipërve të tyre gjysmën e malit Allamani, shenjë kjo e bashkimit kundër pushtuesit gjerman. Nën të tilla presione Dyl Allmani vendos të dorëzohet për të shpëtuar djemtë e nipërit nga përndjekja e regjimit. Ai merr përsipër rezistencën dhe dënohet me pushkatim për t’u vrarë në pranverën e majit të vitit 1945, ditën e Bajramit në Breg Lum të Tiranës. Eshtrat e tij disa vite më pas i ka marrë lumi pasi gropa sipas dëshmive është hapur buzë rrjedhës dhe në një thellësi të vogël. Myslym Peza qe më me pak ndikim tek Enver Hoxha sesa Haxhi Lleshi, pasi ky i fundit bëri të gjitha përpjekjet deri sa e pushkatoi Dyl Allmanin. Në kohën që pushkatohet Dyli, përfundon në burg Selmani, vëllai tjetër duke vuajtur në qeli tortura dhe vite burgu.

Arrestimet e burgimet

Allamanët kishin zë të madh në krahinën e Matit pasi ishte lidhur me fise të forta, nacionaliste dhe atdhetare. Ata kishin miqësi me fisin Kaloshi, Ndregjoni e Reçi në Dibër dhe me Selmani, Çela e Valtëri në Mat, të gjitha fise të njohura për nacionalizëm. Pikërisht një lidhje e tillë rëndoi edhe më shumë palët duke shtyrë regjimin komunist të përndiqte një nga një burrat e nipërit. Në vitin 1970 ra në burg djali i Dylit, Petriti, nipërit Sherif e Asllan së bashku me kushëririn e tyre Man Allamanin. Gjykimi pas një hetuesie speciale i dënon pa prova nën akuzën e agjitacionit e propagandës dhe tentativës për arratisje. Sherifi dënohet me 22 vite burg, Petriti 20 vite dhe Asllani me 15 vite dhe së bashku u dërguan në Burrel e Spaç për të vuajtur dënimin. Kryengritja e Spaçit rrëmbeu edhe Sherif Allamanin, i cili u ridënua. Brezi i dytë i familjes patriotike kaloi vite të tëra në qendrat e persekucionit të rëndë, ndërsa pinjollët e tyre vuanin në përçmimin e regjimit duke mos pasur të drejtën e shkollimit dhe të barazisë në shoqëri. Në mënyrë të çuditshme regjimi synoi të zhdukte gjithçka që kishte të bënte me rikthimin në kujtesë të llagapit Allamani. Të gjitha gjyqet kundër tyre ishin të sajuara me dëshmitarë të rremë. Nipi Allamanëve, Eduarti, i diplomuar për drejtësi pas rënies së komunizmit, ka treguar se dëshmitari kyç për dënimin e të atit të tij me 20 vite burg ka qenë shoku i tij. “Ishte shoku i babait që u përpunua nga hetuesit për të dëshmuar në gjyq gjera aspak të vërteta. Por ai ishte njeri i ndershëm dhe nuk e duroi dot krimin duke përfunduar në sytë e njerëzve nën gomat e makinës”,-tregon Eduarti. Pasi shkatërroi jetën e krerëve të fisit në burgje e miniera, regjimi komunist u hoqi të gjitha liritë nipërve e stërnipërve, ndërsa mali Allamani nuk do të mbajë këtë emër për shumë vite. Me anë të një vendimi ky mal nga ajo kohë e persekutimit të Allamanëve dhe deri në vitin 1992 do të quhet mali i Kurdarisë dhe çdokush që do të gabonte duke e thërritur në emërtimin e njohur historikisht ndëshkohej. Dëshmitarë të rezistencës së Allamanëve kundër pushtuesit janë dëshmitë në mbarë krahinën si dhe vet lumi Mat e Lusa, pragje qëndrese për Kurdarinë. Krimet e regjimit, vuajtjet, dënimet, burgosjet, torturat dhe mbijetesa e Allamanëve kanë zënë vend në librin e Eqrem Bej Vlora “Histori e Shqipërisë”, Juli Ameri, ish-misionar anglez pranë Abaz Kupit në kohën e luftës së vitit 1943-44 “Bijtë e Shqipes”, në dhjetëra faqe e dokumente të arkivave të shtetit si dhe në novelën e prozatorit të njohur Shpendi Topallaj “Allamanët”. U dënua me 10 vite burg dhe Shefki Allamani si nacionalist (kushëri i afërt me Dyl Allmanin e Isuf Allmanit të pushkatuar në vitet ‘44 e ‘45). Në të gjitha rastet theksohet se Allamanët në një shekull janë vrarë e prerë me serbët dhe regjimin komunist në ruajtje të parimeve kombëtare e nacionaliste. Më 16 nëntor 2009 në Tiranë në 65-vjetorin e Ditës kundër torturës së organizuar nga presidenca dhe ambasada amerikane janë dekoruar 38 intelektualë të pushkatuar në vitet 1944-1945. Këto ditë presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të dekorojë me titullin “Nderi i Kombit” intelektualin Isuf Allamani të pushkatuar në vitin 1994. Janë dhjetëra të ftuar mes tyre edhe pinjollë të fisit Çela, Lisi, Patini, Kaloshi, Ndergjoni etj me të cilët mbijetuan kullat e Allamanëve.


Metropol

(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: